Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Një histori ghosting në epokën digjitale

Kur fjalët bëhen dritë… dhe zhdukja bëhet heshtje.

Nga Pirusti News
1 055 Shikime
SHPERNDAJE

Nga Gladiola Jorbus

Arvidi e pa profilin e Dianës krejt rastësisht, një mbrëmje të ftohtë dimri, kur dritat e qytetit dukeshin si yje të lodhur. Buzëqeshja e saj mbante botën në ekuilibër. Ai nuk mendoi gjatë dhe i shkroi:

“Nuk e di pse, por më duket sikur të kam parë diku. Ndoshta në një ëndërr.”

Diana qeshi pas ekranit. Ishte një fillim i çuditshëm, por i këndshëm gjithsesi. Dhe kështu nisi gjithçka. Ata flisnin çdo natë. Arvidi kishte një mënyrë të veçantë për t’i bërë komplimente, as pak të zakonshme, as pak të rëndomta, as më pak vulgare.

“Ti nuk ke thjesht një portret magjepsës. Ti transmeton atë lloj qetësie që njerëzit e kërkojnë gjithë jetën.”

Diana nuk ishte ndier kurrë kështu. Arvidi i tregonte për librat që lexonte, për muzikën që e mbante zgjuar, për frikën se mos mbetej mediokër, në një botë që kërkon të shkëlqimtë përhershëm. Ajo i tregonte për ëndrrat e saj të vogla, për kafet e mëngjesit, për macen e saj Didin, për mënyrën si i humbiste çelësat çdo ditë.

’’Harraqja ime e vogël. Kush të huton?’’ – i shkruante Arvidi.
’’Hutohem pas Didit. Më dhimbset kur e lë vetëm.’’

Mes tyre u krijua një ritëm i butë, si një melodi që nuk e di nga vjen, por e njeh. Një natë, ai i dërgoi një link muzikor dhe i shkroi:

“Kjo këngë të ngjan ty. Jo për tekstin, por për mënyrën si fillon; e butë dhe e papritur njëherësh.”

Diana e dëgjoi. Dhe vërtet, kishte diçka në atë melodi që dukej sikur e njihte. Sikur dikush kishte shkruar një copëz të shpirtit të saj pa e pyetur. Pas asaj nate, këngët u bënë ritual. Ai i dërgonte nga një çdo mbrëmje, secila me një shpjegim të vogël:

“Kjo është për mënyrën si qesh.”
“Kjo është për ato gjëra që nuk i thua, por i kuptoj.”
“Kjo është për ty,
nëse do të ishe tingull.”

Diana filloi t’i ruante ato këngë në një playlist të fshehtë. E quajti “Arvid – netët blu”. Por nuk ia tregoi kurrë.

Arvidi, nga ana tjetër, kishte zakon t’i shkruante vonë, kur gjithçka tjetër në botë dukej e heshtur.

“Nuk e di pse, por me ty më vjen të jem vetëm i sinqertë.”

Diana lexonte mesazhin dhe ndjente një lloj drite që i depërtonte në gjoks. Ai nuk ishte thjesht i ëmbël; ishte i kujdesshëm, i vëmendshëm, i pranishëm.

Arvidi nuk i thoshte kurrë “je e bukur” në mënyrën e zakonshme. Ai i shkruante:

“Ti ke një lloj bukurie që nuk të godet menjëherë. Por të pushton ngadalë, si një dritë gjithpërfshirëse.”

“Diana, ka diçka tek ti që më bën të dua, të jem më i mirë.”

Një mbrëmje u befasua së tepërmi. Ai i dërgoi një audio të shkurtër, një melodi të thjeshtë në kitarë. E butë, e ngrohtë, me një ritëm që kishte të njëjtën frekuencë me rrahjet e zemrës së saj. Dhe bashkë me të, një mesazh:

“Nuk është perfekte, por është e jotja.”

Ajo e dëgjoi me sytë përlotur. Nuk ishte një kryevepër, por i ngjalli emocione të mëdha. Vinte prej tij. E kompozuar enkas për të. Në atë moment Diana mendoi se më në fund kishte gjetur dikë që e kuptonte.

Një mbrëmje, ajo guxoi t’i dërgonte një foto të qiellit. Ishte një muzg melankolik që të pështjellonte ndjenjat, shqisat, mendimet.

“M’u kujtove ti,” – i shkroi.
Mesazhi u lexua.
Dhe pastaj… asgjë.

Asnjë përgjigje. Asnjë shenjë. Asnjë “më fal, jam i zënë”. Asnjë “do të flasim më vonë”.

Thjesht një boshllëk i ftohtë.

Diana priti. Një ditë. Dy. Një javë. Dy muaj. Ajo e dinte që njerëzit zhduken, por nuk e priste prej tij. Jo prej atij që i thoshte se e kuptonte, edhe kur ajo nuk fliste.

Ghosting nuk është thjesht zhdukje. Është një lloj vdekje e vogël. Një kapitull që mbyllet pa pikë, pa presje, pa shpjegim. Një derë që nuk e di nëse duhet ta hapësh apo ta lësh të mbyllur përgjithmonë.

Diana kuptoi diçka të rëndësishme: njerëzit që zhduken pa fjalë, largohen nga vetja, jo nga ti.

Ajo reshti së shkruari. Nuk e kërkoi më. Nuk e mallkoi. Thjesht e la në arkivën e kujtimeve, si një fillim i bukur, marramendës, por me fund të shëmtuar.

Një mëngjes, ndërsa pinte kafen e saj të zakonshme, Diana e kuptoi se nuk e priste më tingullin e telefonit. Nuk e kërkonte më emrin e tij në ekran.

Buzëqeshi. Jo sepse nuk i dhimbte, por sepse dhembja nuk e kontrollonte më.

Po Arvidi? Kishte mbetur diku në hapësirën gri midis asaj që “mund të kishte qenë” dhe që “nuk ndodhi kurrë”. Arvidin e identifikonte si një fantazmë interneti.

Diana kuptoi një të vërtetë që nuk ta thotë askush, por ta mëson vetëm zhgënjimi: njerëzit që shkruajnë më shpesh, më gjatë, më bukur, ata që të mbushin natën me fjalë dhe dritë, janë ata që zhduken pa nam e pa nishan.

Njësoj si dritat e ekranit, kur na fiket telefoni.

Ata lënë pas një boshllëk të heshtur, një playlist të papërfunduar, një bisedë të ngrirë në mes.

Dhe ti mbetesh aty, duke kuptuar se disa njerëz nuk vijnë për të qëndruar; vijnë vetëm për të të mësuar sa e brishtë është çdo lidhje që ndërtohet mbi drita, tinguj dhe fjalë të shkruara natën.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest