Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Lagjja e Prengjve në Babrru – “Mirdita e Vogël” në Tiranë

Nga historia e komunitetit mirditor në Babrru te promovimi i sotëm i revistës “Mirdita” nr. 52

Nga Pirusti News
1 034 Shikime
SHPERNDAJE

Nga Skënder Doda, botuar në “Mirdita” nr. 52

Në verilindje të Tiranës, aty ku lumi me të njëjtin emër ndan kryeqytetin nga periferia, shtrihet Babrruja, dikur pjesë e komunës së madhe të Paskuqanit. Sot ajo është pjesë e pandarë e hapësirës së urbanizuar të Tiranës, por në mesin e shekullit të kaluar ishte një fshat me lagje të shpërndara dhe shtëpi të rralla. Rreth vitit 1946, pa ndonjë plan urbanistik të mirëfilltë, në këtë zonë nisi të merrte formë një lagje e vogël, emri i së cilës do të mbetej për dekada në kujtesën e banorëve: Lagjja e Prengjve.

Ishte periudha kur kryeqyteti po zgjerohej dhe po transformohej nën ndikimin e flukseve të brendshme të popullsisë. Krahas drejtuesve të shtetit, në Tiranë u vendosën nëpunës civilë, ushtarakë, punëtorë e specialistë të profesioneve të ndryshme. U ngritën institucione, u hapën shkolla, u krijuan ndërmarrje dhe punishte, ndërsa në fshatrat përreth – Shkozë, Farkë, Sauk, Lundër, Babrru dhe Paskuqan – në tokat shtetërore e private nisën të mbilleshin vreshta dhe pemëtore, që pas pak vitesh do të krijonin një brez të gjelbër rreth kryeqytetit. Në të njëjtën kohë po organizohej edhe Ferma Bujqësore Shtetërore “Gjergj Dimitrov”.

Pak njerëz e dinë se përse kjo lagje mori emrin Lagjja e Prengjve. Madje, shumë vizitorë, sidomos ata që nuk ishin nga veriu, pasi shihnin mënyrën e jetesës, lidhjet farefisnore dhe traditat që ruheshin aty, e quanin me të drejtë “Mirdita e vogël”.

Në ato vite, mirditorët ishin ndër banorët më të paktë të Tiranës. Lidhja e fortë me vendlindjen, traditat e trashëguara brez pas brezi dhe mbijetesa edhe në kushtet më të vështira ekonomike bënin që shpërngulja drejt kryeqytetit të ishte një përjashtim dhe jo rregull. Ata numëroheshin me gishtat e dorës.

Fillimi i historisë

 Historia e kësaj lagjeje e ka zanafillën rreth vitit 1939. Për shkak të një hasmërie të vjetër, djemtë e Gjin Nikollë Vokrrit, nga Lumziu i Pukës, u detyruan të largoheshin nga vendlindja dhe të strehoheshin te miq e të afërm. Djali i madh, Prenga, ndodhej te një kushëri në Kashnjet të Lezhës. Një natë, për një festë familjare, aty mbërriti edhe Ndue Pjetër Gjoka, teknik në një fabrikë mielli në Tiranë. Pasi mësoi rrethanat e vështira në të cilat ndodhej Prenga, ai i propozoi ta merrte me vete në Tiranë dhe ta sistemonte fillimisht te një mik në rrethinat e qytetit.

Kështu ndodhi.

Prenga lajmëroi vëllezërit dhe kushërinjtë e tij, Ndrecën dhe Zef Prengën. Pas disa ditësh, duke ecur në këmbë, ata mbërritën në Picallë të Tiranës, ku një fshatar kishte nevojë për krahë pune. Aty përshtatën një kasolle të madhe për banim dhe nisën menjëherë punët në bujqësi. Krahasuar me rrezikun që kishin lënë pas në vendlindje, vështirësitë e jetës së re u dukeshin të përballueshme. Punonin me ndërgjegje dhe pa u ankuar. Prenga ishte i martuar, ndërsa vëllezërit e tij, Marku e Ndueja, si edhe kushërinjtë, ishin ende të rinj. Nëna e pronarit të tokës, e shtyrë nga kureshtja, i kishte vëzhguar disa herë nga larg. Ajo i tregoi të birit se të ardhurit punonin me aq përkushtim, sa edhe kur mblidhnin prodhimet nuk merrnin në gojë asnjë frut pa leje. Ky vlerësim për ndershmërinë dhe sjelljen e tyre bëri që pronari t’i thërriste një mbrëmje dhe, duke çmuar korrektësinë, punën dhe karakterin e tyre, t’u propozonte të afroheshin pranë fabrikës ku punonte. Ai i ndihmoi të vendoseshin familjarisht në Farkë. Në vitin 1941, Prenga filloi punë në fabrikën e miellit, ku punoi deri në vitin 1946. Por, siç thotë fjala e urtë, e keqja të zë kur nuk e pret.

Nga Farka në Babrru

 Në vitin 1941, Prenga filloi punë në fabrikën e miellit, ku punoi deri në vitin 1946. Por, siç thotë fjala e urtë, e keqja të zë kur nuk e pret. Një natë, pronari i fabrikës solli në kasollen ku banonin vëllezërit dhe kushërinjtë një njeri të panjohur për ta, duke u kërkuar ta strehonin përkohësisht. Ai ishte një ballist, i shpallur armik nga pushteti i ri dhe i ndjekur nga forcat e tij. Pas pak ditësh, forcat e ndjekjes mbërritën në fshat. Ballisti u kap dhe u ekzekutua, ndërsa Prenga dhe vëllai i tij, Ndueja, u arrestuan me akuzën se kishin strehuar një “kriminel”. Pronari i fabrikës reagoi menjëherë. Ai shkoi të takonte Myslym Ketën dhe ndërhyri personalisht për lirimin e tyre, duke u betuar se vëllezërit nuk kishin pasur asnjë lidhje me të arratisurin dhe se kishte qenë vetë ai që, për shkak të miqësisë, e kishte sjellë në kasollen e tyre. Ndërhyrja dha rezultat. Të nesërmen, Myslym Keta urdhëroi lirimin e Prengës dhe Ndues. Megjithatë, ngjarja i bindi se duhej të fillonin edhe një herë nga e para.

Në atë kohë kishte nisur zbatimi i reformës agrare. Familja u shpërngul në Babrru, ku përfitoi një sipërfaqe toke dhe një ndërtesë prej qerpiçi, tip kullë dykatëshe, e cila deri atëherë ishte përdorur si banesë fundjave nga mjeku i njohur tiranas, Shyqyri Kërçiku. Shtëpia ndodhej rreth pesëdhjetë metra larg lumit dhe ishte e veçuar nga lagjja e vjetër e fshatit, e cila shtrihej në kodër. Brenda pak ditësh, aty u vendosën edhe familja çame e Besnik Karametës me djemtë e tij, si dhe familja e matjanit Kajmak Saliaj. Kështu, në vitin 1946, plot tetëdhjetë vjet më parë, në atë cep të Babrrusë jetonin vetëm rreth njëmbëdhjetë banorë. Askush nuk mund ta merrte me mend se ajo grumbull shtëpish do të shndërrohej, me kalimin e viteve, në lagjen që tiranasit do ta njihnin si Lagjja e Prengjve. Vitet kaluan. Marku dhe Ndueja, vëllezërit e Prengës, si edhe kushërinjtë Zefi e Ndreca, krijuan familjet e tyre. U shtuan fëmijët, u ngritën shtëpi të reja dhe lagjja nisi të marrë jetë.

Një komunitet që u rrit mbi lidhjet e gjakut

 Krijimi i kooperativave bujqësore në Shqipëri bëri që shumë banorë të zonave malore të kërkonin rrugë për t’u larguar nga fshatrat e tyre, duke synuar punësimin në ndërmarrje shtetërore, fabrika, miniera apo sektorë të tjerë të ekonomisë. Babrruja, së bashku me lagjet e sipërme të saj, arriti t’i shpëtonte kooperativizimit. Kjo u bë edhe falë ndërhyrjeve miqësore të Faik Kullës, me origjinë nga Dibra, i cili, për ironi të fatit, për shkak se banonte në anën tjetër të lumit, u përfshi vetë në kooperativën e Shtish-Tufinës. Lajmi për kushtet më të mira të jetesës dhe për mundësitë e punësimit u përhap shpejt. Si në çdo shoqëri tradicionale shqiptare, nisi të funksiononte mekanizmi i njohur i zinxhirit të gjakut, miqësisë dhe krushqisë. Prenga, së bashku me vëllezërit dhe kushërinjtë e tij, falë njohjeve që krijuan me kalimin e kohës, nisën të afronin pranë vetes kushërinj dhe miq të tjerë.

Në vitin 1956, në Lagjen e Prengjve jetonin rreth tetëmbëdhjetë banorë. Më pas erdhën njëri pas tjetrit edhe të afërm të tjerë: në vitin 1958 Pjetër Mark Ndreca (Ndokaj); në vitin 1960 Gjon Tom Tanushi; në vitin 1962 Gjon Prenga dhe Mark Kola; ndërsa në vitin 1963 Gjon Lazër Mustafa.

Po atë vit, për disa muaj, në lagje banoi edhe Pjetër Prenga, derisa u vendos në lagjen e re të quajtur “Sektori”. Në atë periudhë, Ndërmarrja Bujqësore Shtetërore “Gjergj Dimitrov” kishte nevojë për fuqi punëtore, çka ndikoi drejtpërdrejt në shtimin e banorëve të zonës. Me kalimin e viteve, lagjja vazhdoi të zgjerohej edhe me familje nga fshatra të tjerë të Tiranës, nga Dibra dhe krahina të tjera të vendit. Megjithatë, emri i saj nuk ndryshoi.

Për banorët e zonës, ajo mbeti gjithmonë Lagjja e Prengjve. Ndërkohë, vetë Prenga, për shkak të moshës, autoritetit dhe respektit që gëzonte, njihej nga të gjithë me emrin Baca Pren, emër që e shoqëroi deri në fund të jetës. “Mirdita e vogël” në zemër të Babrrusë Në vitet e para të krijimit të lagjes, edhe Babrruja, si pjesa më e madhe e Shqipërisë, jetonte nën ndikimin e një mentaliteti tradicional. Megjithëse familjet katolike kishin marrëdhënie të mira me fqinjët myslimanë të lagjeve përreth dhe bashkëjetonin pa asnjë problem, krushqitë ndërmjet tyre pothuajse nuk ekzistonin.

Për këtë arsye, djemtë e familjeve mirditore martoheshin kryesisht me vajza nga Mirdita, Puka, Shkodra dhe Lezha, ndërsa motrat e tyre bëheshin nuse në Laç, Vau i Dejës apo Lezhë. Kjo krijoi një lidhje të dyfishtë: nga njëra anë, familjet integroheshin në jetën e kryeqytetit, ndërsa nga ana tjetër ruanin të paprekura marrëdhëniet me vendlindjen dhe me krahinën e origjinës. Vetëm me brezin e lindur pas viteve 1980 filluan të bëheshin më të zakonshme martesat jashtë këtij rrethi tradicional. Edhe ndryshimi i mënyrës së veshjes erdhi ngadalë, pothuajse pa u vënë re. Gratë e moshuara, deri në fund të jetës, përcilleshin me veshjen tradicionale mirditore, ndërsa nuset e reja, që dikur mbërrinin në lagje të veshura sipas zakoneve të krahinës, gradualisht filluan të përvetësonin modën qytetare, atë që atëherë quhej veshje “allafrënga”. Megjithatë, pavarësisht ndryshimeve që solli koha, disa zakone mbetën të pandryshuara.

Mikpritja – ligji i pashkruar i lagjes

 Lagjja e Prengjve u bë një bujtinë e madhe për mirditorët që vinin në Tiranë. Në ato vite, kryeqyteti ishte qendra ku zgjidheshin shumë halle të jetës: shtrimet në spital, vizitat te të afërmit e sëmurë, takimet me ushtarët, regjistrimet e studentëve, çështjet administrative apo edhe dëshira e thjeshtë për të parë nga afër Tiranën. Për banorët e Mirditës, adresa ishte pothuajse gjithmonë e njëjtë: Lagjja e Prengjve.

Edhe sikur në Tiranë të kishte pasur hotele me bollëk, rrallëkush do të kishte zgjedhur të flinte aty. Në mendësinë e kohës, një veprim i tillë do të ishte konsideruar si mungesë respekti ndaj fisit dhe miqësisë. Shtëpitë e lagjes rrallë mbeteshin pa mysafirë. Nipa, mbesa, kushërinj, krushq e miq hynin e dilnin pothuajse çdo ditë. Dera ishte gjithmonë e hapur dhe sofrat shtroheshin me të njëjtën bujari, pavarësisht se familjet jetonin me mund dhe me të ardhura të pakta.

Edhe një episod i vogël tregon frymën që mbizotëronte në lagje. Kur ndonjë vizitor i panjohur hynte në rrugicën e Lagjes së Prengjve, të parët që e vinin re ishin zakonisht fëmijët e familjeve çame të Ali dhe Osman Karametës, të cilët luanin bashkë me bashkëmoshatarët e tyre. Ata e pyesnin me kureshtje se kë kërkonte, nga vinte dhe përse kishte ardhur. Më pas njoftonin të rriturit dhe, sapo bindeshin se vizitori ishte mik apo dashamirës i familjeve të lagjes, e shoqëronin vetë deri te shtëpia ku duhej të shkonte.

Nuk ishte mosbesim. Ishte mënyra me të cilën komuniteti kujdesej për sigurinë e vet dhe, njëkohësisht, nderonte mikun.

Besimi dhe tradita

 Besimi katolik mbeti një nga shtyllat më të forta të identitetit të banorëve. Edhe gjatë viteve më të ashpra të diktaturës, kur feja u shpall armike dhe goditja ndaj Kishës Katolike mori përmasa të papara, në familjet e Lagjes së Prengjve vazhduan të ruheshin, në heshtje, festat tradicionale. Madje edhe në familjet ku kishte anëtarë të Partisë së Punës, fundviti nuk kalonte pa aromën e Kërshëndellave dhe pranvera pa Pashkët. Ishin festa të kremtuara në fshehtësi, por që ruanin të gjitha shenjat e traditës. Visheshin rrobat më të mira, pastroheshin me kujdes oborret, muret e avllive lyheshin me gëlqere – sidomos për Pashkë – përgatiteshin gatime të veçanta dhe vizitat ndërmjet familjeve vazhdonin si gjithmonë.

Në këto vizita merrnin pjesë shpesh edhe fqinjët myslimanë, duke dëshmuar se marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve nuk u cenuan as nga ndryshimet politike, as nga dallimet fetare. Kjo bashkëjetesë ishte një nga tiparet më të bukura të lagjes. Nga një lagje e vogël në një pikë referimi të Tiranës Me kalimin e viteve, banorët e Lagjes së Prengjve nuk u perceptuan më si “të ardhur”. Ata u bënë pjesë e natyrshme e mozaikut njerëzor të kryeqytetit, duke ruajtur njëherazi identitetin e tyre krahinor. Në atë lagje bashkëjetonin natyrshëm emra që për Tiranën e asaj kohe tingëllonin krejt të veçantë: Jak, Kolë, Hilë, Mark, Frangë, Marte, Drane, Dodë, Pal, Frrok, Lizë, Gjergj, Zef, Lazër, Dakë, Dilë, Mrikë, Nikollë e shumë të tjerë. Ishin emra që nuk përfaqësonin thjesht individë, por bartnin me vete një traditë, një kulturë dhe një mënyrë jetese. Tirana nuk i përthithi mirditorët duke ua zbehur identitetin; përkundrazi, u pasurua prej tyre. Për shumë banorë të kryeqytetit, Lagjja e Prengjve u kthye në një pikë orientimi. Edhe njerëz që nuk kishin asnjë lidhje farefisnore me Mirditën, kur pyeteshin se ku banonin, përgjigjeshin fare natyrshëm:

— “Te Prengjit, te lagjja e mirditorëve.”

Ky emërtim ishte bërë tashmë pjesë e hartës së pashkruar të Tiranës. Një komunitet që nxori personalitete

Në këtë minikomunitet, të ndërtuar mbi lidhjet e gjakut, miqësisë dhe krushqisë, u lindën dhe u formuan personalitete që u bënë të njohur në fusha të ndryshme të jetës publike. Prej kësaj lagjeje dolën këngëtari Artan Preng Kola, futbollisti Sokol Ndrec Prenga, Aleksandër Kolë Prenga, i njohur për publikun si “Leka i Restorant Jurgenit”, si dhe mundësi Jak Gjon Ndoka, i cili për shumë vite shërbeu në strukturat e Policisë së Shtetit dhe, në dy legjislatura, përfaqësoi qytetarët si deputet në Kuvendin Popullor. Këto janë vetëm disa prej emrave që dëshmojnë se një komunitet i vogël, i krijuar në kushte të vështira, arriti të japë kontribut në jetën artistike, sportive dhe institucionale të vendit.

Lagjja në vitet e pluralizmit

Pas viteve 1990, me ndryshimet politike dhe shpërthimin demografik që përjetoi Tirana, edhe Lagjja e Prengjve ndryshoi. Gradualisht, ajo u zgjerua me familje të tjera, kryesisht nga Mirdita, të ardhura nëpërmjet të njëjtit mekanizëm që kishte funksionuar prej dekadash: lidhjeve të miqësisë dhe krushqisë. Megjithatë, bërthama e parë e lagjes mbeti pothuajse e pandryshuar. Pikërisht aty vazhdojnë të jetojnë pasardhësit e familjeve që hodhën themelet e këtij komuniteti.Sot, ndonëse qyteti ka ndryshuar thuajse krejtësisht dhe urbanizimi ka fshirë shumë prej kufijve të dikurshëm, një tabelë rrugore mban ende emrin “Rruga e Prengjve”.Është ndoshta dëshmia më e thjeshtë, por edhe më domethënëse, se historia e kësaj lagjeje nisi nga tre vëllezër dhe disa kushërinj, të cilët erdhën në Babrru me pak pasuri materiale, por me një pasuri shumë më të madhe: besimin te puna, familja dhe njëri-tjetri.

Epilog

Edhe historia ime lidhet ngushtë me këtë lagje. Prindërit e mi, me origjinë nga Mirdita, zbritën fillimisht në Vlorë dhe, në shtator të vitit 1963, u vendosën në Babrru, në një nga apartamentet shtetërore të sapondërtuara. Ishte një lagje e re, buzë lumit, pranë sektorit ku ndodheshin zyrat e Fermës Bujqësore Shtetërore “Gjergj Dimitrov”, magazinat dhe shkolla që mblidhte fëmijët e lagjeve të vjetra të Babrrusë, të qendrës dhe të Lagjes së Prengjve. Për të ardhur në mësim, shumë prej tyre përshkonin çdo ditë rreth një kilometër e gjysmë në këmbë.

Gjyshja ime u gëzua që, siç thoshte ajo, “erdhëm pranë Mirditës”, por njëkohësisht u mërzit, sepse në Vlorë kishim drita elektrike dhe dëgjonim radion, ndërsa në Babrru energjia elektrike mbërriti vetëm rreth vitit 1967. Nga ato vite ruaj shumë kujtime. Më kujtohet ndalesa ime e parë në shtëpinë e Ndue Prengës, të cilin të gjithë e njihnin si Ndue Gjini. Më kujtohen sofrat ku uleshim pas lojërave bashkë me bashkëmoshatarët e mi mirditorë dhe shijet e thjeshta të fëmijërisë: bukë me djathë, petulla, vezë të ziera apo gatimi tradicional mirditor, laknat e zeza me mish thiu.

Në kuptimin gjeografik nuk u rrita në Mirditën etnike. Por u rrita me ndjesinë se po jetoja brenda saj. Modelin e Mirditës e gjeta në Lagjen e Prengjve. Kjo ndjenjë më rikthehet sa herë kaloj në atë zonë, edhe pse koha ka ndryshuar pothuajse gjithçka: veshjet karakteristike të grave, dasmat me çifteli e këngë mirditore, ritet mortore, emrat tradicionalë të fëmijëve, gatimet dhe madje edhe ai dialekt i lehtë e i ëmbël mirditor që dikur dëgjohej në çdo oborr. Megjithatë, diçka ka mbetur. Ka mbetur kujtesa. Dhe ajo kujtesë jeton ende në atë copëz Babrruje që për dekada u njoh si “Mirdita e vogël”.

Qoftë ky shkrim një shenjë mirënjohjeje për Lagjen e Prengjve, e cila ruajti dhe përcolli, në zemër të Tiranës, një pjesë të çmuar të identitetit mirditor.

 Në Babrru promovohet revista “Mirdita” 52 – botimi i sponsorizuar nga bisnesmeni vendas Aleksandër Prenga

Pak ditë pas daljes nga shtypi të numrit të radhës të revistës “Mirdita”, stafi drejtues i saj organizoi një veprimtari promovuese, ku u prezantua në përgjithësi revista dhe, në veçanti, publikimi në faqet e saj i shkrimit memoristik “Lagjja e Prengjve – ‘Mirdita e vogël’ në Tiranë”, me autor Skënder Doda.

Në një prej ambienteve të kësaj lagjeje, në “Kafe Preçi”, u mblodhën dhjetëra banorë të kësaj lagjeje, kryesisht mirditas, por edhe pjesëtarë të komuniteteve nga zona të tjera të vendit.

Skënder Doda, në hapje të këtij aktiviteti, foli gjatë mbi përmbajtjen dhe historikun e revistës “Mirdita”, si edhe detajoi histori nga e shkuara e këtij komuniteti, që nga vendosja e tyre në këtë zonë, si dhe për miqësitë që kanë mundësuar ardhjen e banorëve nga anë të ndryshme të Mirditës gjatë historisë dhe vendosjen e tyre aty.

Pjetër Marku, kryetar i AASHL Mirdita, në fjalën e tij falënderoi sponsorin e këtij numri të revistës, pjesëtarin e këtij komuniteti, Aleksandër Prenga. Më tej, ai foli për punën që bën Akademia Mirdita, si edhe revista “Mirdita”, për identifikimin dhe komunikimin mes mirditasve që kanë lënë trevën e origjinës gjatë historisë.

Aleksandër Ndoja, kryeredaktor i revistës “Mirdita”, foli mbi botimet në revistë, shtrirjen e saj në vende dhe komunitete shqiptare në shumë vende të Europës, deri në SHBA. Më tej, ai u bëri thirrje krijuesve të rinj që t’i dërgojnë krijimet e tyre pranë redaksisë së revistës, krijime që do të gjejnë publikim në numrat vijues.

Banorë të shumtë shprehën mirënjohjen e tyre, rrëfyen pjesë nga historia e kësaj lagjeje ndër dekada, si edhe shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm në të ardhmen.

Të pranishmëve iu dhurua nga një numër i revistës “Mirdita”, e cila në faqet e saj ka të publikuar një pjesë nga historia e kësaj lagjeje, ndër më të vjetrat në këtë zonë.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest