Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

NJË QASJE NDRYSHE, NDAJ HISTORISË SË SKËNDERBEUT. Nga Emrije Krosi.

Nga Pirusti News
1 027 Shikime
SHPERNDAJE

(Qëmtim eseistik për librin “Skënderbeu në historiografinë zvicerane” të Murat Ajvazit).

Qasja historike në formën e trillimit letrar, sa mëvetësor në stilin e çdo shkruesi (nuk mund të shmangë letraritetin), është një “prurje” që përthyen historinë me letërsinë në një ngjizje, krejt tjetër, te asaj që quhet histori e letrarizuar. Larg fjalës “letërsi historike”, kjo qasje imja ndryshe, mbështetet në një teks të shkruar letrarisht bukur, sado të vërtetat “kokëforta” të jenë të dhënat historike, shkrimi ka rregulla të caktuara që duhen respektuar.

Trajtesa mbi punimin e Mr. Murat Ajvazit, në librin “Skënderbeu në historiografinë zvicerane”, më sfidon në shkallën e epërme sipëriore, të figurës universale, që qëndron në peidestalin e kultit të lirisë Universale Njerëzore, por edhe e vlerave të Krishtërimit, si një planet njerëzor jashtëtokësor, “i komentuar”, “i kontestuar”, “i kundërshtuar”, pse jo dhe e përbaltur shumë herë,  më kapërthen unin poetik, si një dritore që hapërdan përmasën e dritës që vjen nga shekujt.

Qasja sa me afër të vërtetave historike, sidomos nga historiani shqiptar Marin Barleti (bashkëkohës i Skënderbeut) nga “kanalet” e fshehta dhe të  “mugëta” të mesjetës, të perandorive të kohës, mbretërve, princërve, dhe pabesive politike me “etjen” për pushtet, si Makbethët tinzar e bën librin shumë interesant dhe kërkimin rreptësisht shkencor, mbështetur mbi të vërteta arkivore. Herëkudoherë përshkrimi epitetor i pamjes së natyrës së “egër”  shqiptare “në këtë vend të egër, ku rendi dhe paqja nuk  njiheshin prej shumë vitesh, njerëzit nuk banonin  nëpër fushat afër tregjeve, apo tokat bujqësore, por kishin zgjedhur të jetonin në vende të pakalueshme, me shumë kthesa dhe rreziqe, deri në majën e ndonjë shkëmbi të thepisur”f.33, por edhe  pëshkrimet elekuente me tone të zbehta të një “poeti idilik”.

Historia e kujtesës botërore është e mbushur, me heronj dhe tradhëtarë,me profetë dhe shenjtorë,me djaj dhe ëngjëj. Por, fjala lindi e para dhe kumti i saj “mundësoi” të përcjellë përtejshekujve , besimin, kulturat, artin, historitë,  fjalët dhe  dijet duke shenjtëruar atë, (fjalën) në mijëra gjuhë. Fjala e shkuar si “gjurmëlënëse” na shënjon edhe kultin e Skënderbeut,  heroi mesjetar, princi i Arbërve, i cilësuar nga Kisha si “Atleti i Krishtit” hyri në hullinë e princërve rebelë të kohës (me mosbindje) ndaj Perandorisë më të madhe të kohës,asaj Osmane. Nuk është vetëm “apogjeu” i qëndresës shqiptare, por edhe simboli i luftëtarit të krishterë që mposhti, ushtrinë e madhe osmane, ndaj islamizmit dhe rrënimit të kulturës së vjetër shumëshekullore , mbi të cilën Europa e vjetër kishte ndërtuar qenësinë dhe qëndresën e saj të deriatëhershme.

Libri “Skënderbeu në historiografinë zvicerane” i Murat Ajvazi-t, (historian dhe botues i shumë studimeve me karakter historik ), na përcjell imazhin e Skënderbeut dhe shqiptarëve, si një “mur” i pakalueshëm ndaj ushtrisë Osmane, duke shkruar në pergamenë të artë, “indentitetin” e vërtetë të shqiptarëve, të panjohur nga pjesa tjetër e botës.

Qëmtimi i mijërave faqeve, të historisë zvicerane, në gjuhën gjermane të vjetër (gotike) dhe të re, latinisht, frëngjisht etj., përçon tek lexuesi, forcën, kurajon, bashkimin, organizatorin e “kryengritësve” rebelë arbër antiosmanë,  të shek. XV.

T’i referohesh, një studimi historik në bazë arkivore, në stilin rrëfimtar, që historiografia e njeh si “stil” mëvetor letrare, përngjasmon me një rrëfim në formë “trilli” ku kohët  ngërthen, priten , takohen dhe paralelizohen çuditërisht, pa kode letrare, në vijëujin e mullirit të artit shkrimor,si testament rrëfyes për mugëtirën e kohërave dhe heronjve të  “përmbysur” në tempuj të harruar (disa herë) edhe nga atdheu i tyre.

Kërkimi i autorit në arkivat e Zvicrës, mjaft i imët dhe shterues, (falë njohurive të gjuhëve referuese) nga historianët e përmendur në libër (Poulos Jovius, Erns Münch, Simonde de Sismondi, Paul Lendvai), bazuar edhe në letrat që Skënderbeu ka shkëmbyer me Sulltanin, e bën punimin të arrirë me një “gjuhë” të qartë, të bazuar në dokumente.   Mënyra e trajtimit  si “fiksion”, më tundoi, si një “karrem mëkati” për figurën e heroit tonë  kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të vërtetat e padiskutueshme dhe qëmtimi i fakteve arkivore, se arbërit (shqiptarët) me kryeprincin e tyre, u bënë koraca e pakapërcyeshme për Krishtërimin dhe kulturat e vjetra europiane. Keqkuptimet, keqinformimet me dashje dhe “shthurja” apo përdhosje e ca pseudohistorianëve shqiptarë (turkofonë apo grekofonë që “trillojnë” legjenda dhe përralla të paqena jashtë dokumenteve historike), bashkë me armikun historik dhe e gjithë historiografia turko-osmane (madje këto kanë qenë më realiste sa vetë shqiptarët baltëhedhës mbi “atletin e krishtit”), kur historiani bashkëkohor Halil Inallçik “lartëson” heroin,  ku shumë kolegë të tij (kjo është normale) e quajnë “tradhëtarë”, ” të padëshirueshëm”,  “plaçkitës”etj.

Kodimi i letrave, në gjuhën e diplomacisë së kohës, tregon aftësisë e tij si strateg, diplomat, princ  dhe ushtarak, me elekuencën e një politikani të rangut të lartë, (fjalimi para kardinalëve dhe Papa Pali II) “Pas shkatërimit të Azisë dhe Greqisë, pas masakrimit të princave të Konstadinopojës, të Trebizondit, të Serbisë, te Bosnjës, të Vakalisë,  dhe Sllovenisë, pas nënshtrimit të Peleponezit, dhe gllabërimit të pjesës më të madhe të Maqedonisë dhe Epirit, kam mbetur i vetëm në shtetin tim të vogël dhe të dobët […]dhe nuk ka mbetur më asnjë pikë gjaku për të derdhur për  republikën e krishterë […] na vinin në ndihmë sa jeni në kohë! Mundet që së shpejti të mos jetë më në anën tjetër të Adriatikut, “Atleti i Krishtit” f.72. Letra  drejtuar bashkëluftëtarëve, cituar nga Simode de Sismonde, tregon oratorinë e strategut në çastet e fundit dhe ndezjen  ” e turmave” si lidership, me një karizëm “ngjitëse” sa atëror aq edhe miqësor, duke i falenderuar si vellëzer dhe luftëtarë të barabartë mes të barabartëve. “Asnjëherë nuk ju kam parë si ushtarë, si vartës, si ministra, por ju kam parë si të afërm, si vëllezër. Nuk  mbaj mend jo të kem ngritur ndonjëherë dorë mbi ndonjërin nga ju, por as t’iu kem thënë ndonjëherë ndonjë fjalë të rëndë apo fyese […]por tani, shokë, po vdes! Duhet t’iu lë. Fenë, mirësinë që patëm, po jua lë amanet ju, për birin tim, për mbretërinë e tij, dhe për atdheun tuaj!”f,74-75.

Lartimi i figurës së heroit të shqiptarëve, në tërë hartën  larushane të Ballkanit dhe Europës se kohës, sidomos nga pritat e maleve të frikshme shqiptare (që goditnin befasisht ushtrinë osmane nga pushtimet e saj), “klithmon” frikshëm dhe tmerri i Shtetit të Venedikut dhe Papatit, pas “kapitullimit” të gjithë mbretërive të kohës. I vetmi luan që do mposhtë “furinë anadollake” ishte Princi  i Arbërve, Skënderbeu.

Mesazhi që u drejton Skënderbeu shqiptarëve, në Krujë është një kumt letrar i njohur nga historiografia shqiptare, si “metafora e lirisë” e shkruar nga Fan S. Noli, në këmbin të një besëlidhjeje të heshtur, me fuqinë e dashurisë së atdheut, unifikon vërtetësinë e historianëve dhe studiuesit (të mbështetur në të dhënat e tyre), me paanësi dhe antireligjon.

“Si mundem unë të mbart mbi supe emrin e çlirimtarit?!Jo!Nuk jam unë ai që u solla lirinë! E gjeta atë mes jush! Sapo preka tokën tuaj, sapo dëgjuat emrin tim, ju rendët, fluturuat, a thua se baballarët tuaj, vëllezërit, fëmijët tuaj u ringjallën. A thua se perënditë zbritën në tokë. Nuk ua dhashë unë armët u gjeta të armatosur![…] kudo e gjeta lirinë, në zemrat tuaja. Në ballin tuaj. Në shpatat tuaja. Në ushtat tuaja” f.32. Kjo performancë gjuhësore mbushur, me metafora, krahasime, epitete tregon se Skënderbeu kishte përpos kulturës ushtarake edhe kulturë gjuhësore dhe historike.

Nuk mund të mungonte në këtë trajtesë, letra “zhgënjyese” e Sulltan Muratit , që me një  “përulësi atërore”  ne një formë “presioni” apo edhe “lutjeje” për paqe duke i premtuar “kthimin e Shtetit të atit tënd” “unë me atë dashurinë time si është zakoni për fëmijën e vet, të kam rritë dhe jam përpjekur gjithë herë me të nderuar […] Unë nuk e kuptoj nga rrjedh gjithë kjo armiqësi mes nesh, atyre ndoshta që nuk të kam dorëzuar shtetin të cilin i takonte babait tënd […] Do të dëboj  nga ia vend për të zezën tënde, e në qoftë se do të shpëtosh diçka gjallë, do të bëj të dalësh lypës rrugësh”f.110-111, nuk u tërhoq, sepse përgjigjja e Skënderbeut ishte po aq madhështore por edhe diplomatike dhe e “goditur” me “…je ti i vetmi shkaktar  sepse më bëre armikun tënd, jam shumë i sigurtë që menjëherë do të më gjykosh por unë të ndiej si shumë mik dhe për këtë mund të vësh në provë miqësinë time ndaj teje ” f.112.

Gjetja letrare apo ndërfutja e  vajit “klithma e vdekjes” ose gjëma e burrave (ardhur nga tradita e lashtë  e vajit,  që nga kohët parake, të trasmentuar gojarishht nga folklori), “O Skënderbe , mbreti ynë, i mirë , i shenjtë, ngushëllimi ynë, babai ynë, vëllai ynë, dalëzotësi ynë,  sepse pa ty ndiheni jetim. Si do përballemi pa ty me ushtrinë mizore turke. Mjerë Arbëria, populli dhe mjerë të gjitha krahinat tona se pa prezencën tënde janë të mjera”f.117, edhe “amaneti” i pafundëm i papërlyer edhe nga blatimi i adhurimit si “perëndi” e trimit, duke përdorur figurën e tij shumëdeminsionale në testamentin historiko –  kulturor dhe letrar të qëndresës arbërore-shqiptare.

Si përfundim: mënyra e shkrimi në formën letrare është shumë korrekte (duke respektuar kiteret e “rrëfimi” historik) të dokumentuar. Nuk mund të quhet një studim shterues, por “sfidë” ndaj historianëve të rinj, në luftë me kohën dhe të VËRTETËN, pët t’u çliruar nga dogmat apo “truket” e qarqeve të caktuara greke- serbe- turke apo akoma më thellë, të një politizimin për qëllime meskine dhe egoiste, të ca – ish(ve), sipas Kenedit: “harrojini armiqtë, por mos harroni kurrë emrat e tyre”,  do të gëlojnë në analet e historisë,  për të “sterrosur” një epokë të lavdishme nga koha e artë e Arbërit. Koha harrakate e populizmit dhe antiheroizmit apo atdhetarizmit të deklaruar “demode” ka përmbysur çdo “hamendje”, sepse Skënderbeu do të jetë, jo vetëm idhtar i Krishtit por edhe luftëtari dhe mbrojtjes i lirisë së  popujve, deri ne infitin e shoqësisë njerëzore. Të tjera breza do të “jetojnë” dhe qëmtojnë dokumente, akoma të humbura dhe të pluhurosura, diku në ndonjë arkiv apo pergamenë, duke lartuar gjithmonë fuqinë dhe madhështinë e figurës së Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest