Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Legjenda e futbollit me nr.10 Gjon Gjeçi, sulmuesi i internuar i Minatorit që gozhdoi Perlat Mustën

Si udhëheqja e kohës i grabiti vilën në Sauk, për ti vendosur në një kazerme dërrase në Rrëshen

Nga Pirusti News
4 441 Shikime

-Aleksandër NDOJA-

Gjon Gjeçi është një pensionist që shëtit zakonshëm rrugëve të qytetit Rrëshen. Është ndër të paktët raste në Shqipëri që vjen i internuar në këtë qytet në moshën 9 vjeçare, ndërsa po këtu jeton dhe sot prej ati viti të mbrapshtë për familjen e tij, vitit 1957. Ishte viti kur një makinë me karroceri e kohës e merr nga vila e tyre në Sauk të Tiranës, për ta zbritur para ish-degës së punëve të brendshme sëbashku me nënën, vëllain Nikollin, hallën dhe asokohe dy motra, por pa babain Geg Gjeçi, të cilin e kishin arrestuar. E ndërsa në vilën e tyre u vendos Kadri Hasbiu, për familjen Gjeçi u rezervua një dhomë në një ndërtesë kolektive prej dërrase me koridor të gjatë siç përsërit ai, me një tualet që shërbente për shumë familje, në fund të këtij koridori.

Por shumë pak njerëz dinë historinë e rrallë të familjes së Gjon Gjeçit, atë e kujtojnë si sulmuesin me nr 10 të “Minatorit”, sulmuesin e jashtëzakonshëm të kohës, me ftesa të dedikuara nga ekipet të mëdhenj si “Partizani” e “Vllaznia”, por i penguar nga e drejta për ta kaluar “urën e Fanit”. Ndoshta kjo është në dukje arsyeja që teksa ecën rrugëve me një qetësi olimpike, një sy i vëmendshëm mund të konstatojë se pamja e tij gati mistike ka shumë për të thënë e treguar. Mjafton një “idicio” pas një përshëndetje në rrugë, për ta rikthyer në brazdat e hershme të kujtesës.

Gjoni ish-futbollisti ndër më të shquarit e atyre viteve me një buzëqeshje krejt të brishtë e të sinqertë, të flet papushim për jetën e tij, për ngjarjet ndër vite, vështirësitë dhe sukseset e mohuara, por edhe kohën tashmë në pension.

-Intervista-

Z. Gjon, le të nisin nga fillimet. Ju jeni me origjinë të hershme nga fshati Gëziq, fshat në periferi të Rrëshenit, ndërsa në qytet ishit me statusin “i internuar”. Si duhet kuptuar kjo?

Po, e drejtë. Të parët e mij e kishin lënë shumë herët Gëziqin dhe kishin ndërtuar jetën në Sauk të Tiranës, një shtëpi që e kishin blerë që nga koha e Zogut. Pra ata ishin vendosur në Sauk dhe kjo kishte shumë vite, aq sa në Gëziq nuk kishte mbetuar asgjë. Me punën e tyre kishin mundur të blinin një vilë për banim, në një vend mjaft të rendësishëm, shumë afër me pallatin e Mbretit Zog. Në këtë vilë kemi banuar deri në vitin 1957. Pikërisht këtë vit jemi marrë pothuaj forcërisht dhe jemi sjellë ne Rrëshen, në një barakë me dërrasa, ku jetonin shumë familje. Për ne ishte rezervuar vetëm një dhomë. Ishte nëna me katër fëmijë dhe halla, pasi babain e kishin arrestuar përpara se të na nisnin ne për në Rrëshen.

Ti siç thua ke qenë 9 vjeç, pra fëmijë dhe s’mund të dije asgjë. Më vonë ke mësuar të vërtetën, sidomos pas rënies së komunizmit. Cila është ajo?

E vërteta ka qenë se të parët e mij e kanë mbështetur lëvizjen nacionaçlirimtare me mënyra të ndryshme. Pakkush nuk mund të parashikonte asokohe se çfar në fakt ishte kjo, prandaj pati mbështetje masive. Kjo u vlerësua fillimisht nga pushteti i sapo vendosur, por jo për shumë gjatë.

Si e konideroni  “kthesën” ndaj jush, apo mundet që vila në një pikë kaq të lakmur në atë kohë mund të kishte ra në sy?

Siç thashë në fillime kishim mbështetje nga pushteti i kohës, pasi në kuadër të mbështetjes së luftës, një xhaxha i imi i cili kishte talent në dizanjim, i kishte realizuar disa dokumenta me identitete të ndryshme vetë E. Hoxhës, për të mos ra në duar të italianëve. Kjo ishte velerësuar nga ai dhe pak para se të niste kalvari ynë, na edhi në shtëpi për vizitë.

Si ndodhi kjo, çfar mund të na thuash?

Po e vërtetë, madje siç më kanë thënë të familjes mua më ka marrë në krahë. Pak para se të na internonin, ka ardhur i shoqëruar me Haxhi Lleshin, Mehmet Shehun, Kadri Azbiun, dhe me Destan Metën, shoqërues i Haxhi Lleshit që më vonë erdhi familjarisht në Rrëshen dhe ka punuar si oficer në degë. Pasi kanë bërë vizitën kanë dalë në oborr duke i shoqëruar babai im Gega. Në një moment Enveri i është kthyer dhe i ka thënë se nuk ke bërë mirë që ke pritur në banesë dikur edhe gjeneral Prenk Përvizin, që është një tradhëtar dhe armik i rrezikshëm. Babai ashtu shpengueshëm me idenë e mikpritësit i ka thënë se nuk e dija se do dilte armik. Ja edhe ndokush nga ju mund të dalë nesër i tillë, por unë ju prita si miq. Kjo shprehje duket se nuk është përtypur, ose është përdorur si shkak për sulmin që na u bë.

Nuk vonoi shumë dhe nisën sulmet. Babai u arrestua, ashtu edhe xhaxhai Ndue dhe gjyshi Lleshi, ndërsa ne u transferuam të gjithë në Rrëshen, për tu paraqitur çdo ditë para degës së brendshme. Duhet të theksoj se Destan Meta që ishte në atë vizitë fatale për famijen time si shoqërues i Haxhi Lleshit, u habit që na kishin internuar ne Rrëshen dhe gjatë gjithë kohës është munduar të na përkrahte me aq mundësi sa kishte.

Në Rrëshen nisët një jetë tjetër, të vështirë. Ti vazhdove shkollën. Çfar mund të thuash më tej.

Di që atë vit e humba klasën e dytë se ardhja këtu pati konseguencat e veta. Por vijova vitin tjetër dhe mësoja shumë. Isha nxënës që kurrë nuk merrja poshte notës 9-të, por më shumtë 10-ta, përveç lëndës së “marksizmit”.

Mos do thuash se këtë lëndë e urreje?

Jo, nuk e di nëse e urreja apo jo, por di që e mësoja më shumë se çdo lëndë tjetër. Por mësuesi gjithnjë më vendoste notën 7-të. Natyrisht kjo ishte porosi për të na shmangur me “lezet” nga shkollimi i lartë, pasi ishte kusht që në këtë lëndë të kishe notën 8 e lart.

Biles do ju them një episod. Kur po mbaronte viti shkollor, pra ishte ora e fundit e marksizmit, mësuesi me çon në dërrasë për të shkruar mësimin e kaluar. Unë duke e ditur mirë se do çohesha në mësim dhe se ky mësues kërkonte ose mësimin e ditës, ose mësimin e kaluar, kisha përgatitur një kopje, në të cilin kisha shkruar fjalë për fjalë mësimin, madje me shenja pikësimi. Mësuesi pasi e pa, direkt më tha ulu në vend, ke notën 7-të.

Duke e ditur se ishte ora e fundit dhe nuk kishte çfarë më bënte, i them mësuesit, shoku mësues notën 7-të e meriton libri jo unë, se unë çdo fjalë të librit kam shkruar në dërrasë. Edhe në provimin e lirimit, megjithëse isha shumë i përgatitur, ky mësues nguli këmbë para komisionit që të merrja 7-të, pasi këto ishin notat që kisha marrë gjatë vitit. Këtu u vulos përfundimisht që unë të mos shkoja në shkollë të lartë, qoftë për mësues fiskulture që ishte për tre vite.

Po me babain tënd, Gegën çfarë u bë?

E liruan nga burgu pas 7 vitesh dhe erdhi pranë familjes në Rrëshen. Punoi si lulishtar këtu derisa doli në pension. Solli në jetë edhe katër fëmijë të tjerë. Bashkëkohësit e kujtojnë vëllain e madh Nikollin që punoi gjithnjë bojaxhi në Ndërtim, por edhe motrat Roza, Landa, Frida, Eva, Donika, Brixhilda Gjeçi.

Le të kthehemi te fiskultura dhe sportet. Kur e konstatuat se do ishe dikushi në sport?

Isha fëmijë dhe luanim me top prej lecke. Aty teksa mbushja 12 vjeç nisi pasion i fortë dhe teksa rritesha, shkoja të ndiqja stërvitjet, por edhe ndeshjet e ekipit të “Minatorit”, ndeshje që asokohe bëheshin në një fushë afër lumit Fan i Vogël, poshtë kullës së Preng Përgjetanit. U afroja topin, por ndodhi që traineri shkodran, i paharruari Mustafa Topçiu filloi të më fuste të stërvitesha me ekipin, falë edhe mësuesit Xhabir Shurdha.

…dhe këtij mësuesi shkodran, besoj në vitin 1965 ja dedikoni realizimin e kësaj ëndrre?

Padyshim, ky ishte traineri që më futi fillimisht të stërvitesha, më vonë më mori zyrtarisht pjesë të ekipit, duke me dorëzuar bluzën me nr 10 dhe pozicionin e sulmuesit. Kjo më vendosi para përgjegjesishë të mëdha. Dhe rezultati erdhi papritmas. Në një kampionat ku janë shënuar 37 gola, 28 prej tyre janë shënuar nga unë. Fjala mori dhenë aq sa ekipet, kundërshtare por më shumë tifozeria, kur u shkonte “Minatori”  në derë, pyesnin, a ka ardhur ai 10-shi. Biles u bë kryelajm sportiv, kur unë në një ndeshje me Partizanin, arrita ti bëj një gol spektakolar, nga distanca, legjendës Përlat Musta.

Në pushim të ndeshjes ishte lojtari zëmadh Safet Berisha që i thotë Panos, si e hëngre atë gol, nga kaq larg…ky në nxehtësi e siper thotë, a përballohet ky maloku…në fakt Musta pas kësaj këmbënguli të bëja një foto me të, ndërkohë që nuk vonuan shumë ditë kur me erdhi njoftimi se Partizani, por edhe Vllaznia kërkonin me ngut që unë të bëhesha pjesë e ekipeve të tyre.

Ti refuzove…..

…qesh, jo ishte ëndërr për mua, por kush më lejonte. Ishte biografia që më kishte izoluar këtu dhe nuk kisha asnjë mundësi. Të them të drejtën me vinte habi se gjithë këto gola që bëja, në asnjë rast në analiza apo raporte nuk më përmendej emri kurrë se isha unë ai që i kisha realizuar, por ekipi.

Si i kujton ndeshjet dhe lojtarët, me kë keni bashkëpunuar më shumë?

Kujtoj plot nostalgji ndeshjet me Laçin, Burrelin, Kukësin, Librazhdin, Peshkopinë etj etj. Kishim krijuar një ekip të frikshëm me lojtarë si Elez Kasemi, Preng Tusha, Gjon Ndoka, Lad Pashai, Preng Jushi, Lorenc Lala, Selman Karaj, Bilbil Ciro, Alsid Mirashi, Ndue Gega, Gjovalin Kola e shumë të tjerë.

Ndërkohë që luaje me ekipin, ku punoje dhe çfar trajtimi kishit?

Fillimisht kam punuar si xhenerik në PAM (Parku Automobilistik i Mallrave), por pas dy vitesh kalova si bojaxhi për automjetet e këtij parku. Kisha dorë në këtë fushë, aq sa shpesh na merrnin me urdhër edhe për të shkruar parulla nëpër qytet apo ndërmarrje të tjera. Kishim një normë ushqimore që e konsumonim me listë emërore në turizmin e qytetit.

Si pritej loja jote nga tifozeria vendase?

Duhet pranuar se ekipi kishte tifozeri të zjarrtë. Habiteshim shumë kur i shikonim që mbërrinin para nesh në fushat pritëse jashtë rrethit, por edhe mbështetje e jashtëzakonshme ne fushën tonë e cila më vonë u zhvendos aty ku sot është stacioni i trenit.

Dhe kësaj historie, asaj të futbollit një ditë do i vinte fundi. Si e kujtoni?

Si mos me keq. Di që ndeshja më e fundit e imja ka qenë në Rrëshen me ekipin e Skraparit, në vitin 1983. Mbaroi ndeshja dhe dorëzova fanellën time. Ishte fundi i kampionatit në pranverën e vitit 1983, pas 17 vitesh ndeshje pafund, fitore e zhgënjime. Dhe ajo çfarë dua të them ishte se u bë një largim i beftë, as falenderim e larg qoftë ndonjë ceremoni sado modeste. Thjesht u largova ne punën time, pasi koha mbaroi dhe unë nuk mund të përballoja më tej lojën e fortë që bëja deri atë ditë.

Më tej, çfarë u bë me ty, ku punove?

Aty ku isha, në park. Kisha krijuar familjen dhe duhej të punoja. Punova deri në vitin 1992 kur parku u shua. Demokracia kishte ardhur ndërkohë, por nuk mund të gjeja vend pune. Pasi punova dy vite në komunale, mbeta 11 vite pa punë. Po me rrezikohej pensioni, ndërkohë më thërret mësues Ndue Gega që u bë kryetar bashkie. Ai me kujtoi kohën kur luanim bashke futboll, ndërsa më tha nesër duhet të paraqitesh në punë, në bashki. Punova disa vite në sektorin ndihmës deri kur dola në pension.

Po pasi hyri demokracia, çfarë u bë me banesën tuaj që patët lënë në Sauk. A keni bërë përpjkje për njohjen e saj?

E kotë, jemi marrë shumë. Për shumë kohë ka shërbyer si vilë qeveritare për Kadri Azbiun. Më vonë nuk di çfar është bërë me të. Nuk gjendet asnjë letër në arkiva dhe askund. Duhet ta kenë shëmbur dhe varet se çfar është bërë me atë truall. Eshtë e kotë, ndaj kemi shuar çdo përpjekje.

 

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest