Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Rrësheni në vitet e mbijetesës, Clarissa de Waal – Shqipëria në postkomunizëm

Një dëshmi e dokumentuar për Rrëshenin dhe Mirditën (1992–2000)

Nga Pirusti News
1 067 Shikime
SHPERNDAJE

“MBIJETESA” e Clarissa de Waal, një skaner i dokumentuar për Rrëshenin 1992–2000
– Shqipëria në postkomunizëm –

Clarissa de Waal, pedagoge e Antropologjisë Sociale në Universitetin e Kembrixhit, Angli, edhe pse nënë e pesë fëmijëve, për disa vite nga më të vështirët që kalonte Rrësheni, zgjodhi të jetonte në këtë qytet. Natyrisht, ky qëndrim për një kohë të konsiderueshme kishte një arsye: atë të kërkimeve lidhur me ndryshimet shoqërore dhe ekonomike në Shqipëri, gjatë kalimit nga sistemi komunist në atë kapitalist.

Të gjithë ata që kanë qenë banorë të Rrëshenit gjatë viteve 1992 e deri në vitet 2000, e mbajnë mend shumë mirë gruan angleze me flokë të zinj e të shkurtër, trupgjatë, që shfaqej kudo e shoqëruar me miq dhe mikesha vendas, me të cilët aq shpejt përshtatej.

Përveç të tjerash, Clarissa de Waal ka lënë një skaner të dokumentuar të gjithë asaj situate kaotike të atyre viteve, sidomos para dhe pas ngjarjeve të vitit 1997.

Të gjitha në një libër prej 316 faqesh, të titulluar “MBIJETESA” – Shqipëria në postkomunizëm.

Për kuriozitarët, të cilët mund t’i referohen kujtesës së tyre, po sjell dy pasazhe, siç janë përcjellë në këtë libër.

Një qytet i plotë arratiset në mal…

Më 15 mars, Rrësheni u përfshi nga një panik edhe më i madh. Qarkullonin llafe se një sasi e madhe lënde shpërthyese, që ruhej në depo, kishte rrezik të shpërthente si rezultat i katrahurës që kishte ngjarë në atë depo. Në fakt, në depo kishte me të vërtetë një sasi të madhe lënde shpërthyese, por asnjëherë nuk u bë e qartë se sa real ishte rreziku i një shpërthimi dhe nëse ai ishte në atë masë sa për të shkatërruar disa nga ndërtesat e qytetit.

Ndoshta fjalët ishin përhapur nga një grup nga një fshat afër Rrëshenit, që hapën depot e grurit në mungesë të rrëshenasve. Sido që të ishte e vërteta, pothuajse të gjithë banorët e ligështuar të qytetit i mbërtheu paniku dhe e gjithë popullsia ia mbathi në mal.

Shumica e familjeve ishin të bindura se do të bëheshin njësh me dheun jo vetëm pallatet e Rrëshenit, por se shpërthimi do të prekte edhe një zonë më të gjerë përtej qytetit. Ajo ishte një skenë apokaliptike. Një grua që iku nga materniteti duhej të ndalonte të lindte në një shtëpi në mes të rrugës për në mal, kurse një grua e moshuar, që kishte tre muaj e shtrirë, u ngrit nga shtrati dhe u bashkua me eksodin. Vajza e saj e pataksur nuk pushonte së thirruri: “Shikoni Loken, ajo po ecën.”

Tashmë disa qytetarë tallen me panikun që i përfshiu, por nuk është e vështirë të marrësh me mend që, në një situatë të frikshme që ushqehej nga kuptimi i faktit se forcat e ligjit dhe të rendit kishin humbur tërësisht kontrollin, edhe qytetarët më të përmbajtur ishin të prirur për t’u trembur nga e keqja.

Tri ditët e para pas rrëmbimit të armëve ishin nga më melodramatiket, megjithëse vetëm preludi i një periudhe të gjatë pasigurie, frike dhe oportunizmi të papranueshëm. Fëmijët duhej t’i mbaje brenda, shkollat ishin mbyllur, dyqanet hapeshin vetëm ndonjë orë e ca në mëngjes.

Grupi i qytetarëve që kishte marrë përsipër të mundohej për të zvogëluar anarkinë, në mënyrë kuptimplote caktoi më problematikët për të ruajtur bankën nga grabitja. Këta e bënin mirë punën dhe banka e Rrëshenit ishte ndër të paktat banka që mbeti e paprekur dhe nuk humbi para.

Sidoqoftë, ishte e pamundur që të mbaheshin nën kontroll disa pronarë tokash të para komunizmit, të cilët, duke përfituar nga situata, i shtrinë duart te tokat shtetërore në vende si shkolla, spitali apo prona të ushtrisë.

Kështu, pronari i dyqanit të librave shkollorë shpalli se dyqani i përkiste atij dhe e ktheu gjysmën e dyqanit në bilardo. Ish-pronari i vendit ku ishte ndërtesa e konviktit të shkollës së mesme, ku flinin konviktorët e fshatrave, e shkatërroi atë me qëllim që të ndërtonte diçka për vete, kurse një pjesë e sheshit të shkollës u përvetësua nga një pronar tjetër që filloi të ndërtonte mbi të një shtëpi.

Një burrë, familja e të cilit dikur kishte pasur në pronësi një pjesë trualli ku ishte spitali, e shpalli veten drejtor të spitalit. U deshën të kalonin disa muaj që të vihej në vend ligji që përcaktonte se prona shtetërore mbi ndërtesat publike e përjashtonte pronësinë e para komunizmit. ………

Një takim me kryetarin e bashkisë…

“…gjatë xhiros së mbrëmjeve të fundit të pushimeve shkollore, një nga shoqet tona më të mira, nëna e një djali të vogël, mbeti duke më kujtuar se i kisha premtuar të shkoja në Këshillin Bashkiak për të pyetur nëse mendonin të ndërtonin blloqe nëpër rrugë, që makinat të ulnin shpejtësinë në rrugën kryesore të Rrëshenit, ku bëhej xhiroja.

Teorikisht, gjatë orëve të xhiros, lëvizja e makinave ishte e ndaluar, por, si edhe në Tiranë, lobi i makinave po dilte në pah dhe po bëhej i rrezikshëm për fëmijët e vegjël. Gjëja e fundit që do të kisha pritur të shikoja në Shqipëri ishin blloqet kundër shpejtësisë, por, për habinë time, ato u vendosën në qytetin tjetër, atë të Rubikut. Kështu që, mëngjesin e fundit, shoqja ime Vera dhe unë shkuam të takonim së bashku Kryetarin e Bashkisë.

Unë gjithmonë u isha shmangur këtyre zyrtarëve që u kishte dalë nami për korrupsion, por Vera këmbëngulte që ta ngrija këtë çështje. Na paskësh qenë më me vlerë ngritja e këtij shqetësimi vetëm për të parë fanatizmin e shpenguar të këtyre zyrtarëve.

Pasi la të kuptohej rëndësia e vetes, duke shkruar në një libër të madh një memorandum të gjatë mbi propozimin tonë, ndërsa ne i qëndruam me respekt për një kohë të gjatë, kryetari i bashkisë më pyeti se çfarë ndryshimesh kisha parë në fshatrat malore mirditore që nga viti 1993.

Sapo e kapi që përshtypjet e mia ishin se nuk kishte një mirëqenie të begatë dhe familje fermerësh të lumtur, ai më ndërpreu duke thënë: “Si mund të thoni se njerëzit nuk janë më mirë se në kohën para demokracisë?”…

As pohimet e mia të shumta se nuk po diskutohej kjo çështje, as se unë nuk kisha qenë këtu në kohën e komunizmit etj., etj., nuk patën efektin më të vogël.

Në fund, duke pohuar me gjysmë zëri se ai e dinte se çfarë po thosha, bërtiti: “Nëse ata nuk janë më mirë pas tetë vjet kapitalizmi, kjo ndodh se ata janë shumë dembelë, nuk zhvillojnë blegtorinë dhe nuk ngjiten në kullotat e larta malore.”

Duke parë se unë isha gati për të kundërshtuar, ai më ndërpreu me këto fjalë: “Unë, një djalë fshati, nuk kisha pothuaj asgjë për të ngrënë, kurse tani fëmijët e mi hanë tre banane në ditë.” Duke keqinterpretuar reagimet e mia, ai tha: “Unë e di se ju po vrisni mendjen se si ka mundësi që unë jam njeri kaq i madh.”

Arrita të bëj një koment rreth prirjes së fshatrave të malësisë për të zbritur në fushë dhe ç’fatkeqësi ishte që qeveria nuk kishte hartuar një politikë mbi migracionin e brendshëm, ndaj fshatarët që zbrisnin e zinin tokat, nuk kishin asnjë siguri.

“Përkundrazi, – tha ai, – politika është lëvizja e lirë.”

“Po ç’ndodh me ta kur vendosen në fushë?” – e pyeta unë. “Ç’mund të thuash për buldozerët që kanë shkatërruar kasollet e tyre? Shiko Kamzën; këta që kanë zënë toka mundën të qëndronin vetëm se bllokuan rrugën dhe mbajtën peng ministrin e qeverisë, Tritan Shehun.”

Ai nuk po dëgjonte. Shumë para se të mbaroja unë, po më thoshte: “Po Kamza, ç’zgjidhje e bukur, gjithë ato vila të bukura…”

“Po aty pati konfrontime, protesta,” – i thashë unë.
Ç’protesta?” – pyeti ai me mosbesim.

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë së rrethit, që ishte thirrur për t’i mbajtur avazin, filloi tani të numëronte se ishte dakord me mendimin e kryetarit të bashkisë se fashizmi ishte një formë mjaft superiore regjimi në krahasim me komunizmin; se, megjithëse fjala e lirë ndalohej, aktiviteti tregtar ishte lënë i lirë. Agronomi, duke belbëzuar, bëri ç’mundi që të dukej përkrahës i kryetarit.

Marsi i nxehtë edhe në Rrëshen

Më 13 mars 1997, vendasit, shumica djem dhe meshkujt më pak të përgjegjshëm të Rrëshenit, hapën depot e armëve mbi qytet. Ushtarët që ruanin depot u tërhoqën, duke lënë armët të merreshin rregullisht. Ekzistonte një besim mjaft i përhapur se Berisha kishte urdhëruar që të jepeshin armët në veri, me shpresën e ndezjes së një lufte civile. Po ashtu dihej se anëtarëve të Partisë Demokratike u ishin dhënë armë përpara se të hapeshin depot.

Më 13 mars, burra dhe djem, tashmë të armatosur, disa prej të cilëve vetëm 13 vjeç, ktheheshin nga depot duke qëlluar vazhdimisht në ajër. Një djalë nga Rubiku u vra aksidentalisht, kurse një tjetër u plagos.

Situata e tmerrshme që krijuan këta njerëz që kishin armë, ndërkohë që kishte pushuar së ekzistuari ligji e rendi, pasi asokohe e gjithë popullsia shqiptare kishte mundësi të hynte në depot ushtarake, e detyroi pjesën tjetër të popullatës së Rrëshenit të shkonte vetë dhe të merrte armë të nesërmen. Madje, një grup shpërndante armë nëpër fshatra për t’u siguruar që familjet shqiptare të mos mbeteshin pa armë.

Shumica e rrëshenasve, që kuptuan se për sa kohë që nuk kishte shtet duhej të mbroheshin vetë, u detyruan të mbylleshin në shtëpi për shkak të terrorit. Rrugacët vinin vërdallë nëpër rrugë duke hapur zjarr dhe duke luajtur me bomba dore. Një djalë 13-vjeçar u bë copë me një granatë dore, kurse një djalë tjetër humbi dorën. Megjithatë, po të kemi parasysh numrin e armëve dhe faktin se me to ishin pajisur të gjithë, shkalla e aksidenteve ishte jashtëzakonisht e vogël.

Shkalla e terrorit që shkaktuan këto ngjarje zor se mund të transmetohet. Një mike studente më thoshte: “Ju nuk mund ta merrni me mend se çfarë ndjen kur zgjohesh dhe e di se qeveria nuk ekziston fare.”

Mbijetesa, faqe 272, 275.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest