Nga: Gjok Pepa.
Kjo shprehje, tipike e zgjuarsisë natyrore të merditasve shpesh keqinterpretohet nga dritshkurtërit duke u lidhur padrejtësisht me të ikurit nga kjo botë, ndërsa ajo i kalon mrekullisht caqet e kësaj dhe asaj jete, që i shërbejnë vetëm si strukturë ndërtimi e shpalosje besimi dhe në mënyrë filozofike synon urimin e përjetësisë për të gjallin që i drejtohet, si vlerësimi më i epërm për të.
Duke qënë se është mjaft e vështirë që jo vetëm nëpërmjet një fjalie të vetme, por dhe paragrafëve të tërë, të mund të ngrihesh në lartësinë e duhur të vlerësimit për njeriun që i kalon caqet e atij të zakonshmit në veprimtarinë e jetës së tij të përditëshme, mendoj se kjo uratë në dialektin tone të mrekullueshëm, që ai e ka fort për zemër, do ti shkonte më shumë për shtat këtij merditasi tipik, intelektuali të vërtetë, patrioti të flaktë e mbi të gjitha, një njeriu të mire si ai. Krenia ndër ne merditasit vjen natyrshëm prej mjaft cilësive të spikatura që kryesisht burojnë prej historisë së pashembullt të fisit tone por ndodh jo rradhë që ajo të na kthehet në boomerang pikërisht prej padijes që shfaqim në mbrojtje të kësaj historie. Gjithkush ndër ne që nuk i përkasim kësaj fushe ndjehet komod nëse ka shfletuar disa libra për të, por nuk ndodh kështu asnjëherë me Preng C. Lleshin. Ai s’ ndalon kurrë së gërmuari gjithnjë në kërkim të të vërtetave historik që na janë fshehur e mohuar dhe po kërkojnë të na i mbajnë sërisht të tilla edhe kur ne lodhemi ti gjejmë e shpalosim vetë ato.
Shembull tipik i qëndresës së paepur merditase, ai ka hyrë i vetëm në fushbetejën shkencore me otomanët e rinj që kërkojnë medoemos që Gjergj Kastrioti të mbetet gjithnjë jetim mes shqiptarësh. Këtë qëndrim të tyre, sa antihistorik aq dhe antishqiptar, (për fat të keq dhe i disa mirditorëve) e justifikojnë me mjaftueshmërinë e të qënit i yni (shqiptar) ndaj për ta, tashmë nuk ka rëndësi dhe as nuk vlen se ku ndodhet pragu i derës që e polli. Ky qëndrim djallëzor nuk synon gjë tjetër veçse ti mohojë medoemos krenarinë legjitime fisit që i përket realisht ky “Atlet i Krishterimit”. Saktësimi shkencor i vendorigjinës së tij do ishte padyshim një shërbim i vyer për historinë e kombit tone, por pa droje, dhe asaj botërore,pasi “Gjergj Kastrioti ishte pjella më hyjnore e rracës njerzore,” sipas Shuflait, ndaj dhe saktësimi i “pasaportës” së tij është një detyrim moral për këtë rracë, sidomos për ne pasardhësit e tij.
Ky vlerësim i pazakontë i Shuflait ndoshta bën krenar gjithkënd nga rraca njerzore por, nëse nuk do ishte pranuar nacionaliteti i tij, besoj ne, nuk do të krenoheshim si sot me të, e jo më ta kishim shpallur Hero kombëtar.
Përse atëherë këto mendje të thartuara kërkojnë medoemos ta lënë jetim mes shqiptarësh dhe ta katandisin origjinën e tij si një sherrnajë prone mes fisesh?! Mos vallë këta fajtorë historikë, përveç hajmalive nga eshtrat, duan të përfitojnë dhe nga lavdia e tij njësoj si fisi të cilit ai i përket realisht! Përse ky sheshim vlerash kur sakrificat njerzore të këtij fisi në ruajtje të asaj që Kadareja ynë i madh e cilëson si Shqipëria Kastriotase janë të pakrahasueshme me të çdo fisi tjetër shqiptar?!
Si dashamirës i historisë në përgjithësi dhe i Merditës në veçanti, i jam bashkëngjitur këtij misioni fisnik të ndërmarrë nga “Gjeneral” Preng C. Lleshi për të dhënë dhe unë ndihmën time modeste, ashtu si dhe mjaft bashkpunëtorë të tjerë merditas,jo vetëm si detyrim historik për këtë krijesë hyjnore të rracës shqiptare, por dhe si një obligim për fisin e Kastriotëve legjendarë, që si pasojë e mungesë së një pinjolli të vërtetë në trashëgiminë e gjakut, janë kthyer në një rrënojë historike, njësoj si dhe pragu i derës ku ata ngjizën pushtetin dhe famën, e ku sollën në jetë birin e tyre e Kryeheroin tonë.
Kjo Gardë fisnikësh që po i shton çdo ditë rradhët e saj, nuk reshtin së dhuruari ushtarë për këtë betejë. Si një ndër pjestarët e “vjetër” saj, nëpërmjet një shkrimi botuar kohë më parë po në këtë faqe, u përpoqa që me anë të deduksioneve logjike, mbështetur në ato të dhëna historike që posedoja si lexues, të ofroja dhe unë ushtarët e mi.
Nga një debatues i zakonshëm me Preng C. Lleshin, u ktheva në mbështetësin më të zjarrtë të tezës së tij, dhe jo pa arsye. Gjatë debateve me të, mbi një origjinë me patjetër qytetare që pretendoja unë për Gjergjin e Kastriotëve, ndërsa ai dhe të tjerë e kërkonin fshatrave, u binda dhe argumentova se Kastri në Vig të Merditës së djeshme dhe sot po aty pranë Lezhës së sotme, rezultonte të mos ishte gjë tjetër veçse rrënojat e CASTRUM DE LEXIO. lagje e këtij qyteti që u zhvillua pas zhdukjes së bizantit, lulëzoi gjatë mesjetës, dhe u rrënua më 1501 nga venedikasit, vit kur ata u larguan përfundimisht nga ky qytet nën presionin e turqve.
Debati shërbeu edhe për mos përjashtimin e Matit si vendorigjinë e mundëshme e Kastriotëve, pasi argumentova se kjo trevë, në atë periudhë historike, ishte territor i merditasve dhe përfshinte edhe qytetin e Krujës, ku Gjon Kastrioti njihej si zot i saj, jo si pushtues, por si Princ i Merditës.
Të gjitha këto që shkrova dikur ndoshta një tufë kinse studiuesish të sotëm të rracës sonë do ti kenë konsideruar lajthitje amatorësh duke vënë buzën në gaz me to. Shumica syresh, s’janë tjetër veçse ballabanë të sotëm, që dhe pse në damarë kanë gjakun e këtij fisi legjendar,njësoj si Badera i vjetër i kthye në turk,thonë se jemi krutanë, lezhjanë,matjanë, pukjanë, dhe kurbinas. Këta dhe mund të mos jenë fajtorë, pasi të tillë duhen konsideruar të parët e tyre që brezave tradhëtuan gjithshka që u la në besë Kastrioti, por s’ka sesi të mos jenë të tillë kategorie e hamzallarëve të sotëm mirditorë, që njësoj si nipi i dikurshëm i Gjergjit legjendar, janë gati të bëjnë marrveshje deri edhe me Turqinë, për ta përjashtuar përgjithnjë Kastriotin nga këto troje, mjafton që të ndjehen vetë si të parë aty.
Nëpërmjet bashkëpuntorëve tashmë të shumtë, u njoha dhe me disa të dhëna të reja historike për merditasit dhe Kastriotin e tyre. Po prej këtyre më ra në dorë dhe libri i përkthyer në shqip,i autorit Feliçe Kuniberti, me titull “Shqiptarët dhe Princi Skanderbeg”.
Ky autor italian i shekullit të 19-të, dukej sikur kishte shkruar dje vetëm e vetëm që të na ndihmonte ne sot, për ti vëmë pikat mbi “I” tezës sonë.
Ja si shkruan ai; “Shqiptarët janë të ndarë në fise dhe një ndër më të rëndësishmit jo prej numrit, por prej dijes, trimërisë dhe zakoneve më pak të ashpra, është ai i mirditorëve (ose trimave); familja Kastrioti ishte në krye të këtij fisi, i cili mbajti përherë dhe mban edhe sot një vend të dalluar mes gjithë të tjerëve”. (fq.21)
Duke i kërkuar ndjesë gjithkujt që do mund ta lexojë këtë shkrim, më duhet të ndalem sadopak për të analizuar vetëm dy nga cilësitë që përcakton ky autor për spikatjen e fisit të merditasve mbi fiset e tjera shqiptare në mesjetë e deri në kohën e tij, dijen dhe zakonet, duke lënë mënjanë për një çast trimërinë e njohur.
Të dyja këto cilësi sëbashku, tregojnë se kemi të bëjmë me një fis mjaft të civilizuar për kohën, por gjithsesi duhet të pranojmë se ato nuk janë thjeshtë dhuratë e natyrës vetëm për ta, por sëshumti dhe pashmangshëm mendoj se ato janë patjetër pasojë e një trashëgimie brilante.
Cila është kjo trashëgimi?
Gjatë periudhës ilirike fisi ynë emërtoheshin Pirustë. Gjithnjë më ka tërhequr vëmendjen një shprehje e vjetër dialektore që të parët tanë e përdornin kur donin të lëvdonin dikë për një veprim a sjellje të mirë. “I shkon për piri” ose “E ka për piri” thonin për të. Mos vallë kjo lloj shprehje nuk është gjë tjetër veçse krenia e tyre për rrënjët nga ky fis i lashtë?
Nga buron kjo kreni për të?!
Nga historia dimë se Pirustët shquheshin për përpunimin e metaleve por gjithashtu po prej saj mësojmë se ky përpunim, i dha hov zhvillimit të shoqërisë njerzore duke e shkëputur atë përfundimisht prej epokës së gurit. Parë nga ky këndvështrim, besoj se krenia e tyre është më se legjitime.
Për tu njohur sadopak me këtë aktivitet të rëndësishëm të asaj periudhe në këto troje do të mjaftonte që lexuesit të shfletonin librin “Shpanët” të autorëve Mëhill Elezi dhe Nikoll Loka. Aty flitet për bajrakun e Rrazës që ishte ndër më të dalluarit në këtë drejtim e njëkohësisht vend i ngjizjes së këtij fisi mjaft me peshë në mesjetën arbërore. Fatkeqësisht dhe për habi, në atë libër, nuk përmendej askund se ai bajrak dhe vetë Shpanët nuk janë tjetër veçse merditas.
Studiuesit që janë marrë me Shtetin e Arbërit kanë konkluduar se ai, që në zanafillë e deri në shuarje, shtrihej dhe e pati qëndrën e tij në këto troje dhe besoj se jo rastësisht, Kastriotët dhe Dukagjinët, si dy dyer princërore të Merditës, trashëguan dhe zotëruan pikërisht po këto territore. Këtë e vërteton mësëmiri deklarata e Gjon Kastriotit për kishat që donte t’ia merrte nën administrim Peshkopi i Lezhës në atë kohë.Këto kisha janë në trojet e mia që prej 800 vjetësh,do ti shkruante ai Papës duke kërkuar ndihmë. U desh ndërhyrja e tij për të vendosur drejtësinë duke njohur kështu zyrtarisht Kastriotin si zot të tyre.
Në këto troje duket se gjithshka flet për një trashëgimi e vazhdimësi qytetërimi të konsiderueshëm e ndoshta dhe të pakrahasueshëm me atë të fiseve të tjera. Gjergji ynë s’ka se si të mos ishte pjella dhe kulmi i përfaqësimit të një rrace të tillë.Pas vdekjes së tij gjithshka në këto troje flet vetëm për një qëndresë mbinjerzore për mos asimilim.
Besoj se i’a vlen jo pak të ndalemi edhe në secilën nga këto dy cilësi për ti analizuar veçmas. Kuniberti vendos të parën dijen. Besoj se për këdo historian por edhe për çdo lexues të apasionuar historie ky përcaktim është disi i pazakontë. Rëndomtë ai përcaktim përdoret për personazhe të veçantë e jo për fise e popuj.
Kushdo prej nesh si merditas besoj se e ka ndjerë një lloj respekti të veçantë sapo në ambiente jashtë territorit tone prezantohemi si të tillë. Për këtë duhet të ketë ndikuar patjetër shfaqja rregullisht e kësaj cilësie ndër ne, që e trashëguar ndër breza, imponon dhe Kunibertin ta vendosë të parën, sepse vetëm dija imponon sëpari respekt për këdo, e më pas vijnë cilësitë e tjera.
Kam dyshuar gjithnjë në vërtetësinë apo origjinalitetin e legjendave për emrin e sotëm të Mirditës. Njëra,apo e para, prej së cilë thuhet se ajo mori emrin, është ndarja mes tre vëllezërve, ku njeri mori shalën,tjetri shoshën dhe kur s’kish mbetur asgjë për të marrë i treti u nda prej dy të tjerëve me një përshëndetje që nuk përkon aspak me tipologjinë e të shprehurit të merditasve për urimin e një dite të mire. Aq më pak të bind versioni mbi emërtimin e këtyre trojeve nga një Pasha apo dhe vetë Sulltani, pasi kështu i paska përshëndetur ata apo njërin prej tyre një merditas që shërbente në çadrën e fushimit.Askund në fjalorin e merditasve nuk haset historikisht përshëndetja “mirdita”qoftë dhe sipas dialektit të tyre, që i takon të thuhet “Merdita”. Kryesisht, gjatë aktivitetit ditor, ata kanë përshëndetjet; nratja e mer, mramja e mer, mer se t’gjeta, qoft mer, mer se erdhe, t’mer nejsh, t’mer u pjekshim (takofshim), bafsh natën e mer etj.
Të gjitha këto të bëjnë të mendosh se ngjizja e emrit të tyre ka filluar vetëm kur ata u evidentuan nga të tjerët pikërisht për dijen. Këtë ide ma përforcojnë dhe disa harta të vjetra, ku për të përcaktuar territoret e këtij fisi shkruhej, MEREDITI ose MIREDITI, që pa asnjë dyshim shprehin vetëm cilësinë e dijes e jo të ditës. Si njëri ashtu edhe tjetri emërtim shprehin të njëjtë gjë në njëjës, “Mer e diti” “Mir e diti” të thënë gjithnjë nga të tjerët për ta, pasi e thamë dhe më lart vlerësimi për këtë cilësi fillimisht është individual dhe përgjithësohet kur merr formën e fenomenit për shumicën, ndaj dhe ata filluan të vetquhen “merditas” si pjesë e fisit.
Më alarmon niveli mizerabël i disa të ashtuquajturve studiues të sotëm. Kurrë nuk rreken të bëjnë diçka nga pasioni, por nuk ngurrojnë të bëhen dhe pjesë e marrëzisë nëse përfitojnë sadopak. Shkruajnë për Shpanët por nuk thonë se janë merditas, biles i mbulojnë kaq me famë sa thua se në këto troje nuk kanë ekzistuar kurrë as Dukagjinët dhe as Kastriotët, dy fiset legjendare të mesjetës shqiptare. Lajthisin aq sa i’a blatojnë emërtimin Aemathia Matit të sotëm kur Barleti kështu ka quajtur Mirditën e Lumën e Gjon Kastriotit, duke harruar njëkohësisht se pohimi i këtij historiani,sipas Nolit, ka qënë burim lajthitjesh që nga koha e tij dhe deri më sot, pasi kështu është quajtur dikur Maqedonia jugore dhe shpesh e gjithë Maqedonia.
Cilësimi i zakoneve tona si më pak të ashpra krahasuar me ato të fiseve të tjera merr për kohën tonë gati përmasa mrekullie mjafton që të sjellim në kujtesë se çfar thonë e shkruajnë disa (ose ata të tjerët) për ashpërsinë e Kanunit dhe rracës sonë. Çfar mbrojtje brilante na bën ky Kuniberti ndoshta jo sëshumti nga vetja por i “detyruar” prej referencave nga autorë të tjerë. Po këtë bën ai kur shkruan se; “Ky fis është katolik dhe ruan ende sot e kësaj dite një lloj pavarsie; qeveriset me ligjet e veta, zgjedh drejtuesit e tij, i vendos vetë taksat dhe ushtrive otomane iu jep vetëm një kontigjent të vogël e të përcaktuar. Mirditorët ushtrojnë publikisht fenë e tyre dhe dallohen me nderim nga fiset e tjera shqiptare prej karakterit dhe prej ideve morale më të mëdha e më të larta; ata kanë dy Prenk ose Prijës,një shpirtëror që është abati me mitër i Oroshit,qytet i vogël por i rëndësishëm në luginën e Matit, tjetri tokësor që është një anëtar i familjes së Lekëve; mirditorët thuhet se shkojnë rreth 2500 mijë.(shih Adriano Balbi)”.Besoj se nuk ka nevojë për koment të gjatë;”…dhe dallohen me nderim nga fiset e tjera shqiptare prej karakterit dhe prej ideve morale më të mëdha e më të larta”. Kaq.
“…por nuk është e vërtetë sa thotë Daru, në historinë e tij të Republikës së Venedikut,– vazhdon autori; që domethënë Skënderbeu t’ia ketë besuar trupave venedikase mbrojtjen e Krujës; ky qytet,kështjellë kryesore dhe kryeqendër e zotërimeve të tij,vijoi të mbahej e të mbrohej nga shqiptarët e mirfilli nga fisi i mirditorëve.” (fq.135)
Pra merditasit ishin më të besuarit e tij dhe jo vetëm prej gjakut të njëjtë e cilësive të lartpërmendura, por dhe si luftëtarë të sprovuar e trima të spikatur. Ja si e përshkruan autori italian këtë; “Zotërimet e Skënderbeut ishin të fundit që ranë në dorë të turqve,pasi mirditorët trima, shokë besnikë të tij, i mbrojtën trimërisht për një kohë të gjatë; duke u munguar atyre ndihma e mbretit të Napolit, të braktisur nga Republika e Venedikut, pasi u doli pa dobi dhe kërkesa për mbrojtje ndaj Dukëve të Savojës, ata vazhduan të vetëm në luftë për disa vite derisa Kruja, e shtërnguar në rrethim, qe e detyruar të dorëzohej prej urie; dhe atëherë erdhën paktet me fitimtarin, i cili i pati miq duke u lënë atyre armët dhe duke respektuar pronat e tyre, zakonet e tyre dhe fenë e tyre; dhe të tilla kushte ishin respektuar përherë dhe respektohen ende sot e kësaj dite prej turqve.”(fq.145)
Kam lexuar dhe dëgjuar se mjaft historianë seriozë të kohës sonë që vlerësojnë familjen e Aranitit si më potenten e asaj periudhe historike, por unë besoj se të tillë atë e bënte vetëm vendosja e marrdhënieve me mbretërinë e Napolit dhe pranimi i vasalitetit ndaj saj. Familja e Kastriotëve duhet të kenë qënë më e fuqishme dhe më me influence.
Këtë na e dëshmon dhe marrja peng e djemve të Gjonit dhe askujt tjetër në njëjtat pozitat me të, por këtë fakt mjaft qartë na e rrëfen dhe ky autor. “…duke njohur mire se në çfar mjedisi të dyshimtë jetonte, nuk ia hapi asnjëherë zemrën asnjë personi dhe priste një rast të volitshëm për të vënë në jetë planin e tij. Dhe ky iu paraqit si herë e parë në fillim të vitit 1432, kur vdiç i ati Gjon Kastrioti,që deri më atëherë kishte qeverisur, si tributar i Sulltanit,krejt Shqipërinë; por keqbesimi dhe ambicja e Muratit të II e penguin të përfitonte prej kësaj.”(fq.33). Pra nënkuptojmë se jo Gjergj Araniti por Gjon Kastrioti ka qënë sundimtari më i fuqishëm në mesjetën shqiptare. Këtë pohim e mbështet dhe mënyra entuziaste me të cilën e priti populli kthimin e birit të tij në trojet e veta.
Por ajo çka vulos përfundimisht epërsinë e Kastriotëve dhe origjinën e tyre merditase është pohimi i mëposhtëm i këtij autori të cilin jo pa qëllim e lashë për në mbyllje të këtij shkrimi.
“Në fillim të shekullit të XV-tw, Shqipëria ishte ende e pavarur dhe fiset e ndryshme shqiptare gjendeshin në një beslidhje mes tyre mbi të cilën ushtronte epërsinë familja e Kastriotëve, që ishte në krye të fisit të mirditorëve.”(fq.29).
Heu ti qofsh bekue sak or Preng C. Lleshi. Thonë se Zoti sheh nga lart gjithë veprimtarinë e përditëshme të të ashtuquajturave dele të tij. Dhe pse je ateist, ai duket se është i kënaqur me ty, pasi kësaj rradhe besoj se të është bërë krah, duke braktisur besimtarët e rremë që bëjnë kryq çdo ditë e shkojnë në kishë rregullisht, por kanë akoma vazhdojnë të kenë shejtanin në bark. Ndoshta ai ka afeksion dhe për Kastriotin legjendar, si pjella më hyjnore ndër delet e tij, apo edhe si Atlet të Krishterimit”i shpallur prej Papës. Ndoshta-ndoshta,dhe për vetë merditasit si mbrojtës të patundur të besimit.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

