Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Një vit pas ndarjes nga jeta, Ditë kulturore kushtuar Dedë Shkurtit poet e prozator, por edhe inxhinier i talentuar

Nga Pirusti News
2 709 Shikime
SHPERNDAJE

-Paraqitet dokumentari rreth jetës së tij; njëherit promovohet libri më i fundit me tregime “Burri pa këmishë” –

 Matura 1972 e Gjimnazit Rrëshen mbetet ende në kujtesën e një qyteti edhe pse maturantët e atij viti tashmë janë me flokë të thinjura e ndonjë fatkeqësisht është ndarë nga jeta. Mbetet në kujtesë për faktin se, nëse për mbi 50 vite, nxënës nga ky gjimnaz u nderuan me gjashtë medalje të arta, katër prej tyre i përkasin pikërisht maturës 1972 e njëra prej tyre, është fituar nga maturanti Dedë Shkurti. Mbetet e rrallë në llojin e vet kjo mature, pasi mbi 95 përqind ndoqën shkollimet e larta;  u bënë mjekë, inxhinierë, mësues, agronomë, që kanë dhënë aq shumë në fushat e tyre, por edhe si qytetarë të denjë të këtij vendi.

Një vit më pare, fituesi i medaljes së artë të atij viti ing. Dedë Shkurti u nda nga jeta në kulmin e prodhimtarisë intelektuale e kulturore, sot miq të shumtë të tij nga Tirana, Kukësi, Lezha, Kosova, Mirdita, familjarë e të afërm e “kthyen” Atë në qytetin e tij Rrëshen; ashtu të gjallë, të qeshur e plot sharm si dikur, por këtë rradhë përmes kujtimeve, fotografive dhe një dokumentari të posaçëm, përgatitur nga regjizori i mirënjohur Llesh Nikolla “Mjeshtër i Madh”, ndërsa Bashkia Mirditë i ka akorduar çertifikatën e mirënjohjes me motivacionin:

 “Për kontribute të shquara si intelektual i spikatur i Mirditës, maturant i Medaljes së Artë, inxhinier me gjurmë të thella kudo ai punoi që nga Kukësi, ndërmarrjet e Mirditës apo në Tiranë, kontributor aktiv në politikën vendore e më tej, njeri i penës së maturuar si në analiza dhe krijimtarinë letrare, qëndrestar i paepur dhe humanist i idealit njerëzor”.

Ceremonia e akordimit të Mirënjohjes nga Bashkia Mirditë.

Ceremonia përkujtimore ka nisur një ora 11.00 në Qendrën Kulturore të Bashkisë Mirditë, pas  homazheve në vendin e Tij të prehjes. Ceremonia është moderuar nga gazetari Gjergj Marku i cili ndër të tjera tha se “ka njerëz që me përmasën e tyre, i kalojnë portat e dyerve të një familje, lagjeje apo fshati. Me gjurmën e tyre që ata lënë bëhen pjesë e memories kolektive dhe udhërrëfyes për brezat”. Më tej  të pranishmit ndoqën dokumentarin “Në vit pa Dedën” realizuar nga regjizori Llesh Nikolla dhe familja e tij.

Pasi autorët morën përgëzime me duartrokitje për dokumentarin i cili përcjell në detaje historikun e Dedë Shkurtit, është kaluar në ceremoninë e dhënies së çertifikatës së mirënjohjes nga Bashkia Mirditë.

Ne fjalën e tij përshëndetëse kryetari Bashkisë z. Ndrec Dedaj tha se siç e pamë edhe nga dokumentari Dedë Shkurti është shumë i arrirë në formatin e tij intelektual. Deda që në fëmijëri ka spikatur si nxënës, si gjimnazist i medaljes së artë, si student i talentuar, si një inxhinier i spikatur, por edhe si njeri dashamirës, shumë i shoqërueshëm, me humor të lezeçëm, me një intelekt shumë të zhvilluar. Për detaje nga jeta e Dedës padyshim do të flasin shokë e miq që e kanë njohur. Në pak raste që unë e kam takuar Dedën kam kuptuar se përballë kishe një njeri me shumë intelekt, shumë mendimtar i cili e përdorte fjalën ne mënyrë të përkryer. E donte Mirditën, i vlerësonte njerëzit këtu. Deda ka lënë pas një vepër letrare  cilësore si në poezi dhe në prozë, por siç u informova Deda ka lënë dhe 1000 vargje në dorëshkrim. Deda vërtetë është ndarë nga jeta, por ka lënë pas histori shumë pozitive e të jashtëzakonshme, ka përfundur z. Dedaj.

Më tej janë ftuar djali i madh Erindi dhe Bardha,  bashkëshortja e Dedës për të marrë çmimin e akorduar nga Bashkia Mirditë, çmim të cilin e ka dorëzuar kryetari i bashkisë z. Ndrec Dedaj.

“Burri pa këmishë” vepra letrare e Dedë Shkurtit, në optikën e kritikëve miq të Dedës.

Pjesë e aktivitetit të ditës së sotme ishte edhe promovimi i veprës letrare “Burri pa këmishë” botuar sëfundi me krijimtarinë e tij artistike. Siç ai është i njohur në rrethet letrare dhe artistikë në hapësirën mbarëkombëtare, Deda ishte një mjeshtër i spikatur i fjalës, poet dhe prozator i lexuar dhe i vlerësuar. Pikërisht në këtë aspekt miq të tij e kanë pasur mjaft të vështirë për të artikuluar atë çfar ndjenin përballë veprës së shkruar ndër vite nga Deda.

Siç u vlerësua nga të parnishmit, Deda filloi të shkruante që në universitet, por zyrtarisht u botua për herë të parë në vitin 2003, me vëllimin “Me zemrën u zura keq”. Krijimtaria e tij letrare vijoi pa ndërprerje, dhe u zgjerua gjatë periudhës së tij në Amerikë. Libri i tij i dytë doli në shtyp në vitin 2014. Vëllimi i tij i tretë, ‘A thua, vegim?!” u botua në Janar të vitit 2018.
Tregimet e përmbledhura në librin “Burri pa këmishë” u botua pas ndarjes nga jeta të tij, nën kujdesin e familjarëve, dhe miqve të tij. Ende vëllimi i mëparshëm  u shkrua gjatë përiudhës 2017-2018 në një periudhë që luftonte me sëmindjen e rëndë, çka prezanton një vullnet të hekurt për të përcjellë atë çfar kishte akumuluar ndër vite.  Deda ka qenë frekuent  në rrjetet sociale por edhe në mediat televizive kombëtare e rajonale si për  temat e sistemit automobilistik por edhe  historisë së Mirditës, si dhe politikës dhe ekonomisë.

Në vitin 2014, Dedë Shkurti u nderua me çmimin “Mirënjohje” nga Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës për poezinë “Vunoi dhe Himara”.
Rreth librit “Burri pa këmishë” por edhe për krijimtarinë e tij më të gjerë kanë folur shkrimtari Besim Cengu, Dr i shkencave Nexhat Çoçaj, Poeti, Fejzi Murati, por edhe kolegë të tij si ing.Leonard Qyteza nga Shkodra, por edhe miku i tij që nga matura 1972, intelektuali dhe njeri i penës ing.Dod Pjetraj. Dod Pjetraj ka recituar edhe nje poezi te shkurter me autor mesuesin Preng C. Lleshi, kushtuar Dede Shkurtit.

Në fund e ka marrë fjalën Ndue Shkurti, vëllai i të ndjerit Dedë Shkurti, i cili në emër të familjes së madhe ka falenderuar të gjithë të pranishmit në sallë e jashtë saj, miq të Dedës.
Aleksandër Ndoja

 

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest