Dy hysmeqarë mirditas në Përbreg
Përbregu kish qenë pronë e begut të Haramisë. Ky e kish pasë konakun te Lajthi i Kolës, në një shpat (në jug të vendbanimit). Begu kish pasë dy hysmeqarë mirditas, Matën e Bibën. Thuhet se prej Matës vijnë Matmujet, prej Bibës – Didet. Një ditë gratë e hysmeqarëve po lanin teshat në përroin e Lumës. Kalon aty pari begu hypur në kalë shale; po kthehej prej Beglerëve të Papeve të Nangës, ku kish bujtë një natë. Gratë i kishin përvjelë kambësat deri mbi gju që të mos i lagnin. U dukeshin puplat e bardha së largu. I sheh kështu begu me pupla shpaluar dhe po i shpotit: “Sa pupla të bardha paski, moj sojnike!”
I dëgjojnë këto fjalë të begut gratë që po lanin. U ndjenë të fyera, por nuk bëzanë, veç kqyrën njëra-tjetrën, lanë të lamen e kthehen në përtrollsën e tyre. Në faqe të murit burrat kishin varur pishtolet. Çfarë po bëjnë gratë, heqin nga kunjat pishtolet dhe në vendin e tyre varin furkat. Kur kthehen burrat nga puna, i shohin furkat varë në vendin e pishtoleve dhe pyesin: “pse kështu?” Gratë e zymtuara u gjegjin dhe u kallëzojnë ç’u kish thënë begu. Burrat e tërmegjur për çfarë ndien, rrokën pishtolet e vrasin begun zullunqar, por gratë e tyre e vajtuen: “O vëllau ynë, o vëlla!” Po kanë hallin e tokës dhe kjo u nda midis Matës e Bibës, pse “hisetar” me begun. Kështu zunë vend në Përbreg dy mirditasit.
Mirditasit ndihmojnë Bicajn
Kur katundi Bicaj ishte dhjetë shtëpi, së bashku me Kolesjanin e Mëholën përzënë Fqejakun, atëbotë edhe ai me me Kolesjanin e Mëholën përzënë Fqejakun. Fqejaku kish pasë 20-30 meshkuj të armatosur. Trojet e Fqejakut ishin përmbi Kajmë (në Kurthas), më JL të Bicajt. Malin dhe bjeshkën Fqejaku i kish të ndara me kufij prej Bicajve, por u pengonte këtyre ballin e gjasë dhe prandaj po duan ta përzënë dhe për këte kërkojnë ndihmën e Kolesjanit dhe të Mëholës. Kolesjanit Bicaj iu lut të lidhej me fisin e vet në Fand dhe bashkë me të të përzinin fqejakët. U bë një marrëveshje, sipas së cilës Bicaj të merrte tokën, ndërsa fandasit pasuninë e luejtshme (gja e gjallë, enë, orendi). Në ditën e caktuar erdhën prej Fandit 40 burra të armatosur me sakica dhe me mushka të ngarkuara me kripë, vorba e rrëshinë. Natën e parë fjetën në Bicaj, të dytën u ngjiten në Fqejak gjoja për të shitur mallin që kishin me vete (kripë, vorba, rrëshinë). Simbas fjalëve të bëra me bicjanët, fandasit e strehuar në Fqejak do të hynin në veprim, sapo Fqejaku do të sulmohej nga jashtë. Dhe kështu u bë. Mbas mesnate bicjanët turren nga jashtë dhe fandasit nga brenda. U vranë shumica e banorëve të Fqejakut dhe ata që shpëtuan u larguan dhe nuk dihet kah shkuan. Shtëpitë e tyre mbetën shkret. Sipas marrëveshjes fansit morën gjanë e gjallë e ç’gjetën nëpër shtëpia, ndërsa bicjanëve u mbetën trojet dhe toka e tyre. Prej asaj ngjarjeje të dhimbshme mbaheshin mend deri vone vargje të një kange të bjerrur:
”Bagërdani, bagërdica, pushk’ e mëjr’ na duel sakica. Ki çerepi katër copa, lidh me morta…”
Lidhja Kolesian-Shëngjin
Kolesiani është një ndër fshatrat e Lumës. Del, së pari, në regjistrimet osmane të fundit të shek. XVI (1571,1591) me emrin Kolosna. Është një toponim antroponimik nga Kol/ë+ës+jan (Shih aut., Gjurmime onomastike…, f. 76). Në vitin 1571 kishte pasur 19 shtëpi. Tetë prej kryefamiljarëve kishin emrin e tyre ose të babës Kolë: Kola Gjini, Kola Niko, Stepa Kola, Biba Kola, Kola Doç Andre Kola, Gjon Kola, Biba Kola (beqar) (Shih aut. Luma e lumjanët, II, f. 37) I ndjeri E. Braha (Zëri i së vërtetës, 1 dhjetor 1998, f. 12), mbështetur në një gojëdhënë – thotë se disa banorë të Kolesjanit kishin ardhur nga Gojani i Mirditës.
Emrin e fshatit, mbështetur në atë burim, e lidh me togfjalëshin “Kole s’jan”. Sipas një burimi tjetër (A. Bulica, Islam Spahia… f.15), paskan qenë dy vëllezër, Kola e Gjini nga Malësia e Lezhës. Largohen prej atje dhe Kola vendoset në Kolesjan, Gjini në Fand (Shëngjin), por lidhjet e tyre kanë vazhduar deri vonë. Të moshuarit në Kolesjan pohonin se Kolesjani e Gjini janë vëllezër, madje deri vone shkonin e vinin te njëri-tjetri për të mirë e të keq.
Këte e ka pohuar edhe “Hylli i Dritës” (1932), po më shkoqur Isuf Spahiu, i cili ka shkruar se “kur ka vdekë Sali Spahia (1917), kanë ardhur me pa në Kolesjan një tubë burrash nga Gjini (Fand) me nji ka. Pas asaj fatkeqësia lidhjet janë ndërprerë. Për lidhjet e Kolesjanit (Lumë) e Gjinit (Fand) më pat folur më 20 gusht 1968, Ndue Leka, 80 vj., banor i Shëngjinit. Ai më pat pohuar:
“Kur erdh Turkia, Kola i martue s’pat si me ikë, Gjini i pamartue u da me t’vllát dhe iku prej Turkie. Zu vend këtu, në Shëngjin. Gjet Xhuxhën nja 20-30 shpej. Ndejti 2-3 vjet e mrapa i dha Xhuxha ni cucë e guli ktu. Pjaku i Xhuxhë, e guli ktu”.
Gjyshat – shkojshin e vijshin me t’pame. Ka 70-80 vjet që asht ndalue pamja”. Sipas kallëzimit të plakut të Shëngjinit, në Kolesjan qenë dy vëllezër, Kola i martuar dhe Gjini beqar. Aty kish filluar myslimanizimi dhe vëllau i pamartuar vendosi të largohet nga i vëllai që të mos e ndërrojë fenë dhe erdh e gjet strehë në Fand, te Xhuxha (atëbotë vendbanim me 20-30 shtëpi). Xhuxha e martoi të ardhurin dhe ky zu vend përfundimisht atje dhe u pigjat, lindi e pasardhësit krijuan fisin, që sot përbëhet prej katër vëllazëri të një gjaku:
Noka (barqet:Nushi, Preni(Vorfajt), Dozhi, Keçi, Gjergji, Vorfaj),Boçi (barqet: Gjedoda, Leka, Kala,Boçi) ,
Çeçi (barqet: Brunga, Çeçi) Ndreu (barqet: Margjoka, Kecaj) Dëshminë e Ndue Lekës ma pat përforcuar Preng Gjok Keçi, 80 vj. (Flyrë): “Jemi të ardhun prej Kolesjani (Zhini). Kemi qenë atje dy vëllazen: Kola e Gjini.
Kola ndejti atje, ndërsa Zhini iku e erdh në Shëngjin. Të katër fiset (Noka, Boçi, Çeçi, Ndrea) jemi të nji vëllau, ardhë prej Kolesjanit. Nuk dihet koha kur kemi ardhë prej Kolesjanit, siç duket në kohën e shpatës (myslimanizimit). Tatgjyshi im, Keçi, ka pasë lidhje me Kolesjanin”.
Gjini prej Bisake.
(Gjinolli, Deralla, Kaloshi – të bijtë e Gjinajve) Gjini, vëllazëri në Gjinaj të Hasit, e ka tedelin prej Bisake të Fandit. Thohet se është “fis Morinë”. Tregonte për te plaku Zeqir Gjini, vj. 104 (9.01.1965):
“Ishte afrue festa e Pashkëve. I zoti i shtëpisë merr mushkën e shkon në Prizren me ble harxhin e festës, por, tue u kthye prej atje, mushka i then qafën e fëmijet pa festë. Vendos me dalë prej Bisake dhe merr të vetët e del. Qenë tre vëllezër në shtëpi: Gjini, i madhi; Mara, i dyti dhe Kola, i vogli. Si dalin prej shtëpie, shpërndahen. Gjini shkon e vendoset në Gjegjën (Tërthore), Maroshi (Mara) në Domjan (Has) e Kola në Krumë (sot Mûj Kola – Muja). Muja i Krumës dhe Maroshi në Domjan të Hasit mbahen vëllazën. Gjinajt mbasardhësit, mbasi rrinë disa vjet në Gjegjën, prej andej vijnë në Gjinaj. Qenë dy vëllazën, nana e nji langue. Dolën prej Gjegjnit, se vranë nji njér që nuk i linte rahat. Si u vendosën në Gjinaj, kohë mbas kohe u larguen prej këtu këto fise: Koka, Trollzi, Paci, Mzotsi, Tërpuni, Doçi, Derri, Negi, Tola etj. Gjinit në katund po i hec, bani nji jaran në Vranisht e nëpërmjet të tij zu nuse në Helshan (te Shatri). Miku nisi me u fikë e Gjinit po i hec. Gjini në katund punonte barutin, prandaj u hasmënue me Turkijen, Kjo mblodhi ushtarë e mori tre vëllaznit Gjini. I Vogli paska qenë qeros. Tre vëllaznit ushtarë banë duel e po fitojnë të tre.
I pari tha: Jam Gjinolli i Prishtinës.I dyti tha: Jam Deralla i Tetovës. I treti tha: “Jam Kaloshi i Hasit. Ky e pat emnin Kalosh. Por thonë se tha edhe: “Jam kapuçhekri. Jam ballë çeliki”. Sipas nji gojëdhane tjetër, tregohet për këta vëllazën:”Patën ra n’zort e shkuen me fitue, por nuk u kthyen ma. I pari u vendos në Prishtinë, i dyti në Tetovë, i treti në Fushë-Aliaj (Dibër).
Në Kandërr të Dibrës paskan qenë dy beglerë. Njani beg ia vu shkelmin tjetrit. Begu ma i dobët, për me u mbrojtë, ia fali Kaloshit gjysmën e tokave. Këtij i fali Zoti shumë djem, prandaj të dy beglerët e lëshuen vendin e mbet aty Kaloshi”.
1 Në një variant tjetër: te vneshtë e Reje.
2 Në një variant tjetër: te Kroi i Lajthit.
Tiranë, janar 2019

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

