Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Një letër e rrallë e akademik Mark Pjetër Doçi, për nipin emigrant 28 vite më parë.

Viti 1995. Një letër e rrallë e gjyshit akademik, për nipin në emigracion.

Nga Pirusti News
1 710 Shikime

Mark Rica: Gjyshërit, udhërrëfyesit moral për nipat e mbesat.

Këto ditë m ra në dorë letra origjinale që Mark Pjetër Doçi i ka shkruar nipit të tij Ermald Viktor Doçit, para 28 vitesh (me 20 Tetor 1995), i cili në ate kohë ishte 18 vjeç dhe punonte në Latina të Romës.

E lexova me vemendje. U emocionova shumë dhe mendova:

Si ka mundësi që akademisti 84 vjeçar Mark Doçi, luftetari i Bestrovës me 7 Prill 1939, drejtuesi i formacioneve të luftës Nacional – Çlirimtare, (shefi operativ dhe Zv. Komandant i Brigadës VII-të S, që luftoi deri jashtë kufijëve shtetëror, në Vishegrad Janar-Prill 1945), themeluesi dhe instruktori i shkollës së parë të oficerëve në Tiranë (1945-1946), qëndrestari i papërkulur i burgjeve të sistemit komunist, vuajtësi deri në ekstrem i luftës së ashpër të klasave , “KUVENDON“ me shkrim me nipin e tij, sikur po kuvendon me një burrë të pjekur apo moshatar të tij dhe perciell kaq shumë mesazhe për të punuar e jetuar me nder e dinitet ???.

Kam lexuar disa letra që personalitete të mëdha të shkencës, letërsisë e artit, kur janë bërë gjyshër, ju kanë shkruar nipave dhe mbesave dhe janë publikuar në libra apo gazeta.

Këto ditë, këtu në Ravenna (Itali) lexova edhe një letër të Umberto Eco (shkrimtar, filozof, kritik letrar, semiolog dhe profesor universiteti; fituesi i çmimit NOBEL), drejtuar nipit të tij me rastin e Krishtlindjeve. Titulli ishte interesant : “Këshilla për t’u mos u bërë idiot”, ku nder te tjera shkruan: “ ..kur të vinte çasti për t’i vënë në zbatim (ti i rritur dhe unë i ikur nga kjo botë), sistemi i vlerave do të ketë ndryshuar kaq shumë, sa që rekomandimet e mia ndoshta do të kenë dalë mode.”

Por impresionimi im ka qenë më i madh nga letra e Mark Doçit drejtuar nipit sesa letrat qe kisha lexuar më parë.

Rekomandimet e Mark Doçit për te nipin e tij (që ai i len si “amanete”), të pa njohura nga askush, nuk kanë dalë e as nuk dalin mode kurrë.

Një studim i kryer nga Universiteti i Oksfordit, ka treguar se; “Kontaktet e shpeshta dhe lidhjet dashamirëse midis gjyshërve dhe nipërve të tyre gjenerojnë mirëqenie sociale dhe emocionale tek fëmijët dhe të rinjtë…”

Dashuria e gjyshërve për nipat dhe mbesat e tyre është një nga më të sinqertat, më të bukurat dhe më të veçantat.

Ne ditët e sotme, ne gjyshërit dhe gjyshet jemi një pjesë e rëndësishme e shoqërisë dhe duhet ta lozim rolin tonë që na takon.

Besoj se kjo letër që po jua publikoj, (me lejen e Ermaldit që e ka ruajt për 28 vite), do tu japi nje mesazh gjyshërve (por edhe të tjerëve) për të mos u harruar.

Kur pyeta sesi ka mundësi që Ermaldi e ka ruajtur 28 vite këtë letër të shkruar keq ngase gjyshit i dridhej dora e i lotonin syte, ai ka thënë: “E kam ruajtur pasi kjo letër deri me sot ka qene busulla ime orientuese për të mos u mbytur në oqeanin e pamëshirshëm të kësaj jete globaliste e të pa drejtë“…

Faleminderit Ermald që ma besove mua këtë letër me vlera edukative për breza e breza pas nesh…

(Letrën po e publikoj në gegnisht, siç e ka shkruar Mark Doçi dhe pa ndryshime.)

Mark RICA, Ravenna (Punta Marina) me 6 Janar 2023

Letër e Mark Doçit, dërguar nipit të tij Ermald Viktor Doçit kur ishte në Latina të Romës me 20 Tetor 1995.

I dashtun nipi im Mald!.

Së pari të uroi t’tana të mirat e një mal me shëndet. Na ka marrë malli shumë. Mua të lutem të më shkruajsh më shpesh. Tani, u bana 84 vjeç e ti 18. Unë pra po të them se zor se do të mundem me të shkrue ma, se jam plakun krejt, më dridhet dora dhe sytë më lotojnë nga malli, por edhe nga pleqnija..

Sa kemi jetue bashkë, jam përpjek që tu them të vërtetën për çdo gja që kam ditun, që ju të përfitoni ma të mirat e të baheni njerëz krenar e me dinitet. Pa mbush as 10 vjeç ne mësuem bashkë gjuhën italiane të poeteve te medhenj; Dante Aligeri, Giacomo Leopardi, Eugenio Montale, Luigi Salierit, etj.. Kur shkove emigrand pa mbush as 17 vjeç kjo gjuhë të hyni shumë në punë.

Ti e Mondi, me një zell të madh patët mesue përmendësh shumë kangë nga poema madhështore “Lahuta e Malsise” e Fishtës. Ju pata thanë që kur ishi të vogjël, e po ta përsëris, se kjo asht vepra e vetme për të mësue me folë e me shkrue gjuhen e nanës .

Tani që të kam larg, e je akoma i ri me e ditë jetën e kurbetit, e kam me merakt me ti dhanë do porosi, e besoj se ke me mi dëgjue:

Ti po punon e jeton në Romë (Latina), një ndër qytetet më të mëdha e të randësishëm të Europës së përparueme që ndryshon kryekëput nga qytetet e Shqipnisë, e cila sapo ka dalë nga izolimi i tmerrshëm. Por mos harro asnjëherë nipi im se edhe atje shumë gjana nuk janë për mirë, prandaj gjyshi yt po ti shkruan në këtë letër disa gjana, si amanete:

– Shpalli luftë të fortë, pa ndërpremje e tu thuash një JO të fortë Mafjes, drogës (e si koseguencë e kësaj të fundit, sidës, që është sëmundja ma shkatrrimtare për jetën e njeriut).

– Mbaje mirë trupin me pastërti. Po deshte me ruajt shëndetin, ushqehu mirë dhe çdo ditë ushtroju me gjimnastikë.

– Mos pi duhen e alkool. Nëse mërzitesh a stresohesh dhe i kerkon këto dy artikuj, menjëherë merr një libër a gazetë dhe lexo deri sa ta kalosh gjendjën e randë shpirtërore. Leximi; po të mësohesh me të, asht’ ushqimi i shpirtit dhe mendjes.

– Të jeshë shumë besnik me shokë, por besë të mos i zajshë çdo gjaje që dëgjon.

– Nipi im. Nëse bie ngusht, dil e lyp, por kurrë mos vidh.

– Kurrë mos luaj lojna me pare (bixhoz) . Paren ta fitosh me djersë, se vetëm ashtu ajo ka bekimin e zotit. Kush punon shumë e pa hile asht i besueshëm, i dashtun e i nderuem prej gjithkujt.

– Mos baj shoqeri me shumë njerëz. Zgjidhe shoqninë të mirë.

– Sillu me urtësi e mirë që mos të ndodhe ndonjë e papritun. Shko mirë me të gjith e bajë sa të mundesh ndera, me fjalë dhe me shpenzime kur mundesh.

– Je vëllai i parë. Ke mbas veti dy vllazën e një motër që presin prej teje. Kurrë mos i harro as prindërit që kanë vujtë shumë e kanë sakrtifikuar për tu rritur ju.

Mald.

Teshat (rrobat) që ju ke dërgue kalamajve për Zef Jakun, i morën. Sa u gëzuan ata more Mald. Te gjitheve u ranë si t’ua kishe marrë masën.

Tashti po të shkruaj edhe se çfar po ndodh këndej nga Shqipnia..

Liza e Viktori gjith ditën në punë. Kalamajt në shkollë. Elvio e Elsa jane rritur mjaf për moshën 7-8 vjeç që kanë, por ama burrë nane nuk ka si u’a qet. Një minut nuk rrinë rehat, thua se kanë fletët e hecin për qielli. Elvio, tashma 14 vjeç rrin me më të medhej se mosha e vet, (me 18 a 20 vjeçar) e nganjëherë me ta ban edhe boks e karate. Për Elsën çdo minut kërset zilja e derës nga shoqet e saja që e kërkojnë me lujt por edhe me u ankue se; “Elsa na ka rrahun e nuk na len me lujtë”. Ka fillue qysh tashti me u “spitullue”. Një ditë kishte lye me të kuq buzët e thojt e duarve, bash për “qef” të Viktorit i cili kur e pa ashtu të lyeme u revoltue…

Për shpi jemi në sahat të lig. Nuk kemi ka sillemi…..

Mald. Shko mirë me kushrijt që janë në Itali. Ma gjejë e ma dërgo adresën e Luigjit se po çmendet e ama (Ruta) se nuk po lidhet me ta. Pero ka një muaj që ka shkue me punue në Greqi. Genci mbaroi gjinmazin dhe ka shkue ushtar në Gjiriokastër. Iliri asht në konvikt në Durres e vazhdon vitin e dyte të shkollës atje. Akili asht oficer në Komisrajatin e Policisë në Laç. Berti e Zana janë në punë ketu. Davidi sapo ka mbarue ushtrinë. Vlashi ka ra e banon këtu në Gallatë. Stefani si Preng Pasha në Rrëshen, djalin e vajzën i ka në shkollë e po mësojnë shumë. Ded Mjeku ka ra në Mamurras. Linda me gjith burrë punojnë në Rrëshen. Teuta asht martue me një djalosh shumë të mirë nga Lekbibajt dhe banon në Tiranë. Leonardi ka ardh prej Italie me pushime, ndërsa Kostandinin e ka lënë në Aosta e po punon shumë, por punen e ka të lodhshme. Pal Lleshi e Silvia janë mirë por mos lashtë zoti njeri vetëm.

Maldi. Të uroj nga zemra një fushë me të mira e një mal me shendet.

Perqafime me mallë.

Gjyshi. Laç me 20 Tetor 1995.

Kush ishte Mark Pjetër Doçi?

 Lindi më 1912, në Mirditë. Më 24 gusht 1946, me vendim nr. 7, Gjykata ushtarake e Tiranës e dënoi «për krimin armik i popullit dhe sabotator i pushtetit», me 10 vjet burg, humbjen e të drejtave qytetare dhe politike për kohën e dënimit dhe shkarkimin nga përgjegjësia. AISKK, F 1. V 2013. D 5/1. Fl. 1946-1947

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest