Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

KUR VATRA I DHA HUA SHTETIT SHQIPTAR!

Vatra, kur Shqipëria kishte nevojë për të!

Nga Pirusti News
1 038 Shikime
SHPERNDAJE

Nga Aleksandër Ndoja, Bronx – SHBA

Një histori e jashtëzakonshme e patriotizmit shqiptar: Në vitin 1920, diaspora nuk u mjaftua ta donte Shqipërinë nga larg. Ajo i dha kredi shtetit të saj në çastet më të vështira të ekzistencës kombëtare.

Është hera e dytë që ndodhem për vizitë në ambientet e Federatës historike Vatra, në Bronx të SHBA-së, dhe në të dyja rastet largohem me mbresa të veçanta, por edhe me njohuri të reja për veprimtarinë e këtij institucioni të jashtëzakonshëm të shqiptarëve të Amerikës. Këtë herë u pritëm me shumë dashamirësi dhe vëmendje nga arkëtari i Vatrës, z. Ilir Cubi, dhe drejtori i Marketingut dhe Eventeve, z. Nazim Salihu, të cilëve u shpreh mirënjohjen për mikpritjen.

Në muret e këtij institucioni, fotografitë dhe dokumentet historike të çojnë në rrugëtimin që nisi më 28 prill 1912 në Boston, nga mendjet dhe zemrat patriotike të Fan Nolit, Faik Konicës, Kristo Floqit, Sotir Pecit dhe shumë atdhetarëve të tjerë. Vatra nuk ishte thjesht një federatë shqiptarësh në Amerikë, por një zë i fuqishëm i kombit në ditët më të vështira të historisë sonë. Me penë, mendje, sakrificë dhe përkushtim, vatranët i shërbyen çështjes shqiptare, duke mbajtur gjallë gjuhën, flamurin dhe idealin kombëtar.

Mes qindra fotografive të aktiviteteve, tubimeve dhe personaliteteve që kanë lënë gjurmë në historinë e saj, vëmendjen time e tërhoqi një dokument i veçantë, i ekspozuar në një hapësirë të konsiderueshme të institucionit. Nuk ishte fotografi e një personaliteti apo e një aktiviteti madhështor, por një dokument huaje për shtetin shqiptar! Po, pikërisht kështu: një shoqatë patriotike shqiptare në Amerikë i kishte dhënë hua shtetit amë, në një nga periudhat më delikate të ekzistencës së tij kombëtare.

Dokumenti mban nënshkrimin e Ndoc Çobës, ministër i Financave në qeverinë e Sulejman Delvinës, të dalë nga Kongresi i Lushnjës, i cili drejtoi vendin nga 30 janari deri më 14 nëntor 1920. Ky fakt merr një domethënie të jashtëzakonshme kur e vendosim në kontekstin e kohës. Shqipëria ishte ende një shtet i brishtë, institucionet sapo kishin nisur të konsolidoheshin, financat ishin në gjendje të vështirë dhe integriteti territorial i vendit mbetej i kërcënuar. Në një kohë kur shumëçka mungonte, një gjë nuk mungoi: solidariteti i shqiptarëve për Shqipërinë.

Një hua prej dy milionë frangash ari

Nuk bëhet fjalë për një legjendë patriotike, por për një fakt historik të dokumentuar. Vetë Banka e Shqipërisë e ka publikuar këtë ngjarje në materialet e saj historike, duke evidentuar se më 6 maj 1920 u emetua huaja e parë e brendshme e Shtetit Shqiptar. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës vendosi të përballonte nevojat e ngutshme financiare të vendit përmes një huaje prej dy milionë frangash ari, që kërkohej të sigurohej nga bashkatdhetarët brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, huaja përbëhej nga 40 mijë pjesë, secila me vlerën 50 franga ari, të ndara në tri kupona me interes 5 për qind. Shlyerja ishte parashikuar të bëhej në tri këste, më 1 nëntor të viteve 1921, 1922 dhe 1923. Këto të dhëna e bëjnë edhe më domethënës dokumentin që gjendet në ambientet e Vatrës. Nuk kemi të bëjmë thjesht me një kontribut financiar të diasporës, por me një marrëdhënie besimi dhe përgjegjësie ndërmjet një shteti që përpiqej të mbijetonte dhe shqiptarëve që, edhe pse mijëra kilometra larg, ndiheshin përgjegjës për fatin e tij.

Viti 1920 ishte një provë e rëndë për shtetin shqiptar. Ndërsa qeveria përpiqej të ngrinte institucionet dhe administratën kombëtare, në Vlorë zhvillohej lufta për çlirimin e qytetit nga pushtimi italian. Në këtë klimë të jashtëzakonshme, mbështetja financiare e diasporës kishte rëndësi jetike. Ajo ndihmonte shtetin të përballonte nevojat e tij dhe të ruante funksionimin e institucioneve në një kohë kur Shqipëria përballej me sfida të shumëfishta. Lidhja e drejtpërdrejtë e kësaj huaje me financimin e Luftës së Vlorës meriton të dokumentohet më tej përmes burimeve arkivore, por koha kur u dha dhe rrethanat në të cilat u kërkua e bëjnë atë një akt me peshë të veçantë kombëtare.

Dhe këtu duhet të ndalemi për të kuptuar përmasat e këtij gjesti. Imagjinoni për një çast: një shtet i sapokrijuar, me financa të dobëta dhe institucione ende të brishta, i drejtohet bashkatdhetarëve të vet. Përgjigjja vjen edhe nga përtej Atlantikut! Nuk ishte një ndihmë për të fituar duartrokitje, por një besim i shprehur në formën e një huaje, me detyrime dhe afate shlyerjeje. Një shoqatë e emigrantëve shqiptarë po mbështeste financiarisht shtetin që ata kishin lënë pas, por që nuk e kishin larguar kurrë nga zemra.

Një mësim që vjen nga historia

Por, a u shlye kjo hua? A e përmbushi shteti shqiptar detyrimin ndaj atyre që i besuan në ditët më të vështira? Kjo është një pyetje që meriton një përgjigje të mbështetur në dokumentacionin financiar dhe arkivor të kohës, sepse besueshmëria e një shteti matet edhe nga respektimi i detyrimeve të tij.

Megjithatë, përtej interesit financiar dhe afateve të shlyerjes, kjo histori ka një vlerë që nuk mund të matet me franga ari. Vatra nuk i dha Shqipërisë vetëm fjalën, penën dhe mbështetjen diplomatike. Ajo i dha edhe besimin financiar, në një kohë kur vetë ekzistenca e shtetit shqiptar ishte në pikëpyetje. Duke qëndruar përpara atij dokumenti në Bronx, mendja të shkon te themeluesit e Vatrës, te Noli, Konica dhe brezat e vatranëve që e kuptuan se atdheu nuk është vetëm vendi ku ke lindur, por edhe përgjegjësia që ke ndaj tij, pavarësisht se ku të çon jeta.

Ndoshta ky është një nga mësimet më të mëdha që na përcjell historia e Vatrës: patriotizmi nuk provohet vetëm kur flet për Shqipërinë, por sidomos kur Shqipëria ka nevojë për ty. Në vitin 1920, Vatra nuk e la Shqipërinë vetëm. Një shoqatë e shqiptarëve në Amerikë i dha hua shtetit të vet. Një gjest që meriton të kujtohet jo thjesht si një episod i historisë së diasporës, por si një nga dëshmitë më kuptimplota të dashurisë dhe përgjegjësisë kombëtare. Sepse Shqipëria e atyre viteve kishte nevojë për para, por mbi të gjitha kishte nevojë për shqiptarë që t’i besonin asaj!

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest