* Prapë fjalët vërshojnë me lumin përposh
Një ëndërr rrëshqanthi tërheqin me osh,
Ndër brigje përpiqet të kapet pas guri
Po llavë e tërbuar dy duart ia zuri.
Në pritjen e agut minutat rëndojnë
Dhe netët e gjata vetvetën shumëzojnë,
Sa nis e beson se sheh pakëz dritë
Nga hiçi ujkonjat ia behën në pritë.
Kur sytë kapin fundin mendon për “ata”
Ku ishin, si humben, asnjë si s’u pa?!
Askush gjë nuk di, të gjithë të pafaj,
Si ra, si u shua, si vdiq fat i saj…
Korrik 2020
……
* Mbushma një gotë
Ta zbraz mendimin
Ti ndez damarët me zjarr të rremë,
Në tym cigareje ta shfryj trishtimin
Ti puth agimet, atje, nën hënë.
Mbushma një gotë
Ta flak mërzinë
Rrëke-në e lotëve ta ter në erë,
E kur kjo kupë t’ma mbushë vetminë
Zbrazma në shpirt të kuqen verë.
Korrik 2020
…..
VALLËZO
Mos pyet sonte për dhembjet!
Lere ujëvarën e lotëve të derdhet,
shpirtin të zbrazet,
gjaku të kullojë pikë-pikë
bashkë me helmet e së shkuarës.
Zhytu në zhurmën e heshtjes
ndiz një cigare,
kthe një gotë plotpërplot harresë
mbyll sytë, dhe…
Vallëzo!
Vallëzo me flladin e mesnatës,
zgjoje qytetin e përgjumur
me një tango hareje,
hapa çmendurie,
ulërima pasioni…
Vallëzo, gjer në dehje
gjer në prehje.
Ndanë udhës së zagarëve
(buzë lumi)
një kor bretkosash
jep koncerte madhështore
natë – për – natë,
Ata, do jenë spektatoret tu,
udhëheqësit tuaj artistikë
të qytetit pa aktorë,
pa teater!
Do jenë melodia e qytetit pa muzikë,
fjala e poetit, që ja vodhen poezinë.
Por Ti, Vallëzo!
Në djall muzika, teatri, poezia…
Tregoji botës sa e lumtur je
mes natës së errët,
në qytetin e të vdekurve
buzë lumit të zi.
Fatmira Loci
…..
Nën simfoninë e muzgjeve
Nën simfoninë e muzgjeve fotografoj çaste
Të paqta, të ndjera, të thella…
Yjet nisin llakaçitjen në ujët e lumit
Formojnë dëshirat tona shumëngjyrëshe.
Kokëulur veshtroj qiellin
Pasqyruar ndër pikëlat e ditës së shkuar,
Si dashuruese e paepur e shfaqjeve të tij.
Ai di t’mi shohe ndjenjat
Të mi përkëdhele sytë
T’mi çele qërpikët e dyllosura lotësh.
Veç ai di të ma ndezë shpresën,
Ani se demonet përgjojnë skutliqesh
Ani se heshtat majeholla synojnë drejt meje
Ani për plumbat që ranë e s’më vranë.
Në buzëqeshjen e thyer vizatoj dhimbjet tona;
Rindërtoj momente
Vajtoi kujtime,
Çast pas çasti
Qartësohem sesa pak dramat ngjajnë.
Mbasi ia zhvesh metaforat territ
Dhe e lë cullak
Hap valsin e lumturisë!
Dhe rrezja e parë lind
Dhe mali i lartë bie.
Qershor 2020
Fatmira Loci
……
Aromë heshtje
Prej kohësh më vijnë zarfe të bardha
Me pullën e heshtjes vënë përmbi,
Fjalëkryqe zymtakesh më dalin para
Në një vjershërim të muzgjeve gri.
Prej kohësh zbardhojnë ditë acari
Të gjata sa jeta që ngjet në mynxyrë,
Nata mbretëron nën heshtje varri,
Ndaj, vetëm Hënën e shoh në fytyrë.
Prej kohësh lexoj romane pa fjalë
(Si një vezhgues pasazhesh në fjetje)
Veç një statujë frymon e gjallë
Aty mesdhomës, me aromë heshtje.
Janar 2017
Fatmira Loci

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

