Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Dr. Kol Doda, një jetë e suksesshme në shërbim të shëndetit publik mirditas

Sfidant në dy beteja masive, ndërsa silikoza i mori nga duart plot 380 minatorë

Nga Pirusti News
1 562 Shikime

-Aleksandër NDOJA-

Edhe pse i duhet pak më shumë se një vit për të rrumbullakosur 90 vite, dr. Kol Dodaj vijon të mbetet po aq vital si dikur, të paktën vitet e fundit që ka shërbyer në Mirditë. Me ecje të sigurtë rrugëve të lagjes së tij diku afër Brrylit, në Tiranë, me kujtesë brilante dhe qartësi të plotë mendimi e gjykimi, dr. Kola duket se ka sfiduar kohën dhe vitet. I lindur më 6 dhjetor të vitit të largët 1933, aty bri “zallit dodaj” kujton me nostalgji kullën e vjetër tipike mirditase, të vetmen kullë në atë zonë, kullën ku u rrit dhe mori hapat e parë. Kujton jo pa dhembje faktin se si në vitet 60-ta përroi që sillte jetë me ujin për vaditje, një natë stuhie të madhe i mori kullën për t’a shuar totalisht nga harta, por jo nga kujtesa e 89 vjeçarit.

Dr. Kol Dodaj ka një peng të madh që e përsërit me dhembje të madhe. Nëse me punë dhe përkushtim ja doli me sukses luftës për çrrënjosjen totalisht të tuberkulozit me 840 pacientë të identifikuar e kuruar prej tij, nuk ndodhi kjo me sëmundjen e silikozës, sëmundje që i mori nga duart plot 380 ish-minatorë, duke nisur me rastin e parë të identifikuar prej tij, minatorin Gjin Mikeli.

Dr. Kol Doda natyrisht për të mbërritur këtu ka një histori të veçantë me përpjekje, luftë, zhgënjime por edhe fat, ndërsa nuk është aspak i rezervuar dhe krejt bashkëpunues në “scanerin” që i bën pirustinews.com. Natyrisht historia dhe jeta mjekësore e dr. Kol Dodës, është një pjesë e konsiderueshme e historisë së Mirditës në aspektin spitalor, por nuk harron të përsërisë se arritjet e tij ja dedikon një “çifuti”, izrealitit, mjek i jashtëzakonshëm, që kishte mbetur në këto anë pas një historie të çuditshme, i quajtur Ludovik Kalmar. Ishte pikërisht ky mjek që e mbështeti për të pranuar silikozën në një simpozium shkencor, ndërsa autoritetet më të larta mjekësore të kohës këmbëngulnin se silikozën në Shqipëri e kishin vetëm 5 veta, të cilët kishin punuar në minierat e Francës, para vendosjes së rregjimit komunist. Po le të përcjellim intervistën më të detajuar me mjekun Kol Dodaj.

Dr. Kola çfar kujton në hapat e para të jetës suaj

Po, kam lindur më 6 dhjetor 1933 nga dy prindër të mrekullueshëm Gjetë e Prena Doda. Jam rritur me hallet e kohës, si gjithë bashkëmoshatarët e mij, ndërsa erdhi një ditë që do nisja shkollën fillore. Klasën e parë e nisa në Përlat Qendër, në vitin 1946, në moshën 13 vjeçare. Rruga ishte e gjatë nga kulla ime për te shkolla, por duhet të kujtojmë se kushtet ashtu ishin, pasi ishte viti 1946 kur sapo kishin nisur të funksiononin shkollat, pas nismës së Ndrec Ndue Gjokës. Për fat nuk qëndruam shumë në Perlat vetëm disa muaj, se më pas vijuam mësimin tek kulla e Gjok Shurbit në Shebe. Gjoka kishte liruar një dhomë të kullës së tij për shkollë, ndërsa unë nga një orë e gjysëm rrugë që bëja fillimisht, këtu e kisha vetëm 20 minuta. Edhe tre vitet e tjera mësimore i kryem pikërisht në këtë kullë.

Kush ishin disa nga mësuesit tuaj, por edhe nxënësit e klasës tënde?

Kujtoj mësuesit Pjetër Toma, Bardhok Ndoku, Gjon Dedë Macaj që kanë lënë gjurmë të jashtëzakonshme te ne nxënësit si unë, Gjon Shurbi, Zef Gjin Doda, Mark Legisi, Preng Gjok Shurbi, Lekë Dodaj, etj.

Na thoni diçka për kushte mësimore në atë kohë, lapsat, fletoret, boja, bankat etj?

Fletoret na i sillnin mësuesit, por edhe lapsat. I ndanin në dy pjesë me shokët si fletoret dhe lapsat, ndërsa për bojë shkrimi përdornim një lloj lulje vjollcë që kishte në ato anë. E mblidhnim në kohën e duhur dhe siguronim bojën për gjithë vitin. Banka nuk kishim, por uleshim në tokë, dhe shkamin (stolin) ku duhej të uleshim, e përdornim si tavolinë për fletoret. Mësimi zhvillohej stinëve pranverë-verë, jo dimrit. Detyrat në shpi i bënim me pishë dhe bishtuk, pasi këto ishin mënyrat e vetme për të bërë ndriçim. Kështu në vitin 1949 mbarova shkollën fillore.

Dhe do vazhdonit shkollën 7 vjeçare. Si vijuat?

Sapo mbarova filloren, me ndërhyrjen e vëllait më të madh fillova punë në Rubik, në metalurgji. Pas tre muajsh më hoqën sindikatat, pasi nuk kisha moshën e pranueshme. Kështu u ktheva në shtëpi në Përlat. Babai dhe vëllai këmbëngulën të bëhesha mjek, si Bardhoku nga Lëkunda që vinte me një çantë me ilaqe të kohës….Kështu babai një ditë shkoi tek autoritetet e larta të kohës. Ata i sygjeruan të shkoja në një shkollë 1 vjeçare për ndihmës infermier.

Si mund të shkoje në një shkollë kaq profesionale, vetëm me shkollë fillore?

Ishte koha, kerkoheshin mjekë dhe çdo profesionist tjetër. Kështu unë ndoqa mësimet me rezultate shumë të larta. Bënim shumë lëndë si anatomi, fiziologji, pathologji, kirurgji, pediatri, higjenë etj. Kishim profesorë me emër të madh si Medar Shtylla që ishte ministër, Dhimitër Garshjani, prof. Kristidhi, prof. Zyma, etj. Mbarova me rezultate të larta, kështu në vitin 1951 u emërova në spitalin Rubik. Spitali ka qenë ndërtesa përballë urës që më vonë u bë libraria e qytetit. Kishte krevate për shtrim dhe frekuentim të lartë, pasi ishte spital me emër që në kohë të Italisë. Gjeta mjek dr, Harxhin por nuk qëndroi shumë me ardhjen time aty. Kam punuar me dr. Vasil Cimbi që kishte mbaruar në Rumani. Punë kishte papushim, por edhe vështirësi. Ndodhi që një banor nga Vela u rrëzua nga ura e Rubikut dhe i plasi stomaku. Lajmërova spitalin e Shkodrës që na kishte në varësi për të sjellë ambulance, ta marrë. Ata më thanë se e vetmja ambulancë që kishin, kishte shkuar në Dukagjin. Me të mbërritur do e nisnin në Rubik. Ambulanca u vonua dhe pacienti nuk pati asnjë mundësi shpëtimi.

Sa qëndruat në Rubik me punë.

Punova dy vite këtu dhe me urdhër të M. Doçit u nisa për në Dukagjin, ku sëmundja e rëndë e tuberkulozit po bënte kërdinë. Në këtë zonë ishte nisur një grup i madh mjekësh nga gjithë vendi, pasi ishte shpallur emergjencë kombëtare dhe një nismë për ta çrrënjosur me çdo kusht këtë sëmundje. Është histori më vehte ajo periudhë. Flinim në kushte të vështira në krevat të sajuar me fier, një bimë që ishte edhe në ato anë. Kushtet ishin pothuaj si në Mirditë, varfëri e madhe. Megjithatë u bë punë e madhe dhe kthyem si të thuash me fitore.

Pas kësaj ku përfundove?

Ishte viti 1953, u emërova në Kurbnesh. Sapo kishin filluar punimet në sipërfaqe për ndërtimin e minierës. Ishte mbushur me inxhinierë dhe specialistë sovjetikë. Flinim dhe punonim në çadra, pasi nuk kishte asnjë ndërtesë. Puna eci mjaft mirë për dy vite me rradhë.

Pse thoni dy vite me rradhë e jo më shumë?

Sepse në vitin 1955 me doli e drejta të shkoja në shkollë 4 vjeçare, shkollë e mesme mejkësore në Tiranë, tashmë për ndihmës mjek. Tashmë kisha një përvojë të konsiderueshme, por edhe mangësi, pasi nga shkolla fillore shkoja në shkollë të mesme. Kjo bëhejme kushtin që ti ndiqja paralel. Pra isha i detyruar të shkoja në shkollën e mesme mjekësore, ndërkohë që vazhdoja dhe 7 vjeçaren paralel. Kërkohej punë. Ju nuk e besoni, por më duhej të lexoja në tualetin e konviktit, pasi kujdestarja fikte dritat e dhomave në ora 10 të natës, për kursim. Edhe pse isha shumë mirë me mësime, kur isha në vit të tretë, më erdhi lajm i papritur që më ndërpriste shkollën.

Çfar ndodhi…

Më erdhi lajm-thirrja për të shkuar ushtar. Kërkova takim me general Gjin Markun ku i spjegova situatën, pra i kërkova të shtynin ushtrinë sa të mbaroja shkollën. Ai mori në telefon Et’hem Gjinushin ushtarak i lartë, që të më priste. Ky i fundit më dha një letër për degën ushtarake, por çuditërisht këta nuk e morën parasysh, pra më caktuan datën për tu mobilizuar. Shkova përsëri te Et’hem Gjinushi i cili më tha që të shkoja ushtar, por me të mbërritur në cilindo repart, do të më bësh një telegram se ku ndodhesh. Përfundimisht ndërpreva shkolën dhe përfundova bë Kuçovë.

Pra ëndrra për shkollën u shua?

Me të mbërritur u thashë se jam ndihmësmjek, megjithëse shkollën e ndërpreva. Ata e mirëpritën, sidomos komandanti i avionëve Niko Hoxha, tashmë dëshmor. Më hoqën nga rrjeshti që ditën e parë dhe me çuan në infermieri. Mjeku aty u gëzua shumë, ndaj pa e zgjatur më la mua çdo gjë në dorë, dhe iku me leje. Unë u mundova shumë duke parë kartelat dhe duke përsëritur mjekimin si të ushtarëve, ashtu dhe kuadrove që ishin në trajtim. Një ditë dola në qytet dhe shkova te posta dhe bëra telegramin Gjinushit, sipas porosisë së tij.

A pati reagim?

Fllimisht më arrestoi garnizoni se pse kisha dalë pa leje. Gjatë rrugës për në ndalim, për fat më pa komandanti Niko Hoxha. Ai pyeti çfar kishte ndodhur. Unë i thashë se dola të bëj telegram familjes. Niko Hoxha ju hakërrua garnizonit, duke u thënë se keni ndaluar mjekun e aviacionit. Ndërsa telegrami e dha efektin.

Pse, çfar ndodhi?

Erdhi një urdhër nga Petrit Dume për transferim në skuadrilen e Tiranës, në repartin e aviacionit. Me tu paraqitur këtu u njoftua se do të vijoja mësimin e lenë në mes, por do isha edhe ushtar. Pra nga mëngjesi deri në 4 pasdite isha i lirë për të ndjekur mësimin, pas orës 4 duhesh të isha në repart, ku bëja matjen e tensionit të pilotëve dhe shërbime të tjera mjekësore. Kështu pas 21 ditësh ndërprerje nisa përsëri mësimin aty në klasën time, por tashmë i veshur me rroba ushtrie.

Si përballohej kjo mënyrë jetese ushtri shkollë?

Të them të drejtën isha më mirë. Kisha kohë plot për studim, pasi qëndroja dhe flija në infermierinë e repartit, pra kishte energji elektrike për të lexuar deri vonë. Kështu e mbarova shkollën e mesme mjekësore dhe 7 vjeçaren, në kohë reale, pa asnjë shkëputje.

Këtu ndodhi një problem se në fundin e ushtrisë, që koncidonte afërsisht me vitin e fundit të shkollës më bënë nën toger, pra që të qëndroja në ushtri si mjek, por nuk e pranova megjithëse nuk të pyesnin.

Për fat në Rrëshen kishte ardhur një pajisje radio-skopie pasi ishte problem tuberkulozi në Mirditë. Mjek ishte vetëm dr. Paulin Shqalësi, pra isha piketuar unë të shkoja një vit specializim për këtë aparaturë, që diagnostifikonte dhe dhe ishte më e përparuara për sëmundjet e brendshme. Për tu realizuar kjo vjen kryetari i Mirditës në atë kohë, Mark Prendi që kundërshtoi Peqo Polenën që më kishte emëruar në ushtri. Ishte situatë alarmante në Mirditë me tuberkulozin. Kështu në qershor mbarova shkollën e mesme, ndërsa në dhjetor mbaroja ushtrinë. Në qershor 1960 nisa specializimin për radio-skopinë tek sanataoriumi, por edhe aty me rroba ushtarake, deri në dhjetor të atij viti. Aty në stanatorium u njoha me shumë mjekë të zotë, sidomos me mjekun izrealit, Ludovik Kalmar. Më vlerësonte shumë për korrektesën, pasi ai ishte i prerë në atë drejtim. Kishte shpëtuar rastesisht nga gjermanët këtu dhe siç me thoshte e kishte shpëtuar fati, rastësia dhe zotësia.

Cilat ishin këto sipas tij?

Kishte ardhur fillimisht në Shqipëri se i kishin thënë se këtu ka shumë flori. Ishte mjek i zoti që kishte mbaruar në Austri. Ndërsa erdhën gjermanet e dhe mbeti këtu. Një rast në Durrës e kishin kapur gjermanët dhe e kishin vendosur në rrjesht me çifutë të tjerë. Oficeri gjerman kishte nxjerrë armën dhe qëllonte një po, e një jo. Rastësia këtu e kishte shpëtuar se kishte ndodhur numër çift. Një rast tjetër e kishin arrestuar teksa po kthehej nga një i sëmurë. Rastësisht kishte dëgjuar oficerët se gruaja e komandantit ishte sëmurë rëndë, me temperaturë. Ky kishte trokitur në derën e qelisë ku ishte dhe u kishte thënë atyre, se ai mund ta shëronte të sëmurën. E çuan menjëherë të zyra e komandantit i cili i tha se të pushkatoj në zyrë nëse nuk i ul temperaturën gruas se tij. I bëra një kinikinë që e mbaja në çantë. Temperatura u ul menjëherë, ndërsa mua më liruan. Ika e u vetëizolova në Martanesh deri kur pushoi lufta. Me tu çliruar vendi filloi punë tek sanatoriumi, ndërsa u bë miku më i ngushtë ndër vite i imi. Ka ndihmuar shumë në Mirditë, pasi çoja pacientë nga Mirdita ndër vite te klinika e këtij. I ndihmonte dhe kurrë nuk u merrte para, edhe në klinikën private që kishte nëse ata shkonin me autorizimn tim.

Le të kthehemi të specializimi, çfar ndodhi më pas?

Në mesin e vitit 1961 sapo përfundova kursin, u emërova në spitalin Rrëshen, ku kam qëndruar deri kur dola në pension. Kishte ardhur një aparaturë “Rrum-4” mjaft praktike që e kam përdorur 10 vite. Kishte shumë punë. Të sëmurët me tuberkuloz ishin kryesisht nga Ndërfushazi më pas Kodër Rrësheni, Kurbneshi etj, pasi Fani ishte me Kukësin. Ishte detyrë parësore çrrënjosja dhe këtu e tuberkulozit. Qeveria e kohës nxori një vendim që “rifadina” një preparat që vinte nga Franca dhe që kushonte shumë, të jepej falas. Kishte shtrime, mjekime, kombinime me Sanatoriumin dhe “rifadina” që jepej falas dhe kishte mjaft efektivitet. Janë evidentuar dhe mjekuar me sukses 840 raste. Bashkë me msat profilaktike, në vitin 1978 u arrit që kjo sëmundje të zhdukej edhe në Mirditë.

Le të kthehemi të sëmundja vdekjeprurëse e silikozës. Kur dhe si nisi identifikimi i saj?

Ka qenë viti 1966 kur u paraqit rasti i parë, një ish-minator Gjin Mikeli që kishte punuar vetëm 6 muaj në minierë, në Kurbnesh. Ishte rëndë dhe bëra disa ekzaminime. Shikoja hije e ndryshime të çuditshme në mushkërinë e tij. Me skopi në dorë shkova në Tiranë, dhe takova mikun tim izraelit. Pasi e pa mirë më thotë, kjo është silikozë. Krijohet nga prania e kuarcit dhe silicit në mushkëri, që hyn në rrugë aspiratore, përmes grimcave të vogla 5 mikron.

I alarmuar më thotë paraqite si temë shkencore në këshillin shkencor, që bëhej çdo muaj për ngritjen profesionale të mjekëve. Ashtu bëra, por në fillim anëtarët këtij këshilli, madje dhe mjeku Shefqet Ndroqi nuk po e besonin, duke thënë se në Shqipëri ka vetëm 5 të identifikuar me këtë sëmundje, por që e kanë marrë në minierat e Francës ku kishin punuar dikur. Atëherë ndërhyri mjeku çifut Kalmar, që më argumenta të forta shkencore vërtetoi e silikoza ishte shfaqur në Kurbnesh, duke ju referuar situatës shëndetësore të minatorit Gjin Mikeli. Madje u urdhërua që këtij të sëmuri menjëherë ti akordohej kempi.

Si u vlerësua kjo situatë, pasi u konstatua?

U vlerësua shumë alarmante megjithëse nuk flitej hapur fillimisht. U evidentuan raste të shumta. E dinim mirë që ishte e pashërueshme. Ne vetëm mund ta zbusnim situatën. Ishte e tmerrëshme kur i shikoja sytë e tyre për ndihmë, por e dija se do iknin. Janë plot 380 minatorë që kam evidentuar. Të gjithë kanë vdekur në moshë aktive 38-55 vjeç.

Flitet se u muarën masa për ndryshimin e situatës, pasi u futën maskat dhe shpimi i lagët?

Eh ishte vonë, por dhe kjo nuk respektohej sa dhe si duhej. Shpimi i lagët e ulte disi efektivitetin në punë, dhe shumë prej tyre për të realizuar normën jo gjithmonë e përdornin, duke kryer vetëvrasje pa e kuptuar. Sidoqoftë ajo ishte një ëndërr e keqe që s’duhej të ndodhte as në Mirditë, por edhe askund. Por ja që ndodhi. Ishte aq e rëndë sa kur në operacion i hoqën njërën anë mushkërie një të sëmuri dhe e ruajtëm në formalinë, kur e provonim me bisturi, nuk çahej. Ishte murosur. Ky pacient nga Oroshi që kishte punuar në Kurbnesh jetoi disa kohë se ishte shumë aktiv dhe i kujdesshëm me terapinë, por vëllai i tij iku më shpejt. Pra është një situatë që mund të flasësh pafund, por e vërteta kjo ishte. Kurbneshi dhe Gjazujt kishin shumë kuarc, pra shumë viktima në ndryshim me Kulmen, Përlatin apo Spaçin.

Natyrisht që për vite me rradhë pune në spitalin Rrëshen, keni pasur dhe kolegë. Si do ti përshkruanit ata?

E vërtetë se kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer. Ky ka qënë sukses i madh, pasi kishim kolegë mjekë tepër të zotë në drejtimet e tyre, dhe shkëmbimi i eksperiencave midis nesh ishte padyshim çelësi i suksesit në punën tonë. Janë të paharruar bashkëpunimet e mija më dr. Paulin Shqalësin, dr. Zef Prenga, dr. Simon Kala, dr. Viktor Gjoka, dr. Zef Përduka, dr. Agim Qarri, dr. Bardhok Dodaj, dr. Pjetër Pjetri e shumë të tjerë.

Por nuk mund të lë pa përmendur ekspeditat e shumta në çdo zonë të Mirditës me Kujtim Zazon e Pjetër Dedën, në proçese të shumta hulumtimi për sëmundje ngjitëse apo epidemi të ndryshme.

Keni mbi 20 vite që jeni në pension. Si i ruani kontaktet me spitalin ku shërbyet në disa dekada?

Prej vitesh kemi krijuar në rregull të pa shkruar. Çdo të shtunë këtu afër banesës time mblidhemi në kafe me mjekët ish-kolegë të Rrëshenit. U’a di për ndër mjekëve me përvojë, Pjetër Pjetri, Viktor Gjoka, e të tjerë që më vizitojnë dhe shkëmbejmë mendime. Kam mësuar se spitali Rrëshen është në fazë rikonstruksioni thellësor. Uroj të bëhet më e mira.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest