Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Një këngë për një martire… dhe disa kujtesa që nuk duhen “rikonstruktuar”

Një këngë nga Gjin Dona dhe Fran Laska në nder të martires Marie Tuci

Nga Pirusti News
1 343 Shikime
SHPERNDAJE

Nga Aleksandër NDOJA

Publiku shqiptar ka tashmë një tjetër krijim artistik që i shtohet fondit të këngëve me frymë historike dhe shpirtërore: një këngë kushtuar martires së kombit, Marie Tuci.

E interpretuar nga Gjin Dona dhe me tekst të Fran Laska, orkestrimi nga Mario Marku, ndërsa në rolin episodik Fjoralba Duka, kjo këngë vjen si një homazh i ndjerë për një figurë që simbolizon qëndresën, besimin dhe dinjitetin njerëzor në një nga periudhat më të errëta të historisë sonë.

Me interpretimin e tij karakteristik, Gjin Dona i jep zë një historie që nuk është vetëm e Mirditës, por e gjithë kombit. Ndërsa vargjet e Fran Laskës nuk janë thjesht poezi, ato janë një përpjekje për ta ngritur figurën e Marie Tucit në përmasën që ajo meriton: mes sakrificës, besimit dhe përjetësisë.

Figura e saj është tashmë e njohur: e lindur më 12 mars 1928 në Ndërfushaz të Mirditës, e edukuar në Shkodër dhe e përkushtuar ndaj jetës fetare e arsimit, ajo u përball me represionin brutal të regjimit komunist. E arrestuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore, ndërroi jetë më 20 shtator 1950, duke mbetur një simbol i gjallë i qëndresës shpirtërore.

Kjo këngë, në thelb, nuk sjell diçka të panjohur. Ajo sjell një rikujtim. Dhe pikërisht këtu nis pjesa e dytë e këtij reflektimi.

Një shesh që ka emër… dhe një histori që ka autorë

Sepse ndërsa sot këndojmë për Marie Tuci, nuk duhet harruar se emri i saj nuk është vetëm në vargje apo në libra.

Ai është edhe në hartën e qytetit.

Më 24 tetor 2020, me vendim të Bashkisë Mirditë dhe me propozim të komisionit përkatës të asaj kohe, sheshi i rikonstruktuar përpara katedrales në Rrëshen mori emrin “Sheshi Marie Tuci”. Një vendim i marrë mbi bazën e kërkesave të mëhershme dhe një procesi institucional që kishte nisur kohë më parë.

Ishte një nga ato vendime që, ndonëse të vonuara në kohë, u konsideruan të drejta në përmbajtje.

Dhe nuk ishte i vetmi.

Në të njëjtën frymë, në atë periudhë u ndërmorën një sërë emërtimesh që sot duken krejt natyrale (aq sa ndonjëherë harrohet se dikur nuk kanë ekzistuar):

  • Rruga Preng Bib Doda
  • Rruga Musine Kokalari
  • Rruga “Imzot Zef Skana”
  • “Rruga e Mundimeve” etj..

Të gjitha këto nuk janë thjesht emra. Janë vendime konkrete, të marra nga një administratë e caktuar, në një kohë të caktuar, me një vizion të caktuar: për t’i dhënë qytetit një identitet që lidhet me historinë dhe sakrificën.

Një reflektim i vogël (pa zhurmë)

Sot, kur flitet për zhvillim, projekte dhe transformime urbane, është gjithmonë një lajm i mirë për qytetin. Askush nuk e vë në dyshim këtë.

Por ndonjëherë, mes betonit të ri dhe fasadave të lyera, ekziston një rrezik i vogël: që kujtesa të trajtohet si diçka që mund të “rifreskohet” sipas rastit.

Dhe pikërisht këtu qëndron një detaj i vogël… që nuk ka nevojë për shumë koment:

Sheshet dhe rrugët mund të rikonstruktohen.
Por emrat e tyre nuk lindin çdo herë nga e para.

Dikush i ka menduar.
Dikush i ka propozuar.
Dikush i ka votuar.

Dhe ndoshta, pa e tepruar me kujtesën (sepse kujtesa, siç dihet, nuk është gjithmonë komode), do të ishte e udhës që këto “detaje” të mos mbeten në hije.

Mes këngës dhe gurit

Kënga e re për Marie Tuci është një dëshmi se figura të tilla jetojnë përtej kohës.

Por ndërkohë, fakti që emri i saj është i gdhendur në një nga hapësirat më të rëndësishme të qytetit, është një dëshmi tjetër, më e heshtur, por po aq e fortë.

Sepse arti na kujton.
Institucionet përjetësojnë.

Dhe qytetarët… i kuptojnë të dyja.

E Lumja Marie Tuci, një shesh me emrin e Martires mirditase të Kishës Katolike.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest