Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Historia e Sh’na Prendës dhe jeta e saj.

Nga Pirusti News
2 458 Shikime
SHPERNDAJE

Marrë nga faqja në FB e Dioqezës Rrëshen.

Kemi pak informacione të sigurta mbi këtë shenjte, por të mjaftueshme për të krijuar një ide.

Shëna Prenda (apo Parashqevia në Kishën ortodokse) është një shenjte që ka lindur në Romë në vitin 117 e ka vdekur në Athinë në vitin 160. Kjo ishte një e re e krishterë e cila pësoi martirizimin nën perandorët romakë Antonino Pio dhe Mark Aureli dhe iu pre kryet prej qeveritarit Tarsius në Athinë.

Në gjuhën shqipe ne i themi Prenë, Prendë e pra Shëna Prenda. Është gjithashtu një emër që përdorej rëndom për gratë në Shqipërinë veriore, por që nuk ka të njëjtën origjinë gjuhësore sikurse fjala Prend, Prengë, Pren për burrat. Fjala Prendë, Prenda e merr origjinën nga e Premtja, e Prende, e Prene siç themi në zhargonin tonë të përditshëm, pra dita e javës para të shtunës.

Pse kështu?

Fjala Parashqevi, nga greqishtja do të thotë përgatitje. Kjo e ka origjinën nga ritet hebraike të përgatitjes për ditën e shtunë. Këto përgatitje bëheshin të premten. Prandaj Parashqevi ka të bëjë me ditën e Premte (dita kur ajo lindi) si përgatitje për të shtunën. Fjalën Parashqevi në shqip e kanë përkthyer Prende e prandaj Shenjtja Parashqevi është Shëna Prenda.

Ja një jetshkrim i shkurtër i kësaj Shenjte:

Parashqevia (apo Prenda) ishte bijë e dy grekëve, Agatoni dhe Politeia, të krishterë të mirë dhe shumë besimtarë. I ishin lutur shumë Zotit të kishin një fëmijë. Dhe Zoti u dha Prashqevinë e cila lindi në ditë të premte në periferi të Romës rreth vitit 117 në kohën e perandorit Adrian. Zelli i saj për besimin ishte shumë i madh dhe me këtë zell ajo lexoi e studjoi Shkrimin e Shenjtë e bëri shumë njerëz besimtarë të devotshëm, duke i kthyer nga paganizmi në besimin e krishterë. Thuhet se ka qenë shumë e bukur dhe e kërkuar. Thuhet gjithashtu që ka refuzuar të gjitha kërkesat për martesë dhe ka këmbëngulur që të jetojë e virgjër si nuse për Krishtin.

Në moshën 20 vjeçare vdesin të dy prindërit dhe i lënë një pasuri të madhe. Ajo shiti gjithçka dhe paratë ua shpërndau të varfërve e një pjesë ia dha një bashkësie të krishterë që mbështeste vajza të reja të varfëra dhe vejusha.

Po ashtu na thuhet se e akuzuan si kundërshtare e religjionit zyrtar dhe perandori Antonino Pio e ftoi në pallatin e tij për ta pyetur. I tërhequr nga bukuria e saj u mudnua ta bindë që të martohet me të, por ajo nuk pranoi. Atëherë perandori i zemëruar nga refuzimi i saj donte ta shpërfytyronte me hekur të nxehtë, duke i vënë një helmetë të skuqur në zjarr mbi krye, por asaj nuk i dodhi asgjë. Shumë hebrenj dhe paganë u konvertuan nga kjo mrekulli, por perandori i vrau menjëherë. Parashqevinë e ktheu në burg. Të nesërmen i përsëritën torturat duke e varur për flokësh e duke i ndezur zjarr nën sqetulla, por nuk patën sukses. Torturat vazhduan për ditë me radhë duke u ashpërsuar, por ajo nuk u dorëzua.

Tortura e fundit qe me anë të një lëngu që po vlonte. Ia hodhën në fytyrë, por nuk pati asnjë pasojë. Atëherë perandori i zemëruar i tha se ka bërë magji dhe e ka ftohur lëngun. Por ajo e mori lëngun dhe ia hodhi atij në fytyrë. Perandori u verbëruar, por me lutjen e Prendës i erdhi drita e syve. Atëherë ai e ndali përndjekjen ndaj të krishterëve.

Përndjekja vazhdoi më pas nën Perandorin Mark Aureli e ajo vazhdon të bëjë mrekulli. Ajo i shpëton edhe kësaj përndjekje dhe shkon të predikojë në zonën e Selanikut. Aty kapet prej qeveritarit Tarsis, dënohet me vdekje dhe i pritet kryet me datë 26 korrik të vitit 160 në Athinë.

Ikonografia apo figurat e Shna Prendës paraqesin një grua që ka në dorën e djathtë një kryq, symbol i martirizit dhe në dorën e majtë kryet e vet. Nganjëherë paraqitet edhe me dy sytë e saj në një pjatë, pasi ajo është edhe pajtorja e të verbërve. Lagjja Agia Paraskevi në Athinë merr emrin prej kësaj shenjtje.

Si ka mundësi që festohet kaq shumë në Kishën Katolike në Shqipëri kjo shenjte që në fakt nuk gjendent në Martyrologium romanum, ku gjendet lista e martirëve? Në mijëvjeçarin e parë festat e martirëve ishin të njëjta për të gjithë krishtërimin e sidomos në trojet tona riti bizantin dhe ai latin kanë bashkëjetuar e janë ndikuar nga njëri-tjetri. Një nga këta shembuj është edhe festa e ujit të bekuar me 6 janar që në fakt e festojnë orotdoksët me atë emër dhe vetëm katolikët e Shqipërisë. Në Itali p.sh. me 6 janar nuk quhet festa e Ujit të bekuar, por festa e Shfaqjes së Zotit (Epifania).

Shna Prenda festohet shumë në zonën e Kthellës, por edhe në disa fshatra katolikë të Durrësit, madje në Durrës është edhe një fshat që quhet Shnaprene e që tani është tërësisht i banuar nga myslimanë, por dikur kishte Kishën e Shna Prendës në breg të Erzenit. Kjo së pari tregon për një krishtërim të hershëm në këto zona. Por duke qenë se Bajrakët e Kthellës quhen ndryshe edhe Bajrakët e Ohrit, me shumë mundësi kur kanë ardhur në Kthellë kanë marrë me vete edhe festën, sikurse sot shumë mirditorë, pukjanë apo tropojanë që, edhe pse jetojnë në Tiranë a në Durrës a në Sarandë, festojnë festën e fshatit apo fisiti të tyre.

Ky është një shpjegim i shkurtër o festës së Shna Prendës!

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest