PUSHTIMET NUK KANE PASUR NDIKIM TE NJEJTE, SHIH DURRESIN

Nikoll Loka/Gjykimin mbi gjurmet e nje priudhe dalin edhe nga mbetjet arkeologjike.

Nga Pirusti News
570 Shikime

Gjykimin mbi gjurmet e nje priudhe dalin edhe nga mbetjet arkeologjike.
Nga periudha otomane kemi trashegim objekte kulti dhe ndonje hamam. Ndersa nga periudha romako-bizantine kemi gjithçka paten qytetet europiane ne ate periudhe. Nga autorët antik mësojmë që edhe në shek. IV e.s. i gjithë Ballkani emërtohej më emrin Prefektura e Ilirikut.

Durrësi ndodhet në dioqezën e Maqedonisë e cila kishte shtatë provinca: Maqedonia, Thesalia, Ahea, dy Epirët, Prevalis dhe Kreta. Dy Epirët ishin të emërtuar Epiri i Ri ose Epirus Nova dhe Epiri i Vjetër ose Epirus Vetus. Kufiri ndarës midis tyre ishte lumi Vjosa. Ne na intereson provinca e Epirit të Ri sepse në të bënte pjesë qyteti i Durrësit, si kryeqendra e saj.

Se kur u bë kjo ndarje dhe se kush e bëri na e tregon Malala i cili thotë se “I njëjti perandor, Theodosi, e ndau Epirin e Ri nga Epiri i Vjetër dhe e bëri provincë, duke i thënë qytetit Dyrrah të drejtën e qytetit dhe të kryeqendrës”58. Theodosi I ka sunduar gjatë viteve 379-395 e.s. dhe në këtë periudhë Durrësi ngrihet në stadin e një kryeqendre province.
I njëjti perandor në vitin 395 e.s. bën edhe ndarjen përfundimtare të shtetit Romak në dy pjesë, në Perandorinë Romake të Perëndimit dhe në atë të Lindjes që më vonë do të quhej Perandoria Bizantine. Qyteti i Dyrrahut do të bëjë pjesë në këtë të fundit.

Nëse qyteti i Durrësit do të kishte bërë pjesë në perandorinë Romake të Perëndimit ndoshta fati i tij do të kishte qenë më ndryshe. Këtë nuk do e mësojmë kurrë. Por ne dimë që Dyrrahu nën pjesën lindore të shtetit romak vazhdoi që të ruante statusin që kishte, pra atë të kryeqendrës së provincës së Epirit të Ri. Këtë fakt ne e mësojmë nga një tjetër burim antik.

Kjo është Lista e Rangjeve ose Notitia Dignitatum e cila është përpiluar gjatë viteve 390-437. Në këtë listë jepen të dhëna të rëndësishme për rangjet administrative dhe ushtarake në Ilirik ku tregohet se i gjithë ballkani në shek. V e.s. emërtohej akoma Prefektura e Iliriku, e cila ishte e ndarë në dy dioqeza atë të Dakisë dhe të Maqedonisë.

Ne do flasim për këtë të dytën pasi aty bën pjesë Durrësi. Provinca e Maqedonisë përbëhej nga gjashtë Provinca: Ahea, Maqedonia, Kreta, Thesalia, Epiri i Vjetër dhe Epiri i Ri. Edhe në periudhën Antike të Vonë tek Lista e Veronës ose Leterculus Veronensis, tregohet organizimi administrativ e ushtarak i shtetit Lindorë e Perëndimor Romak. Aty përmendet se në Dioqezën e Myzisë ndodhen njëmbëdhjetë Provinca: Dakia, Myzia e Sipërme marge, Dardania, Maqedonia, Thesalia, Priantina, Privalentina, Epiri i Ri, Epiri i Vjetër dhe Kreta.

Kjo dëshmon se qyteti i Dyrrahut ruante statusin e kryeqendrës së një province dhe se ishte një ndër qytetet kryesore të shtetit lindor romak. Këtë e përforcon edhe Lista e Polem Silvit ose Leterculus Polemii Silvi, ku thuhet se në Prefekturën e Ilirikut ndodhen nëntëmbëdhjetë provinca ku përmendet edhe Provinca e Epirit të Ri, kjo është e përpiluan në gjysmën e parë të shek. V e.s. pas Listës së Veronës. Këto tregojnë së Dyrrahu ishte një pikë e rëndësishme dhe kryesore në rrjetet rrugore e komunikuese e botës antike.

Literatura

57 Ruf F., (2002), “Histori e shkurtër e Popullit Romak”, Ilirët dhe Iliria te autorët antik, Tiranë, TOENA, f. 357. 58 Malala., (2002), “Hronografia”, Ilirët dhe Iliria te autorët antik, Tiranë, TOENA, f. 447.
59 Notitia Dignitatum, (2002), Ilirët dhe Iliria te autorët antik, Tiranë, TOENA, f. 376-378. 60 Leterculus Veronensis, (2002), Ilirët dhe Iliria te autorët antik, Tiranë, TOENA, f. 390. 61 Leterculus Polemii Silvii (2002), Ilirët dhe Iliria te autorët antik, Tiranë, TOENA, f. 391

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest