Sociale, Zaptuesit e bregdetit. Nga Fatmira Loci, poete.

Nga Pirusti News
6 302 Shikime

Parelinjtë na tallin ne (se iu dukemi fakira) që s’kemi 500-700 lekë me pagu një çadër me dy shtretër plazhi! “Me u rrezit tamam për qejfi! Jo me u zhgërry si derrat në ranë”. – Dhe pse, ne veç hapësirën do donim t’mos na e zaptonin.

Parelinjtë na përqeshin ne kur nuk pranojmë të punojmë për paga qesharake, që përpiqemi të kërkojmë të drejta, që flasim për kontrata pune, që përmendim ligje, dhe pse i dimë që janë veç shkresurina, inekzistente… Ata gajasen, palohen, meken, shkrihen krejt nga të qeshurat, kur dëgjojnë “pretendimet tona idiote”.

Parelinjtë ofrojnë kushte minimaliste (me të lujt tepeleku për shekullin që jetojmë!), shërbime skandaloze, për pushuesin, ama me i lexu rregulloret që u venë nëpër dhoma, thua je në birucë të burgut! (Ndëshkohesh për këtë, gjobitesh për atë!) Jo se ke vajt për pushime që i paguan si të qenë luks i shfrenuar.

Parelinjëve po u përmende ligjin, të thonë “të dhj… ligjin”! – Dhe koha po na dëshmon se e kanë dhjerë me kohë, se kot nuk endemi mes gjithë këtyre pasigurive.

Punojmë për ta dhe nuk paguhemi sa duhet. (Paga sezoni 30.000 -40.000 lekë, me 9-10-12 orë në ditë! Sa për pushim, dihet që sezoni nuk ka!)

Punojmë dhe nuk respektohemi për punën që bëjmë. Gjuha tyre nuk është as fajëmadhe as ironike, se nuk i kanë ato kapacitete, por është gjuhë arrogantësh, të paditurish, injorantësh, analfabetësh, gjuhë hajnash, gjuhë gjakpirësish.

Tani nuk është aspak çudi që ata vrasin njëri-tjetrin për një shezllon.

Problem është se ne po vritemi përditë prej tyre. Problem është se ne po braktisim vendin tonë dhe po ua lëshojmë atyre.

Problem është se ne jemi aty, duke punuar për ta, dhe nga çasti në çast mund të na pritet jeta në mes. Se ëndrrat po na i vrasin përditë nga pak, po ne s’po bëzajmë. Kemi përvetësuar çuditshëm artin e heshtjes.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest