Edhe pse ka mbi 20 vite që nuk funksionon, ndërtesat e ish-uzinës së bakrit në Rubik intrigojnë pa fund. Në atë vend, në të hyrë të qytetit Rubik në Mirditë, anës rrugës nacionale që shkon për Kukës e Kosovë, përballë vendit të shenjtë mbi malin piktoresk ku ndodhet Kisha e të Shëlbuemit, janë arkivuar në kujtesë ngjarje pa fund. Janë mijëra punëtorë, specialistë e inxhinerë që kanë punuar ndër vite si pjesë e një sistemi zinxhir që niste më zgafellat e minierave të Kurbneshit, Përlatit, Spaçit, Kaçinarit, etj ku merrej minerali i bakrit, për të shkuar në fabrikat e pasurimit në Reps, Rrëshen, Kurbnesh, për t’u shkrirë në metalurgji në Rubik ndërsa transportohej në uzinën e bakrit, në ekstremin tjetër të qytetit ku ndahej floriri, argjendi, tunxhi, bakri e nënprodukte të tjera.
Por ajo çfar intrigon sëfundi, lidhet me faktin se të gjitha ndërtesat të cilat ishin gati në demolim të plotë po i nënshtrohen një rikonstruksioni total. Një firmë e njohur ndërtimi, prej disa muajsh po punon për restaurimin e të gjitha objekteve. Nga puna e kryer deri tani i gjithë “kampingu’ i ish-uzinës ka marrë pamje tjetër. Ndërtesat janë risuvatuar dhe lyer, janë rregulluar çatitë duke u bërë i mundur eleminimi i lagështirës, ndërkohë po punohet në ambientet e brendshme të tyre.
Por askush nuk din, ose nuk flet se për çfar po bëhet një ndërhyrje e tillë. As firma që punon aty nuk ja ka idenë, thjesht punon në zbatim të projektit të dhënë nga Ministria e Financave. Dikush thotë se po bëhet si qendër për grumbullimin e kromit, dikush thotë se mund të vihet në dispozicion të Republikës së Kosovës për ambiente zyrash zhdoganimi të mallrave të tyre. Megjithatë deri kur të marrë fund misteri, njerëzia hamendëson por ajo çfar çudit më shumë, është se pse nuk ka asnjë tabelë informacioni për investimin, qëllimin, etj.
Por nësë punimet e sotme në mënyrë të pakuptimtë mbeten “top secret”, për kohën kur ka vepruar në komunizëm është miratuar vendimi për deklasifikimin e këtyre materialeve si rrjedhojë e kërkesës së gazetarit të mirënjohur, Marin Mema. Vendimet mbajnë firmën e drejtorit të arkivit të shtetit, Ardit Bido dhe argumentohen me faktin se “dosjet deklasifikohen sepse kanë humbur vlerën dhe qëllimin për të cilën janë klasifikuar, si dhe informacione mbi metalet e rralla që gjenden te Fondi 14 (Komiteti Qendror), janë deklasifikuar vite më parë”.
Kur inagurohej ndërtimi i Uzinës së Bakrit në Rubik. Nga arkiva e TVSH-së:
Më poshtë po japim listën e dokumentacionit që i hiqet emërtimi “top secret” dhe që vihen në dispozicion të interesuarve:
– Fondi 505 (Ministria e Financave), viti 1973,D. 38 ‘‘Tepër sekret’’.
– Informacione mbi disa probleme të punës për nxjerrjen e arit dhe argjendit në uzinën e bakrit Rubik, dërguar Koço Theodhosit, si dhe relacion mbi gjendjen e monedhës në thesar, dërguar Xhafer Spahiut.
– Fondi 496 (Ministria Industri Miniera), viti 1979, D. 796, ‘‘Tepër sekret’’.
– Projektplani për prodhimin e metaleve të çmuara për vitin 1979, ardhur nga uzina e bakrit Rubik, si dhe projektplani i Ministrisë dërguar Komisionit të Planit të Shtetit.
– Fondi 496 (Ministria Industri Miniera), viti 1979, D. 682, ‘‘Tepër sekret’’.
– Bilanci i arit për raportin e metalurgjisë për 3-mujorin e parë dhe të dytë të vitit 1979, ardhur nga uzina e bakrit Rubik.
– Fondi 496 (Ministria Industri Miniera), viti 1980, D. 569, ‘‘Tepër sekret’’.
– Evidencë e ardhur nga uzina e bakrit Rubik për shitjen e arit dhe argjendit për vitet 1976, 1977,1978, 1979.
– Fondi 496 (Ministria Industri Miniera), viti 1980, D. 768, ‘‘Tepër sekret’’.
– Projektplani i prodhimit të arit dhe argjendit për vitin 1980 dhe relacioni përkatës dërguar Komisionit të Planit të Shtetit.
– Fondi 490 (Këshilli i Ministrave), viti 1985, D.861, ‘‘Sekret’
-Njoftime të Ministrisë së Financave për grumbullimin e argjendit që përfitohet nga larja e filmave dhe fotografisë, si dhe për shkrirjen e arit dhe argjendit të dërguar në uzinën e bakrit Rubik.
Përgatiti: Aleksandër Ndoja

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”