Profil njerëzor. Llesh Ndue Duka i Përlatit, një martir i një kohe të çuditshme.

Preng Duka rrëfen mbi të pathënat për babain e tij, që e kapi neni 55, kur po dilte në pension.

Nga Pirusti News
2 717 Shikime

Nga Aleksandër NDOJA  

Prenga është një qytetar i zakonshëm i këtij qyteti. Ka një pamje disi të sertë dhe në moment të parë, për ata që nuk e njohin më herët, jep përshtypjen se ka “konflit” me ambientin që e rrethon. Në fakt pasi ke qëndruar pak minuta me të, vëren pa vështirësi se përtej atij “tis-i sipërfaqësor” është një njeri krejt tjeter, i urtë, punëtor, i qetë, bujar dhe komunikues për çdo detaj. Është e habitshme metamorfoza e njeriut i cili lind dhe rritet normal, por pas një traume të gjatë shkaktuar nga një rregjim despotik, përfton reflekse të tilla të cilat janë ngulitur në vetëdijen e tij, edhe pse kanë kaluar 30 vite. Është e vështirë fillimisht ta fusësh në bisedë për historinë e së kaluarës e cila nuk  ka qënë aspak e drejtë me të dhe familjen e tij.

Edhe pse është i heshtur, ka aq shumë për të rrëfyer. Kur gjëndesh përballë situatave dhe njerëzve të tillë, të vjen keq se si, lukunia e komunistëve me krime monstruoze mbi shpinë, me të ndjerë erën e demokracisë, u turrën me shpejtësi për të hyrë në “solucionin pastrues politik”, për tu shfaqur të veshur me veladonin e “njeriut të ri”, ashtu siç është ndërtuar aq saktë në skenarin e filmit “Vdekja e Kalit”. Kjo bëri që kjo klasë e përvuajtur qytetare të mos njohin “shërim”, në masën e duhur, duke u mjaftuar me të drejtën e fjalës, apo ndonjë benefit të zakonshëm, shumë larg asaj që duhej për të kompensuar sadopak dramën e shkaktuar në vitet e diktaturës.

Preng Duka në një moshë krejt të re, sapo kishte mbaruar shërbimin e detyrueshëm ushtarak, teksa i duhej të mendonte për startin e ri të jetës, i është dashur të përballojë mbi supet e tij cilësimin shumë të rëndë për kohën, bir i armikut të popullit. Me të njëjtën “damkë” të padrejtë u cilësuan edhe vëllezërit e tij Antoni më i madhi, Gjoni dhe Agustini, por dhe tre motrat e tyre Mrika, Martja dhe Kristina.

I ashtuquajturi sigurimi i shtetit, nuk kishte hezituar t’u arrestonte publikisht babain e tyre Llesh Ndue Duka, i cili edhe pse në moshën 63 vjeçare, kohë kur duhej të plotësonte letrat për të dalë në pension, bie në pranga. Pas arrestimit të babait të tij, Prengën e heqin nga puna e shtetit, si saldator pranë SMT (Stacioni i Makinave dhe Traktorëve) për të përfunduar për 8 vite me rradhë në kooperativë bujqësore të Përlatit, ku edhe banonte. Akuza për babain e tij ishte shumë e rëndë, por e ndërtuar aq trashë sa as vetë gjykata nuk ka mundur të dënojë me dënimin kapital siç kërkohej, por me 20 vite burg. Akuza fokusohej në një ngjarje të ndodhur 30 vite më parë, për pjesmarrje direkte apo indirekte në vrasjen e Shkurte Carës, që më pas rregjimi komunist do ta shpallte dëshmore. Natyrisht vrasja e një gruaje ishte ngjarje e rëndë, por ta kërkosh “bashkëpunëtorin në vrasje” 30 vite me vonë, kur shumë të tjerë kishin marrë dënime të rënda në kohën që ndodhi, ishte e pa konceptueshme për askënd, as për gjykatën. Madje në shenjë hakmarrje për atë vrasje ishte varur djali i dajës, në moshën 19 vjeçare në Qafë Kishës, i quajturi Ndue Arapi, ndërsa u dënua me vite të gjata burgimi edhe babai i tij, Preng Gjok Arapi.

Megjithatë dënimi u dha.  “Armiku i popullit” në moshë pensioni u degdis në burgjet e Ballshit, Shënkollit e Sarandës, për të dalë prej këtij ferri vetëm në vitin 1991 me rënien e komunizmit, pasi kishte mbushur 77 vjeç. Ndërsa Prenga dhe vëllezërit e tij, Antoni, Gjoni dhe Agustini, por dhe tre motrat e tyre Mrika, Martja dhe Kristina, për 14 vite me rradhë mbanin mbi super damkën e rëndë, si bij të armikut të popullit e partisë.

Po si i kujton këto ngjarje i biri, Prenga, ngjarje që kishin zënë fill më herët, por u finalizuan në vitin 1977, aje në mes të popullit, në sheshin kryesor, ku sot ndodhet Kisha e Përlatit.

Si e kujtoni momentin e arrestimit të babait tuja në atë moshë në prag pensioni?

Kisha përfunduar ushtrinë dhe kisha nisur punë në “SMT” si saldator. Atë ditë po punoja poshtë shtëpijave tona, në vëndin e quajtur “Livadhi i turkut”. Ndërmarrja e kohës na çonte për të eleminuar defekte në mjetet bujqësore, kudo ato ishin në punë. Këtë rradhë unë po saldoja në një traktor që kishte këputur një pajisje teksa punonte në arë. Pra në momentin e arrestimit nuk kam qenë present, dhe as nuk dija gjë.

Si e more vesh dhe nga kush e mësove arrestimin?

Teksa punoja në atë traktor më vjen një punonjës policie dhe më drejtohet me fjalet; “Je i mirë apo i keq”. Unë ula masken e saldimit dhe i them, mesadi i mirë jam. Ai u largua, por mua kurrë nuk më shkonte mendje se çfar kishte ndodhur.

Nuk vonon shumë dhe vjen aty me vrap vëllai im. Më thotë, hajde urgjent, kanë arrestuar babën dhe policia po kontrollon shtëpinë. Duan të hapin valixhen tënde por nuk po munden. I shqetësuar sa nuk thuhet, u nisa në shpi. Policia kishte ikur, pa e hapur valixhen, pasi ishin bindur se nuk kishte asgjë që mund ti shërbente akuzës.

Në shpi mësova se si atë ditë ishte dhënë kushtrimi që i gjithë Fronti i Fshatit të ishte në mbledhje. Aty u kërkua që në këtë mbledhje të ishte edhe baba im, megjithëse atij nuk i takonte, se kohë më parë i kishin hequr të ashtuquajturën “triska e Frontit”.

E kishte marrë fjalën krej shkurt një sekretar i komitetit të partisë në rreth, i cili ishte shprehur direkt se, mes nesh ka armiq të partisë e popullit. I tillë është Llesh Ndue Duka, ndërkohë ende pa e përfunduar fjalën, i ishin hedhur prangat dhe e kishin nisur për në Rrëshen.

Sa qëndroi në hetuesi, dhe çfarë ke mësur rreth këtij hetimi.

Në hetuesi ka qëndruar për 7 muaj më rradhë. Di që janë përdorur shumë lloje makinacionesh për ta implikuar në atë vrasje për të cilën nuk ka pasur asnjë lidhje. Thjesht sigurimi mundohej të bënte lidhje me faktin se baba im ishte nip te fisi i njohur i Arapit në Zajs, ku edhe kishte ndodhur vrasja e asaj.

Ku u zhvillua gjyqi dhe si e kujton atë ditë?

Edhe gjyqi njëlloj si edhe arrestimi u zhvillua në mes të katundit, përpara njerëzve dhe shumë dëshmitarëve, që sot nuk e di nëse u skuqet faqja për çfar mizorie i gatuan familjes time.

Ju a’ ishit prezent në seancën popullore, “gjyqësore”?

Jo. Unë isha me punë shumë larg nga fshati, tashmë kooperativist. Isha çuar me punë ne zonën e Kurbneshit, qëllimisht për të mos qenë prezent aty. Por më vonë mësova të gjithë teatrin e asaj dite, dëshmitarët dhe drejtuesit e seancës. Pikërisht në atë gjyq popullor babai im, mori dënimin e rëndë, 20 vite burg për “agjitacion e propagandë” sipas nenit të njohur 55, edhe pse kishte mbushur moshën kur do dilte në pension.

Ku e çuan për të kryer dënimin?

Fillimisht në Ballsh, pastaj në Shënkoll, për ta përfunduar në Sarandë. Distanca ishte mjaft e gjatë për të shkuar, e për ta parë. Duheshin ditë muaj, e vite pamundësie, për takime. Megjithatë shkonim e takonim sipas mundësive, kryesisht vëllai i madh, Antoni.

Sa vite qëndroi në burg dhe si trajtohej për shkak të moshës?

Në burg ka qëndruar plot 14 vite, nga viti 1977 kur u dënua, deri në vitin 1991, në moshë të thyer 77 vjeçare, kur ndryshuan rrjedhat politike e u liruan të gjithë të dënuarit politikë. Në burg ai kurrë nuk ka punuar, për arsye të moshës. Thjesht mbahej në burg dhe kaq.

Si e kujton lirimin e tij, pra referuar dënimit 6 vite para përfundimit?

Situata ishte mjaft kaotike, nuk po merrnim vesh çfarë po ndodhte, kur na mbërrin një telegram. Ishte baba, i cili shkruante se ndodhem në “Qafë Gjashtë Sarandë”, por ju fëmijët e mij duhet të më prisni në Laç, pasi kishte zgjedhur të vinte deri aty me tren. Familja ime doli e priti në Laç, për ta sjellë pranë banesës në Përlat Qendër, 14 vite pasi ishte larguar me pranga në duar.

Pas kësaj çfar ndodhi, si u prit në fshat lirimi i tij. Po shpura që dikur kishte “duartrokitur” arrestimin e tij, çfar qëndrimi mbante?

Na erdhën shumë miq dhe vizitorë për të uruar daljen nga burgu të tij. Kanë ardhur jo pak edhe nga ata që direkt apo indirekt kishin ngjyer gishtin në atë maskaradë kriminale ndaj familjes tonë, 14 vite më parë. Por dukeshin të penduar dhe përsërisnin papushim se ishte koha e tillë, na kanë detyruar etj, etj.

Pas daljes nga burgu në 1991, me çfar u muar babai juaj, dhe si e kalonte ditën?

Si të gjithë njerëzit në atë kohë, u angazhua shumë me Shoqatën e Përndjekurve Politikë, me ish-kryetarin Gjon M. Ndoj dhe të tjerë, deri në dhjetorin e vitit 1997.

Pse e theksoni këtë datë, çfar ndodhi dhe si e kujtoni?

Ishte koha kur ndërroi jetë në mënyrë natyrale, në moshën 83 vjeçare. Dua të bëj një kontrast me kohën kur u nda nga jeta nëna ime. Ajo kaloi në amshim në vitin 1985, kur baba im ishte në burg. Nënën time e kemi çuar në varreza vetëm 13 veta, pjestarë të ngushte të familjes time. Ndërsa për babain u rezervua një përcjellje e jashtëzakonshme. Pjesmarrja në atë ceremoni përcjellje ishte e jashtëzakonshme. E gjithë kodra në lagjen tonë në Përlat ka qenë e tejmbushur me njerëz. Ishte një reflektim i jashtëzakonshëm, ndoshta me këtë u kompensua edhe mungesa e madhe në rastin e nënës time.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest