Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

“Dialog me Historinë” në Gjimnazin “Qemal Stafa”

Aktivitet me fokus figurën dhe krijimtarinë letrare të Qemal Stafës, me pjesëmarrjen e studiuesve dhe nxënësve

Nga Pirusti News
1 092 Shikime
SHPERNDAJE

Në ambientet e Gjimnazit “Qemal Stafa” në Tiranë, u zhvillua një aktivitet i veçantë në kuadër të ciklit “Dialog me Historinë”, me pjesëmarrjen e nxënësve dhe stafit pedagogjik.

Aktiviteti u organizua nga Sektori i Menaxhimit të Koleksioneve pranë Muzeut Historik Kombëtar, ku specialisti i sektorit, Maringlen Abedini, prezantoi dhe foli mbi objektet që lidhen me figurën e Qemal Stafës, duke ia afruar të rinjtë më pranë historisë dhe trashëgimisë sonë.

Ky aktivitet shërbeu si një urë lidhëse mes brezave, duke nxitur dialogun, reflektimin dhe interesin e të rinjve për historinë dhe figurat e saj më përfaqësuese.

E ftuar speciale ishte Prof. asoc. dr. Rovena Vata Mikeli, studiuese pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Departamenti i Studimeve Letrare, e cila referoi kumtesën me temë: “Krijimtaria letrare e Qemal Stafës në kontekstin historik dhe shoqëror shqiptar”, duke sjellë një analizë të thelluar mbi dimensionin letrar dhe rolin e tij në historinë shqiptare”.

Në vijim fjala e saj e plotë:

Të nderuar drejtues, mësues dhe nxënës të gjimnazit “Qemal Stafa”, të nderuar kolegë të Muzeut Historik Kombëtar, të nderuar pjesëmarrës!

Kam kënaqësinë dhe privilegjin të jem sot, pjesë e këtij aktiviteti në kuadër të takimit me temë: “Dialog me historinë”, falë bashkëpunimit ndër institucional, mes gjimnazit tuaj, Muzeut Historik Kombëtar dhe përfaqësuesve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku qëllimi i takimit të sotshëm është nderimi e vlerësimi, i një prej figurave më të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare, figura e Qemal Stafës.

Ju falënderoj për ftesën dhe për organizimin e kësaj veprimtarie, e cila ofron një mundësi të çmuar për të reflektuar mbi kontributin dhe trashëgiminë e Qemal Stafës, duke e vlerësuar jo vetëm si figurë historike, por edhe si model frymëzimi për vlerat kulturore dhe intelektuale.

Institucioni juaj, që mban emrin e Qemal Stafës, përfaqëson një traditë të konsoliduar të formimit intelektual dhe qytetar, duke i dhënë këtij aktiviteti një dimension edhe më domethënës në raport me kujtesën historike dhe edukimin e brezave.

Në këtë kontekst, trajtimi i figurës së Qemal Stafës nuk mund të kufizohet vetëm në dimensionin historik apo politik, por kërkon një qasje më të gjerë analitike, e cila përfshin edhe kontributin e tij, në fushën letrare dhe atë kulturore.

Figura e Qemal Stafës përfaqëson një ndërthurje të veçantë mes angazhimit ideopolitik dhe artikulimit intelektual. Krijimtaria e tij letrare, ndonëse e kufizuar në sasi, ofron një pasqyrë të qartë të mendimit rinor dhe të përpjekjeve, për të artikuluar një vizion të ri shoqëror, në Shqipërinë e gjysmës së parë të shekullit XX-të.

Qemal Stafa, i lindur më 20 mars 1920 në qytetin e Elbasanit, u nda nga jeta në lule të rinisë më 5 maj 1942; kjo datë u shënua më vonë si dita e kujtimit të dëshmorëve.
Veprimtaria e tij brenda lëvizjes komuniste dhe kontributi në artikulimin e diskursit ideologjik, e pozicionojnë atë, si një subjekt me rëndësi strategjike në historiografinë kombëtare, duke u shndërruar në një referencë, për analizën e formimit të vetëdijes kolektive dhe të veprimit politik.

Figura e Qemal Stafës nuk lidhet vetëm me dimensionin politik, por kontributi i tij, duhet trajtuar edhe në aspektin letrar dhe kulturor, ku përmes tyre shpreh dhe artikulon në mënyrë të drejtpërdrejtë tensionet, aspiratat dhe dilemat e brezit, që jetoi, duke reflektuar ndërthurjen e ideve rinore me përpjekjet për transformim shoqëror dhe emancipim intelektual.

Krijimtaria e Qemal Stafa përbëhet nga një korpus i kufizuar tekstesh, ku përfshihen tregime, skica dhe poezi, të cilat u botuan pjesërisht në shtypin e kohës, shpesh nën pseudonimin “Brutus”, dhe u përmblodhën më vonë në vëllimin: “Qortimet e Vjeshtës” (1961).

Në krijimtarinë e tij letrare Qemal Stafa pasqyron në mënyrë kritike realitetin social të Shqipërisë së viteve 1930, duke trajtuar fenomene të kohës si: varfërinë, pabarazitë sociale dhe krizën ekzistenciale të individit, përmes shkrimeve me tituj: “E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë: nji jetë e re po lulëzon gërmadhash” – shkrim i Qemal Stafës shkruar në Shkodër, më datë 19 qershor 1935.

Qëllimi ynë”, këtë artikull Qemal Stafa e shkroi si kryeartikull për revistën “Shkëndia”, organ i shoqërisë “Besa” të studentëve të Liceut të Shkodrës, të cilin autoritetet e kohës nuk e lejuan të shtypet, shkruar në maj 1936.

“Qortimet e vjeshtës“ e botuar me pseudonimin “Brutus”, botuar në revistën: “Bota e re”, Shkodër, 1936.

“Rreze Frengjijash”, botime të gazetës: “Bashkimi”, Shtypshkronja “Dielli”, Tiranë, 1945, f. 45-47, shkruar prej Qemal Stafës në Firence, më datë 12 tetor 1939, po titujt të tjerë, si: “Nënshtypje kaltërsie”, “Shegerti i vogël”, poezitë: “Hijes së t’im vllai”, “Kanga e kumbonares”.

Personazhet e vizatuara prej tij në këto skica letrare, janë tipologji sociale që reflektojnë përvojat dhe vuajtjet e jetës së përditshme, ndërsa gjuha figurative dhe kontrastet dritë-errësirë, e bëjnë krijimtarinë e tij një mjet të fuqishëm për reflektim dhe ndërgjegjësim shoqëror.

Në tekstet e tij letrare Qemal Stafa ndërthur disa dimensione kryesore, si: reflektimin estetik, që shfaqet në përpjekjen për të ndërtuar një gjuhë artistike me peshë figurative dhe estetike, artikulimin ideor, duke pasqyruar vizionin e tij mbi ndryshimin shoqëror, rolin e rinisë si subjekt historik, pasqyrimin dhe interpretimin e realitetit të kohës, duke trajtuar problemet e varfërisë, pabarazive dhe tensioneve shoqërore.

Këto dimensione ndërveprojnë brenda krijimtarisë së Qemal Stafës, duke e kthyer atë jo vetëm në një dëshmi historike, por edhe një objekt diskutimi dhe analize të ndërgjegjes kritike dhe veprimit intelektual në Shqipërinë e periudhës së hershme të shekullit XX-të.

Një nga dimensionet themelore të mendimit të Qemal Stafa është konceptualizimi i rinisë si subjekt historik. Në shkrimin me titull: “Qëllimi ynë”, Qemal Stafa artikulon një vizion, ku rinia nuk shihet thjesht si një kategori demografike, por si faktori kryesor për zhvillimin e shoqërisë shqiptare, ku e shpreh mendimin e tij me këto fjalë: “Vetëm të rijtë mund të krijojnë nji shoqni të re shqiptare”.

Ky koncept i tij, thekson për rëndësinë e ndërgjegjes kritike, edukimit dhe angazhimit kulturor të të rinjve, si elementi më i rëndësishëm për zhvillimin dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare, në periudhën e hershme të shekullit XX-të.

Në aspektin kulturor, Qemal Stafa reflekton ndikime të forta nga traditat e mendimit evropian perëndimor, veçanërisht nga humanizmi dhe idealizmi estetik, ku si model kishte Frederik Shiler, poetin, dramaturgun dhe historianin e shquar gjerman, duke u orientuar në mënyrë të qartë drejt konceptit të lirisë, dinjitetit njerëzor dhe zhvillimit shpirtëror të individit.

Qemal Stafa i jepte shumë rëndësi leximit, përkthimit dhe kritikës, duke dëshmuar kështu për një vetëdije të zhvilluar mbi proceset e formimit kulturor dhe ndërkulturor, duke e konsideruar dijen si element kryesor për emancipimin intelektual dhe ndërgjegjësimin njerëzor.

Ata që e njohën nga afër Qemal Stafa e përshkruajnë si një njeri të qartë në mendime dhe fisnik në shpirt. Qemali spikaste jo vetëm për talentin dhe punën e palodhur në shkollë, por edhe për pasionin e tij për dijen.

Ai studionte letërsinë klasike (Ciceroni, Horaci, Dante, Leopardi), autorët shqiptarë si: Gjergj Fishta e Naim Frashëri, si dhe shkencat natyrore, muzikën, matematikën, kiminë, fizikën dhe historinë e artit.

Biblioteka ishte për të shtëpia e dytë, ku kalonte orë të tëra, duke zgjeruar horizontet intelektuale dhe shpirtërore.

Mësuesi i tij i letërsisë, Skënder Luarasi, kujton: “Edhe pse fort i ri, Qemali kishte një inteligjencë të rrallë. Për mua, ai ka qenë nxënësi më i miri dhe më i dashuri. Megjithëse vuante nga sytë, studionte ditë e natë, jo vetëm mësimet e shkollës, por edhe çështjet shoqërore, nga një perspektivë përparimtare.
Gjente kohë për sport, muzikë dhe teatër. Hartimin e tij: “E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë: një jetë e re po lulëzon gërmadhash”, e lexova si shembull në klasë”.

Në hartimet e tij të hershme, Stafa shprehte bindje të thella mbi karakterin dhe detyrën e individit: “Shqiptari nuk tutet se vdes, mjaft që vdekja e tij të jetë e ndershme, vdekje burrash, vdekje për atdhe”.

“Përveç trimërisë, për të qenë burrë duhet të kesh edhe një cilësi tjetër: “Urtësinë.”, duke tjetër shkruan: “Cilësitë e shqiptarit duhet të jenë gjithmonë: fjalë pakë e punë shumë, burrni e trimni.”

Mësuesi i tij letërsisë Skënder Luarasi përfundon, duke thënë se mbi të gjitha, Qemal Stafa ishte NJERI, një individ që bashkonte intelektin, virtytet morale dhe angazhimin qytetar, duke dëshmuar një përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj dijes, kulturës dhe atdhedashurisë.

Ky portret i qartë dhe i fuqishëm e tregon Qemalin si një model rinie intelektuale dhe qytetare, një figurë që frymëzon edhe sot, jo vetëm për veprën e tij politike, por edhe për dimensionin e thellë njerëzor e kulturor që ai përfaqësonte. (Zëri i Popullit, 4 maj 1997, f. 8-9).

Dhe krejt në fund mund të themi se krijimtaria e Qemal Stafa nuk matet vetëm me sasinë e saj, por me thellësinë e ideve dhe ndikimin kulturor, që ajo përçon.

Veprat e tij përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në formësimin e mendimit kritik rinor dhe në artikulimin e një diskursi letrar, i cili reflektonte vuajtjet, mungesat, aspiratat dhe shpresat e shoqërisë shqiptare, për tu zhvilluar njëlloj si vendet e tjera evropiane dhe ato botërore.

Në këtë kontekst, Qemal Stafa afirmohet si një figurë poliedrike, e cila tejkalon kufijtë e veprimtarisë historike dhe politike, duke u bërë kështu model referimi për studimet letrare, kulturore dhe historike shqiptare.

Korespondent i Pirusti News

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest