Ipeshkëvi Gjergj Meta: “..ngjizja e këtij libri ka ardhur shumë natyrshëm, pa shumë sforcim qoftë motivues qoftë frymëzues, sepse Skënderbeu është gjithmonë motivues dhe gjithmonë frymëzues”.
InfoKulla-Mirdita në Rubik ishte ndalesa e rradhës e “Skënderbeu Bashkëkohës” me autor shkrimtarin Ndue Dedaj. Në një mjedis atraktiv që ofron Info-Kulla ishin mbledhur emrat më në zë të letrave, mirditas nga disa rrethe të vendit, por dhe nga Mirdita si edhe nga treva të tjera, miq të autorit.
Promovimi i këtij libri është hapur dhe moderuar nga Gerta Loku Tushaj e cila pasi ka falenderuar autorin Ndue Dedaj për atë që përcjell në faqet e këtij libri, i’ja ka kaluar fjalën Ipeshkëvit të Dioqezës Rrëshen, Gjergj Meta.
Në fjalën e tij Imzot Meta tha se ngjizja e këtij libri ka ardhur shumë natyrshëm, pa shumë sforcim qoftë motivues qoftë frymëzues, sepse Skënderbeu është gjithmonë motivues dhe gjithmonë frymëzues.
Viti jubilar në Bibël kishte si qëllim restaurimin e drejtësisë sociale, çlirimin e skllevërve dhe pajtimin mes njerëzve. Në krishtërim viti jubilar përveç të tjerash shoqërohej edhe me shtegtime në vendet e shenjta.
Mund të themi se viti jubilar i Skënderbeut është një vit jubilar laik. Përsa i përket qëllimit të parë ky vit jubilar nuk ja arriti qëllimit, sepse shoqëria shqiptare mbetet edhe pas këtij viti jubilar thellësisht e polarizuar, thellësisht konfliktuale, e varfër dhe skajshmërisht e padrejtë. Kurse përsa i përket qëllimt të dytë, shtegtimit në vendet e shenjta, të paktën autori e ka bërë duke shkuar në vendet skënderbegiane, duke parë apo shkelur në ato vende ku historia apo gojëdhanat na thonë që Aleksandër Kastrioti ka shkuar. Për ata që nuk e dine, titullin Aleksandër Kastrioti ja jep Marin Bici në relacionin e tij, sepse përkthen fjalën nga Skënderbe në Aleksandër. Falemindetit profesor pasi ti edhe pak të tjerë në fakt i keni mbetur Mirditës, duke zgjedhur t’i shërbeni asaj me qëndrimin tuaj këtu. Falë jush edhe unë kur kam ardhur këtu, kam gjetur dikë që më tha “Mirëse të pruni i Zoti” ka vijuar më tej Imzot Gjergj Meta.
Nxënësja Ledi Ndreca për të pranishmit ka lexuar pjesë nga libri i autorit Ndue Dedaj.
Më tej kanë përshëndeur njohës të tjerë të letërisisë dhe miq të autorit si Alfred Duka, Gjergj Marku, Mark Mesuli, dhe Preng Cub Lleshi të cilët kanë përcjellë për të pranishmit këndvshtrimet e tyre për librin, autorin Ndue Dedaj dhe vetë subjektin, Gjergj Kastriot Skenderbeun.
Në fund autori Ndue Dedaj ka falenderuar të pranishmit për praninë e tyre në këtë aktivitet, ndërkohë që ka evidentuar faktin se ka qenë Ipeshkëvi Meta i cili pasi ka lexuar disa reportazhe në shtypin e ditës, i ka sygjeruar ti përmbledhë në një botim. Z. Dedaj tha se falenderonte të gjithë ata që e kanë mbështetur në rrugëtimet e tij në të gjitha vendet ku gojdhënat apo faktet i lidhin me heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin.
A. Ndoja

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

