Reportazh nga Aleksandër NDOJA
-Një bisedë që hapi portën e historisë arbneshe-
Esad Çollaku është një emër i shquar në Kroaci dhe një figurë e respektuar në komunitetin shqiptar atje. Ai i përket një gjenerate më të vonë shqiptarësh të vendosur në Dalmaci, por emri i tij lidhet ngushtë me një nga periudhat më të vështira dhe më heroike të Kroacisë moderne. Si pjesëtar i njësisë elitë speciale “PDV STRUC – Albancevi Anđeli”, stemën e së cilës e mbart me krenari, Esad Çollaku u bë pjesë e rezistencës kroate kundër agresionit millosheviçian gjatë viteve ’90. Stema e kësaj njësie, me simbolikën e kafkës, krahëve dhe flamurit kroat, mbetet dëshmi e një force speciale që konsiderohej ndër më të përgatiturat dhe më të guximshmet në luftën për mbrojtjen e Kroacisë. Në radhët e saj shërbyen luftëtarë të vendosur, ndër ta edhe shqiptarë, të cilët u dalluan për trimëri dhe sakrificë.)
Më rastisi të ndaj pak rrugë nëpër Zarë të Kroacisë me Esad Çollakun dhe biseda natyrshëm të çon tek ata mbi 300-vjeçarët Arbneshë të Zarës, shqiptarët që gjetën strehë në këto troje të bekuara të Dalmacisë dhe që me mund, sakrificë e përkushtim ndërtuan jetën e tyre duke ruajtur për një kohë të gjatë identitetin, zakonet dhe gjuhën e të parëve. Vetë Esadi, me origjinë nga Kosova, në kohë paqeje jo vetëm që respektohet si ekspert i çështjeve të sigurisë dhe luftës, por ka kontribuar shumë edhe për komunitetin shqiptar të hershëm dhe të vonë në Kroaci. Ai ka qenë për dy mandate kryetar i Shoqatës së Shqiptarëve të Zarës, ndërsa prej disa vitesh drejton Unionin e Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë, duke u kthyer në një zë të rëndësishëm të shqiptarëve atje.
Teksa biseda shkon natyrshëm tek Arbneshët e Zarës, Esadi shfaqet disi i pezmatuar. Sipas tij, presioni historik, periudhat jo fort miqësore ndaj tyre, martesat e përziera dhe mungesa e vëmendjes institucionale nga trojet shqiptare kanë bërë që një pjesë e konsiderueshme e Arbneshëve të asimilohet ose të mos ndihet gjithmonë komode të deklarohet si e tillë. Megjithatë, ai kujton me shumë respekt kohën e luftës, kur në njësinë e tij elitë kishte komandantë Arbneshë si Danjeli dhe Xhovani, me të cilët ndante jo vetëm armën e frontit, por edhe lidhjen e gjakut dhe të origjinës shqiptare.
Esad Çollaku e bën gjithnjë të qartë dallimin mes Arbneshëve të Zarës dhe Arbëreshëve të Kalabrisë. Arbneshët janë shqiptarët e vendosur në Zarë të Dalmacisë që prej shekullit XVIII, ndërsa Arbëreshët e Kalabrisë në Itali janë komunitete shumë më të hershme, të larguara nga Arbëria pas pushtimeve osmane në shekujt XV-XVI. Sipas tij, Arbëreshët e Kalabrisë kanë arritur ta ruajnë më fort identitetin kombëtar, gjuhën dhe veshjet tradicionale për më shumë se pesë shekuj, ndërsa Arbneshët e Zarës janë përballur me një proces më të fortë asimilimi. “Ne po bëjmë të pamundurën për t’i afruar njerëzit përmes konferencave dhe aktiviteteve kulturore”, thotë Esadi, duke shtuar me keqardhje se në disa aktivitete as veshja kombëtare shqiptare nuk është lejuar.
Megjithatë, siç thotë populli, djalli nuk është krejt i zi. Në orët e pasdites, në Teatrin Kombëtar të Zarës, u shfaq drama “Martesa” e personalitetit të njohur Arbnesh Josip Rela, me regji të Maximiliana Barančić. Teksa ndodhesha nën shoqërinë e pedagoges së njohur të Universitetit të Zarës, Teuta Sereqi, mbesa e të shquarit Gjon Sereqi, po zininim vend në sallën e tejmbushur të teatrit, një zë nga pas nesh na u drejtua me një shqipe të veçantë, duke pyetur se nga ishim. Profesoresha Teuta Sereqi iu përgjigj prerë: “Jemi shqiptarë.” Burri i moshuar u përgjigj po aq prerë, me një ton krenarie të qetë: “Edhe unë jam shqiptar… shqiptar Arbnesh.” Kaq mjaftoi që të shtrëngonim duart me një mirësjellje të rrallë dhe me një mall të heshtur, sikur lagështia e tre shekujve të ishte mbledhur në atë çast.
“300 Vjet Arbëneshët e Zarës: Mes Kujtesës së Përgjakur, Identitetit të Rrezikuar dhe Ringjalljes Kulturore në Zemër të Dalmacisë”
Ishte e pamundur t’i shmangeshe ftesës insistuese të miqve tanë në Zarën Dalmatëse për të qenë pjesë e festimeve “Ditët e Kulturës Arbëneshe – Zonja Jonë e Loretos”, me rastin e përkujtimit të 300-vjetorit të themelimit të Arbëneshit (Borgo Erizzo) në Zarë të Kroacisë.
Kështu, më 6 maj u nisëm nga Prishtina: akademik Murat Ajvazi, kryetar i Lidhjes së Historianëve Shqiptarë në Botë me seli në Zvicër, i shoqëruar nga arsimtari i mirënjohur i Medvegjës, Rexhep Abazi, dhe Sami Jashari.
Rruga kalon shpejt deri kur hyn në territorin e Malit të Zi, ku ndesh një situatë tejet kufizuese në lëvizje, jo vetëm nga rrugët e ngushta dhe kthesat e shumta, por edhe nga ndërhyrjet rehabilituese që po kryheshin. Megjithatë, pas disa orësh, na shfaqet një kolonë e gjatë automjetesh që dukej sikur kishin fikur motorët për të mos lëvizur. Në fakt, ishim afruar doganës së Malit të Zi në kufi me Kroacinë.
Një situatë e papërshkrueshme, ku çdo gjë fliste për sorollatjen e panevojshme në këtë kufi. Nga pesë sportele që ishin aty, vetëm në njërin prej tyre kishte një punonjës. Me kujdes e pyetëm pse sportelet e tjera nuk kishin asnjë punonjës. Përgjigjja e tij e thatë ishte se nuk kishte burime njerëzore për të shtuar kapacitetet në atë doganë. Megjithatë, pas të paktën tri orësh pritje, morëm të drejtën për ta lënë atë vend dhe hymë në territorin e Kroacisë.
Këtu situata ishte më ndryshe dhe, pas një ore tjetër në kolonë, morëm rrugët e Kroacisë me drejtim Zarën. Megjithëse kilometrat ishin të shumtë, udhëtimi ishte në rrugë më komode, sipas standardeve të vendeve të BE-së. Në fund të një udhëtimi pothuajse 12-orësh mbërritëm në Zarë.
Një njohje e shpejtë me Zarën
Andon Dedaj është nga Prizreni, por me origjinë të hershme, rreth 170-vjeçare, nga Spaçi i Mirditës. Në Zarë ka mbërritur rreth viteve ’70 dhe, së bashku me vëllezërit e tij, me punë e përkushtim në këtë vend të bekuar, kanë arritur të jenë konkurrues të denjë të qytetërimit në Zarë.
Në bisedë me Antonin mëson se Zara, të cilën vendasit e quajnë Zadar, pas Luftës së Parë Botërore dhe shpërbërjes së Austro-Hungarisë, iu dha Italisë me Traktatin e Rapallos (1920). Qyteti u bë zyrtarisht pjesë e Mbretërisë së Italisë si “Provincia di Zara”. Sipas dokumenteve të kohës, në vitin 1921 mbi 70% e popullsisë ishte italiane, ndërkohë që fshatrat përreth ishin kryesisht kroate. Pikërisht aty kalonte kufiri me Italinë e kohës dhe, si me të qeshur, Antoni, i cili është edhe Konsull Nderi i Shqipërisë në Kroaci, thotë se pikërisht aty ku ai ka ndërtuar banesën së bashku me vëllezërit, ka qenë vija kufitare mes dy shteteve dhe deri vonë edhe një bunker.
Gjatë periudhës së Musolinit, Zara u mbipopullua me italianë në administratë dhe kudo tjetër, por me kapitullimin e Italisë, qyteti u rrezikua shumë nga partizanët e Titos. Ndodhi që gjermanët ndërhynë shumë shpejt dhe e rimorën nën kontroll Zarën, duke ia njohur formalisht Italisë, edhe pse e pushtuan vetë.
Por kjo situatë do të merrte fund kur aleatët anglo-amerikanë bombarduan vazhdimisht Zarën nga nëntori 1943 deri në tetor 1944, duke shkatërruar rreth 80% të ndërtesave të qytetit dhe duke vrarë mijëra persona. Në fund të vitit 1944, gjermanët u tërhoqën dhe për pasojë nisi një eksod shumë i madh i italianëve nga Zara drejt Italisë. Kjo sepse, sipas Traktatit të Paqes të Parisit më 1947, Zadar iu njoh zyrtarisht Jugosllavisë.
Për pasojë, në pak kohë, Zara, me histori e vjetërsi po aq sa Shkodra, një vend i rrethuar në masë të madhe nga ujërat e Adriatikut, u deitalianizua ndjeshëm, duke u kthyer tashmë në një qytet me përkatësi pothuajse tërësisht kroate dhe me rryma të tjera nën Jugosllavi.
Arbëneshët dhe sfida e mbijetesës
A ishte kjo arsyeja që arbëneshët e sotëm janë kroatizuar në masë të konsiderueshme?
Një logjikë e natyrshme u jep të drejtë, pasi arbëneshët e Zarës u panë nga komunistët e Titos si bashkëpunëtorë të italianëve apo edhe të gjermanëve. Në fakt, sidomos me italianët, kjo ishte e natyrshme, pasi kishin bashkëjetuar në një qytet me traditën dhe kulturën e tyre, të cilat i kanë lënë qytetit rrugë dhe ndërtesa që sot vizitohen nga mijëra turistë çdo ditë.
Në këtë kontekst, regjimi komunist jugosllav ushtronte kontroll të fortë mbi grupet që konsideroheshin të afërta me Italinë ose me identitete jo-sllave. Edhe pse nuk pati një persekutim të organizuar vetëm kundër arbëneshëve, shumë familje ndien presion politik dhe shoqëror. Disa u larguan drejt Italisë bashkë me eksodin e italianëve dalmatë, ndërsa të tjerë fshehën prejardhjen arbëneshe dhe ndaluan përdorimin publik të dialektit të tyre.
Në shkolla dhe institucione nuk lejohej kultivimi i identitetit shqiptar, gjë që çoi gradualisht në kroatizimin e komunitetit. Sot në Zadar ende ekziston kujtesa e arbëneshëve dhe e lagjes Arbanasi, por gjuha dhe traditat e vjetra ruhen vetëm nga një numër i vogël banorësh.
Tashmë që realitetet politiko-shoqërore kanë ndryshuar në Zarë, kur Jugosllavia e vjetër është vetëm një relike, a ka ardhur koha që ky komunitet me vlera historike t’i mbijetojë shekujve?
Takime dhe diskutime për identitetin arbënesh
Nikollë Prekpalaj, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Prefekturës së Zarës, në ambientet e së cilës u zhvillua një takim mes të ftuarve dhe aktivistëve të kësaj shoqate, foli mbi punën aktive që bën kjo organizatë. Edhe pse kjo shoqatë është krijuar kryesisht nga shqiptarë të ardhur pas viteve ’70, ata bëjnë çfarë është e mundur për të qenë pranë arbëneshëve, që edhe ata ta ndiejnë me krenari origjinën e tyre.
Msc. Vesel Lekaj, arsimtar i gjuhës shqipe në shkollën fillore “Kruno Krstić”, një njeri i palodhur në funksion të kësaj nisme, tha se po shtohet numri i nxënësve arbëneshë në shkollën e tij që janë të interesuar për mësimin bashkëkohor të gjuhës shqipe.
Ai foli më gjatë mbi aktivitetin e tij, duke sjellë si shembull edhe profesoreshën e latinishtes dhe të greqishtes së vjetër në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Zarës znj. Teuta Sereqi, e lindur në Zarë, e cila vetë hodhi idenë e ekskursioneve të nxënësve arbëneshë në Shqipëri dhe Kosovë, për t’u njohur nga më afër me rrënjët e të parëve. Nga ana e saj, ajo tha se kishte përkthyer në kroatisht filmin “Përrallë nga e Kaluara”, për të cilin kishte pasur një interesim të madh nga publiku arbënesh, por edhe ai kroat.
Profesori i mirënjohur Isak Shema nga Prishtina foli për historinë e arbëneshëve dhe rolin e tyre vendimtar në Zarë dhe në Kroaci. Në vijim, znj. Vilma Jazexhiu Proko përshëndeti në emër të Drejtores Ekzekutive të QSPA-së dhe falënderoi kryetarin e shoqatës, Nikollë Prekpalaj, si dhe arsimtarin e gjuhës shqipe në shkollën fillore “Kruno Krstić”, njëherësh koordinatorin Msc. Vesel Lekaj, për ftesën.
Dr. Vilma Jazexhiu Proko prezantoi veprimtarinë e QSPA-së dhe 25 botimet e qendrës gjatë këtyre pesë viteve veprimtarie, ku edhe dhuroi albumin dhe disa prej botimeve. Folës të tjerë sollën ide mjaft interesante mbi këtë komunitet dhe mundësitë për të qenë sa më pranë tyre.
Një dramë si dëshmi e ekzistencës arbëneshe
Në orën 20:00 të datës 7 maj, në Teatrin Kombëtar të Zarës u shfaq drama “Martesa” e personalitetit të shquar arbënesh Josip Rela, me regji të Maximiliana Barančić.
Në fillim, udhëheqësja e këtij aktiviteti, arbëneshja Maximiliana Barančić, në gjuhën kroate dhe shqipe përshëndeti sallën me disa lozha të tejmbushura me shqiptarë e kroatë, si dhe ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës, të pranishëm në sallë: znj. Donika Hoxha dhe z. Martin Berisha.
Fillimisht u shfaq një dokumentar historik mbi arbëneshët, ku spikaste rrugëtimi i tyre 300 vite më parë nga Shkodra me rrethina deri në brigjet dalmate dhe përpjekja e tyre për t’i shpëtuar asimilimit. Më tej u vijua me dramën e luajtur nga artistë amatorë arbëreshë, ku spikasnin fjalët “nana”, “tata” dhe shumë fjalë të tjera të gegënishtes së hershme. Në fund, ky interpretim u duartrokit gjatë nga të pranishmit.
Dita e tretë në zemër të Splitit
Bregdeti dalmat ka shumë qytete si Šibenik, Zarë, Trogir, Split, Omiš, Makarska, Ploče dhe Dubrovnik, por ne zgjodhëm Splitin, qytetin më të madh të Dalmacisë, me Pallatin e Dioklecianit.
Aty na pret Pjetër Domgjoni, një emigrant i viteve ’70 në këtë vend përrallor me histori të spikatur. Pjetri na pret në qendër, ndërsa vijojmë itinerarin brenda katakombeve të Pallatit të Dioklecianit. Çdo mur ka një histori, që nga gijotina për kundërshtarët e perandorit e deri te dora e mjeshtrit Aleksandër Nikoll Lleshi.
Mijëra turistë nuk të lënë të mësosh aq shumë në pak kohë, ndërsa të tjerë janë shprehur se duhen muaj për të depërtuar në labirintet deri te Porta e Artë. Përballë saj shfaqet një shtatore e lartë dhe mjaft imponuese. Aty mëson se ajo është shtatorja e Grgur Ninski, një peshkop kroat i shekullit të 10-të.
Shtatorja ndodhet pranë “Golden Gate” të Pallatit të Dioklecianit në Split dhe është vepër e skulptorit të famshëm kroat Ivan Meštrović. Tradita thotë se po t’i prekësh gishtin e madh të këmbës, sjell fat dhe realizohen dëshirat, prandaj gishti është bërë shumë i shndritshëm nga prekjet e turistëve. Për ta prekur atë gisht, radha e turistëve është e gjatë, ndërsa ne ndalemi te dy djem të rinj, të armatosur rëndë sipas stilit romak, që ruajnë besnikërisht Portën e Artë të pallatit.
E nëse zbret poshtë, pamjet janë fantastike, ndoshta konkurruese me Zvicrën, apo edhe më lart.
Dalmaci, 06–08 maj 2026

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

