Nga Gllogjani, Aleksandër Ndoja
Kur e hedh vështrimin nga Kisha e Gllogjanit të Lugut të Baranit në rajonin e Pejës, në përfytyrim të shfaqet imazhi i papërsëritshëm i At’Luigj Palajt. Sa më shumë njihesh me historinë e kësaj Kishë Martire, aq më shumë kupton se si pushtuesit tradicional shumë shekullorë që të ndjeheshin plotësisht pushtues, ndërhynin me dhunë e zjarr në besimin e trashëguar ndër breza.
Nuk është rastësi që At Luigj Palaj në rrugëtimin e Tij drejt giojtinës së zezë serbo-malazeze në ato ditë të zymta të fillim marsit 1913, ishte i lidhur me litar sëbashku me Rexhep Sylën, (shqiptar i besimit mysliman). Rrugës duke ecur të zhveshur të zbathur, nëpër acar të madh, pop-zinjtë dhe xhandarët i rrihnin pa mëshirë duke u kërkuar atyre që të pranonin fenë ortodokse, pra fenë e pushtuesit.
Atë Luigji kundërshtonte në çdo mënyrë dhe kërkonte nga të gjithë të burgosurit rreth 60 shqiptarë nga të dy besimet, që të mos pranojnë një gjë të tillë, duke u thënë:
“O vllazen shyptarë, gjith ni dit kem me dek, pranaj mos ti bim moh fes se t’pareve!
Nuk vonoi shumë e ky udhëtim biblik mori fund, pasi xhandarët e krajlëve të zinj sllavo ortodoksë i marrin jetën kanibalisht njeriut të Zotit, At’Luigj Palajt.
Ishte data 7 mars e vitit 1913, kur At’Luigj Palaj kaloi në amshim, ndërkohë që autoritetet serbo-malazeze nën presionin e fortë të të fuqive të mëdha, sidomos të Austro-Hungarisë dhe vetë Vatikanit, mundoheshin të justifikoheshin për vrasjen e priftit Luigj Palajt.
Në faqen zyrtare Vatikan-News thuhet se: “Më në fund, më 7 tetor 1913, në praninë e Kolonelit austro-hungarez Schueler, përfaqësuesit të qeverisë malazeze Sposojeviç, por dhe të Imzot Lazër Mjedës dhe një turme pafund me rregulltarë e besimtarë, u bekua guri i parë i Kishës së re në Gllogjan. Të nesërmen, më 8 tetor 1913, e njëjta turmë u mblodh afër Janoshit, te varri i Atë Luzit, mbi krye të të cilit ishte vendosur një Kryq hekuri me këtë mbishkrim: “P. Aloysius Paliq, ndërroi jetë në vitin e Hyjit 1913” . Ky vorr, ku Imzot Mjeda kremtoi meshën e parë për shpirt të martirit, është kthyer prej kohe në vend shtegtimi e në të ardhmen urojmë të kthehet në një elter të ri. Martiri fitoi!
Po, e vërtetë…e themi të gjithë këtë edhe sot pas 106 vitesh….Martiri Fitoi. Kisha qëndroi e fortë në këmbë, qëndroi me stoicizëm të pashoq në forcimin e besimit e kontriboi po aq fuqishëm edhe në çështjen tonë kombëtare, por dha një ndihmë të jashtëzakonshme edhe në vitet e lavdishme që i sollën lirinë Kosovës, në vitet 1998-1999 teksa muret e saj të shenjta u bënë mburoja dhjetëra mijëra bashkatdhetarëve tanë në rrezik, të ndjekur nga regjimi i egër totalitar serbo-sllav. Me shume per At’Luigj Palajn:
Atë Luigj Palaj ky meshtar i devotshëm, viktimë e çmendurisë serbo-malazeze
Drejt Gllogjanit, 106 vjet pas fitores së Martirit, apo kalimit në amshim të Imzot Luigj Palaj.
Dy javë më parë në telefonin tim thërret një numër i panjohur. Jam Gjon Krasniqi më thotë ana tjetër e telefonit. Pasi sigurohet se unë isha pikërisht ai që kërkonte, më thotë se Famullia “Shën Ndout” në Gllogjan, i njofton të gjithë besimtarët dhe të interesuarit të tjerë në Kosovë, Shqipëri e mërgatë, se me datë 27 korrik 2019, në ora 18:00, do të fillojë ceremonia rituale e liturgjike e shugurimit të kishës së re. Ai është mjaft entuziast se në Gllogjan është realizuar një vepër e shkëlqyer kishtare, vijuese e Kishës së Shenjtë, asaj që lidhet me emrin e martirit At’ Luigj Palaj. Koha mbi 100 vite kur i ishin hedhur themelet kishte bërë të vetën, ndaj u pa e udhës që në ato themele të shenjta të ndërtohej Kisha e re.
Më tej mëson se Kisha e re është vepër e Zotit falë përkushtimit të famullitarit don Fran Kolaj, i cili me mbështetjen e fortë të mërgatës me në krye Harry Bajraktarin, veprimtar e biznesmen i njohur i Komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York, arriti të përfundojë së ndërtuari Kishën e re të “Shna Nojt” në Gllogjan. Mbështetje të fortë knë dhënë vetë famullia e Gllogjanit, ndërkohë nuk kanë mungur individë të ndryshëm si Frrok Zef Gjetaj nga Amerika dhe Mark Nikolli nga Mirdita, por edhe shumë të tjerë që kanë çimentuar emrat e tyre në historikun e kësaj Kishe.
Gllogjani është pjesë e Lugut të Baranit në rajonin e Pejës. Kjo zonë është e njohur për qëndresë të jashtëzakonshme anti-serbe gjatë gjithë historisë e veçanërisht gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, në vitet 1998-1999. Kjo zonë bënte pjesë Zonën Operative të Dukagjinit të UÇK-së, që komandohej nga Ramush Haradinaj, i cili nga data 9 shtator 2017 dhe deri më 19 korik 2019 ishte kryeministër i Kosovës, i cili do të mbahet mend gjatë për shumë vendime, mbi të gjitha për taksën 100% ndaj produkteve serbe dhe stoicizmin e tij për të mos u tërhequr nga ky vendim.
Janë dy rrugë që të çojnë në Gllogjan, njëra nga Gjakova përmes një rruge që merr për në veri të vendit, ndërsa rruga tjetër vjen nga Klina me drejtim Pejën, por që ndan majtas rreth dy km nga ura e Klinës. Natyrisht grupi ynë pjesë e Akademisë së Artit, Shkencës dhe Letrave mori rrugën nga Klina të shoqëruar nga profesori i gjuhës angleze z. Dod Ndrecaj. Pas pak shfaqet fshati Gllogjan me rreth dy mijë banorë. Fshati është vendosur si në një gropë në pllaja të pasura dhe mjaft pjellore, ndërsa në qendër të fshatit spikat Kisha e Shnanout e sapo ndërtuar.
Fshati ka marrë pamje festive. Qindra banorë të Gllogjanit por edhe miq e të ftuar nga rajone të tjera të hapësirës mbarkombëtare kanë pushtuar hapësirat e Kishës. Një staf i përkushtuar të prêt dhe të ndihmon me parkimin dhe akomodimin, ndërsa pak minuta më pas vjen Ipeshkëvi i Diqezës së Kosovës, Imzot Dod Gjergji.
Më herët këtu ka mbërritur Kryeministri i Kosovës z. Haradinaj, shoqëruar me ministrin Pal Lekaj dhe një sërë autoritetesh të tjera të pushtetit qendror dhe atij vendor. Ndërsa të pranishëm në këtë ambient festiv ishin shumë banorë të besimit mysliman, ndër ta edhe Mulla Xhevat Kryeziu i cili në Kosovë njihet si Imam i përkushtuar në çështjen kombëtare.
Mesha u drejtua nga Ipeshkëvi i Kosovës Imzot Dod Gjergji, i cili vuri në dukje sakrificën e popullit shqiptar që ka bërë gjatë shekujve, nën Perandorinë Romake, atë Osmane dhe pastaj jugosllave. “Ne kemi si popull çfarë t’i kushtojmë Zotit. Ne si popull mund t’i kushtojmë Zotit 300 vjet gjak, martir, vuajtje, persekutime të Perandorisë Romake. Ne kemi t’i kushtojmë Zotit 500 vjet vuajtje, sakrificë, gjak, persekutim të Perandorisë Otomane. Ne kemi t’i kushtojmë Zotit 100 vjet vuajtje, sakrificë, martirizim të mbretërisë serbe, ose kroate e sllovene, e më vonë gjithë ajo Jugosllavi.
Pas përfundimit të ritualit meshtar, fjalën e ka marrë kryeministri Ramush Haradinaj i cili tha se do ta nis me dy ngjarje personale, e jo zyrtare që më lidhin me këtë zonë. Kur kam qenë fëmijë, kam ardhur te dajtë e mi këtu në Jabllanicë, e kur është sëmur ndokush, kam ardhur me gjyshën time, Nënën Azë dëshmore, deri këtu në Kishë, ka qenë një motër e cila ka ofruar shërbime shëndetësore. Pra, krejt populli i kësaj krahine, e ka pas një shpresë, se s’ka pas ku me u drejtu, e kanë ardhur këtu, pa dallim besimi. Një ngjarje tjetër që dua ta ndaj me ju, ka të bëjë me një dëshmor, është Nika. Nika u vra në luftë, në mbrojtje të familjes së vet, truallit të vet, të identitetit të vet dhe në varrimin e tij, nderimin e fundit ia ka bë meshtari i kësaj kishe”. Ai po ashtu u shpreh krenar me historinë e shqiptarëve, të cilët, siç tha ai, pa dallim feje e vendi, krenohen me Skënderbeun dhe Nënën Terezë, vazhdoi Haradinaj. “Është një listë e gjatë e jetës sonë të përbashkët, në besim, në vlera dhe në identitet. Por ndoshta më së miri këtë e shpjegon fakti, se shqiptari, prej cilës do krahinë të atdheut tonë autokton, apo në diasporë, sot mburret me Skënderbeun e me Nënën Terezë. Ky fakt na bën me besu, jo vetëm që kemi me ecën drejtë rrugës tonë, me ruajt vetën, ashtu siç kemi ditë qindra vjet, por edhe do ta nderojmë familjen e madhe evropiane, euroatlantike, si anëtar i familjes”, ka përfunduar z. Haradinaj.
Famullitari Fran Kola i cili mori falenderimin mjaft të përzemërt nga Ipeshkëvi i Kosovës, ka falenderuar të gjithë ata që kanë sponsorizuar ndërtimin e kësaj Kishe. Pjesa më e madhe e donacionit ka qenë nga shqiptarët në SHBA duke veçuar z. Harry Bajraktari. Mirënjohje ia janë dhënë z. Frrok Zef Gjetaj nga Amerika për sponsorizimin e Altarit në shënjë kujtimi për djalin e tij 20 vjeçar i ndarë nga jeta, si e z. Mark Nikolli, mirditas me aktivitet në Milano i cili ka sponsoruzuar të gjthë mermerin që është shtruar në hapësirën e Kishës së Gllogjanit. Pasi ka përfunduar Shugurimi i Kishës, të gjthë të pranishmit janë ftuar në një darkë masive vëllazërore shoqëruar me këngë e valle nga grupe të ndryshme muzikore. Gjatë kësaj feste janë shënuar përshëndetje të rastit nga aktorë të faktorë të rëndësishmëm të ndërtimit të kësaj Kishe ne zemër të fshatit Gllogjan.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”