Nga Preng Maca.
Atë dimër kishim një mik të veçantë në shtëpinë tonë, një zog,vendosur në një kafaz afër dritares së kuzhinës.
Dimri i kaluar kishte qenë i egër. Harabelat ishin të vetmit zogj që nuk e braktisnin vendin në dimër.
Një harabel,i ngrirë nga të ftohtit, kishte hyrë në koridorin e përbashkët, atë dimër që dukej, se nuk do të kishte të mbaruar. Im atë e kishte gjetur, thuajse pa jetë. Kishte shpëtuar për fat. Ne ishim bërë me një zog në shtëpi.
Ai hidhej nëpër kafazin, që kish ndërtuar im atë, u mësua e familjarizua aq shumë me ne. Ishte miku ynë. Ne flinim e zgjoheshim nën cicërimat e tij të shpeshta. I hidhnim thërrime buke dhe ai na i merrte thuajse nga duart tona të vogla. Gjithë fëmijët e paktë në qytet e dinin se ne kishim tashmë një harabel në shtëpi. E ndjeja veten të pasur.Kisha diçka që nuk e kishte askush, miqësinë e një harabeli që ia kishim shpëtuar jetën.
Dimri shkoi, erdhi pranvera. Ishim në fillim të pranverës e babai na mblodhi e na tha në mbrëmje, se tani duhet ta lëshojmë zogun e vogël, sepse duhet të shkojë në mal, atje ka familjen e tij, jetën e tij. Ne ishim dakord si miq të këtij zogu për ta lëshuar atë drejt asaj jete që ai meritonte .
Atë natë e ngacmuam, luajtëm me harabelin, pasi nesër do të dilte nga kafazi, do të ishte i lirë.
“A mendon ky zog, gjykoja me vete, pa folur me askënd? Pse nuk flet, sepse kur e shoh mendoj, se ai më përgjigjet me gjeste, tamam si,…Elmazi?
Më erdhi ndërmend sërish Elmazi, miku im i pa gojë. Të heshtësh e të mendosh, të dish më shumë e të pengohesh të flasësh, të duash, si ky zog e të mos e thuash dot. Ndoshta Zoti, kur e ka bërë Elmazin e ka nisur për zog, pastaj ka ndërruar mendje dhe e shndërroi në njeri.
Ai më dukej i ngjashëm, në njëfarë mënyre me zogjtë, me atë fizionominë e tij,si një zog dimri, si harabel.”
Nata kaloi duke e lënë pas të shtunën. Të nesërmen ishte e dielë.
U zgjuam vonë. Pasi hëngrëm mëngjesin, babai na mori e dolën në fushën me bar, para hyrjes së pallatit ku banonim. Erdhi dhe inxhinier Zefi me ne, në dhënien e lirisë të atij harabeli. Ishte ngjarje për të gjithë.
E ulëm kafazin në bar, më kërkuan mua ta hapja atë derën e vogël të “burgut”, ku kishte qëndruar gjithë dimrin harabeli i vogël.
Zogu, sikur u mendua pakëz, cicëriu, doli duke kërcyer, trokiti me sqep në bar dhe fluturoi fare pak, pastaj…U kthye, si në një pendesë të beftë dhe hyri në kafaz.
Të gjithë i kishim sytë tek ai. Kur lëvizte ne kërcenim, si ai, krejt si zogjtë, ndjeheshim si ai. Ishim brenda gjithçkaje kishte të bënte me atë fatlum, me festën e lirisë së tij.
Çfarë pati ky, dëgjova dy burrat në të njejtën kohë, si me komandë?!
Zogu hyri në kafaz, u shkund pak, si në të dridhur, qëndroi si i trembur nga diçka, u shemb anash, gjersa iu dukën këmbët e verdha, e…ra ashtu, pa lëvizur më.
E futa dorën shpejt dhe e preka . Ishte ngrohtë akoma, por zemra nuk i rrihte më.
Ne fëmijët qamë me të madhe.
E kishte dehur era e natyrës dhe kishte vdekur.
Asnjëherë nuk më është larguar nga mendja ai zog, mënyra e çuditshme, se si mbaroi jeta e tij, sapo u munduam t`i japim lirinë!
Kur e lexova poezinë e Pushkinit për Lirinë , isha i rritur, por kam qarë .
Qante ai fëmija i asaj ditë të trishtueshme. Më dukej, sikur atë zog e kisha sërish nëpër duar.
Kisha pasur Pushkinin brenda vetes, që asokohe, pa e ditur.
Një zog lëshova të ikë i lirë…
Në prag të verës, në blerim.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”