Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

“Monument dhimbje e krenie për nënat”, një libër për tu lexuar

“Nënë Mara, një jetë në dy shekuj” të autorit Bardhok Gjikolaj)

Nga Pirusti News
640 Shikime

Nga: Llesh Ndoj, poet, studiues, Lezhë

Kur mora në dorë librin “Nënë Mara, një jetë në dy shekuj”, të autorit Bardhok Gjikola, me redaktor e parathënie nga gazetari i mirënjohur Akademik Xhelal Marku, mendja më shkoi tek ndonjë personazh i veçantë i zonës së autorit, për të cilën ai shkruan, por kurrsesi nuk e mendova, se ky personazh ishte nëna biologjike e autorit. Arsyeja: Vetë dedikimi që i kishte bërë që në titullin e librit, dukej sikur e largonte disi personazhin nga autori, dhe mendja të thotë se jeta e gjatë e këtij personazhi “një jetë në dy shekuj”, përbën edhe veçantinë e tij, gjë që e ka ngacmuar autorin të shkruaj.

Autori është i njohuri im i kahershëm dhe librin ma kishte nis, për një njeriun e tij me një dedikim, ku shprehej se në shenjë mirënjohje e respekti të dhuroj “…librin familjar kushtuar N. Marës”. Këtu kuptova se Nënë Mara ishte nëna e Bardhokut dhe jo thjesht një personazh i caktuar libri dhe nisa ta lexoj atë me kërshërinë, për të mësuar të veçantat e saj, si personazh i librit të Bardhokut, e cila përveçse kishte qenë jetëgjatë e kishte jetuar plot 106 vjet, por më tërhoqi edhe stili i të shkruarit të këtij autori, që siç e theksova më sipër, unë e kam njohur për shumëçka, si kuadër e drejtues, si intelektual e njeri i mirë, por kurrë jo si shkrimtar…!

Pyetja që më rrinte “varur” mbi krye që në fillimin e leximit të këtij libri ishte: Pse “Nënë Mara” dhe jo, fjala vjen, “Nëna ime”, apo thjesht “Nana”? Pse kishte zgjedh autori këtë mënyrë të shprehuri për nënën e tij, gjë që më dukej se e bënte atë “disi më të largët” dhe nuk transmetonte emocionin e duhur tek lexuesi.

            Leximi i faqeve të këtij libri rrjedh lirshëm, si pa e kuptuar, por edhe pa iu shpëtuar emocioneve jetësore, që të ngjallin episode të përshkruara bukur nga autori i librit, aqsa në ndonjë moment e ke të pamundur t’i shpëtosh edhe lotit! Është interesant fakti se autori rrëfen për “Nënë Marën” në dukje disi “ftohtë”, por realisht libri në tërësinë e vet transmeton mjaft emocion për vetë faktet, dhimbjet, tragjeditë e mësimet jetësore, që “rrëfen” Nënë Mara me vetë jetën e saj. Ky fakt, transmetimi i ndjesive të autorit, si biri i Nënë Marës, tek lexuesi, përmes shkrimit jo emocional të fakteve jetësore, më duket se është veçanti e këtij libri, jo i rrallë dhe i veçantë nga forma, por i veçantë nga faktet jetësore, që përshkruan e nga mënyra si e sjell personazhin e vet për lexuesit.

          Lexuesi nuk vonon shumë dhe i jep përgjigje edhe pyetjes, që unë e shtrova me vete, sapo mora në dorë këtë libër dhe që e parashtrova në fillim të këtij shkrimi: Pse “Nënë Mara” e jo thjeshtë “Nana” apo “Nëna ime”?! Nëna e Bradhokut (edhe e Palit, Dilës e Shkurtës) me jetën e saj, me sakrificat e saj, me dashurinë e saj, me vetmohimin e saj, transmeton shumë tek të gjithë ata, që e kanë njohur apo edhe tek të gjithë ata, që e lexojnë këtë libër.

          Tani që unë e përfundova librin së lexuari, mund të them me plot gojën, se Nënë Mara, ishte edhe Nëna ime! Sakrificat e saj për të krijuar e rritur një familje të shëndetshme, siç është familja “Gjikolaj” nga Kurbneshi i Mirditës, këshillat e saj të urta, ardhur në libër jo vetëm nga autori, biri i saj, por edhe nga rrëfimet e bukura të shumë njerzve, që e kanë njohur atë, jeta e saj e rritur jetime, jashtë e larg dashurisë prindërore, por në një familje të nderuar nga Ndërshena e Oroshit, ku u bë edhe nuse, qënia zonjë e shtëpisë së madhe Gjikolaj në Kurbnesh në moshën gjashtëmbëdhjet vjeçare, kur ëndërrat fëminore e mbanin akoma të ngërthyer pas lojrave, livadheve me bashkëmoshatarët e vet, dhimbja për vdekjen e babait në moshë të re, humbja e bashkëshortit në lule të rinisë, pa mundur që t’i hidhte as edhe një grusht dheu, nga se ishte në buzë të varrit edhe vetë e fëmijët e saj, nga sëmundjet e kohës që bënin kërdinë, mbajtja e familjes në këto rrethana tepër të vështira e ngritja e saj duke qenë zonjë e zot shtëpie, këshillat e urta e vendosmëria më shumë se burrnore, e bëjnë Nënë Marën një personazh të dashur e të lakmuar, ndërsa libri e bën lexuesin e zakonshëm ta konsideroje këtë nënë edhe si nënën e tij. Nënë Mara personifikon gruan burrneshë mirditore të epokës së saj dhe në atë personazh të këtij libri, secili gjenë pjesë nga historia jetësore e nënës së vet dhe ka plotësisht të drejtë ta konsiderojë Nënë Marën, si nënën e tij! Kjo është bukuria e personazhit dhe veçantia e librit, njëkohësisht.

Episodet jetësore që transmeton autori në këtë libër, janë të pafundme, mjaft interesante, emocionuese e mësimdhënëse, por në mesin e tyre do të veçoja disa, si më përfaqësueset për personazhin, po jo vetëm atë:

Nënë Marës, krejt padashje e në rrethana tragjike, i vritet djali në derën e prindërve të saj (dajave të djalit) një shtëpi e njohur në Selitë e në të gjithë Mirditën. Rrethanat e fatit e sjellin rastin të tillë, që ngjarja merr përmasa edhe më tragjike: Kishte qenë pikërisht Nënë Mara, që e kishte lejuar të birin, Palin e parë (i dyti fatmirësisht jeton edhe sot!) të shkonte tek dajat e vet, ndoshta edhe pa pëlqimin e të tjerëve. Një dajë i djalit, duke luajtur me armën, e vret atë në pakujdesi e tragjikisht. Fjala merr dhenë e dhimbja pushton shpirtërat…! Por, kjo nuk mjafton: Zakoni e do që shtëpia e Gjikolajve të vendos, se çdo të bënte me kufomën e si do të vepronte me mikun-“hasëm” në këto rrethana. Pleqtë e fisit Gjikolaj mblidhen në kullë për ta pleqnuar rastin e puna e kuvendi po anonte drejt gjakmarrjes, kur Nënë Mara, burrnesha mirditore, thyen edhe “rregullat e ngurta” të kohës e hyn në Odën e Kuvendit të burrave. Fjala e saj të rrënqeth edhe sot, në distancë kohore e në largësi fizike, deri në infinit nga ana e lidhjes së gjakut me këtë familje: “Djalin ia kam pasë fal vëllait…! Dhe ju lutem të merremi vetëm me sjelljen e varrimin e xhenazes…”!, thotë ajo plot guxim e trimëri, në Kuvendin e burrave të fisit! E kjo fjalë, fatmirësisht e për vetë autoritetin që kishte Nënë Mara në fisin Gjikolaj, zuri vend e ashtu u bë. Gjaku “u pajtue” në heshtje e dy palët varrosën fëminë e vrarë tragjikisht nga pakujdesia. Humbja tragjike e djalit e dashuria e Nënë Marës, i mposhti edhe normat zakonore në ngurtësinë e tyre!

Familja Gjikolaj, siç përshkruhet bukur në librin e autorit Bardhok Gjikolaj, ka ndryshuar disa herë vendbanimin e saj, në kërkim të kushteve më të mira të jetesës, pa e harruar asnjëherë vatanin e të parëve në Selitë, aty ku i pari i tyre, Gjin Kol Ndreu, kishte zbritur para treqind vjetësh nga Pashtriku i Gjakovës. Lëvizja e tyre nga Selita e Mirditës në Bushnesh të Krujës në vitin 1950, i ngjanë një “udhëtimi biblik”, që të rrënqeth e emocionon pa fund! Pa hyrë në rrethanat që e detyruan këtë lëvizje (as katër muaj bukë nuk i prodhonin në Selitë!), apo vështirësinë që kryefamiljari Pjetër Gjet Gjikolaj të mund të bindej për këtë lëvizje, ku rolin kryesor e luan Bardhoku, atëhere veçse 15-16 vjeçar, udhëtimi në këmbë, pa bukë e pa strehë, të ngarkuar me atë grusht plaçkash, që bëhej përherë e më i rëndë nga lodhja, rreziku i të fiktit të fëmijëve nga mungesa e bukës, ndihma që iu dha kësaj familje gjatë këtij rrugëtimi nga njerëz bujarë, si në Kthellë, në Rubik, në Milot, në Laç etj, paraqiten mjaft interesante, ashtu siç paraqitet në kufijtë e të pabesueshmes zënia vend e familjes në truallin e ri, si dhe puna natë e ditë e tyre, për të ndërtuar një kasolle për banim, hapja e tokës së re e gjitha me krahë, e deri tek sigurimi i bukës për gjithë vitin e mundësia edhe për të shitur drithë, që përbëjnë kulmin e kohës, për këtë familje. Por, prej këtu nis edhe rënia e fatkeqësitë, që ua rëndojnë gjithshka. Në epiqendër mbetet Nënë Mara, jo vetëm si personazh, por edhe me këshillat e kontributin e saj për t’i kaluar këto situata të vështira.

Vdekja e të zotit të shtëpisë, Pjetër Gjet Gjikolaj, në vitin 1953, kur ishte vetëm 45 vjeç, e kur sapo familja kishte arritur të merrte disi frymë, nga hallet e kohës e në vendbanimin e ri në Bushnesh kishte krijuar njëfarë ekonomie të mjaftueshme për jetesë, është një tjetër kulm në rrëfimin e Bardhokut në libër, por edhe një kthesë e madhe në jetesën e gjithë familjes Gjikolaj e në rolin e shtuar e kontributin e shumëanshëm të Nënë Marës…! Këtu, duke lexuar rrëfimin e autorit, nuk mund t’i përmbahesh lotit! Ai kthehet nga puna ne Kantjerin e Ulzës dhe takon babain, të cilin pas përqafimit me të, e pyet për nënën e njerëzit e tjerë. Heshtja e tij ia bën zemrën copë Bardhokut, i cili vrapon drejt shtëpisë. Nënë Mara ishte rëndë. Të sëmurë ishin edhe fëmijët e tjerë. Mjek nuk kishte, veçse në Krujë e atje me çfarë të udhëtoje? O zot! Sot vështirë të merren me mend rrethana të tilla për brezin e ri…! Një infermier u jep njëfarë ndihme, por gjendja ishte akoma jo e mirë. Bardhokut, pas një qëndrimi disaditorë, i duhet të kthehet në punë, por i ati, Pjetri, i thotë Jo! I ra si bombë kjo Bardhokut, por vendimi i prindit ishte i padiskutueshëm! Është në kufijtë e të pabesueshmes fjala që i thotë i ati: “Ti nuk do të largohesh pa më përcjellë mua në jetën tjetër”(!) edhe pse ishte 45 vjeç e nuk manifestonte asnjë shenjë sëmundje, dhe nis e i numëron se kujt i kishte borxh e kush i kishte borxh, duke mos harruar ta porosiste: Borxhet që më kanë, mos i kërko; borxhet që u kam të tjerëve, bëj të pamundurën me i paguar, e plot porosi të tjera që ngjajnë gati-gati si hyjnore. E sëmurë ishte Nënë Mara, por Pjetri do të parashikonte ndarjen e tij nga kjo jetë, gjë që do të ndodhte për dy-tri ditë, me 7 gusht 1953! Mënyra si Bardhoku e përjetoi, ndihma e komshinjve, të cilët vetëm sa i njihte, përcjellja e nanës, vllaut e motrave në spital në këto momente të vështira etj, vijnë si një situatë irreale në sytë e lexuesit, por janë ngjarje të përjetuara nga autori e që vlejnë për ne të gjithë, si mësime se si duhet të orientohemi në jetë edhe në situata të tilla, aspak të lehta…! Për më tepër që autori ishte tepër i ri në atë periudhë!

Përshkrimin e momenteve kulmore jetësore të Nënë Marës dhe të librit kushtuar asaj, do ta mbyll me një tjetër episod, përshkruar bukur nga autori dhe që vjen edhe si falenderim ndaj atyre njerëzve, që e ndihmuan atë, por edhe si fakt se mirditori, edhe në rrethana të tilla, tepër të rënda për të, e ka të shenjtë mikun e mikpritjen…! Pas disa kohësh nga vdekja e babait e kur nëna e fëmijët e tjerë u bënë më mirë e u kthyen nga spitali i Krujës, ku kishin qëndruar shumë ditë, Bardhoku vendos të rikthehet në punë në kantier, aty ku kishte shpresat, për të siguruar edhe në vijim mjetet e jetesës, për vete e për familjen. Aty, në vend të ngushëllimeve për ndarjen nga jeta të babait, në fillim ballafaqohet me urdhërin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës për thyerje të disiplinës në punë…!!! Shpjegimet e tij tek drejtori, eprori direkt, nuk vlejtën, por kishte akoma e ka gjithnjë njerëz, që arsyetojnë e humanizmin e kanë tipar parësor. Hap pas hapi, personazhe të kohës, eprorë të Bardhokut, e “zhbëjnë” urdhërin e pushimit nga puna. Kaq ishte boll për Bardhokun e ri, por jo për ata njerëz të mirë, që përshkruhen bukur në librin e tij. Drejtori i përgjithshëm urdhëron: “T’i jepet paga e plotë për të gjithë kohën që kishte munguar, t’i rezervohen edhe disa ditë leje, që të qëndronte pranë familjes dhe jep edhe disa porosi, që një grup përfaqësuesish të përgatiten e të shkonin në shtëpinë e Nënë Marës për ngushëllime, duke dhënë edhe ndihmesën e tyre për rastin…!!! Nuk harrojnë ta porosistin Bardhokun se ata do të vinin vetëm për një kafe ngushëllimi në shtëpi, të dielën vijuese. I gëzuar nga fakti se kishte në xhep 25000 lekë të kohës (atëherë s’kishte lekë të vjetra e të reja, por thjesht lekë me vlerë reale!), lejen e ndërmarrjes për t’u rikthyer në punë e ngushëllimin e tyre, Bardhoku rikthehet në shtëpi. Nënë Mara e pret me dashuri, por mërzitet e shqetësohet se si i biri kishte rrezikuar të udhëtonte “megjithë atë vlerë monetare” nga Ulza në Bushnesh! Ditën kur shokët e ndërmarrjes do të vinin për vizitë ngushëllimi, Nënë Mara porositi të therej një berr e të bëhej buka sipas zakonit. Nuk mund të koritej shtëpia e mirditores fisnike, me i prit miqtë e të birit thjeshtë me një kafe…! Rezistencës së tyre, Nënë Mara, iu përgjigj shkurt: “Nuk ka ndodhur ndonjëherë që miq të largët e të respektuar, siç jeni dhe ju, të largohen nga shtëpia e Gjikolajve pa drekë”, duke kërkuar edhe falje që po ndërhynte dhe duke marrë paraprakisht edhe lejen e Kol Gjikolajt, që ishte në këmbët e të zotit të shtëpisë, në atë pritje.

          Libri ka kaq shumë episode të bukura, të trishtuara, të dashura e të dhimbshme, sa që është e pamundur të sillen të gjitha, ndaj i lej radhë kërshërisë së lexuesit, që ta kërkoj e lexojë këtë libër, duke i garantuar se aty do të gjejë pjesë nga jeta e tij dhe e familjes së tij.

Unë kam njohur fatmirësisht pjesëtarë të familjes Gjikolaj, kam njohur Bardhokun, drejtues e intelektual i zoti i kohës; kam njohur Palin ushtarak, kuadër e njeri që “mos e me vra burri për gjak”; kam njohur Dilën, gruan e Preng Gjidodës në Blinisht të Mirditës, nanën e bashkëmoshatarëve e shokëve të mi: Gjin e Zef Gjidoda, por edhe të djemve të tjerë të mrekullueshëm Bardhok, Nol e Tonin, një zojë në plotëkuptimin e fjalës…! Njoh përmes këtij libri edhe Nënë Marën, dhe e konsideroj edhe unë të tillë, Nënë, duke kompletuar njohjen tashmë për të gjithë këtë familje të nderuar. Sakrificat e Nënë Marës dhe krejt familjes Gjikolaj nga Kurbneshi i Mirditës, tradita, bujaria e fisnikëria e saj, janë përfaqësuese të traditës, fisnikërisë e bujarisë së familjes mirditore në veçanti, e asaj shqiptare, në tërësi, ndaj ky libër ka shumë vlera e ia vlen ta lexosh e ta kesh pjesë të bibliotekës tënde!

Faleminderit Bardhok, për emocionet që më dhurove me këtë libër të bukur!

Lezhë, më: 26 / 10 / 2022

 

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest