Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Rikthimi “i tretë” i Ninës në Rrëshen

Pal Reçi, ish-student i profesoreshës moskovite, përcjell historinë e trishtë të saj

Nga Pirusti News
1 163 Shikime
SHPERNDAJE

Nga Aleksandër NDOJA

Një libër që rikthen një histori të paharruar

Pak ditë më parë një telefonatë më njoftoi se në “gjurmën” ku zë fill kërkimi ndaj meje aty në qytetin e Rrëshenit, në emrin tim kishte mbërritur një libër, për të cilin fillimisht kërkova të më dërgonin kopertinën, ndërsa dy ditë më vonë mbërriti i plotë.
Ishte për Nina Pumo (Nagavica), studentja dikur e Universitetit Plehanov të Moskës, ku në një mbrëmje vallëzimi afrohet më shumë me studentin shqiptar të po atij universiteti, Muntaz Pumo, i dërguar nga shteti shqiptar për të studiuar. Ishte ajo mbrëmje që lidhi një besë mes dy të rinjve të kombësive të ndryshme. Besë që nuk u thye përmes një kalvari të paimagjinueshëm me pikënisje vitin 1958, pra më shumë se 68 vite më parë.

E ndërsa mbi historitë e grave ruse është folur jo pak në dokumentarë të ndryshëm, historia e profesoreshës së Universitetit të Tiranës Nina Pumo, e bashkëshortit, por edhe e dy djemve të tyre, Ilirit dhe Mishës (Mihalit), janë padyshim të denja për ndonjë subjekt filmi të kohës së revolucionit proletar ndër vendet e lindjes, e sidomos të kohës ndër më kriminalet të “Doloresëve” shqiptarë që shpirtin ia kishin shitur djallit, duke tejkaluar vendin që e kishte ngjizur këtë farë të keqe që sundoi një pjesë të botës për gati 50 vite.

Libri “NINA – NJË JETË”

Një bindje e tillë përforcohet edhe më shumë kur merr në dorë dhe shfleton librin e titulluar “NINA – NJË JETË”, kronikë e letrarizuar, homazh për Nina Nagavica Pumo, pedagoge e Universitetit të Tiranës.

Autori Pal Reçi, student dikur i Filologjikut në degën e gjuhës ruse, nuk rreket të bëjë një monografi për një individ, sado me histori që të jetë, thjesht sepse ka dëgjuar për të apo e ka njohur tërthorazi. Jo. Autori Pal Reçi e ka njohur personalisht, ka mësuar gjuhën praktike ruse prej saj, ka shkëmbyer biseda që studenti i saj do t’i kuptonte më vonë, madje shumë më vonë, kur, siç e citon dhe vetë, e pa veten jashtë rreshtit prej kohës.

Ndonëse tenton ta anashkalojë me elokuencë, ndoshta të tepruar, asaj kohe thënë shqeto, që nuk kurseu jo vetëm rusen e bukur Nina, por edhe shqiptarët e vet, ndër ta dhe babain e autorit, të mirënjohurin Ded Pal Reçi, i cili, edhe pse me kontribute në punë e shoqëri, u degdis për vite me radhë në rrathët e ferrit politik.

Pyetja për gjarpërinjtë

“A ka gjarpërinj në Rrëshen?”, e pyeti një moment profesoresha ruse studentin e saj mirditas, i cili mbeti i habitur.

“Po, po a ka gjarpërinj në Rrëshen?”

Kjo sepse bashkëshorti i saj, Muntazi, kishte mbërritur me punë në Ndërmarrjen Tregtare të këtij qyteti dhe zërat ishin se pedagogia e Universitetit të Tiranës do të mbërrinte si mësuese e gjuhës ruse në shkollat e Mirditës.

Ndoshta kjo ishte “ardhja e parë”, e parealizuar fizikisht, sepse në mëngjesin e hershëm të datës 17 tetor 1975 ajo do të arrestohej për të provuar birucat e tmerrit të burgut të Tiranës.

E ardhja e dytë do të ishte njëmbëdhjetë vite e pak më shumë më vonë, për t’iu bashkuar familjes, ndonëse për pak kohë, sepse përfundoi në Moskë. Ndërsa ardhja e tretë është pikërisht tani, përmes këtij botimi të studentit e më vonë mësuesit e drejtuesit në arsimin mirditas, Pal Reçi.

Nga dorëshkrimi te libri

Autori Pal Reçi thotë se historinë e profesoreshës Nina Pumo e kishte në një dorëshkrim jo shumë faqesh, shkruar e nënshkruar në vitin 1992.
“E kisha shkruar me idenë se do ta botoja në ndonjë të përditshme të kohës, por mbeti në dorëshkrim. Pasi pashë dikur një intervistë të djalit të saj, rrëmova nëpër sirtarë për ta bërë më të zgjeruar, duke e letrarizuar, dhe sot vjen për lexuesin në një libër prej 185 faqesh.”

Një rrëfim që lexohet me një frymë

Libri, në fakt, lexohet me një frymë. Ngjarjet janë ndërlidhur mjeshtërisht nën recensën e mjeshtrit të fjalës e vargut Viktor Gjikolaj.
Autori Reçi përcjell me detaje se si kishte marrë vesh arrestimin e profesoreshës. Ia kishte thënë veçmas një ish-bashkëstudente e tij dhe ish-nxënëse e Ninës.
Kohët kalonin me zbor e në fermë dhe i shpalluri armik familjarisht, autori i librit, nuk mund të takonte familjen e profesoreshës, e cila gjendej e burgosur fushave të Dumresë, me stacion kampin e Kosovës.

Pas burgut

Dhe vjen një ditë kur Ninën e lirojnë.
Autori përcjell xhiron e pasdites së familjes së bashkuar rrugëve periferike të qytetit, deri edhe në Kolsh, ku rastësisht ishin vreshta rrushi, por rojet nuk dukeshin. Ata nuk mund të preknin asgjë, veç ajrit të pastër për të cilin dilnin periferisë.

Autori, në mënyrën e tij të letrarizimit të atyre pak faqeve të shkruara me dorë në fletë të bardha, përcjell një atmosferë të plotë të situatës së Rrëshenit të asaj kohe, kur poeti Gjok Beci ka marrë lopatën, kur familja e Mihal Dodbibës parakalonte me mistri në brez dhe me rroba punëtorësh, kur Musineja, që ndante “rezidencën” në të shëmbur e plot lagështirë me Muzen, Dyshen apo Agim Harunin, ishte pjesë e asaj kohe.

Kohë e ngjarje pafund, ku dhe Gjergjin me vajzën e armikut i nisën për në Kurbnesh, për t’i liruar banesën ndonjë udhëheqësi etj., etj.

Pasaporta e një kohe të errët

Në fund, unë, autori i këtyre radhëve, them se kemi një pasaportë jo vetëm të Ninës, ndonëse ajo ishte kryefjala, por të krejt një kohe të gatuar keq e më keq, deri edhe në momentet e fundit kur bota që e prodhoi ja kishte hequr rrathët.

Pikërisht në këtë kohë pjesa e mbetur e familjes internohet në Përlat në një mëngjes me shi, nën vështrimin e frikshëm të komshinjve që, për të mos i bërë edhe më keq vetes, nuk dolën t’u jepnin një dorë “plaçkave të armikut” që ngarkoheshin në një kamion.
E ndërsa autori një ditë rend për t’i gjetur atje në Përlat, dera ishte mbyllur. Një i ri i trembur i thotë se Muntazi me Mihalin ikën në Rusi.
Në fakt, ata ishin në zyrat e ambasadës çeke që mbulonte edhe Rusinë dhe, si nëpër film, dëgjonin zërin e ambasadorit:
Sa shumë ju kemi kërkuar dhe kemi bërë çfarë është e mundur t’ju largojmë prej këtij ferri…”

Me shumë për këtë familje, një interviste disa vite më parë me Mihalin:

Një rrëfim i pa zakontë nga Mihal Pumo, për jetën e tij në Mirditë. Si u arrestua nëna e tij profesoreshë e Universitetit të Tiranës..

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest