Rrëshen – Vendimi i Gjykatës së Tiranës për krijimin e Akademisë së Artit, Shkencës dhe Letrave “Mirdita” është pritur me interes dhe vlerësim të gjerë në qarqet intelektuale dhe qytetare, veçanërisht në Mirditë, ku prej gjashtë vitesh funksiononte Shoqëria Kulturore-Artistike dhe revista “Mirdita”.
Me këtë rast, në qytetin e Rrëshenit u zhvillua një takim festiv nga stafi drejtues i Akademisë, ku morën pjesë njerëz të letrave, bashkëpunëtorë të revistës “Mirdita”, përfaqësues institucionesh, si dhe qytetarë e dashamirës të kulturës.
Vendimi i Gjykatës dhe kriteret e Akademisë
Në hapje të aktivitetit, kryetari i Akademisë, Pjetër Marku, falënderoi pjesëmarrësit dhe mbështetësit e nismës ndër vite, duke lexuar vendimin e plotë të Gjykatës së Tiranës dhe duke sqaruar kriteret ligjore për anëtarësimin në Akademinë e Artit, Shkencës dhe Letrave “Mirdita”.
Një rrugëtim gjashtëvjeçar kulturor
Një panoramë të zgjeruar mbi veprimtarinë gjashtëvjeçare paraqiti Aleksandër Ndoja, sekretar i Akademisë dhe Kryeredaktor i revistës “Mirdita”. Ai theksoi se kalimi nga Shoqëri Kulturore në Akademi është rezultat i një pune të vazhdueshme, dhjetëra aktiviteteve kulturore dhe një beteje ligjore të fituar në Gjykatën e Faktit në Tiranë.
Sipas tij, revista “Mirdita” ka botuar deri tani 23 numra, duke bashkuar 853 autorë dhe 915 shkrime, përfshirë studime historike, krijimtari letrare, reportazhe, portrete dhe art pamor. Në faqet e saj kanë kontribuar akademikë, studiues me tituj shkencorë, poetë dhe mbi 130 piktorë kombëtarë e ndërkombëtarë.
Revista “Mirdita”, urë kulturore mbarëkombëtare
Revista ka tejkaluar kufijtë lokalë, duke u shndërruar në një urë bashkimi për mirditasit dhe intelektualët shqiptarë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Preshevë, Çamëri dhe diasporë. Ajo është promovuar 22 herë brenda dhe jashtë vendit dhe ka mbërritur në mbi 30 shtete të botës, përfshirë SHBA-në, Kanadanë dhe Australinë.
Në kuadër të veprimtarisë së saj, revista ka akorduar edhe çmime të rëndësishme kulturore, përfshirë çmimin vjetor “Yjet e Arbërit”, si dhe vlerësime për studime shkencore, poezi dhe krijimtari letrare.
Mbështetje institucionale dhe vlerësime
Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë Mirditë, Ndrec Dedaj, vlerësoi kontributin e Akademisë në promovimin e vlerave kulturore mirditase dhe shprehu mbështetjen e institucionit që drejton për funksionimin e saj si një akademi e mirëfilltë.
Ndërkohë, Gjon Dedaj, një nga promotorët e nismës, e cilësoi themelimin e Akademisë si një aspiratë të kahershme dhe përgëzoi drejtuesit për arritjen e këtij standardi të ri kulturor.
Përshëndetje dhe vlerësime për punën e Akademisë dhanë edhe profesorë, studiues dhe bashkëpunëtorë të shumtë, duke e konsideruar këtë zhvillim një hap të rëndësishëm për jetën kulturore të Mirditës dhe më gjerë.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

