Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Silvana Krasniqi – Simbol i Kukësit, i sportit, artit dhe mjekësisë.

Në faqet e revistës “Mirdita” nr. 49, (nr special Kukësi)

Nga Pirusti News
1 079 Shikime
SHPERNDAJE

Aleksandër NDOJA

Nëse rruga të çon në Kukës dhe ke pak kohë për t’u takuar me njerëz të botës intelektuale me artistë, letrarë e personalitete të njohura të qytetit – padyshim që në këto “oda” do të të shfaqet edhe një grua shtatlartë, rreth të 70-tave, e cila edhe në këtë moshë sfidon vitet dhe një sëmundje të rrezikshme, për të qenë sërish në ekranin e RTV Kukësit, në emisionin e saj të dashur për fëmijët kuksianë. Aty, si dikur, qëndron krah aktorit dhe regjizorit, mikut të saj të mbi pesë dekadave në art, Qazim Velia.

E nëse ndonjë vizitor i panjohur ndalet për një çast, i tërhequr nga pamja e saj fisnike – ajo vajzë shtatlartë që dikur spikaste si kampione volejbolli dhe simbol i bukurisë kuksian, miqtë e saj do t’i thonë me krenari:
“Ajo është Silvana Krasniqi!”

Një emër që përfaqëson pasaportën e një kohe plot zhvillime e aktivitete, pasaportën e një brezi elitë që la gjurmë të pashlyera në shumë fusha të artit, kulturës dhe sportit.

Silvana Krasniqi është një emër që për shumë kuksianë lidhet me kujtime, krenari dhe nostalgji. Sporti dhe arti kanë qenë për të të pandarë: si pjesë e pesëshes së parë të volejbollit të Kukësit, ajo i ktheu të dielat e qytetit në festa për ndeshjet e ekipit. Fusha spektakolare pranë urës, me malet që formonin një amfiteatër natyror, mbushej me mijëra banorë entuziastë, të cilët e përkrahnin ekipin. Ndonëse në fillimet e viteve 1965 mentaliteti ishte i kufizuar dhe vajzat përballeshin me paragjykime të kohës, Silvana guxoi të shfaqej, duke sfiduar tabutë dhe duke u bërë shembull i guximit.

Në vitin 1967, ajo shkoi në Korçë për shkollë, ku u angazhua si pjesë e kombëtares shqiptare. Luan me ekipin e Korçës për tre vite, dhe një vit me Studentin, duke shfaqur forcën, shtatin e lartë dhe teknikën e shkëlqyer në sport. Por sporti nuk e kufizoi: Silvana luan për vite me estradën profesioniste të Kukësit dhe teatrot e kukullave, duke treguar pasionin e saj për artin dhe aftësinë për të krijuar emocione tek të tjerët.

Arti dhe sporti i japin jetë, por mjekësia e ruan dhe e zhvillon jetën. Pas përfundimit të shkollës mjekësore, ajo kontribuoi në mënyrë të jashtëzakonshme si infermiere dhe më vonë si laborante analizash mjekësore në Spitalin e Kukësit. Profesioni i saj e bëri të respektuar dhe të dashur në komunitet, duke u bërë një figurë që kombinon bukurinë, inteligjencën dhe përkushtimin profesional. Pas rënies së komunizmit, ajo punoi edhe disa vite në Greqi, duke vazhduar misionin e saj human.

Për banorët e Kukësit, Silvana ka qenë gjithmonë “vajza më e bukur e qytetit verior”, simbol i të mirave, bukurisë, sportit, artit dhe mjekësisë. Ajo është shembull i një epoke plot aktivitet dhe jetë të pasur, por edhe sot, në moshën 70-vjeçare, nuk dorëzohet. Shumë ditë të muajit udhëton për Tiranë për kimioterapi, dhe menjëherë rikthehet në TV-Kukësi, ku me mikun dhe kolegun e pandarë prej 50 vitesh, Qazim Velinë, drejton një emision për fëmijë, duke dhënë gëzim dhe edukim për brezin e ri.

Portreti i Silvana Krasniqit është portreti i një gruaje që ka sfiduar kohën, mentalitetin dhe sëmundjet, një simbol i qytetit të Kukësit dhe i një epoke që nuk harrohet. Një grua që ka luajtur, krijuar dhe shërbyer për komunitetin dhe që sot vazhdon të inspirojë me energjinë, pasionin dhe zemrën e saj të madhe.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest