Deri 20 vite më parë, pothuaj për afro 100 vite, dy pjesë të të njëjtit komb, kombit të shqipeve “ndodheshin” në dy botë të ndryshme. Përgjatë afro 100 viteve me pikëfillim konferencën famëkeqe të Londrës së vitit 1913, u deshën dhjetra luftëra të përgjakshme për të shkuar drejt lirisë. Por lufta më e fundit, ajo e vitit 1998-1999, lufta më e përgjakshme në kufinjtë biblikë, vendosi vulën e përbashkimit, e bashkimit të dy botëve
Tashmë është bërë e ditur se ish-komandanti i lartë i NATO-s, Wesley Clark, i cili drejtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, në një deklaratë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, ka treguar se gjatë një bisede me presidentin e atëhershëm të Maqedonisë, Kiro Gligorov, ky i fundit i kishte thënë se “shqiptarët nuk janë si boshnjakët” dhe se “ata nuk durojnë, do të luftojnë”.
Janë shumë heronj, janë shumë shqiptarë të Kosovës, pse jo edhe të shtetit amë Shqipërisë që plotësuan profecinë e plakut të vjetër të politikës në ish-Jugosllavi Kiro Gligorov, të cilët rrëmbyen armët për çlirimin përfundimtar të atij “cepi të lirisë”, asaj pjese më të përvuajtur të kombit të përbashkët, Kosovës martire.
Një ndër të shumtit heronj të kësaj lufte të lavdishme që përbashkoi shqiptarët, ishte edhe dëshmori i lirisë, mësuesi drejtor i shkollës së Struzhës, Anif Muji.
Vitet kalojnë dhe kujtesa për heronjtë e luftës së Kosovës nuk zbehet aspak. Kanë kaluar 20 vite kur ka kaluar në amshim dëshmori i kombit Anif Muji i Struzhës së Prizrenit, por jo vetëm në përvjetore të kujtimit të luftës, por në shumë raste Ai është prezentë në hapësirën mbarëkombëtare.
Pikërisht dje me 31 mars, u mbushën 20 vite nga ajo datë e zezë kur në aksionin e forcave policore të Serbisë për dëbimin e popullatës së fshatit Struzhë, vritet dëshmori i kombit Anif Muji. Gjatë dëbimit të dhunshëm atëkohë, digjet dhe shkolla ndërsa pësojnë me jetë tre martirë të kësaj ane. Para se të vritej pjesëtari i UÇK-së Anif Muji ka qenë drejtor i shkollës, ndërsa sot kjo shkollë mban emrin e ish drejtorit të saj, dëshmorit të kombit Anif Muji.
Ndërsa sot më 31 mars 2019 në përvjetorin e 20 të rënies së dëshmorit Anif Muji, me organizim të SHKA “AGIMI” dhe Shoqatës për kulturë dhe Art “Fidani” u bë promovimi i librit “Atij çfarë t’i dhuroj” të autores Teuta Anif Muji.
Ceremonia.
Ora 18 e datës 31 mars 2019 ka tejmbushur sallën e Shoqërisë Kulturore Artistike “Agimi” në Prizren. Janë kolegë dhe ish-eprorë të dëshmorit të kombit Anif Muji, deputetë dhe drejtues të komunës së Prizrenit, familjarë dhe të afërm të familjes Muji. Nga Mirdita kishin udhëtuar drejtuesit e SHKA “Mirdita” Pjetër Marku dhe Aleksandër Ndoja, ndërkohë që nga Kukësi ka marrë pjesë kryetarja e LSHA Kukës, Vera Istrefaj. Në pritje falenderuese dhe mjaft ekselente është autorja bijë e dëshmorit të kombit, Teuta sëbashku me bashkëshortin.
Takimi është moderuar me mjaft cilësi nga drejtuesi i SHKA “AGIMI” në Prizren, shkrimtari dhe poeti i mirënjohur Berat Batiu. Në fillim ai ka bërë të ditur përbërjen e auditorit, ndërkohë që ka ftuar prof. Ilam Berisha i cili ka folur më gjatë për atë çfar autorja përcjell përmes poezive të tij kushtuar luftës së Kosovës, e kryesisht babait të saj Anif Muji. Kryetari i SHKA “Mirdita” z. Pjetër Marku në përshendetjen e tij tha se kemi udhëtuar nga Mirdita për të qenë mbështetje për poeten e re Teuta Muji. Edhe më herët autorja ka qenë prezente në faqet e revistës Mirdita” duke saktësuar se edhe në vazhdim do të jetë bashkëpunuese, ndërkohë që u bëri thirrje edhe poetëve të tjerë për të sjellë material për numrat vijues.
Ndërsa mësuesja e Teutës që nga fillimet e saj Emine Pireci, solli mjaft emocion me rrëfimet e saj për nxënësen që në fëmijëri Teutën, por edhe për kolegun dhe drejtorin e dikurshëm të saj, dëshmorin Anif Muji. Edhe Kryetarja e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Kukësit, poetja Vera Istrefaj foli mbi poezinë e Teutës duke u ndalur në emocionet që ajo përcjell përmes vargjeve tepër të ndjera për luftën dhe dëshmorin e saj. Aleksandër Ndoja në cilësin e e kryeredaktorit të revistës “Mirdita” tha se distanca mes Mirditës dhe Prizrenit është tepër e shkurtër falë luftës dhe gjakut të dëshmorëve ndër ta Anif Mujit, Adem Jasharit e qindra të tjerëve duke veçuar Agim Ramadanin e Kol Ndrec Mirditën si pika lidhëse të Mirditës me luftën e UÇK-së, për shkak të origjinës së tyre.
Me mjaft emocion jane ndjekur edhe disa poezi të autores, recituar nga motra e Teutës dhe një nxënëse nga Kukësi, ndërkohë kanë përshendetur dhe prof Arber Rexhaj-recensent i librit i cili është ndalur konkretisht në artin e paraqitur nga autorja si dhe detaje të tjera artistike të cilat janë premtuese për të ardhmen.
Në fund, përmes emocioneve të shumta ka folur autorja Teuta Muji e cila tha:
Takimi është mbyllur me një coctail ku pjesmarrësit kanë kaluar disa çaste të bukura në shoqërinë e njëri-tjetrit.
Përgatiti; Aleksandër Ndoja, Prizren 31 mars 2019

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

