Kisha që ndodhet në fshatin Kodër Rrëshen, është e vendosur në një pikë dominante nga ku lehtësisht “komunikon” edhe vizualisht me Kishën e Geziqit, Kishën e Malajve dhe të Përlatit. Ishte ndër kishat kryesore të Kthellës ku mblidheshin të gjithë besimtarët e disa fshatrave të që qarkonin Fushën e Lumthit, ku më vonë do të shtrihej qyteti i Rrëshenit.
Kjo Kishë qëndroi në “këmbë” e në funksion të pa ndërprerë deri në vitin 1967, kohë kur rregjimi i kohës nisi ofensivën e njohur kundrejt objekteve të kultit, por edhe të gjitha besimeve fetare. Kisha u shemb në themele, ndërsa Qela u mbajt në gjëndje të mirë dhe afërsist 15 vite më vonë, pasi shërbeu si shkollë fillore për fshatin Kodër Rrëshen dhe infermieri.
Me ndërtimin e shkollës fillore në vitin 1977 në vëndin ku ndodhet edhe sot, Qela u lirua nga proçesi mësimor dhe për disa vite u përdor si magazinë për kooperativën, deri kur ajo u shëmb tërësisht. Pas viteve 90-ta kohë kur ra komunizmi ishte e pamundur ndërtimi i kishës pikërisht në vëndin ku kishte qenë, pasi ndër ishte shtuar perimetri i varrezave. Për këtë arsye Kisha e re u ndërtua në një distancë afërsisht 500 metra nga themelet e mëparshme.
Një kontribut të jashtëzakonshëm për ndërtimin e kishës së re, por dhe për ringritjen e besimit të krishterë e ka dhënë atë Lino Nikolai i cili për vite me rradhë gjatë meshtarisë së Tij u kthye në simbol i urtisë e komunikimit me besimtarët, aq sa edhe 70 vjetori i tij u shënua si ditë e vërtetë feste në fshatin Kodër Rrëshen.
Atë Nikolai kaloi në amshim më 1 tetor 2014, ndërsa do të kujtohet gjatë si prifti human, i cili ndihej shqiptar dhe mirditas me mish e shpirt gjatë gjithë viteve që shërbeu në Mirditë. Ai do të kujtohet për humanitetin e pashoq në shumë aspekte, si prifti që ndërtoi kishën në Kodër Rrëshen, që u kujdes për varrezat dhe disa objekte social-kulturore, por edhe si predikues i saktë për jeten baritore dhe komunitare.
Po cila është historia e hershme e Kishës së Shën Prendes në Rrëshen (Kodër-Rrëshen)?
Historiani mjaft i apasionuar edhe në aspektin kishtar, Julian Vlashaj në profilin e tij, shkruan se Kisha e hershme e Shën Prendes në Rrëshen (Kodër-Rrëshen) përmendet nga relatorët e shek. XVII, XVIII, XIX, etj. Në relacionin e mes shek. XVII (pas vitit 1644), dërguar Kongregacionit të Propaganda Fide, Arqipeshkëvi Mark Skura, ndër të tjera shkruan: “…ka Shën Vlashin, Shën Markun, Shën Prenden dhe Shëlbuemin e Kthellës (Malaj, Kthellë-Epër, Rrëshen dhe Shebe), të cilat kanë ara për të mbjellë, livadhe e vreshta që qesin 50 skudë vjetorë, me të cilët dhe me lëmoshë (dhurime) të tjera mbahen 3 priftën që u shërbejnë. Të nështruemit e tyne janë të lirë nga haraçi turk. Frymë të krishtena janë 2476…”
Fillesat e saj, duhen kërkuar në periudhën e para pushtimit osman. Sipas At Domenico Pasit (priftit misionar italian që vizitoi malësitë e Veriut të Shqipërisë në fund shek. XIX dhe fillim shek. XX); në Rrëshen (Kodër-Rrëshen) ruheshin gjurmët e një qyteze të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Kisha e Shën Prendes, monument me vlera historike dhe fetare, që tregonte më së miri traditën mesjetare të ndërtimit të objekteve të kultit në Shqipërinë Veriore, fatkeqësisht u shkatërrua në vitin e marrëzisë 1967.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

