Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Rikthim në Ranoc të Lugut të Drinit, në familjen e Tomë Milicit, me një histori të spikatur atdhetare

Përgatiti: Aleksandër Ndoja

Nga Pirusti News
8 695 Shikime
SHPERNDAJE

Lugu i Drinit, kjo trevë e njohur etnografike e Kosovës, nis pranë Pejës dhe shtrihet në të dy brigjet e Drinit të Bardhë, deri në lindje të Klinës, buzë kufirit me Istogun. E begatë në ara të pamatshme dhe burime ujore të kristalta, kjo zonë ka qenë ndër shekuj vend i lakmuar nga shumë migratorë, veçanërisht nga treva e Mirditës. Aq e fortë është prania e tyre sot, sidomos në hapësirat e Klinës, sa vendasit e quajnë veten me krenari “Mirdita e vogël”.

Mirditasit që zunë vend në këtë zonë nuk i solli vetëm bukuria e lumenjve dhe fushave. Ata erdhën dhe mbetën këtu si njerëz që dinë t’i dalin zot tokës, historisë dhe lirisë. Ky komunitet u bë pararojë e betejave për mbijetesë — ndaj Perandorisë Osmane dikur, e ndaj bandave kriminale serbe të shekullit XX më vonë.

Lugu i Drinit – zona “tampon” që i dha frymëmarrje luftës së UÇK-së

Në luftën e vitit 1999, Lugu i Drinit mori një rol historik. Zona ishte shndërruar në një “ishull” që forcat serbe përpiqeshin ta izolonin me çdo kusht, për të bllokuar rrugën e armatimit që vinte nga Kukësi e Tropoja drejt Drenicës së pamposhtur. Nëse mirditasit e Lugut të Drinit do të kishin zgjedhur indiferencën, rrjedha e luftës mund të kishte qenë krejt tjetër. Por ata nuk u tërhoqën kurrë.

Fadil Gashi, kryetar i Kuvendit Komunal të Klinës dhe një nga komandantët më aktivë e më të shkolluar të UÇK-së, kujton se në Ranoc—në kullën e fisit Milici, ardhur nga Xhuxha e Fanit janë strehuar dhe trajtuar deri në 1000 ushtarë të UÇK-së, të cilët niseshin drejt vijave të frontit.

Emrat që mbetën në altarin e lirisë

Nga kjo trevë dolën dhjetëra burra që e vunë veten në shërbim të çlirimit të Kosovës. Midis tyre qëndron gjallë legjenda e UÇK-së Anton Çuni, ndërsa shumë të tjerë dhanë jetën në luftë ballore me forcat serbe:

Kol Gjon Lleshi, Tunë Mark Lleshi, Zef Memë Lleshi, Zef Prend Lleshi, Gaspër Karaqi, Mark Pal Paluca, Leonard Paluca.

Të tjerë, po aq të rëndësishëm, u angazhuan në transportin ilegal të armatimit nga Shqipëria drejt zonave të luftës. Emra të njohur të kësaj veprimtarie janë:

Pjetër Gjergjaj, Simon Rrapi, Leonard Gjergjaj, Gjergj Mirditaj (kushëriri i Kol Mirditës), Martin Selitaj, Pal Zef Mirdita, Agron Jaku, Kolë Zymi, Pashk Zymi, Gjergj Simoni, Filip Simoni, Pashk Kola, Pjetër Tanushi, Zef Përnokaj, Gjon Përnokaj, Gaspër Lazri, Albert Lazri, Ndue Ndreca, Gjokë Selmani, Anton Selmani, Nik Ndreca, Arben Kabashi, Anton Lleshaj, Bekim Quni, Pashk Palushaj, Nikë Frroku, e të tjerë.

Edhe kjo kategori vepronte nën rrezik të vazhdueshëm; shërbimi sekret serb monitoronte çdo lëvizje. Në një prej sulmeve me granata humbi jetën dëshmori i kombit Kol Mirdita.

Tomë Milici – mësuesi që u bë shtyllë e rezistencës

Në mesin e tyre spikati një figurë e jashtëzakonshme që luftoi pa armë, por me një ndikim të jashtëzakonshëm: Tomë Milici, mësues, patriot dhe aktivist i palodhur.

Lindur më 1 janar 1958 në Ranoc, me rrënjë të hershme në Fan të Mirditës, Toma vinte nga një familje me tradita të larta atdhetare. I njohur për edukatë qytetare, oratori, guxim intelektual dhe aftësi për mobilizim, ai u rreshtua që herët në krah të lëvizjes për liri dhe pavarësi.

Gjatë okupimit serb, Tomë Milici ishte ndër figurat më të përkushtuara të LDK-së. Ai drejtonte aksione solidariteti, mbronte shkollën shqipe, krijonte kushte për nxënësit dhe mësuesit e “Luigj Gurakuqit”, strehohej të përndjekurit dhe ndihmonte popullatën e zonave të luftës. Në shtëpinë e tij gjetën mbështetje shumë familje të zhvendosura nga Mitrovica.

Edhe pasi vetë u përndoq me dhunë nga shtëpia, ai nuk e braktisi Kosovën. Pas luftës u zgjodh anëtar i Asamblesë Komunale të Klinës, ku vazhdoi kontributin për rindërtimin e vendit.

Edhe në ditët e fundit të jetës, i sëmurë rëndë, ai organizoi një akt bamirësie duke dërguar libra dhe mjete shkollore në Fan të Mirditës. U nda nga jeta në gusht 2019.

Nderimi i vonuar për një jetë shërbim

Akademia e Artit, Shkencës dhe Letrave “Mirdita” i akordoi Tomë Milicit titullin e lartë “Ndrec Ndue Gjoka” për kontributin e jashtëzakonshëm në arsimin dhe çështjen kombëtare. Ceremonia u mbajt në Ranoc, në prani të familjarëve, banorëve të fisit Milici, si dhe figurave publike të Klinës.

Në këtë aktivitet morën pjesë: z. Fadil Gashi, kryetari i Kuvendit Komunal të Klinës; nënkryetari Besim Hoti; ish-kryetari Prenk Gjetja; studiuesi dr. Nikoll Loka; përfaqësues të arsimit dhe të Akademisë “Mirdita”: Pjetër Marku, Aleksandër Ndoja, Kastriot Kola (Milici), Dod Ndreca, Murat Ajvazi dhe Dan Ibrahimi.

Fjalimet evokuan jetën, veprën dhe sakrificat e Tomë Milicit, ndërsa në sfond kumbonin këngët e Kastriot Kolës që përcillnin historinë e kullës së Milicëve dhe kontributin e tyre në trojet shqiptare.

Një vlerësim i veçantë iu akordua edhe Dom Ben Zymit, prift nga Ranoci që ka shërbyer për shumë vite në Mirditë, për rolin e tij në forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Ceremonia u mbyll me lutjen e përbashkët që mirditasit, pavarësisht kufijve, të mbeten gjithmonë së bashku. Në përfundim, delegacioni i Akademisë “Mirdita” bëri homazhe pranë bustit të Anton Çetës në qendër të Klinës.

Përgatiti: Aleksandër Ndoja
Klinë, 30 maj 2021

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest