Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Ing. Nikoll Marku, inxhinieri i arit, në një intervistë të rrallë për Pirusti News

Si udhëtoi me arin shqiptar përmbi Jugosllavi dhe tentativa pafund për ta arrestuar

Nga Pirusti News
5 473 Shikime

-Nga Aleksandër NDOJA-

Ing. Nikoll Markun të paktën vizualisht e kam njohur rreth 40 vite më parë në qytezën e Rubikut, kur ai ishte inxhinier  në uzinë, e unë nxënës në teknikum e më vonë, si i punësuar në këtë qytet.

Nikolli ashtu mbetet tipik si në vitet e para të njohjes, njeri i qetë, tejet i qeshur, me kujtesë e artikulim për tu admiruar, edhe pse vitet kanë bërë të tyren. E kemi parë e dëgjuar shpesh në intervista për arin, bakrin apo platinin, por edhe për ujin e kroit të bardhë, si një kimist i shquar dhe i rrallë në llojin e tij, por në të vërtetë historia e tij është më e thellë, me shumë të papritura në jetë, ku njeriu i ditur dhe i zoti gjithmonë ndodhet para sprovave të forta dhe të rëndësishme në jetë.

Këtë rradhë ing. Nikoll Marku vjen me një intervistë krejt ndryshe në faqet e Pirusti NEWS, ku shpalosen të plota shumë të vërteta mbi punën në uzinë, lëvizjen e floririt nga Rubiku për në Zyrih ku ndodhet i pa prekur edhe sot, mbi prapaskenat e rralla të udhëtimit me avion të posaçëm mbi Jugosllavi, për përplasjet mes Meksit dhe Berishës mbi udhëtimin e tij drejt Moskës, por dhe për shumë prapaskena në Uzinën e Bakrit në Rubik dhe suksesin shkencor në pasurimin e bakrit në Reps.

Një përshkrim i shkurtër, kush është Nikoll Marku?.

Kam lindur në fshatin Munaz, fshat në afërsi të qytetit Rubik. Babai im Pal Ndue Marku ka qenë mjaft i njohur në zonë si njeri që gëzonte respekt të thellë, tek njerëzit me të cilët ka punuar. Me rrogën e tij na rriti e shkolloi, shumë fëmijë.

Kur dhe ku nisi shkollimi jot, kur dihet që më vonë u shënjuat si inxhinieri më me zë i bakrit, alias i floririt në Shqipëri?

Nisi pikërisht në Munaz, në vitin 1955, askohe një shkollë e vogël vetëm një dhomë, me klasa kolektive. Ishim shumë bashkëmoshatarë që vinin nga familjet e Marka Ndue Gjergjit, Gjergj Ndue Gjergjit, Ndrec Bubës ndërsa si mësues kujtoj Mark Jakun, me banim në Rubik, e më gjatë Pjetër Brozin nga Gëziqi, që më vone punoi në komitet, duke e mbyllur si avokat.

Edhe në 8 vjeçare vijova në mësoja shumë, por kushtet i kishim të vështira. Vinim në këmbë nga shtëpia në shkollë, në Rubik e ansjelltas. Në dukje fshati jonë ështe afër më Rubikun, por atëherë nuk ishte ura që është sot e cila është ndërtuar në vitin 1988 me ndërtimin e hekurudhës. Pra na duhej të ndiqnim bregun e lumit në kufirin e fshatit Qaf Munaz, për të dalë të Metalurgjia. Kjo rrugë ishte mjaft e rrezikshme në ditë moti të përkeqësuar, pasi mund të përfundoje në lumë. Megjithatë vitet kaluan, ndërsa përfundova shkollën 8 vjeçare me rezultate të larta.

Ndërsa shkolla e mesme..?

Po fillova shkollën në Tiranë, që asokohe njihej si politeknikumi 7 nëntori. Sot kjo shkollë është përsëri shkollë profesionale, që sot mban emrin “Gjergji Canco”, ndërsa në vitin 1963 kur nisa unë mësimin aty, drejtor i kësaj shkolle ishte pikërisht i ndjeri Gjergji Canco.

E nisa shkollën në degën e mekanikës, por ishte vetë dretori Gjergji Canco që e dinte së në Rubik kishte furra shkrirje, i cili më orientoi të ndiqja degën për metalurg. Për momentin e kundërshtova pasi e kisha me shumë qef degën e mekanikës, por përfundimisht pas katër vitesh, aty mora titullin metalurg.

Pas përfundimit të shkollës më sollën në Uzinën e Bakrit Rubik, për një vit rradhazhi për të bërë praktikën, e detyrueshme në atë kohë. Më ra të punoja në repartin e elektrolizës. Aty ishte edhe shllami dhe elektroliza, ndërsa kryeinxhinier aty ishte Nexhmedin Loha dhe disa ingjinierë të tjerë. Kaloi jë vit me shumë punë, ndërsa tashmë isha i gatshëm për të nisur shkollën e lartë.

Cili ishte rrugëtimi jot i mëtejshmë në shkollim?

U rregjistrova në vitin 1968 në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, pranë Universitetit të Tiranës, për ta përfunduar në vitin 1973. Ishte kurs pesë vjeçar, ndërsa dega ishte Kimi-Industriale. Aty kërkohej punë shumë e madhe, por edhe varfëria për një student që vinte nga veriu ishte një pengesë jo e vogël. Ndaj bëheshin zgjedhje alternative.

Në çfar kuptimi e keni fjalën?

Ja, unë kisha të dhëna në atletikë, por dhe pikturoj bukur. U rregjistrova në ekipin e “Studentit” si atlet. Bënim stërvitje çdo ditë dhe po jepja rezultate. Natyrisht nuk paguhesha me lekë në dorë, por na pajisnin me atë ashtuquajturat “lata studenti”. Pra me këto lata kishim të siguruar ushqimin, duke shmangur çdo pagesë si student. Kjo na ndihmonte shumë, por kishte anën tjetër të medaljes, pasi mund të lije mësimet pasdore.

A ndodhi kjo dhe çfar ndodhi në fund të vitit?

Në fakt atletikën e lashë, pasi po shikoja se po mbetesha pas në mësime, sepse dega që kisha Kimi Industriale ishte shumë e vështirë. Drejtuesit e Studentit bënë presion të madh duke më thënë se je afër rekordit, ndaj në asnjë mënyrë nuk duhet ta lësh. Unë e kisha vendosur dhe pas kësaj ju përkushtova mësimit. Në fakt mësoja shumë, por në fund të vitit ndodhi diçka e papritur. Në atë kohë drejtuesi më i lartë politik i vendit mbajti një fjalim për studentët, ndër të tjera ju drejtua pedagogëve me shprehjen “ku po i shpini studentët pedagogë të nderuar?”. Kjo përkthehej se se duhej që studentët të filtroheshin sa më shumë, për të dalë sa më cilësorët. Kjo i vuri në alarm pedagogët, ndaj duhej që jo të gjithë studentët të kalonin vitin. Kjo do të shënonte incidentin e parë.

Le ti referohemi këtij incidenti, në mënyrë më të qartë?

Falë kësaj fryme që mbizotëroi pas atij fjalimi të udhëheqësit, edhe në klsën tonë duhej të kishte studentë të tillë. Po cilët do ishin ata…Në grupin tonë ishin student shumica anëtarë të byrosë politike që i sillnin me vetura në fakultet. Në klasë kam pasur vajzën e Adil Çarçanit, Petrit Dumes, Beqir Ballukut e shumë drejtueseve të tjerë të lartë. Me vajzën e Kiço Ngjelës kam qenë në një bankë. Në fakt këto na respektonin shumë në “malokët”. Nga më të thjeshtit, nga veriu ishim vetëm unë Nikoll Marku dhe një student tjetër nga Puka, Xhavit Selimi. Pra këto nuk mund ti linin në klasë, ndaj isha zgjedhur unë.

Një pedagog shumë i njohur dhe si tejet i rreptë me studentët, Minella Karajani teksa shkova të merrja tezën për provim, mu drejtua, mos e prek. Ti do më spjegosh fotografinë. Unë i drejtohem, o presor, të marr tezën e të përgjigjem, se të gjithë lëndën e di për maje gishtash. Më pas të spjegoj dhe fotografinë. Kuptohet bëhej fjalë si realizohej fotografia nga shirit negative, larja në solucione, futja në aparat projeksioni dhe prodhimi i pozitivit të saj. Pra ishte një proçes që sot nuk përdoret më.

Ai mu hakërrye, kujt i thua kështu, bërtiste fort me ju fut frikën të gjithëve. U detyrava, mora fotografinë e zbërtheva të plotë. Ai mu drejtua, “kashtë, kashtë…”. I them çfar doni të thoni me këtë fjalë…Ai u revoltu më shumë se si një student “malok” e kundërshtonte kështu.

Në këtë debat vjen Rexhep Mejdani, në atë kohë dekan i shkencave të natyrës. Ai e dinte që unë isha shumë mirë edhen në këtë lëndë, duke pasur parasysh se sa mirë isha në lëndën e tij të fizikës, kur dhe u jepja mësim nxënësve të tjerë pasditesh, për ti ndihmuar.

Mejdani këmbënguli të qetësohesha…më tha kam borgj me mbledh komisionin me të dhënë notën që meriton. Ai këmbënguli se do fliste me prof. Minellën dhe se do ishte garancia ime. Pra përfundimisht Rexhep Mejdani më tha ky do me të lënë për vjeshtë. Në vjeshtë mora katër teza rradhazi…të gjitha i bëra menjëherë. Profesor Minella më thotë a je i kënaqur me 7. I thashe jo…debat dhe aty, pasi ky ishte i tmerrshëm me studentët. Askush nuk guxontë ta kundërshtonte. Megjithatë kaluan dhe katër vite tjera shumë mirë, deri kur erdhi koha e mbrojtjes së diplomës.

Si bëhej mbrojtja e diplomës, dhe kush ishin udhëheqësit e diplomës tënde.

Për të realizuar mbrojtjen e diplomës erdha në Rubik. Falë dijeve që kisha, tashme më erdhi në mendje të bëja një novatorizëm ku në një proçes teknologjik në ektrolizë, fletët katodike lyheshin me parafinë për të mos kenë kontakt me njëra tjetrën. Në vend të prafinës, mora në Fier te azotiku një lloj solucioni, si punë sapuni. Bëra disa eksperimente në një vaskë të madhe, pata ndihmën e pa kursyer të punonjësve dhe inxhinierit Robert Zonja në Uzinë. Provat dolën me sukses dhe nisi përdorimi në repartin e elektrolizës ku ishte proçesi më i rëndësishëm, pra ku ndahej deri dhe floriri. Ishte një zgjidhje shumë e mire, ulte koston në mënyrë të pabesueshme, por edhe ishte më e lehtë të realizohej, pasi parafina edhe ngjitej dhe donte shumë kohë të pastrohej. Në uzinë më falenderuan shumë se kjo ide u erdhi në ndihmë, pasi me këtë zgjidhje dilni krejt rrogat e uzinës.

Me këtë realizim u paraqita në Universitet, ku udhëheqës diplome kisha nj inxhinier të uzinës Rubik, një Robert Zonja, ndërsa pranuesi i diplomës do të ishte përsëri profesori Minella Karajani. Gjatë deputimit tim, Karajani u sh-mrekullua.

Pyeti kush është drejtuesi i diplomës këtu…unë thotë ing. Robert Zoja..Janë bërë këto gjëra, i thotë profesori…Po janë bërë u përgjigj Zonja…seriozisht janë vënë në prodhim…ka një efektivitet të tillë. Atëherë Minella çohet në këmbë, mu drejtua, eja ti jap dorën këtij njeriu se dikur i kam rënë në qafë. E habitshme por të nesërmen më nxjerr në faqe të parë gazeta “Mësuesi” Ja se si një student realizon një shpikje kaq efektive…Rexhep Mejdani më ka mbajtur afër shumë, se isha nën vëzhgim të tij.

Dhe ja shkollimi mbaroi. Ju u caktuat në Reps. Pse jo në Rubik ku kishe ralizuar shpikjen?

Kisha dhe një arsye vetë. Doja të isha larg Rubikut ku mund të më bënin pasaportizim në qytet, dhe më vonë e transferoja pasaportizimin nga qyteti në qytet, pra nga Repsi ne Rubik, pasi duke qenë në Rubik dhe banesën në Munaz, nuk kisha të drejtë pasaportizimi.

Në atë kohë u largua nga miniera e Spaçit dhe Repsi ing. Pjetër Tarazhi. Punova me pasion, natë e ditë te puna. Realizova shumë shpikje që i vinin në ndihmë punës, por edhe punonjësve. Kisha mbështetjen e përgjegjësit të Repsit Mark Legisi, një burrë shumë i urtë dhe i komunikueshëm.

Një ditë më thërret drejtori i madh Frrok Suli, punëtor i palodhur dhe shumë novator. Më thotë inxhinier…të kam thirr edhe si djal i mikut tim, Pal N. Marku. Jam shumë i shqetësuar se nuk po realizohet plani. I them do bëj të pamundurën nga ana shkencore, pra do shkoj vetë te procesi më i rëndësishëm që me anë të proçesit të flotimit, mblidheshin grimcat e abkrit, argjendit dhe arit, por nëse proçesi i flotimit nuk ndodhte periodikisht minutë pas minute, metalet e çmuara përfundonin në lumë.

Aty gjej një grua që ndiqte proçesin teknologjik, pra që duhej të hidhte disa reagente që të ndodhte flotimi. I çel rubinetat e reagentëve siç e kërkonte rregullorja dhe flotimi ishte perfekt. U largova për disa orë dhe kur kthem të bëj kontroll ishte për të vënë kujën. Gruaja po rrinte diku larg në terezi të saj, ndërsa flotimi ishte ndërprerë, pra metalet e çmuara binin në lumë. I drejtohem i alarmuar, po çke bërë mo. Ajo për tu shfajsuar më thotë se rubinetat nuk i ka prekur pas meje, dhe afër nuk mund të qëndronte se flotimi lëshonte një erë të rëndë. I them mos u tremb se nuk do të bëj problem, ndaj mendja më shkoi të gjeja një lloj atack ngjitës që të bllokonte levizjen e aksit të rubinetave gjatë proçesit të bluarjes së mineralit, pasi krijohej dridhje e fortë. Për fat kjo funksonoi shumë mirë. Plani u realizua, madje me ritëm mbi normalen. Frrok Suli me jepte falenderime pafund. Në Reps po kaloja shumë mirë. Isha i angazhuar në sferën e kulturës si rregjizor dhe aktor, por edhe pikturën nuk e linja pasdore.

Deri kur kjo…

Deri kur një ditë, pas tre vitesh aty, më vjen në reps ish-drejtori u uzinës Mark Dudi. Më thotë…Nikollë ti duhet të vijsh në Rubik, pasi situta në uzinë nuk është e mirë. I them, drejtor të lutem më ler këtu, se akoma nuk ma kanë bërë pasaportizimin. Marku ishte shumë autoritativ ndaj më thotë, nesër bisedoj me Preng Pepën në atë kohë kryetar komiteti dhe pasaportizimin do ta kesh në Rubik. Atëherë e pranova ndaj me të rënë në Rrëshen, nga larg më thërrët kryetari Preng Pepa dhe më thotë, thuaj babës tënd se atë  porosinë do e mbarojmë. Moos i them me të qeshur, bëjeni pa e lajëmruar babën, se ai nuk do pranojë, se me don të shpija..Babës edhe nuk ja bënin fjalen dysh pasi ishte anëtar i kuvendit popullor, deputet siç quhet sot.

Dhe nisët punë në uzinë….

Sapo nisa punën në uzinë në repartin e rrafinimit, ndërsa kolegët dhe qytetarët e Repsit më kishin surprizuar duke vendosur një banderolë të madhe në qytet, me mbishkrimin: “Po ju japim inxhinierin që solli rezultate të larta në fabrikën e Repsit”

Cila ishte dita e parë e punës?

Shkova në repartin që merrja në ngarkim dhe i rashë cep e në cep. Thirra inventarin dhe i them magazinjeres Liza Biba, një grua shumë korrekte peshoni çdo gjë dhe numërojini fiks e më sillni fletën e iventarit. Ashtu u bë. Mora kopjen me vete dhe u futa në zyrë. Kur më çast me vjen një shef plani dhe më thotë, se ke për të thënë se në magazinë janë 410 ton bakër blistër gjëndje. I habitur i them se kurrë jo, pasi gjendje janë diku 11 tonë tonë..Ke për ta lënë 400 tonë, se hyjmë në burg të gjithë…i habitur i them, pse more kjo..në asnjë mënyrë i them. Ata alarmohem, por më porositi të mos flas me askënd.

Vjen kontrolli i planit të shtetit, Refik Bulo dhe Franko Kroçi për të bërë shtrirjen e planit të vitit. Vendosen në një zyrë afër zyrës së drejtorit. Një inxhinier aty u thotë se nuk mund të realizohet plani që thuhet, se ka një minus në bakër blistër. Ata habiten dhe më kërkojnë mua për sqarime. Shkoj të zyra e këtyre. Më thonë ing, a njeh minus në bakër blistër. U them unë nuk merrem me këtë punë. Sapo kam ardhur këtu, kam bërë iventorin e plotë dhe e kemi fiks. Më pyetën sërish, u thashë nuk bëj shaka. Atëherë thirrën drejtorin. I thanë, a dini se keni minus në bakër blistër. Po, u thotë Marku, madje kemi njoftuar në ministri Spiro Qendrën. Në fakt drejtori nuk e dinte se kjo duhet fshehur. Tjetërkund ishte loja. Sapo iku drejtori, ata të ministrisë ikën menjëherë.

Po pse kjo situatë, në fakt ku kishin shkuar këto 400 tonë. Cila ishte e vërteta?

Në fakt ato 400 tonë bëkër nuk kishin qenë kurrë. Karajfilat e partisë kishin bërë raportime fiktive sikur e kishin prodhur këtë sasi bakri, duke dhënë idenë e realizimit dhe tejkalimit të planit, me qëllimin  egoist që uzina e drejtuar prej tyre të merrte titullin e lartë “Hero i Punës Socialiste”. Këtu nuk bëhej fjalë për ndonjë vjedhje, por për raportime fiktive për për lëvdata, që më vonë u mbeti patate e nxehtë në dorë e që po tentonin që për të shpëtuar vehten e tyre, këtë patate të nxehtë ta hidhnin tek duart e mija.

U dha alarmi…

Shefi i planit, partia, skutat krejt në alarm. Zgjidhja e vetme ishte të akuzohej inxhinieri, pra unë, për zhdukjen e 400 tonëve. Pra u inskenua burgosja ime, që të shpëtonin të gjithë këta që e kishin inskenuar.

Tashmë partia ishte alarmuar. Duhej dhënë ideja se partia kurrë nuk gabon. Sekretari i partisë kishte organizuar të paktën tre persona që të mbështesnin akuzën në një mbledhje publike ku të bëhej fillimisht diskretitimi im, pastaj i hapej rruga arrestimit. Çuditërisht edhe gazi i degës ishte te porta e uzinës.

Ishin gjetur dy persona që ishin detashmet i gatshëm, ndërsa kishin arritur ti merrnin magazinjeres Liza Biba një firmë në letër të bardhë, gjoja për një punë të thjeshtë, por në të kishin shkruar gjithë të zezat për mua, gjoja se inxhinieri na ka urdhëruar të hidhnim në lumin Fan, 400 tonë bakër.

Unë shkoj në atë mbledhje krejt qetë pasi e mendoja të zakonshme, por sekretari më bërtet ulu aty, dhe fillon retorikë për armikun, sabotimet, për të njollosur uzinën që të mos shpallet uzina “Hero i Punës Socialiste”. Duke përfunduar thotë se ky element armik është Nikoll Marku….Ou ou bëra disa herë, pasi as më kishte shkuar në mëndje një situatë e tillë. Salla ishte me qindra vetë aq sa mu errën sytë. Inskenimi vijoi me drejtuesin e një motokarroje i cili thoshte se inxhinieri më ka urdhëruar të hedh bakrin në lumë. Më tej vijoi me një lumë akuzash duke më etiketuar kriminel e sabotator, ndërsa një grua tjetër u çua sipas porosisë dhe përsëriste, se kriminel më të madh se këtë nuk kam parë, ky është armiku më i madh, më ka urdhëruar më ba këtë e atë… Në fakt ishin thirrur për të deponuar edhe 6 të tjerë por meqë nuk kishin pranuar, i kishin larguar nga puna.

 Rradha ishte e magazinjeres së rrafinimit, Liza Biba dhe më pas e hekurave. Liza u çua në këmbë. Tejet e revoltuar ju drejtua sekretarit të partisë. Dëgjo Gjon, këtë veprim që po bëni ju është për turpin tonë të gjithëve. Se kam lindur, inxhinier më korrekt nuk kam parë. Unë e kam peshuar dhe ka qenë 11 ton bakër e jo 400 tonë. Ti më kë thënë hidhe firmën këtu se do bëjmë një material dhe unë në nxitim e kam hedh firmën. Deklaroj para jush se unë nuk e di se çfar keni shkruar në atë letër. Kaq u desh u çua gjithë uzina në këmbë në mbrojtje timen. Mbledhja dështoi..të gjithë dolën jashtë, ndërsa dhe makina e policisë u largua. Mori guxim të forte Liza Biba dhe unë nuk kam mundur me e shpërblyer as më fjalë të paktën.

A u la me kaq?

Jo, ishte problem. Duhej medeomos të mbyllej çështja, pa u njollos partia e cila nuk gabonte. Pas pak ditësh më thërret Tonin Sata në komitet të partisë. Ishte sekretar i rëndësishëm, por dhe një shkodran i mirë. Nuk e di në çfar rrethansh e kishte kuptuar, por në konfidencë më tha se nuk duhej të pranoja që të antarësohesha në parti. U habita se nuk kisha bërë një kërkesë të tillë, por me të mbërritur në uzinë, më thërret sekretarja e organizatës së partisë dhe më kërkon që të plotësoja letrat për në parti. Unë e refuzova kategorikisht, pasi kisha dhe sygjerimin konfidencal të Tonin Satës. Më vone mësova se ideja ishte të realizohej një konflikt i stisur me një provokator i cili mund të lyhej dhe me bojë, që të mundësohej arrestimi im.

A ishte kjo tentativa e fundit për të shpëtuar partinë nga skandali i gatuar, thjeshtë për marrë flamurin?

Nuk mund të hiqnin dorë lehtë, pasi atyre u duhej një justifikim i fortë para eprorëve të tyre e mbi të gjitha për të shpëtuar moralin politik. Kështu më thërret në një takim një kuadër i lartë që kishte shërbyer në disa rrethe. LL.P.N kishtë marrë përsipër zgjidhjen e kësaj situate kaq të rëndë, natyrisht ai ishte njeri pozitiv dhe nuk kishte qëllime të këqija, përpos zgjidhjes së situatës. Nikollë më thotë, të lutem prano se ka ndonjë gabim dhe kërko falje partisë dhe të mbyllet me kaq. I them se unë kam vetëm disa muaj aty, si mund të justifikoj zhdukjen e 400 tonëve bakër.

Nejse, pas disa ditëve vjen një kuadër i lartë politik nga Tirana dhe bën takim masiv me punonjësit e uzinës. E merr fjalën shtruar duke theksuar se partia nuk mund të gabojë, por edhe një inxhinier mundet të gabojë. Rëndësi ka që inxhinieri e ka kuptuar dhe të kërkojë falje. Unë i çuditur kërkoj fjalën.

I them se zona e Mirditës ka pasur zakon si test të vërtetës të bëjë betim mbi “ungjill”. Më sillni një ungjill dhe unë tu betohem se Nikoll Marku kurë nuk ka bërë veprim kundër ligjit, jo më të kem zhdukur 400 ton bakër. Kur nuk mund të mbaja më presion ju drejtova me emër sekretarit të partisë në uzine, duke i thënë se këta e kanë tjerrur këtë lojë, vetëm që të marrin flamurin dhe titullin e lartë. Udhëheqësi mu kërcënua, ndërsa unë i thashë kë fyen ti. Dikush më tërhoqi jashtë dhe kjo situatë aspak e mirë mori fund aty. Pas kësaj, kur situata po vloonte, ndonjë budalla për të gjetur zgjidhje u tha ta heqim mga sektori i rafinimit, e ta çojmë te laboratori. Në fakt ashtu u bë.

Duket se këtu do të ishit më të qetë?

Jo në fakt. Deri para se të shkoja unë aty, analizat e arit dhe argjendit i kishte bërë një pa arsim përkatës. Ai i konfirmonte dhe kallëpet e floririt futeshin në magazinë. Kur vajta unë aty, qe të kallëpi i parë që më erdhi, analizat nuk e konfirmonin cilësinë. Për pasojë i gjithë floriri në magazinë binte poshtë. Një pjesë kishte shkuar në bankën e Shqipërisë, por ata nuk kishin laborator, thjeshtë e magazinonin. Situata u bë alarmante, ndërsa nga partia në rreth më erdhi një fjalë e tillë, ku ka ari të keq o…., u çova fjalë se nuk ka ar të keq, por ato nuk janë lingota ari. Në këtë situatë erdhi nje specialist nga Këshilli i Ministrave për ta ndarë këtë gjë. U muarën kampionet e kallëpeve në magazinë, ndërsa rezultati doli ai që kisha dhënë edhe unë. Ata bënë rrumujë të forte.

U bë kontrolli i proçesit dhe rezultoi se cilësia nuk ishte e plotë, falë një moskontrolli rutinë. U gjet se katoda ishte veshur me një “nauhash’ që e ulte rezultatin. Thjeshtë u bë pastrami i saj, ari filloi të dilte i cilësisë së kërkuar, ndërsa u mundësua teknologjikisht përmirësimi i cilësisë së arit të magazinuar.

Dihet se në fund të kohës së rregjimit komunist ari i Rubikut u çua në Zvicër, madje ka shumë hamendësime dhe spekulime për këtë. Si është e vërteta?

Në dy vende janë pikat e garancisë për ruajtjen e metaleve të çmuara, në SHBA dhe Zvicër. Në vjeshtën e vitit 1988 presidenti Ramiz Alia më thirri në mënyrë sekrete në një takim. Në fakt mua më çuan në bankën e Shqipërisë, kur në një zyrë aty shoh Ramiz Alinë. Pasi u takuam Ramizi më tha se të kemi thirrur për një bisedë, por sëpari duhet të jesh i qartë dhe i sigurtë se për çfar flasim këtu nuk duhet tja thuash askujt, porosi e prerë, askujt. Më tej më tha se ti ke ba analizat e arit dhe arin ne e kemi këtu. A je në gjëndje si kimist ta mbrosh cilësinë, siç e ke shkruar në analizë. I them presidentit që, nga dita që e kam marrë unë atë punë e deri më sot, kam garanci të plotë si kimist, por edhe për sedër se çdo gjë është fikse, në të kundërt jam gati të ndiqem penalisht.

Atëherë, mu drejtua Ramizi, të falenderoj për këtë, unë po iki ndërsa ju vijoni planizimin e proçesit në start, por ama mora garanci se nuk do flasësh me askënd për lëvizjen e arit drejt Zvicrës.

Në fund drejtori i madh i bankës, por edhe i thesarit më thanë ik në shpi, por kur të thërrasim në do vijsh të flesh në Tiranë. Unë me tu kthyer në Rubik porosis bashkëshorten, i them nëse të provokon ndokush për lëvizjet e mija këto ditë, të thuash se nuk di asgjë, pasi diçka do të ndodhë.

Nuk kaluan dy tre ditë kur një grua misterioze troket në derën e zyrës së bashkëshortes time e cila ishte kryetare e këshillit të qytetit. I thotë zonja Angjelina a mund të pijëm kafe bashkë. Jo pranon dhe dalin për kafe. Ndërsa nusja ime e pyet se kush jeni ju, ajo i përcjell një përgjigje disi pa kuptim dhe vijon duke e pyetur. O Angjelina, burri jot a ka ndonjë plan për të lëvizur këto ditë…Angjelina i përgjgjet e çuditur si me ton, ku more, as që ja kam dëgjuar. Ajo kishte qenë drejtoresha e kuadrit në Bankën e Shqipërisë e çuar për të verefikuar, nëse ne mund të flisnim rreth kësaj teme, apo jo.

Po pse gjithë ky sekret?

Sepse transportimi i vlerave të tilla monetare për arsye sigurie në proçesin e transportit duhet mbajtur shumë sekret. Po të nuhatej para, llogaritej se avioni me të cilin do transportohej ari dhe argjendi do kalonte shumë poshte nëpër pjesë të Jugosllavisë. Mundej që grupe të specializuara kriminale shtetërore ose jo, ta qëllonin avionin dhe ta rrëzonin. Merrnin arin dhe argjendin dhe në këto kushte, askush nuk pyet për jetë njerëzish.

Si u proçedua më tej?

Me 15 nëntor 1988 u thirra në Tiranë. Gjatë natës ushtarët e gardës ngarkuan në kamion arakat me floririn dhe argjent. Arkat me ari ishin metalike më të vogla me 12 kg ari dhe të mbyllura me “tutius” të vogël. Kishte nga ushtarë, ndoshta të porositur që na pyesnin se çfar kishte në këto arka. Në përgjigjeshim se as që e dimë fare se çfar ka aty. Në të zbardhur të ditës mbërritëm në Rinas dhe i ngarkuam në avion i cili ishte pronetuar apastafat për këtë operacion. Ndërsa bashkë me tre persona të Bankës së Shtetit u ulëm në kafe. Në këtë moment na vjen një polic krejt egër. Ke fol ti, ke fol ti, ke fol ti na u drejtue sejcilit. Ne e kundërshtuam kategorikisht. Atëherë ai me të qeshur u ul në tavolinë me ne. Kuptuam se ishin masa sigurimi. Përfundimisht i hipëm avionit dhe sipas kohës që e përshkon zbritëm në Zyrih. Aty dolën makinat e sigurisë e na morën me drejtim bankën union, ku ari u depozitua në seksionin e Shqipërisë, aty ku shkruhej “Union Albania”.

Nuk vonoi dhe direkt Ramiz Alia u lidh ne telefon me një nga bashkëudhëtaret tanë, shefin e madh të thesarit Fari Hoxha. Pasi biseduan Fariu na u drejtua neve. Atje në Tiranë po bëjnë festë, se arritëm pa probleme në Zvicër.

A u kontrollua patjetër cilësia dhe sasia.

Natyrisht që po. Asnjë kallëp nuk u kthye mbrapsht. Çdo gjë ishte në perfeksion. Mbi dy muaj e gjysëm qëndrova në Zvicër, pasi bënim analizë të detajuar për sejcilin kallëp. Analizat i bënim paralel si unë si ata. Sapo kovergonim mbyllej proçesi.

Ka shumë spekullime. Ju me firmën tuaj, sa është sasia e arit dhe argjendit që keni depozituar.

Me përgjegjësi të plotë e them se i gjithë ari i nxjerrë në Shqipëri, është ai i nxjerrë në Rubik. Në Rubik janë nxjerrë 2 ton ari dhe 40 ton argjend. E gjithë kjo sasi është transportuar me firmën time si kimist, ato ditë nëntori të vitit 1988. 

Përsa dijeni keni, a është prekur kjo sasi dhe sa ndodhet në Zvicër?

Këtë e di mirë. Në Zvicër edhe sot ndodhen po aq, 2 ton ari dhe 40 ton argjend. Kjo sepse parlamenti shqiptar asnjëherë nuk është mbledhur për lëvizjen e ndonjë sasie ari dhe dihet botërisht, se bankat e Zvicrës e lëvizin ndonjë pjesë vetëm e vendim të parlamentit të Shqipërisë.

Në ditët që qëndruat në Zvicër, si u trajtuat?

Nuk e harroj kurrë atë kohë. Zviceranet mikpritës më pyetën se nga cila trevë e Shqipërisë isha. Unë u thashë nga Mirdita. Kaq u desh që ata të kërkonin mbi zakonat tona. Kur shikoj një natë në darkë kishin imituar oxhakun tonë dhe në vargonj kishin varur tavën me ushqim tradicional të zonës tonë. Zviceranët u ndanë shumë të kënaqur dhe në shenjë respekti më dhuruan furrë induktive për arin falas, shumë cilësore.

Dhe vijnë vitet 90-ta, rregjimi ra ndërsa me uzinën çfar ndodhi?

Ndodhi ajo që dihet. Fillimisht ne një grup inxhinierash disi idealistë u munduam ta mbanim në këmbë për ta përshtatur në kushtet e reja, por ra dhe sistemi zinxhir. Maje u tentua të hidhej në erë oxhku i metalurgjisë që këtë shërbim tja jepnin një firme turke, por këto i takojnë të së shkuarës.

A mbajte më kontakt me kolegët në Zvicër dhe çfar  bë me vijueshmërinë e arit?

Zviceranët që në atë kohë patën kërkuar kampione të ndryshme nga e gjithë Shqipëria për analiza nëse kanë përmbajtje floriri, apo platini. Këtë e mbante mend Banka e Shqipërisë ndaj unë kam mbledhur kampione të tilla dhe përmes bankës i kemi çuar në Zvicër. Zviceranët kishin referuar se në disa zona për përmbajte të lartë platini dhe në këto kushte banka më sjell mua analizat që ti konfirmoj. Unë në atë kohë kisha laboratorin më të mirë në Ballkan të paktën. Bëra analizat përkatëse por nuk më rezultoi ashtu, duke u thënë se, mos kanë njësinë matëse gabim. Ishte viti 1994, ndërsa banka njoftoi presidentin Sali Berisha. Në këto kushte presidenti kërkon me insistim që analizat të bëhen në një vend tjetër të botës.

…dhe sërish u thirre ti?

Po, isha në punë inxhinier në uzinë kur vjen një veturë ushtrake e Ministrisë së Mbrojtjes. Më thonë bëhu gati se të kërkon urgjent presidenti. Unë ashtu siç isha madje me një gazetë të thekur opozitare nën krahë, hypa në makinë dhe në kohë rekord u gjeta në presidencë. Vetë ministri Zhulali më shoqëroi në zyrën e presidentit. Presidenti pasi më përshëndeti më tha ulu në kolltuk. Unë disi i habitur e pyes z. President, përse më ke thirrur. Të kam thirrur si shok më tha presidenti. Jo more si shok, ja ktheva, se është kohë tjetër. Jo më tha si shok, duke më treguar gazetën që akoma po e mbaja instiktivisht nën krahë. Shpërthyen të qeshurat, ndërsa i thashë nuk e kam bërë me qëllim, por kështë më morën nga vendi i punës.

I them z. President a më ke thirrur për arin që kemi çuar në Zvicër, se kishte dalë një Xhon Megou që fliste për një aeroplan me 200 tonë ari që kishte dalë nga Rinasi në vitin 1988, ndërsa kanë qenë vetëm dy tonë ari, e 40 ton argjend.

Jo, më thotë presidenti atë e di se kam burimet shtetërore, por fjala është për analizat e platinit që janë bërë në Zvicër. Aaa i them, analizat për mua nuk janë të sakta. Gjatë kafes më thotë duhet të më ndihmosh. Merr monstrat dhe shko në çdo vend ku mund të bëhen sipas bindjes tuaj. Unë u largova dhe marr të gjitha monstrat. Ndërsa isha në zyrë ne Uzine, më bie telefoni. O Nikoll ku je me thotë, i them kush jeni.. po jam presidenti më thotë, e nesër hajde në presidencë.

Të nesërmen shkoj në presidencë, ndërsa në prezencën time i telefonon kryeministrit duke i thënë se në Moskë për këtë analizë do të shkojnë përkthyesi dhe kimisti Nikoll Marku, jo tjetërkush. Kjo rrëzoi planin që ishte bërë nga kryeministria për të shmangur kimistin e “provinces” me ndonjë aty të rrugës para kryeministrisë. Sidoqoftë unë shkova në Moskë ku qëndruam dy muaj. Për fat të keq analizat dolën siç i kisha thënë unë përpara, pra pa përmbajtjen e lartë të platinit, pasi kjo nëse do ekzistonte e vërtetë, do të ishte një mrekulli.

Po tani në pension, me çfar angazhoheni?

Jam ekspert mjedisi, kam një liçensë që është productive dhe një laborator këtu në Tiranë.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest