Nga ing. Gjon DEDAJ
Në një prej fshatrave të Mirditës, në një truall të pjerrët mbi shpatin e kodrës, aty ku familja kryplaksore kishte ngritur shtëpinë e saj brez pas brezi kishte duruar tre herë zjarrin…
Herën e parë, në kohën e osmanëve, aty kishte qenë një shtëpi prej druri, e ndërtuar sipas pjerrësisë së kodrës me bodrum, siç kërkonte terreni, e cila një ditë Fermani turk preu kokën te biri i Kryeplakut e mori për në Stamboll dhe e dogji, duke lënë vend të saj vetëm hirin…
…aty, mbi të njëjtin truall, u ngrit një shtëpi, një Kullë dykatëshe prej druri, gjithashtu me bodrum!
Por ajo që u bë përsëri strehë e familjes nuk zgjati, sepse Austro-Hungaria do vendoste ta digjte pa dhimbë, sepse pasardhësi kishte dalë në Mal e nuk po e zinin dot!
E përsëri mbeti vetëm trualli dhe hiri, por njerëzit nuk u larguan. Në atë vend ku ishin djegur dy shtëpi, u ngrit një tjetër përdhese prej dërrasash, derisa erdhën vitet e trazuara të 1944–1947 dhe shtëpia u dogj sërish…
Toka e dinte: Tre shtëpi.
Tri kohë.
Tri herë zjarr.
Dhe pas çdo zjarri, nga hiri ngrihej përsëri shpresa…
Nuk ishte më fjala vetëm për një shtëpi, por për një familje pinjollësh politikë që kishte vendosur të mos e braktiste truallin e vet, e çdo brez e gjente aty shenjën e brezit paraardhës dhe, bashkë me të, detyrimin e heshtur për të vazhduar…
Hiri mund të mbulonte tokën, por nuk mund të mbulonte kujtesën…
Ndaj vitet kaluan dhe erdhi një tjetër brez që do të përballej me padrejtësitë e kohës, deri sa një djalë i ri, që kishte dëshirë dhe mundësi të vazhdonte universitetin, u ndalua, teksa dera e universitetit iu mbyll pikërisht atëherë kur duhej të hapej…
Në vend të auditorëve, ai mori rrugën e punës si sondist, larg ëndrrës që kishte pasur për universitetin. Tërheqja e tubave mineralkërkues ishte e vështirë dhe rroga fitohej me mund, por ajo rrogë do të merrte një kuptim tjetër pasi
me paratë e punës së tij u mundësua të ndërtohej kati i dytë.
Kundërpesha e një ëndrre të ndërprerë u kthye në gurë, trarë e mure…
Dhe gjyshi, me ndihmën e asaj rroge të fituar me djersë, urdhëroi të ngrihej kati i dytë si dëshmi mbijetese…
Ishte sikur historia po përsëritej, por kësaj here pa zjarr.
Një brez kishte humbur shtëpinë.
Një tjetër kishte humbur përsëri shtëpinë.
Një tjetër kishte humbur edhe një herë strehën.
Dhe tani një pasardhës, të cilit i ishte mohuar universiteti, po ndihmonte në ngritjen e një shtëpie të re – Kulla e Shkollimit – e
kështu trualli që kishte parë tri herë flakët, pa edhe një herë muret të ngriheshin.
Por kësaj radhe muret nuk ishin vetëm mure, sepse kishte hyrë mundi i pafajësisë ekstreme,
kujtesa e tre shtëpive të djegura, dhimbja e viteve të vështira e mbi të gjitha, kishte hyrë këmbëngulja për të mos u shkulur nga vendi i të parëve…
Ndoshta për këtë arsye Ai e quajti “Kulla përmbi hi”, emri nuk ishte një zbukurim, por një histori e tërë e përmbledhur në katër fjalë:
Kulla ishte aty.
Poshtë saj ishin themelet.
Poshtë themeleve ishte trualli.
Dhe nën kujtesën e truallit ishin hiri i tri shtëpive që kishin ekzistuar para saj.
Turqit kishin djegur të parën.
Austro-hungarezët kishin djegur të dytën.
Vitet 1944–1947 kishin marrë të tretën.
Por asnjëri prej atyre zjarreve nuk kishte mundur ta digjte rrënjën e familjes,
sepse një shtëpi mund të digjet.
Një kullë mund të rrëzohet.
Dërrasat mund të bëhen hi, por trualli mbetet e bashkë me truallin mbetet kujtesa…
…koha ngriti mbi atë truall dëshminë se historia mund të përpiqet të të rrëzojë, por njeriu mund të ndërtojë përsëri…
Ndaj ajo kullë nuk qëndron vetëm mbi tokë, por mbi kujtesë, përmbi sakrificë, përmbi humbje, gjithherë me kurajo, trimni identitar, mbi punë, mbi jetën e brezave, mbi hirin e atyre që ishin djegur para saj.
Tre shtëpi.
Tri kohë.
Tri herë zjarr…
Dhe përsëri rronte një Kullë… që duronte sulmet e lutej miqve të vërtetë të mos digjej sërish!

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

