Të nderuar miq,
I nderuar profesor Ndoj,
E di që jo pak vetë mbase do të jenë kureshtarë, si e qysh është libri për Rrëshenin në këtë 70 vjetor të tij. Ka ndonjë rrëfim, përmbledhje apo thellim në sqarimin toponimik etj etj, që do të donte studime të thelluara dhe gërmime arkeologjike po të thelluara?! Autori, nuk e mer përsipër këtë gjë. Por ama merr përsipër të na thotë sa më thjeshtë disa gjëra, që jo shumëkush i thotë dhe i shkruan. Ai na bën atë që realisht studiuesit nuk para ndalen, por që janë aq shumë të domosdoshme. Ne do ikim dhe brezat do na zëvëndësojnë, ama do të kenë një libër statistikor në duar për Rrëshenin për të kuptuar ecjen e këtij qyteti në shifra e fakte, emra dhe data, një statistikim kronologjik.
Ai e fillon me kapituj dhe nënkapituj duke na kumtuar që me Oroshin si Qendra e krahinës së Mirditës në Mesjetën e vonë dhe për të ardhur tek ndarja e parë e plotë administrative-territoriale në Shqipëri e bërë pas shpalljes së Pavarësisë dhe pikërisht në vitin 1921 duke kaluar nga bajrakët e Kanunit te Maleve tek nënprefekturat.
Më pastaj vazhdon me kronologjinë e pasluftës duke sqaruar se me propozim të Bardhok Bibës, dhe me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, datë 11.03.1949, Rrësheni bëhet qendër administrative e rrethit Mirditë. Me rrethin e Mirditës u bashkua zona e Rubikut dhe Kthellës (pas 28 vjetësh. Ka një sërë të dhënash fshat për fshat e me numër popullsie. Katër vite më pas na thotë se Mirdita shkon me qarkun e Shkodrës deri sa vijmë tek dekreti i datës 06. 02. 1958 të Presidiumit te Kuvendit Popullor të RPSH, territori i vendit tonë ndahet në 26 rrethe dhe secili prej tyre përbëhej nga qytete, lokalitete dhe fshatra, dhe këtu përmes statistikës fshat për fshat kuptojmë se cfarë është bërë me cungimin e Mirditës Etnologjike në pesë rrethe si asnjë krahinë tjetër!
Më pastaj vijmë vit pas viti e dekadë pas dekade deri në vitin 1979 ku suprimohet lokaliteti si njësi administrative dhe ruhen të gjitha njësitë e tjera si: fshatrat e bashkuara, fshatrat dhe qytetet.
Për të ardhur në epokën më të re ku sërish na vjen në ndihmë me shënimet e tij të sakta: Bazuar në ligjin nr. 752, datë 10. 06. 1992, “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit lokal”, me vendimin nr. 269, datë 25. 06. 1992 të Këshillit Ministrave, bëhet organizimi i ri administrative-territorial i RSH, ku territori ndahet në 12 prefektura, 36 rrethe, 65 bashki dhe 308 komuna.
Rrethi i Mirditës, në përbërje të prefekturës Lezhë, së bashku me rrethet Kurbin e Lezhë, si njësi të qeverisjes vendore kishte bashkitë: Rrëshen e Rubik dhe komunat: Orosh, Fan, Kaçinar, Kthellë dhe Selitë.
Me ligjin nr. 8653, datë 31. 07. 2000 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në RSH”, vendi ynë ndahet në qarqe, rrethe, bashki dhe komuna. Rrethi i Mirditës bën pjesë në qarkun e Lezhës së bashku me rrethet Kurbin e Lezhë. Njësitë e qeverisjes vendore në rrethin e Mirditës mbetën ato të vitit 1992.
Nderkaq me vone, me ligjin 115 / 2014, datë 31. 07. 2014, “Për ndarjen administrativo-territoriale në RSH” , Shqipëria u nda në 61 bashki, rrethi i Mirditës u organizua në një bashki, që filloi veprimtarinë pas zgjedhjeve të qershorit 2015.
E di fort mirë se jo pak skeptikë, por dhe kritizerë, do thonë, po çfarë paska sjellë ky libër! Mirëpo mjafton të vazhdojmë përmes faqeve fjala bie “Pak Gjeografi për Mirditën.
Ne do i kërkojmë këto statistika, sidomos studentet apo ata që merren me planifikimin urban, pasi jam i bindur se studiuesve te puneve klasike nuk do u dalë koha apo nuk do u bjerë ndër mend të merren me to, por planifikimet strategjike dhe axhensionet e zhvillimit e kanë nevojë bazike.
Ja le të ndalemi tek Rrësheni. Libri na sqaron se Gropa e Rrëshenit për shkak të përbërjes gjeologjike, kryesisht efuziveve, argjilave dhe molasave të shkrifëta, coptimi horizontal është i madh dhe shumë i madh (mbizotërojnë vlerat 5 km/km2).
Duke e parë nga lart, Rrësheni ka afërsisht trajtën e një amfiteatri nga periferia drejt qendrës. Rrësheni qarkohet nga disa lartësi kodrinore si: Fusha e Tryzës (140m), kodra e Reçve (126- 150m), kodra e Kaçorrajve (190m), kodra e Mëlyshajve (105- 170m), kodra e Përgjetanëve (110m) .
Kuota më e ulët është 75m mbi nivelin e detit, në vendbashkimin e Zmesë me lumin Fan i Vogël. Pika më e lartë është depo e vjetër e ujit 118m mbi nivelin e detit.
Rrësheni ka klimë mesdhetare kodrinore, veçanërisht në nënzonën veriore të tij.
Temperatura mesatare vjetore arrin 13,30 C, ndërsa amplituda vjetore arrin në 18,60 C.
Maksimumi absolut i temperaturës së rregjistruar në Rrëshen është 40,50 C me 13 Korrik 1973.
Temperatura minimale është rregjistruar me 4 Janar 1979 me vlerën -14,30 C.
Sasia mesatare e reshjeve të shiut në Rrëshen është 1720 mm. Maksimumi 24 orësh i reshjeve është rregjistruar me 31.10.1976, ku sasia e rënë ishtë 152 mm.
Më pastaj vazhdohet me Fushë Lumthin, vendi ku lindi Rrësheni i ri urban. Fushë-Lumthi është një emër i formuar sipas natyrës burimore të shqipes, njëlloj si emërvendet e tjera të njohura: Fushë-Arrës, Fushë-Krujë, Fushë-Milot, Fushë-Bulqizë, Fushë-Çidhën, Fushë- Bardhë, Fushë-Peshtan etj.
Në kapituj të tjerë Rrësheni na vjen me datime si fshat apo si qendër administrative shoqëruar me foto të vjera që flasin shumë më tepër se 1000 fjalë, është historia e gdhendur në trupin e tyre.
Është punë jo fort e lehtë të rrjeshtosh familjet që nga formimi i një qyteti, por autori Ndue Gega ia ka dalë, edhe duke mbajtur mend vetë, por dhe nga rrëfimet e më të moshuarve. Shkurtimi Etj, është përmendur fare pak! Dhe kjo ka domethënie për statistikimet sidomos.
Nuk harron të përcjellë emrat e shkodranv,e që erdhën në Rrëshen, duke na kujtuar se me Shkodrën, historikisht, kemi pas një lidhje të fortë kulturimi dhe emancipimi që me konviktin e Oroshit apo më herët, e me rradhë. Por nuk harron dhe lagjen e ushtarakëve. Kështu ishte Rrësheni, kështu ishte Shqipëria, me lagje të tilla!
Duke bërë një analizë po statistikore autori na thotë se në vitet 1965-1980, Rrësheni konfigurohet si qytet. U ndërtuan objekte social-kulturore dhe godina banimi, filloi ndërtimi i sheshit dhe rrugëve të qytetit dhe i daton ndërtimët urbane vit pas viti.
Në një vend tjetër liston gjithë të ardhurit nga fshatrat për në Rrëshen, është si një lloj zëvëndësimi urban për një qytetet që kishte nevojë të rritej nga vetë mirditorët në vendin e vet.
Dhe sërish vazhdon me gjuhën e statistikave. Në vitet 1981-1995, shënon ai, në Rrëshen u ndërtuan 24 godina banimi, objekte social kulturore, arsimore, rrugë, objekte industriale etj. Në nëntor 1981 përfundoi së ndërtuari kompleksi i pallateve të banimit në krahun e majtë të rrugës së “At Gjergj Fishta” dhe më pastaj me ndërtimet një pas një si objektet social kulturore dhe pallatet e ndërtimit, lagje e re si ajo e pallateve të fermës etj.
Në libër janë shënuar duarartët e qytetit, që janë gollordasit në gjurmë të të parëve të tyre, që ndërtuan dhjetra kulla në Mirditë që para njëshekulli e gjysmë.
Një kapitull më vete u kushtohet atyre që ndriçojnë qytetin, ku nuk harrohen familjet e atyre, që regjimi komunist,i internoi në Rrëshen dhe ata bashkëjetuan me qytetarët e këtij vendi duke ndarë të mirën dhe të keqen sëbashku.
Ka aq shumë statika për arsimin, për kulturën, për sportin, për mjekët që kanë kaluar këtu, për specialitete të tjera e deri tek bisneset e sotme sa mahnitësh për mënyrën sesi ato janë rrjeshtuar.
Me sa duket statistikimin kronologjik autori e kishte rrahur në mendje si mision, ndaj me këtë libër për Rrëshenin e tij, për Rrëshenin tone, ia ka arrit.
Urime!
Gjergj Marku, publicist, Rrëshen 14 prill 2019

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

