Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

VEJUSHA, tregim nga Alma Jaku

Nga Pirusti News
3 352 Shikime

-TREGIM-

Vetëm pasi pa kufomën e foshnjës të mbështjellë në pelena u bë i vetëdijshëm për krimin e tmerrshëm që kishtë bërë. Ishin dy kufoma. Gruaja ishte përpëlitur për disa dhjetëra sekonda para se të jepte shpirt, ndërsa foshnja kishte vdekur menjëherë. Pa njollat e gjakut në mure, dysheme, në duart dhe rrobat e tij…

U ul në gjunjë si një kërcu druri që shembet mbasi e presin nga trungu i pemës dhe ra përdhe. Vetëm atëherë filloi të ulërasë: – Laura! O Zot, Laura!… Nuk qe në gjendje të thoshte më shumë. Si nëpër ëndërr iu bë se dëgjoi sirenat e makinave të policisë që po afroheshin. Instinktivisht u ngrit dhe shkoi te lavamani. Hapi rubinetin dhe u përpoq të lante duart. Nuk kish për synim ta mohonte krimin, por nuk po e duronte dot pamjen e njollave të gjakut ndër duar… Çizmet e policëve e shqyen derën e shtëpisë mes britmave histerike: – Policia! Policia! Asnjë lëvizje! Mos lëviz! Duart lart! Lart!…

Ishte shumë i qetë kur policët e rrethuan, edhe pasi e pëplasën përtokë dhe i vunë prangat… Viktori, vrasësi i krimit te dyfishtë, kish patur edhe më parë probleme me ligjin: ishte dënuar me gjashtë muaj burg për trafikim droge dhe e kish kryer të plotë këtë dënim në një burg të Spanjës. Megjithatë, kjo e shkuar e errët nuk e shpjegonte vrasjen e së shoqes dhe të birit të vet që kish lindur veç pak ditë më parë. Për më tepër, njerëzit që e njihnin dhe nisën të japin dëshmitë e para, thonin të gjithë të njëjtën gjë: kishte qenë gjithmonë një bashkëshort ideal, e kishte dashur të shoqen dhe se dukej një burrë i lumtur sa kohë që kishin jetuar së bashku…

Më pak se një vit para vrasjes, Viktorit i kish vdekur i ati. Vetëm pas një jave, e ëma erdhi dhe u vendos në shtëpinë e tij pasi nuk po mundte ta përballonte dot vetminë. Quhej Arta dhe nuk i kishte mbushur ende të pesëdhjetat. Ishte një grua e mbajtur, me një bukuri të pjekur, të qëndrueshme, joshëse, nga ato vejushat që zija e vdekjes sikur i bën më tërheqëse në sytë e meshkujve. Dukej se vdekja e të shoqit e shtynte me forcë drejt jetës, si një akt kompensimi. Me ardhjen e së ëmës në shtëpinë e tij në Tiranë, shtrëngesa ekonomike qe bërë më e dukshme. E shoqja, Laura, kish nisur punë në një sallon bukurie. Klientet e saj ishin gratë pispillaqe të politikanëve, biznesmenëve apo analistëve televizivë. Fitimet ishin të kënaqshme. Ndërsa vejusha ishte pa punë. Në fakt, nuk kish punuar kurrë në jetën e saj. Qe modeli i gruas së bukur që pranon të trajtohet si një objekt zbukurimi në shtëpi. Dhe i shoqi i saj ashtu e kish trajtuar, si gruan e bukur që nuk duhet të punojë.

Nga ana tjetër, Viktorit i kishin dhënë pushim nga puna pak kohë më parë. Ndihej keq, ashtu i papunë mes dy grash. Mendonte se duhej të bënte diçka për të fituar parà. Nuk ish dhe aq nevoja ekonomike sesa egoja e tij e plagosur që e shtynte të mendonte kështu; burrë që mbahej nga e shoqja, aq më tepër në prani të nënës… I shkroi një shoku të fëminisë që jetonte në Spanjë dhe ishte në gjendje të mirë ekonomike. I tha se kishte dëshirë të vinte në Spanjë, e shumta për një vit, sa të bënte ca parà për shtëpinë. Shoku i tij pranoi menjëherë ta ndihmonte, madje i bleu biletën e avionit, duke i premtuar se muajin e parë do ta mbante në shtëpinë e vet. Një javë më pas u gjend në Barcelonë, në shtëpinë e mikut të fëminisë. Filloi të punonte që të nesërmen. Shoku i tij kishte filluar të kultivonte kanabis në oborrin e shtëpisë ku jetonte, e cila ndodhej në periferi të qytetit. Viktori do të bënte transportin e drogës te klientët. Ia mori dorën shumë shpejt. Qe një punë që i siguronte njëqindfishin e të ardhurave që fitonte e shoqja. Me Laurën fliste çdo natë. Ajo ishte e lumtur nga suksesi i të shoqit. Natyrisht Viktori nuk ia thoshte se ç’punë bënte, mjaftonte që i thosh se fitonte shumë. Dhe vetë Laura nuk ishte budallaqe sa të mos e merrte me mend se me çfarë merrej i shoqi. Si gjithë të tjerët, thoshte me vete. Mjaftonte të ishte i kujdesshëm. Ajo këmbëngulte që Viktori të mos rrinte gjatë në Spanjë.

Atij i pëlqente kur Laura i thosh të kthehej në shtëpi, e merrte këtë si një siguri të dashurisë së saj. Pak muaj më pas Viktorin e arrestuan. Në bagazhin e makinës i gjetën dy kilogramë kanabis. Gjyqtari i dha gjashtë muaj burg, me kushtin që pas dënimit të riatdhesohej. Shumë herë mendoi t’i shkruante Laurës, por nuk mundi të tregohej aq burrë sa të përballej me të. Si kreu dënimin, e morën nga burgu me një makinë të policisë dhe e dërguan aeroport. Ishte mjaft i gëzuar, edhe pse shoqërohej nga policë dhe pasagjerët e tjerë e shihnin me dyshim. Por ai nuk e çante kryet. E rëndësishme për të ishte se po kthehej në shtëpi, te Laura e tij dhe nëna, dy gratë më të rëndësishme të jetës së tij… Kur mbërriti në atdhe, iu duk se qe ringjallur. Kujtimi i Laurës nuk i ndahej. Ndjente ngrohtësine e trupit të saj, aromën jasemin të lëkurës së saj. Imagjinonte si do ta merrte në krahë si një pupël të vogël, si do ta ngrinte lart e t’i thosh “më fal kec i vogël, të dua, të lutem më fal!”

E dinte se Laura do qeshte fort si bënte ngahera kur ai e quante “kec”… Ngjiti me padurim shkallët e pallatit ku banonte dhe trokiti në derë. Priti. Dëgjoi zërin e Laurës. Pastaj atë të së ëmës, Artës. Dëgjoi dhe një të qarë fëmije… U hap dera: Luara u shtang kur pa Viktorin. Qe një shtangie mes gëzimit dhe befasisë. Iu hodh në qafë. Ashtu të përqafuar, hynë brenda. Viktori pa të ëmën që mbante në duar një foshnjë disaditëshe. Edhe ajo u shtang. Një shprehje e çuditshme dhe e pazakontë iu shtri në gjithë fytyrën…

– Është yt bir, Viktor! – i tha e ëma duke ia zgjatur foshnjën e mbështjellë me pelena, dhe njëherësh duke hedhur një vështrim të çuditshëm drejt Laurës. Viktori u hutua. Kishte ardhur t’u bënte një surprizë të bukur, dhe ja ku ndodhej vetë para surprizës më të madhe… Atë natë nuk e mori gjumi. Filloi të llogariste muajt duke lëvizur gishtërinjtë në heshtje. Sa kohë kishte qëndruar larg shtëpisë?… Kishte plot dhjetë muaj!… Kthehej e numëronte sërish nga fillimi. Nuk donte ta besonte se fëmija nuk ishte i tij. Laura e kishte tradhtuar, kishtë bërë fëmijë me një tjetër. Dhe ai, Viktori, njeriu që kishte sakrifikuar për të shoqen, që e kishte dashur atë aq shumë, ishte kthyer papritur në një brinjar! Ajo që e tërbonte më shumë, dhe që i dukej si një cinizëm i madh, ishte fakti se Laura donte të shtirej e t’i hidhte hi syve!… Iu dha të largohej nga shtëpia. Kishte qenë disa herë më mirë atje në burg, të paktën atje askush nuk kish provuar ta gënjente e ta mashtronte. U ngrit, u vesh pa bërë zhurmë dhe duke ecur në majë të gishtave doli jashtë…

Në hetuesi ai tregoi gjithçka: vrasja kishte qenë një hakmarrje për tradhtinë bashkëshortore. U shpreh kështu: – E si mund të durojë një burrë kur mëson se gruaja jo vetëm e tradhton, por përpiqet t’ia ngjeshë fëmijën që ka bërë me dikë tjetër?… Si mund të mos bëja krim?… Më thoni, ju lutem!… E futën në një qeli. Ekspertët ligjorë filluan nga ekspertizat. Rezultati i analizave të ADN-ve të Viktorit, të Laurës dhe të foshnjës dha të papriturën e parë: foshnja e vrarë lidhej gjenetikisht me Viktorin, por jo me Laurën… Hetuesit dhe mjeku ligjor u përfshinë nga konfuzioni. Kjo vinte në dyshim jo vetëm gjithçka kishte thënë Viktori, por krijonte një situatë të pashpjegueshme. Menduan e menduan dhe vendosën të merrnin në pyetje të ëmën e Viktorit, Artën. E thirrën në hetuesi. Pas tragjedisë që kishte ndodhur, Arta ishte kthyer në një kufomë të gjallë. Qe tretur, sytë sikur donin t’i kërcenin jashtë zgavrave dhe dukej krejt e shpërqëndruar. E kishte përjetuar tmerrësisht shumë vrasjen e Laurës dhe të foshnjës. Hetuesit filluan ta pyesnin. Çfarë dinte ajo për marrëdhëniet e të birit me të shoqen? Ajo tha atë që pohonin të gjithë, se nuk i kishte dëgjuar asnjëherë të grindeshin a të fyenin njëri-tjetrin, se kishin patur një marrëdhënie për me u pasë zili prej çdo çifti tjetër. Hetuesit panë në sy njëri-tjetrin. E pyetën si e shpjegonte ajo faktin që AND-ja e foshnjës lidhej me Viktorin, por jo me Laurën? Kjo pyetje ishte një goditje e fortë për Artën. U zbeh më shumë nga ç’ishte zbehur, filloi të dridhej sikur ta kishin zënë ethet tropikale dhe u mbulua me djersë. Pas pak sekondash i ra të fikët…

Arta është një paciente e një spitali që trajton traumat e thella. Me gjithë këmbënguljen e gazetarëve të shumtë, ajo ka refuzuar të japë intervistë a të pyetet prej tyre. Jeton e vetmuar në një dhomë të spitalit duke lexuar Biblën, aty ku bota fillon me vrasjen e Abelit nga Kaini…

Alma Jaku

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest