Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

12 vite pas ndarjes nga jeta… A ishte ky nderimi që meriton Mjeshtri i Madh Gjok Beci?

Një emër i madh në një pllakë të vogël, respekt apo formalitet i vonuar?

Nga Pirusti News
1 173 Shikime
SHPERNDAJE

Një emër i madh në një pllakë të vogël, respekt apo formalitet i vonuar?

Nga Aleksandër NDOJA

Pikërisht më 14 shkurt 2026, plot 12 vite prej ndarjes nga jeta të poetit të madh të kombit, Mjeshtër i Madh Gjok Beci, pamë se si në Rrëshen u vendos një pllakë që njofton se Pallati i Kulturës Mirditë do mbajë emrin “Gjok Beci”. Që në krye të herës duhet të jemi të qartë se ai Pallat Kulture zyrtarisht e ka emrin “Gjok Beci” prej plot katër vitesh, por deri më dje mungonte një pllakë. Një ceremoni e vakët që në fakt duhej të ishte edhe një kërkim faljeje për zvarritjen plot katër vite të dy qeverisjeve (1 + 3) nga dalja e vendimit, e jo të merrnin flamurin e lavdisë me një veprim që dje u pa qartë se ishte krejt i pa lavdishëm.

Pse?

Është paradoks i hidhur dhe fyes që emri i madh i Gjok Beci, poet që i dha zë epokës, luftës për liri dhe identitetit kombëtar, të përfaqësohet me një pllakatë minore, të errët e mezidukshme, si të ishte një shënim periferik dhe jo një monument nderimi. Kur sheh format dinjitoze dhe impozante të nderimeve publike në Lezhë e Kurbin për figura si Ded Ndue Lazri dhe Kok Malçi, kontrasti bëhet jo vetëm estetik, por moral.

“Madhështia e emrit dhe e veprës së Gjok Becit nuk mund të ngushtohet në simbolikën e një pllake të dalë mode, si ato që mbeten ende në muret e vjetra e të rrënuara të Tiranës, dëshmi të një kohe propagandistike që përkujtonte aksionet e njësive guerile të viteve ’40.” Ja kanë borxh Gjok Becit një nderim më dinjitoz, përtej një pllake që të kujton ato nëpër mure që përkujtojnë gueriljet e Tiranës.

Morën flamurin e lavdisë me një realizim aspak të lavdishëm. Përveç pllakës aspak dinjitoze, ceremonia vijoi me ca fjalime rutinë dhe recitime fëmijësh që të kujtojnë ndonjë promovim libri mediokër në salla pa dritë dhe me 20–25 të pranishëm të mbledhur në mënyrë të sforcuar, pa ndonjë organizim apo koncert vijues, siç ndodhi disa vite më parë në Rubik, kur Gjok Becit iu dha titulli Qytetar Nderi, ndërsa i gjithë qyteti u përfshi në atë festë.

Një vendim i mbetur katër vite në sirtar. Pse?

Në fund të dhjetorit të vitit 2021, Këshilli Bashkiak, pasi mori në konsideratë relacionin e paraqitur nga komisioni konsultativ për emërtim rrugësh, sheshesh dhe akordim titujsh nderi – siç më parë ishte vepruar me dhënien e emrave në rrugë e sheshe të Imzot Zef Skanës, Preng Bib Dodës, Marie Tucit, Musine Kokalarit, “Rrugë e Mundimeve” etj. – vendosi për vendosjen e emrit të Gjok Becit në Pallatin e Kulturës Mirditë.

Në mes të janarit 2022, pra plot katër vite më parë, Prefekti i Qarkut Lezhë e miratoi këtë vendim. Për një vit e pak më shumë, çuditërisht, ky vendim tashmë i shpallur ligjërisht nuk u shoqërua me vendosjen e pllakës. U tha se pati mjaft reaksione, sidomos të ndjeshme, dhe kjo situatë u shty për shkak të ekuilibrave disi të brishtë, kur po afroheshin zgjedhjet vendore të vitit 2023. Në fakt, sido të ishin arsyet, kjo ishte thjesht një papërgjegjshmëri e dënueshme dhe aspak e drejtë.

Pas zgjedhjeve dhe marrjes së drejtimit të bashkisë nga lidershipi i ri vendor, u tha se disa herë familjarë dhe të afërm kërkuan me insistim që pllaka të vihej në vendin e duhur. Nisi një ofensivë mediatike dhe reagim jo i pakët nga opinioni publik.

Vendimi për emërtimin e Pallatit të Kulturës Mirditë është marrë prej vitesh. Ajo që u zvarrit ishte vullneti. Ajo që mungoi ishte respekti. Për vite pati heshtje, pengesa, shtyrje dhe ndikime aspak serioze. Familjarët dhe opinioni publik trokitën pareshtur në dyer institucionesh, ndërsa sot disa nga ata që heshtën ose penguan, nxituan të dalin në rresht të parë për të mbajtur flamurin e lavdisë mbi një ceremoni të vakët, pa përmasë, pa koncert, pa frymën që vetë poeti i dha asaj skene për dekada.

Nderimi i figurave të mëdha nuk matet me një pllakë të vogël në mur, por me madhështinë e përfaqësimit publik. Përndryshe, rrezikon të duket më shumë si shlyerje detyrimi sesa akt mirënjohjeje. Më në fund, pas katëer vitesh, u vendos që ajo pllakë të vendosej aty ku është prej ditës së djeshme.

Dy fjalë në morinë e mijëra fjalëve që mund të thuhen e kurrë nuk mund të plotësohet portreti i Mjeshtrit të Madh.

Gjok Beci shfaqet me të drejtë si një nga figurat më madhështore të poezisë dhe tekstit të këngës shqipe, i cilësuar si mirditasi më përfaqësues pas Gjergj Fishtës. Me mbi 1000 tekste këngësh dhe poezi me frymë të fortë kombëtare, ai ktheu vargun në kushtrim lirie dhe identiteti, duke u bërë zëri poetik që shoqëroi breza të tërë shqiptarësh në Shqipëri, Kosovë e diasporë.

Krijimtaria e tij nuk mbeti thjesht artistike, por mori rol historik e mobilizues: këngët me tekst të tij u kënduan në frontet e luftës së Kosovës dhe u kthyen në himne që frymëzonin luftëtarët, veçanërisht përmes interpretimeve të Arif Vladit, Ilir Shaqirit e shumë të tjerëve. Nderimi masiv në stadiumin e Prishtinës pas çlirimit dëshmon lidhjen e rrallë mes poetit dhe popullit.

Si shtyllë krijuese e Ansamblit “Mirdita”, Beci i dha folklorit përmbajtje epike e identitare, duke prodhuar tekste që u kthyen në simbole, si cikli për Mic Sokolin dhe “Plis në Luvër”. Vargjet e tij ngritën në skenë dhe festivale emra të mëdhenj të muzikës shqiptare si Vaçe Zela, Gaqo Çako, Kastriot Tusha e shumë të tjerë, duke dëshmuar ndikim të drejtpërdrejtë në suksesin e tyre artistik.

I lindur poet nga natyra dhe kultura e Mirditës, Gjok Beci paraqitet si krijues i papërsëritshëm që i dha këngës shqipe dimension himni, historisë zë dhe kombit frymë, një autor që, siç theksohet, dha shumë më tepër sesa mori. Dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë me urdhrin “Mjeshtër i Madh” dhe nga Presidenti i Kosovës me medaljen “Presidenciale të Meritave”.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest