Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Nga Ndue Dedaj: Nga 1900-ta deri në vitet 70-ta, një “polifoto” me dritëhije e mësuesve të Rrëshenit

Aty, në shkollën e Rrëshenit, ishte dhe mësuesi shkodran i historisë, Kin Baql

Nga Pirusti News
4 622 Shikime

Ata ishin personazhe të shekullit të kaluar të një qyteti të vogël, si Rrësheni, aq sa dhe të një krahine të madhe në zë si Mirdita. Punuan në shkollën 7-vjeçare dhe gjimnazin e qytetit. Shpesh hapi i tyre qe deri te porta e shkollës ku jepnin mësim, apo pak metra më tej, te sheshi i qytetit, ku zhvilloheshin tubime folklorike a politike, te skena e Pallatit të Kulturës ku jepnin shfaqje herë pas here (vinin drama në skenë etj.), te fushat e futbollit, matanë përroit të Zmesë, ku dilej përmes një ure të varur teli, kur ende nuk ishte ndërtuar stadiumi dhe Pallati i Sportit.

Ishin vendas dhe nga e gjithë Shqipëria. Rrallë është folur për ta, nuk mbajnë dekorata, por kujtesa e qytetit i ka skeduar për veprën e tyre pedagogjike, në një Mirditë që ende nuk kishte dalë nga jehonat e Rilindjes. Këtë tetor bëhen 120 vite që kur është hapur shkolla e Rrëshenit (1900) nga Dom Mark Vasa dhe 60 vite që kur nisi mësimin gjimnazi, që thirrej “Universiteti i Mirditës”, ku shumë nga mësuesit e tij ishin me njollë në biografi. Kësaj here do të fokusohemi kryesisht tek ata, pasi është bërë “rregull” që arritjet e një shkolle t’i masim së pari me individët që janë bërë ministra, deputetë, drejtues vendorë etj., që sigurisht është dhe ky tregues domethënës i një insititucioni edukimi.

Teksa nisim e rrëfejmë për mësuesit, na vjen ndërmend një episod, që tregohet me humor. Aty nga vitet ’60, dy mësues tiranas emërohen në Mirditë, por njëri e dinte këtë rreth “përtej Kukësit”, ndaj shkon në Ministrinë e Arsimit dhe kërkon të çojnë kudo tjetër në veri, por jo në Mirditë. Zyrtarët e ministrisë thërrasin këtë të Kukësit dhe i thonë, nëse ishte dakord që të vente në Mirditë?… Po, thotë ky përnjëherësh. Rastisi të udhëtonin në të njëjtin autobus, ditën e parë të punës, kur i emëruari në Mirditë, pas dy orësh, u ndal te Ura e Fanit, në hyrje të Rrëshenit, kurse ai tjetri vazhdoi dhe 5 orë të tjera udhëtim deri në Kukës, të përpjetave e teposhteve gjithë lakadredha të Qafë-Malit, duke kuptuar dhe “gafën” që kishte bërë.

Ja, kështu, mes legjendës dhe realitetit, niseshin mësuesit për në Mirditë, duke udhëtuar fillimisht në këmbë, me kalë e së voni me makinë. Në Mirditë kishin shërbyer me vite mësues të mirënjohur shkodranë, qysh nga ata të shkollës së Oroshit (hapur më 1899 nga Abat Doçi), si Dom Zef Marashi, Cin Gurakuqi, të Konviktit “Mirdita” (1926) me drejtor Kol Demën e mësues Ndoc Kujxhinë, Mikel Bytyçin, Kol Margjinin, Sandër Krajën, Zef Tarnakun etj.

Në vitet ’20 e mbrapa, në shkollat e Mirditës, Matit, Peshkopisë, Dukagjinit etj. do të jepnin mësim dhe mësuesit e parë mirditas: Preng Filopati, Mark Legisi, Nikoll Ndoj (Bajraktari), Kol Picaku (i vjetër), Zef Nekaj, Marie Tuci, Pashke Lleshaj, Nikollë Pergjetani, Mark Arapi, Pjetër Toma etj. Nga ish-nxënësit e asaj kohe përmendet me nderim dhe mesuesja pasionante e fillimit të viteve ’50, Lucije Mirdita (Gjonaj), që kishte mësuar në Institutin “Nana Mbretneshe” në Tiranë.

Gazetari Namik Mehmeti kujton se në fillimin e viteve 60: “…ishim jo pak mësues shkodranë, të shpërndarë në të katër anët e Mirditës, duke nisur me veteranët: Rifat Juka, Kin Baqli, Faik Hoti, familje të përsekutuara nga regjimi komunist, si dhe ne më të rinjtë, 20-22 vjeçarët, si Xhelal Haxhi, Fran Çukaj, Ymer Striniqi, Gjovalin Dredhaj, Gjovalin Bajrami, Rudolf Mëhilli etj., të gjithë këta me një cen në biografi”. Mësuesi i devotshëm Rifat Juka, nga një familje e njohur shkodrane, bashkë me të shoqen, Fitneten (gjithashtu mësuese), rronte mes “hijes” së ministrit të kohës së Mbretërisë, Musa Juka, që e kishte xhaxha dhe lavdisë së dëshmores Shejnaze Juka, kushërirës së tij, e cila si antifashishte kishte ndërprerë studimet në Firence dhe ishte bashkuar më formacionet partizane, frymëzuar dhe nga kushëriri i saj Qemal Stafa.

4408i (bashkë me të shoqen, mësuese Terezinën), një aristokrat vërtetë i diturisë, që kishte sjellë dhuratë krejt koleksionin e “Hyllit të Dritës” dhe “Kumbona e së Diellës” për bibliotekën e Rrëshenit. Kini nuk shihej me sy të mirë prej se ishte i vëllai i Dom Aleks Baqlit, ish-profesor i historisë së Mesjetës në Shkodër, autor i një dramë për Skënderbeun, dënuar politikisht më 1946 dhe për herë të dytë më 1976, vit kur Kini do të ndërronte jetë.

Atëherë shkolla tetëvjeçare dhe gjimnazi i Rrëshenit kishin konvikt dhe kryeedukatorin e tij, Gegë Bardhoku, një nga mësuesit e parë të pas Luftës, nxënësit e quanin “Babë Gega”, ndosha rast unik në krejt konviktet shqiptare. E, pra, kur ai e fitoi këtë titull ishte dikund të dyzet vjetët. Ishte i pa Parti, sepse ishte i biri i kryeplakut të Rrëshenit, Bardhok Gjini, një burrë i përmendur i kohës. Dyshja simpatike Kin-Gegë dallohej në qytet për sqimën dhe miqësinë e tyre të shenjtë. Nuk ishte e lehtë për Gegën, në fillim të viteve ’50, të merrte rrugën për të parë në burgun politik vëllain ish-bankier te kolegut të tij, Kinit. Ndoi, i biri i “Babë Gegës”, për një kohë të gjatë dhe ai mësues dhe drejtues i gjimnazit të Rrëshenit, e njeh për majës së gishtave kronikën e shkollës që kur ishte fëmijë dhe sjell mjaft detaje njerëzore nga jeta e mësuesve të viteve ’60 e në vijim. Ai ka bërë dhe disa botime përkujtimore kushtuar shkollës.

Nga Shkodra ishin dhe Bik Pepa e Gjosho Vasia (dy humoristët e njohur), Myseret Kaduku, Isa Alibali, Rrik Baba, Lula Ndoja, Xhabir Shurdha etj. Nga Tirana kishte ardhur mësues letërsie në gjimnaz djali i Gjergj Bubanit, Loredani, që asokohe do të botonte një libër për fëmijë “Poku-poku çamaroku”. Aty jepnin mësim dhe mësues të tjerë të zot të ardhur, si: Pirro Jorgji, Niko Cera, Pandeli Shkokota, Nikollë Rada, krah mësuesve vendas: Prengë Cub Lleshi, Gjergj Nezha, Nikollë Toma, Marie Biba, Mark Jaku, Tom Lleshi, Zef Maca, Gjok Lleshi, Xhelal Marku, Fran Pepa, Luigj Tusha, Gjon Kaçorri, Ndue Leci, Pashke Shurbi, Mëhill Doda, Shtjefën Paçuku, Gjovalin Kola etj. Mësuesit “jabanxhinj” shtoheshin kohë pas kohe, si: Perihan Meta, Dardanesha Andoni, Elida Dekovi, Avdulla Ndreu, Vasillaq Goga, Andrea Nathanaili, Lydra Anamali, Zef Gjopali, Tomor Xhaferi, Margarita Shuke, Zana Lita, Drita Lalaj, Zhaneta Tase, Gëzim Lita, Jozef Zamputi, Odhise Çerkezi, Agron Shkëmbi, Arben Jaho, Bardhyl Pollo, Guri Mançe etj. (Ndjesë për emrat që mund të jenë harruar!) Bujar Ferra, i biri i Konti Ferrës (që jetonte në Itali që nga koha e Luftës), ishte inxhinier ndërtimi në Komitetin Ekzekutiv, por jepte lëndën e vizatimit teknik në Gjimnaz, ashtu si më vonë piktori-skenofraf Lin Loci.
Pas Luftës aksioni kryesor arsimor kishte qenë beteja e sukseshme kundër analfabetizmit, të cilës iu kushtua si askush tjetër Mësuesi i Popullit Ndrecë Ndue Gjoka, më pas shtrirja e arsimit 7-vjeçar e të mesëm.

Në vitet 60 mbaruan arsimin e mesëm pa shkëputje nga puna dhe kuadrot kryesorë të rrethit, që nga kryetari i Komitetit Ekzekutiv, deputeti Bardhok Zogu etj., të cilët mbrëmjeve uleshin në bangat e shkollës. Shkolla e Mesme e Rrëshenit, për disa kohë, ka pasur dhe degët Agronomi dhe Zooveterinari, me mësues dhe nxënës të dhënë pas eksperimentimit bujqësor, që pasi kryen studimet e larta u bënë specialistë të aftë.

2

“Polifotoja” e asaj kohe ka shumë profile të spikatura. Nga mësueset e para, në vitet ’50, ishte dhe një grua me trup të shkurtër, por gjithnjë energjike dhe e përkushtuar për shkollën, Anxhe Zezaj, bashkëshortja e farmacistit të qytetit, Ndoc Zezaj, gjithashtu një nga zotnitë shkodranë hedhur në provincë, prej biografisë jo të mirë. “Zysh Angjia” ishte mësuesja e klasës së parë të qytetit për shumë vite dhe nderohej si e tillë.

“Nëse mësuesit e tjerë përmendën herë pas here, rrallë kush kujtohet për mësuesin shkodran Xhevdet Hoxha, që la klasën ku jepte mësim në Rrëshen dhe u arratis në Jugosllavi, aty nga mesi i viteve ’60”, thotë Ndue Gega. Ndërkohë që Ymer Llugaliu kishte lënë Kosovën, për shkak të regjimit të atjeshëm represiv dhe kishte kërkuar strehim politik në Shqipëri, ku pas kryerjes së studimeve të larta në Universitetin e Tiranës, ishte emëruar mësues letërsie në gjimnazin e Rrëshenit e më pas internuar në Kurbnesh, ku ishte arrestuar për agjitacion e propagandë. E vërteta është se kush erdhi këtu, nga andej, përfundoi në burg politik, ndërsa ata që u arratisën prej këtu për në Jugosllavi, shkuan dhe në Amerikë. Kohë më parë, një grup gjimnazistësh të Rrëshenit, të fillimit të viteve ’70, marrin rrugën për në Podujevë të Kosovës për të takuar ish-mësuesin e tyre Ymer Llugalia, gjë që e kishte bërë dhe ish-nxënësi i tij i klasës së pestë në Kurbnesh, gazetari dhe politikani i njohur Luan Rama. Mësues Ymerit i kishte dalë: zi me “njerkën”, zi me “nënën”…

Fran Çukaj, pasi kishte kryer studimet e larta shkëlqyeshëm në Rumani, në shkencat biologjike, kah fillim i viteve ’60, do të vinte mësues në Rrëshen, duke humbur karrierën universitare në Tiranë apo Shkodër, siç do të thoshte bashkëkohësi i tij, Tonin Alimhilli, për shkak se ishte bërë dhëndër i Mirakajve, me nam si “reaksionarë”. Ai do të bënte në qytetin e vogël: autorin e dramave, aktorin, regjisorin, trajnerin e ekipit të futbollit, kryemetodistin e Kabinentit Pedagogjik të rrethit etj., si mësues i mësuesve, që sillte gjithnjë risi në orën e mësimit. Vetëm pas 90-s nderi i tij i nëpërkëmbur nga regjimi do të vihej në vend, duke e çuar më 1992 ambasador të Shqipërisë në Bukuresht.

Llukmani Kosovrasti, një mësues i ri matematike nga Tirana, qëndroi 16 vite në Mirditë, në gjimnazin e Rrëshenit dhe Teknikumin e Rubikut. Ai mbahet mend për suksesin e tij me nxënësit, fitues i olimpiadave në shkallë kombëtare etj. Na një takim me ish-maturantët e tij të para 45 viteve në Rrëshen, ai thotë: “Arsimin e kam pasur përzemër, kurse mësimdhënien pasion, ku bash për këtë i kam ndejt besnik profesionit”. Profesor Lluka kujton plot episode nga jeta në Mirditë, mes tyre dhe rastin kur kishte lënë në klasë 11 policë të burgut të Spaçit, ku vuante dënimin politik i vëllai i tij mjek, edhe pse gjatë konsultimeve ata shoqëroheshin nga komisari i Kampit, me gazetën “Zëri i Popullit” hapur në tavolinë. Nuk kishte inat me asnjërin, por ata djem nuk arritën të përvetësonin programin në një kohë aq të shkurtër, që të bëheshin me shkollë të mesme, siç kërkohej me ngut nga Komanda e repartit 303. Ky është integriteti i tij moral, dhe pse me rrisk. Sot mund të duket diçka absurde, por mësuesi i matematikës nuk mund të bënte dy kilometra rrugë, nga Rrësheni te Ura e Fanit, ku nëna e tij, ardhur nga Tirana, priste makinë rasti për të shkuar në burgun e Spaçit, ku kishte të birin të dënuar, – thotë nxënësi i tiji dikurshëm, ish – drejtori i Policisë së Tiranës, Pashk Tusha.

Kosovrasti më pas shërbeu për rreh 25 vite mësues në gjimnazin “Sami Frashëri” të Tiranës, i shquar si rrallë kush për besnikëri ndaj profesionit të arsimtarit, duke mos e braktisur atë dhe kur u krijuan mundësitë për të kaluar në detyra të tjera.

Njeriu i çuditshëm Prengë Gjok Prenga, kryeinspektor arsimi, nëpunësi më atipik i kohës, e shihte jetën si të mos kishte rënë “dielli i Partisë” asaj ane nga ecte ai. Punoi gjatë në qytet, por nuk u bë asnjëherë banor i tij. Përditë pas punës merrte rrugën për në fshatin e tij, Fierzë. Ishte një teknicien i arsimit dhe njeri fisnik, që e kundronte botën jo si një zyrtar, por si një “filozof”, që të befasonte me ato që thoshte spontanisht dhe pa dorashka.

 Ishin vitet ’80 dhe në rreth të ngushtë po flitej për një kuadër të rëndësishëm të rrethit, kur Prenga u hodh: “E çfarë ka bërë ai për t’u mbajtur mend? Mos mori ndonjë ndërmarrje ekonomike ta nxirrte nga prapambetja? Gjithë jetën hyn e dil në Komitetin e Partisë!…” Kryeinspektori, sa herë jepeshin përfundimet e kontrolleve nëpër shkolla, që ai vetë kishte kryesuar, e harronte gjithnjë atë slloganin “normativ” për të qenë brenda… “këto suksese janë arritur nën udhëheqjan e Partisë”. Vëllai i tij, profesor Luigj Gjoka, me të vetmin “mik” – rezultatet e larta në Fakultet, u mbajt pedagog matematike në Universitetin e Tiranës, ku punoi deri sa doli në pension. Hija e biografisë i mbante vëllezërit larg diskursit politik të regjimit, të cilit do t’i mbijetonin si shumë të tjerë falë përkushtimit në punë dhe profesionalizmit.

Një zyrtar krejt ndryshe ishte Gjon Lleshi, hokatar i njohur në Mirditë, por dhe në Shkodër ku kishte kryer studimet, që ndihmonte gjithkënd të shkollohej. Ishte zëvendësshef arsimi, por në zyrën e tij hyhej pa trokitur. Edhe pse ishte anëtar Partie, nuk do të bëhej kurrë shef, ngaqë ishte liberal, madje ka pasur ndonjë rast që ka rrezikur detyrën dhe më shumë, prej nderave që bënte. Ka plot njerëz sot në këtë rreth që thonë “shkollën e kam prej Gjon Lleshit”.

Nga radhët e arsimtarëve të atyre viteve, me mirësinë e tij shfaqet në kujtesë Mark Biba, i vetmi shef arsimi që nuk kishte qenë në Parti, historiani Simon Prendi, që do të hartonte maketin e historikut të rrethit të Mirditë, poeti Gjok Beci që do të shkëlqente si autor i teksteve të këngëve në festivalet e Gjirokastrës dhe atë në Radio-Televizion, poeti Prengë Cub Lleshi, që do të diskutonte me kurajo kundra “rrymës” në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972, në argumentim të vlerave të gegnishtes letrare. Jo pak mësues mirditas të asaj kohe ishin me kontribute të shquara në shkallë vendi, si Drane Cara, mësuese e edukimit fizik, rekordmene kombëtare në hedhjen e shtizës dhe një nga parashutistët e para në Shqipëri, kur ishte studente në Tiranë; Haki Halili krijoi ekipin e volejbollit “Minatori”, që u shpall kampion kombëtar, duke qenë ndër krenaritë e Mirditës për gjysmë shekulli; Ndue Ruçi, sampist dhe instruktor sampoje në Tiranë, futbollist dhe mësues i palodhur i edukimit fizik në Rrëshen.

Historia e një shkolle është sa e mësueve, aq dhe e nxënësve të saj. Nuk i shpëtuan luftës politike as disa nga nxënësit e gjimnazit të atyre viteve, ku rastet më të rënda ishin dënimi politik i Fran Lugjës nga Kthella e Epër dhe inxhinierit të pyjeve Nikollë Skana, nga Oroshi, ky i fundit dënuar në vitin 1981 përmes një procesi të bujshëm.
Në Rrëshen, në vitet ’70, kush i internuar e kush jo zyrtarisht, ishin dhe intelektualë të tjerë të (pa)njohur, si shkrimtarja Musine Kokalari, diplomuar për letërsi në Romë, avokati Sabri Quku, diplomuar për jurisprudencë në Torino, mjeku kandidat i shkencave, Ylli Xhaxhika, diplomuar në Bashkimin Sovjetik, ish-pedagogu i Universitetit të Tiranës, Gjergji Gjergo, dhëndër i Beqir Ballukut etj. Lufta e klasave i kishte dhënë qytetit të vogël – kryeqendër e Mirditës – një elitë që do t’ia kishte lakmi kryeqyteti, por që e kishte hapin të ndalur dhe gjuhën të lidhur. Do të duheshin faqe pas faqesh për të bërë profilin e secilit nga ata, ndaj kësaj here po mjaftohemi me një si polifoto të tyre.

-Gazeta MAPO, 31 korrik 2020-

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest