Unë e kam origjinën nga Mirdita, por jam rritur në Zadrimë. Asnjë pikë gjak i Zadrimës nuk rrjedh ndër venat e mia, por ndjej që e gjithë fryma dhe shpirti im janë mbrujtur me ëmbëlsinë e kësaj Zonje nure-bukur! Ndjej ngjyrat e gjalla të mësallave të saj, aromën e falsigenit, shebojave, drandofilleve të kopshteve dhe ëmbëlsinë e zërit të nënave zadrimore, kur më thonë si ke njih të pastë dada?!
Mendoj që në asnjë krahinë nuk ka njerëz më fjalëmjaltë e besimtarë në Zot! Zadrimorët janë njerëz të bekuar me një shpirt të madh paqedashës me një etno-kulturë të veçantë plot ngjyra në veshje , këngë , zakone. Shpirti i tyre është një “Ave Maria” hyjnore !
Mbaj mend kur isha fëmijë, nëna më sillte për Pashkë vezë të ngjyera me gjithfarë bojrash e te shkruara me emrin tim të pikturuara nga nxënësit e saj. Unë sot do i quaja vezë trimërie e besimi! Si mund të jetë një kokërr vezë trime, mund të pyesni ju. Trimëresha e butë dhe e hijshme Zadrimë, ndër shekuj ruajti besimin e saj në Zot, kaluan pushtimet osmane dhe prapë u lëvdua Krishti, përjetoi sistemin komunist dhe përsëri i luti Pashkët . Aty në vendin e bukur “ Përtej Drinit “sado u shkel me këmbë toka nga ligësia , lulet e bukura e ngritën kryet sërisht me forcën e farës së pastër. Duhet ta kenë dashur shumë nënën time ata fëmijë, që në atë kohë kolere, i besonin aq shumë sa t’i dhuronin vezë “trimërie” për mua !
Në vitin 1991, mëngjesin e parë të Pashkës së lirë, gjyshja ime e mirë, me thirri në dhomën e saj. Me shëndet Pashkën Almatinë më tha: duke me zgjatur dorën. Sytë e saj ndritnin në gëzim. Gjithmonë nën jastëkun e saj ishin një palë uratë të vjetëruara me kokrra druri, ia kisha parë shpesh tek i rrokulliste me pëshpërimë të lehtë ndër gishtat e saj të gjatë e hollakë dhe më bënte me gisht shëttt, askush s’duhet ta dinte. Sa më dhemb tani që e kujtoj atë skenë!
Ajo grua e bukur elagante, me rroba të bardha mirditore, me zemër të madhe si hajdute i lutej Zotit tinëz. Çfarë mënxhyre e rëndë ajo kohë ,ti mohosh njeriut besimin në Zot !Dëgjo Almatinë më tha: sot janë Pashkët !Syve të saj shkëlqenin lotë gëzimi e dhimbjeje,janë Pashkë ndryshe bija ime, sot çdo njeriu që takon duhet t’i japësh dorën dhe t’i thuash: me shëndet Pashkët, kushdo të jetë ai, edhe nëse të ka lënduar, të ka fyer, sharë. Mbaje mend këtë! Ti duhet të falësh e mos të lejosh që hakmarrja të të bluajë shpirtin tënd të bukur.
Gjithë atë ditë të bukur pranvere, unë u enda rrugëve të fshatit tim, kushedi sa herë e bëra rrugën e lagjes sime duke kërkuar njerëz për t’u thënë me shëndet Pashkët. Fluturoja nga gëzimi, kërceja, hapja krahët e rrotullohesha në ajër , isha një fëmijë i lumtur me një mision të veçantë: ti thoja fshatit tim Krishti u Ringjall !
Me Shëndet Pashkët Botë !


@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

