Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Ish sportisti i shquar i “Minatorit” Lorenc Lala. Jeta plot sfida mes Tiranës, Mirditës dhe Zvicrës.

Nga Pirusti News
24 411 Shikime
SHPERNDAJE

Nga: Aleksandër Ndoja

  • Kush është Lorenc Lala, sot “Qytetar Nderi” i Zvicrës
  • Jeta si mësues dhe sportist në Mirditë, ndërsa babai në Spaç i dënuar politik
  • Si u ndërtuan ambientet sportive në Ndërfushaz
  • Minatori – sfida e madhe, lojë plot arritje e emocione
  • Kush ishin sportdashësit më të zjarrtë të ekipit të tij
  • Jeta në Rrëshen dhe ajo prej 27 vitesh në Zvicër

Një intervistë interesante, për të mos u humbur me z. Lorenc Lala.

Edhe pse kanë kaluar plot 33 vite që është larguar nga Rrësheni dhe shkolla e tij e Ndërfushazit, Lorenc Lala, lojtari i shquar i “Minatorit”, njihet edhe në distancë sapo ta shikosh. Jo vetëm për faktin se ai ka lënë një pjesë të jetës së tij familjare në Rrëshen, por edhe për faktin se nuk ka ndryshuar në asnjë prej komponentëve fizikë, të paktën në perceptimin vizual.

Ka plot 27 vite që jeton dhe punon në Zvicër, është qytetar me pasaportën e këtij shteti, madje me titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Ylnaz, por Tiranën ku ka lindur dhe është rritur nuk e braktis aspak, madje as edhe Rrëshenin ku ka punuar për rreth 9 vite.

E ndërsa prof. Lencin e takojmë në ambientet e “Taivan” në Tiranë, gjithnjë i shoqëruar nga një tjetër mirditas, doktori i mirënjohur Kastriot Melyshi. Në fakt e mendova se njohja me doktorin ka lidhje me qëndrimin e tij në Mirditë, por jo. Me dr. Kastriotin kemi qenë shokë klase në gjimnazin e famshëm të atyre viteve në Tiranë, gjimnazi “Sami Frashëri” – rrëfen Lala.

E nëse në tavolinë bisedat vijojnë natyrshëm për jetën e tij në Mirditë, Minatorin e famshëm të atyre viteve, fshatin me njerëz të mrekullueshëm të Ndërfushazit, Lorenc Lala veçon dy raste që i kanë mbetur në kujtesë.

Ishte momenti fatkeq kur babai i tij, operatori i mirënjohur i televizionit shqiptar Dhimitër Lala, kishte përfunduar i dënuar me gjashtë vite burgim në Spaç, disa kilometra mbi fshatin Ndërfushaz ku jepte mësim. Kësisoj ishte i detyruar të njoftonte komitetin e Partisë. E kujtoj si tani – thotë Lorenc Lala – me babain në Spaç mund të përfundoje në fermë, apo edhe kooperativë. Mora shkallët e Komitetit dhe për fat në krye të shkallëve m’u shfaq sekretari i dytë, Tonin Sata, një shkodran disi liberal. Ishte tifoz i zjarrtë i sportit dhe menjëherë më pyeti për skuadrën “Minatorin”. I dhashë disa përgjigje, por shpejt kalova në temë. M’u drejtua me dashamirësi që unë të vazhdoja punën time, pasi ai e kishte njohur tim atë dhe kurrë nuk e kishte besuar për atë që ishte dënuar – pra se donte të hidhte në erë Pallatin e Kongreseve.

Ngjarja e dytë ka të bëjë me dr. Mirën, bashkëshorten e ndjerë. Kisha dy vite në Rrëshen dhe vetëm shkoja fundjavave ose në telefon. Një ditë, teksa po kthehesha nga puna në Ndërfushaz së bashku me një koleg, shikoj një grua që ecte në trotuar. I them kolegut se sa më ngjan me Mirën. Pas dy hapave shastisem. Ishte vërtetë Mira. Kishte lënë punën në farmacinë nr. 6 në Tiranë për të ardhur në Rrëshen, për të jetuar me mua. Po ku? Atë natë nuk kisha se ku ta çoja, pasi unë jetoja në një hyrje me 7 mësues, ndaj u drejtova në hotel.

Deda, sportelisti, hezitoi pasi nuk kishte vend. Këmbëngula se nuk kisha se ta strehoja bashkëshorten time. Dikur Deda u thye. Më tha t’i premtoja një gol dhe ashtu u bë.

Megjithatë, për shumë kohë unë sërish vijova të jetoja me kolegët e mi si Piro Milo, Andra Anathanaili, Jorgo Koculi, Dhimosten Iliadhi apo Pavli Dhimitri, ndërsa Mirën e çova të jetonte në një banesë me 7 mësuese të tjera si Zana Lita, Lydra Anamali, Ana etj. Kështu qëndruam dy vite të martuar dhe të ndarë, në një qytet.

E ndërsa biseda vijon këndshëm, vendosim që jetën e tij mes Tiranës, Mirditës e Zvicrës ta kanalizojmë në një intervistë e cila të jetë mjaft interesante.

Intervista me mësuesin dhe sportistin e mirënjohur të Minatorit, Lorenc Lala

Kush është Lorenc Lala?!

U linda në 5/8/1954 në Tiranë nga dy prindër të mrekullueshëm, Dhimitër dhe Vasilika Lala, të cilëve u dedikoj rritjen, shkollimin dhe edukimin tim. Pasi mbarova Institutin e Fiskulturës, u emërova në Rrëshen si mësues fiskulture. Si për ironi të fatit, edhe babai im, ish partizan i arsimuar në Moskë e ndër operatorët e parë në “Kinostudion Shqipëria e Re”, u gjend i “transferuar” po në Mirditë. Por ndryshe nga unë, ai ndodhej atje, në Spaç, si i burgosur politik. Kjo ndodhi, sigurisht e pamerituar, pati ndikim edhe në jetën time të re në përballje me realitetin dhe mirditorët, kujtime të pashlyeshme edhe sot, pas kaq vjetësh.

Si t’u komunikua emërimi në Rrëshen?

Emërimi im në Rrëshen ishte i thjeshtë si për shumë të tjerë: një zarf komunikimi zyrtar, në fund të vitit të tretë të shkollës.

Sa e njihje Mirditën, para se të vije me punë këtu?

Paraprakisht kontaktova me një magazinier ushtarak të shkollës. Ai quhej Mark, në mos gaboj, dhe ishte mirditor. Më foli fjalë të mira për Rrëshenin.

Por paraprakisht fjalë të mira për mirditorët kisha dëgjuar edhe nga vjehrri im, doktor Ibrahim Dervishi. Të gjitha cilësitë e mira të mirditorëve, doktor Ibrahimi i kish personifikuar tek figura e Pal Melyshit. Kujtoj se ishte vjehrri im doktori që u caktua, në mënyrë shumë sekrete, për të kryer plagosjen artificiale kur Pali ishte i arratisur në mal. Emocionohej maksimalisht dhe përlotej kur fliste për Pal Melyshin. Në sytë, mendjen dhe zemrën e tij, e tillë ishte Mirdita, heroike si ai djalë. Besoj se edhe ju e dini këtë histori.

Kaq ishte e mjaftueshme që unë, i sapo dalë nga shkolla, ta nisja jetën pa ndroje aty… Por kur politika ndërhyn në jetën tonë gjithçka prishet, shëmtohet.

Kur mbërrite në Mirditë, kush të priti dhe ku e si u sistemove?

Në Rrëshen, fillimisht më ka shoqëruar vjehrri im, doktor Ibrahimi. Kujtoj shoferin e autobusit të linjës Laç–Rrëshen. Axha Rrok e thërrisnin. Më vonë ai u bë miku dhe tifozi im personal.

Autobusi ndaloi në qendër para hotelit. Sa vura këmbën në tokë, një burrë i panjohur më foli: “Ti je Lorenc Lala?… Hajde me mua se në ora 15 kemi stërvitje me ekipin e futbollit, pastaj sistemohu në hotel!”

Ishte Preng Bardhoku, kryetar i Komitetit të Fiskulturës në Rrëshen… Nga rrëfimet e vjehrrit e kisha menduar krejt ndryshe mbërritjen në Mirditë.

Pastaj u ula për të ngrënë diçka dhe u nisa; me të pyetur mbërrita për tek fusha e futbollit. Ekipi i Minatorit kishte filluar stërvitjen dhe unë u ndjeva i lehtësuar kur shkela në fushë. Ai, sporti, futbolli, ishin bota ime.

Natën e parë e kalova në konviktin e gjimnazit “Bardhok Biba”. Një nxënës me emrin Ndre Legisi m’u afrua dhe më tregoi dhomën ku unë do flija: Nesër duhet me u çue herët e me dal prej ktu se vjen kujdestari i konviktit (Gjon Lleshi) e ban namin, më sqaroi nxënësi. Më vonë dëgjova se ai Ndre Legisi ishte bërë deputet…

Legisi kishte të drejtë: unë dilja herët nga dhoma dhe kthehesha vonë aty; shpesh herë futesha nga dritarja mes hekurave të shqyer, si ilegal, që mos më shikonte kujdestari se “bënte namin”.

Kjo situatë vazhdoi deri sa filloi shkolla dhe konvikti u mbush me konviktorë, dhe unë duhej të gjeja strehim tjetër… Më caktuan të jap mësim në dy shkolla… Me Mark Locin dhe Nikoll Kaçorrin kaluam Fanin e Vogël dhe shkuam në Ndërfushas. Shkolla ishte e vogël dhe pa kënd sportiv… Punë e madhe më priste, por isha entuziast se do mund të bëja diçka të mirë dhe ajo do ishte puna ime.

Sa vite punuat në Mirditë? Ndonjë kujtim tuajin për njerëzit, punën dhe kolegët?

Në Mirditë punova 9 vjet (1976–1985), në 4 shkolla: në Vau Shkjez vetëm 1 muaj dhe gjatë gjithë kohës në Ndërfushas, Gëziq dhe Gjimnazin “Bardhok Biba”. Kujtoj drejtuesen e parë, Tatjana Leka, nga Tirana.

Mbresa shumë të mira kam nga drejtuesi tjetër në Ndërfushas, Mark Biba, zotni burrë dhe drejtues model; Lek Beci (1976–79), nën drejtimin e të cilit kooperativa Ndërfushas u bë pararojë në rrethin e Mirditës.

Kujtoj me mall e respekt: Tatjana Leka, Luljeta Shehu, Zenepe Dajçi, Tone Nikolli, Prena Loku, Pashk e Liza Gjoka, Bardhok Bardhi, Preng Bardhoku, Dashnor Faqekuqi, Dava Gjoci, Zina Becin... etj.

Ndonjë episod nga Ndërfushasi, në kujtesën tuaj?

Ndërtimi i shkollës së re në Ndërfushas dhe këndit sportiv aty më gjallëroi dhe më dha vlerë edhe mua si mësues i fiskulturës atje.

Mbollëm edhe disa pemë. Pas 9 vitesh në Zvicër, në të hyrë të Rrëshenit takoj një ish-nxënës i cili me mall më tregoi për pemën e mbjellë nga mësues Lorenci, që tashmë ishte rritur shumë. U ngazëlleva… kujtime dhe mall. Mall për vendin, mall për njerëzit, mall për pemët!

Çfarë statusi kishte ekipi i Minatorit kur ju u bëtë pjesëtar i tij dhe arritjet pas kësaj?

Fillova stërvitjen me ekipin e “Minatorit” në 16 gusht 1976 me trajner një nga ikonat e Mirditës, Nikoll Toma. Pas turneut në Shijak ne, si ekip, zunë vendin e parë dhe nga kategoria e tretë kaluam tek e dyta.

Jam i lumtur që kam luajtur me dy brezni të këtij ekipi. Kujtoj me mall lojtarët kolegë: Preng Tusha, Shkëlqim Kurti (i ndrit shpirti), Preng Jushi (i ndrit shpirti), Ndue Gega, Shtjefën Paçuku, legjendën e Minatorit Gjon Gjeçi, Gjovalin Kola, Marka Toma... e shumë të tjerë që ma lehtësuan dhe zbukuruan punën e jetën gjatë qëndrimit tim 9-vjeçar në Mirditë.

Nuk mund të harroj fitoren 2–0 kundër “Butrintit” të Sarandës. Fitoren 1–0 ndaj Cërrikut që ngjante më shumë me një betejë se me një ndeshje futbolli. Dhe dita e paharruar, 25 qershor 1979, barazimi 2–2 me një ekip si Partizani, kur gjithë sporti mirditor mbërriti në majë. Në këto raste e gjithë jeta ime merrte dritë – ende e pashuar edhe sot.

Kujtime të tjera për anëtarët e ekipit dhe tifozët apo dashamirët rreth tij?

Kujtime të pashlyera nga sportdashësit që ma zbukuronin dhe i jepnin vlerë të veçantë jetës sime atje: Gjin Guri, p.sh., pasionant dhe nervoz e kundërshtar i egër ndaj tifozave të tjerë. Dy vëllezërit Mark e Zef Deda. Me Zefin përshëndetesha çdo mëngjes kur shkoja në punë, në Ndërfushas. Ai banonte pranë Urës së Fanit. Nuk harroj dhe kujtoj për mirë Lek Shtijan... Tifozllëku dhe dashamirësia e njerëzve na mbanin gjallë dhe ne ua kemi shpërblyer.

Kur u larguat nga Mirdita?

Ishte maji i vitit 1985, kur më erdhi transferimi për në Tiranë… Por koka më mbeti mbrapa, në Mirditë, aty ku kalova të gjithë rininë time dhe krijova familjen time… Kujtoj se djali im, Eder, ka lindur në Rrëshen dhe ai e quan veten mirditor. Sot të dy fëmijët janë rritur dhe kanë familjet dhe punën apo bizneset e tyre në Zvicër.

Ku jeton sot profesori i fiskulturës Lorenc Lala?

Prej 28 vitesh jetoj e punoj në Zvicër. Vazhdoj të punoj si mësues fiskulture në një shkollë 9-vjeçare, pranë vendit ku jetoj. Ashtu si edhe këtu në Mirditë jam i angazhuar (deri në vitin 2016) në ekipin e futbollit të veteranëve të kantonit ku banoj. Gjithashtu kam drejtuar si trajner edhe një ekip futbolli atje për 6 vjet (1994–2000). Edhe atje jeta ime ka qenë e mbushur me aktivitete sportive dhe brenga e kënaqësi të shumta, sa shoqërore po aq edhe familjare.

Në vitin 2006, më dhanë titullin “Qytetar Nderi” në qytetin ku banoj, pra në Ylanz, kantoni i Graubunder, duke më shpërblyer kështu mundin dhe sakrificat në drejtim të përkushtimit tim në punë.

Në vitin 2006 pata edhe martesën e dytë me Madleinën, mësuese edhe ajo në të njëjtën shkollë me mua. Ju, besoj se e dini dhe shumë të tjerë kujtojnë se gruaja dhe dashuria ime e parë, nëna e dy fëmijëve të mi, ishte Mira Dervishi, farmaciste në Rrëshen. Me të kalova të gjitha ditët e vështira, sakrifica por edhe pjesën më të bukur të jetës këtu në Mirditën tuaj, në Mirditën time.

Fati nuk desh dhe ndërpreu jetën e saj. Jetoj ende me të, kujtimin e saj, dhe Mirditën që na afroi, sprovoi dhe na dashuroi aq shumë me njëri-tjetrin.

Nga martesa e re kam dy vajza: Lejda sot është 12 vjeç dhe Manda 9 vjeç. Bëj një jetë të mirë dhe në harmoni e mirëkuptim të plotë. Falënderoj Zotin, familjen dhe shoqërinë që gjithnjë më kanë mirëkuptuar duke më dhuruar një jetë të bukur dhe plot kuptim e emocion. Veçanërisht falënderimet e mia shkojnë për Mirditën dhe mirditorët që ma lehtësuan dhe zbukuruan jetën në ato ditë të vështira të rinisë…

Ju falënderoj edhe ju që më kujtoni, më intervistoni dhe më jepni mundësi të kujtoj e të falënderoj njerëz të dashur e të respektuar, pjesë e pandarë e kujtimeve dhe jetës sime.

Ju faleminderit.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest