Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Marrëdhëniet Shqiptaro-Osmane nën dritën e dokumenteve (1912-1914)

Nga Dr. Nikollë Loka

Nga Pirusti News
430 Shikime

Në këtë artikull do të analizoj marrëdhëniet shqiptaro-turke që nga viti 1912, kur Shqipëria shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane deri në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore.

Në këtë artikull kam synuar të shqyrtoj marrëdhëniet shqiptaro-osmane nën dritën e dokumenteve për një periudhë të rëndësishme historike që nis me shpalljen e pavarësisë dhe përfundon me fillimin e luftës së Parë Botërore. Shqipëria e cunguar gjendej në situatë shumë të vështirë përballë pretendimeve të reja territoriale serbe dhe greke, që synonin të përfitonin territore të reja. Perandoria Osmane edhe në këtë situatë ndoqi axhendën e saj për të ruajtur ndikimin mbi Shqipërinë e mbetur, fillimisht duke u përpjekur për ta mbajtur në përbërje të saj dhe, kur nuk ia arriti, u angazhua që në krye të shtetit të ri shqiptar të vinte një princ turk ose që jetonte në Turqi. Meqenëse këto synime binin në kundërshtim me synimet e Fuqive të Mëdha mbi rregullimin e shtetit shqiptar u zhvilluan në konspiracion të plotë. Porta e Lartë në këtë rast nuk i kurseu mjetet për t’ia arritur qëllimit të saj, duke u bërë njëri nga faktorët kryesorë që nxiti rebelimin kundër Princ Vidit, që bëri të mundur shembjen e shtetit shqiptar dhe daljen me kërkesën publike për bashkimin e Shqipërisë me Perandorinë Osmane, prej të cilës kishte fituar pavarësinë.

Shteti osman nuk e pranoi pavarësinë e Shqipërisë

Atdhetarët shqiptarë në masën dërmuese e kishin projektuar të ardhmen e Shqipërisë në dy faza: fillimisht si autonome në gjirin e Perandorisë Osmane dhe, në një fazë të dytë, kur rreziqet e jashtëme të kishin kaluar dhe vendi të ishte përgatitur për jetë të pavarur, si një shtet sovran. Por me fillimin e Luftërave Ballkanike, kur u pa se e ardhmja e Perandorisë Osmane në Europë i kishte ditët e numëruara, krerët shqiptarë kaluan drejtpërdrejtë në opsionin e ndarjes nga Perandoria. Me 14 tetor 1912, përfaqësuesve diplomatikë rusë, francezë, anglezë dhe atyre italianë në Shkup u ishte dorëzuar një proklamatë me vulë të ”Shoqërisë së Zezë për Shpëtim”, në të cilën thuhet: ”Shqipnia i ka rrokur armët jo për me forcue dominacionin e Turqisë në Ballkan, por për me i dalë zot tanësisë tokësore e lirisë së Shqipnisë. Pra, qysh prej sodit po ju deklarojmë se, sido që të jetë fati i armëve, shqiptarët nuk kanë me pranue për katër vilajete veç se një formë politike e një formë sundimi, domethënë një formë të vetme qeverisje”.[1] Pra në Kuvendin e Shkupit u deklaruan publikisht aspiratat kombëtare të shqiptarëve si komb i veçantë.

Qëndrimi i shtetit osman në lidhje me shpalljen e Pavarësisë ishte i përcaktuar. Porta e Lartë ishte kundër Shqipërisë së pavarur, megjithatë qëndrimi ndaj Ismail Qemalit, projektuesit të pavarësisë ndryshoi në harkun kohor të pak ditëve. Fillimisht autoritetet osmane u përpoqën ta pengonin Kuvendin e Vlorës, duke nxjerrë urdhëra për arrestimin e Ismail Qemalit. Komanda e Korparmatës së Janinës i dha urdhër Kazasë së Vlorës: “Arrestojeni dhe të përcjellë niseni për Janinë Ismail Qemal bej Vlorën, për të cilin me një telegram nga Evropa thuhet se ka për të dalë në Durrës dhe në Vlorë me qëllim të një veprimi që do ta rrezikojë kryekëput atdheun. Ju kujtojmë se neglizhenca në këtë rast ka për të sjellë më të madhen përgjegjësi. Komandanti i Korparmatës Esad”. Vetëm pas ndërhyrjes energjike të deputetit Myfid bej Libohova dhe kadiut të Janinës,Valiu e kishte anulluar urdhrin.[2]

Ndryshimi i qëndrimit të Esat Pashë Janinës, në fakt kishte ardhur edhe pasi i kishte ardhur përgjigja nga Stambolli se si duhet të vepronte në këtë rast? Në përgjigjen dërguar qeverisë së vilajetit të Janinës nga Këshilli i Ministrave osmane (Meclisi Vükela), më 30 nëntor theksohej: “Perandoria ka marrë përsipër që e gjithë Shqipëria të organizohet si një administratë autonome, pa pranuar që ajo të ndahet (nga perandoria)”.[3]

Mytesarifi i Beratit ia kishte përcjellë Kazasë së Vlorës urdhrin e Valiut të Janinës për ndalimin e Kuvendit të Vlorës: “Është marrë vesh se Ismail Qemal Beu do të mbledhë një Kongres dhe do të shpallë aty një qeveri të përkohshme…. Megjithëkëtë së shpejti po vijnë, në Berat, në Vlorë dhe në Gjirokastër fuqi të mjaftueshme. Prandaj për të mos ngjarë luftime ndërmjet bijve të atdheut dhe për të mos i dhënë shkak gjakderdhjes, duhet t`u bëhet e ditur të gjithëve që të mos u japin rëndësi këtyre shpalljeve të papëlqyera tradhtare”. Elita politike e Perandorisë Osmane nuk e pranoi shtetin e pavarur shqiptar, duke iu përgjigjur me projekte alternative, si krijimi i një vilajeti autonom shqiptar, apo i Shqipërisë autonome nën sovranitetin e sulltanit, edhe përse po luftonte për ekzistencë dhe e ardhmja e saj ishte e paqartë.

  Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, iu njoftua zyrtarisht Portës së Lartë. Me 12 dhjetor 1912, Ismail Qemali i telegrafoi Vezirit të madh lajmin e formimit të Qeverisë Provizore.[4] Po me 2 dhjetor 1912, komandanti osman i Armatës së Perëndimit, Ali Riza Pasha i përcolli prefekturës së Vlorë një telegram të zëvendëskomandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Osmane, Nazim Pasha dërguar Ismail Qemalit, ku shkruan: “Po merren lajme se ju keni marr inisiativën për të bërë një kuvend në Vlorë, me qëllim që të shpallet pavarësia e Shqipërisë. Jemi duke marr masa që të themelohet në Shqipëri një administratë të lidhur me qeverinë autonome, ku të përfshihen të gjitha ato territore ku banojnë shqiptarë, ashtu siç ka qenë më parë. Kjo është formë më e sigurtë sesa formimi i një Shqipërie të pavarur”.[5] Porta e kishte bërë të qartë se “nuk do ta pengojë atë nëqoftëse ai e shpall autonominë e Shqipërisë nën protektoratin e Perandorisë Osmane. Por në të kundërt, Qeveria Osmane nuk mund ta pranojnë përzierjen në këtë mendim të Fuqive të Mëdha, veçanërisht sugjerimet austriake dhe italiane.[6]

Në funksion të kësaj ideje, me 28 dhjetor 1912, qeveria osmane paraqiti propozimin që e pranonte autonominë e Shqipërisë. Sipas këtij propozimi “Shqipëria do të jetë një vilajet i lirë nën sovranitetin e sulltanit, do të ketë një asamble (kuvend) të përgjithshëm, administrimi i vendit do ti jepet një princi osman për një periudhë 5-vjeçare, e cila kur të përfundojë do të rinovohet”. [7]

Konferenca Ambasadorëve me 17 dhjetor 1912, vendosi që të themelohej një Shqipëri autonome nën sovranitetin ose suzerenitetin e Sulltanit, si dhe nën garancinë dhe kontrollin ekskluzive të gjashtë Fuqive të Mëdha. Ky vendim u mor në bazë të dy propozimeve atij të Rusisë që kërkonte krijimin e një shteti autonom shqiptar, nën sovranitetin e sulltanit, dhe propozimit austriak që kërkonte një Shqipëri autonome nën suzerenitetin e sulltanit. Propozimi rus më shumë, por edhe propozimi austriak shënonin një hap prapa në lidhje me arritjen e popullit shqiptar, shpalljen e pavarësisë dhe njëkohësisht një hap para në raport me kërkesat e shteteve fqinje, për të mos lejuar ekzistencën e shtetit shqiptar në Ballkan.[8]Vendimi i Konferencës së Londrës hasi në kundërshtimin e rreptë të qeverisë  osmane. Sipas saj, “Konferenca e Ambasadorëve kishte të drejtë të shfrytëzonte vetëm kërkesat e monarkive ballkanike që kishin fituar luftën. Kërkesa e palës shqiptare, nuk kishte bazë politike dhe juridike, pasi shqiptarët ishin nënshtetasit e saj, si rrjedhim marrëdhëniet e tyre me të ishin çështjet e brendshme të Perandorisë.[9]

Meqenëse ngjarjet në frontet e luftës kishin shkuar keq, Stambolli kishte lëvizur nga propozimet fillestare. Pa kaluar shumë kohë, u bë e qartë se Porta do të humbte përfundimisht të gjithë Maqedoninë dhe rrjedhimisht lidhjen e saj territoriale me Shqipërinë.[10] Më 2 prill 1913, Ismail Qemali mori vesh se një ditë më parë kryeministri osman Mahmut Shefqet Pasha kishte pranuar personalisht propozimin e notës kolektive të Fuqive të Mëdha, me të cilën pranohej më në fund krijimi i Shqipërisë autonome nën suzerenitetin e sulltanit, të cilin Porta e Lartë deri atëherë e kishte kundërshtuar me këmbëngulje.

Opinioni i qarqeve politike dhe shoqërore në Turqi tani qe ndarë më dysh. Një pjesë filloi të pajtohej me realitetin dhe të pranonte, ndonëse me shumë vështirësi pamundësinë dhe paaftësinë e Turqisë për ta mbajtur nën zgjedhë Shqipërinë, këtë vend tashmë të largët dhe të shkëputur territorialisht nga trupi i Perandorisë Osmane. Nga ana tjetër ishin qarqet konservatore islamike si dhe personalitetet e partisë xhonturke që e konsideronin këtë shkëputje të papranueshme.

Më 30 maj 1913 në Londër, Turqia nënshkrojë Traktatin e Paqes për përfundimin e Luftës së parë Ballkanike me vendet e Ballkanit. Si një akt ndërkombëtar që vuloste fatin e Turqisë evropiane, traktati nuk  mund t’i shmangej problemit shqiptar. Në këtë traktat, në nenin e dytë thuhet se; Perandoria Osmane ua ngarkon Fuqive të Mëdha, kujdesin dhe çështjen e ardhshme të Shqipërise dhe ishujve në Egje.[11] Në ato kushte, u pa e nevojshme që Shqipërisë t’i jepej pavarësia e plotë nën një monarki kushtetuese që do të garantohej nga Fuqitë. Traktati i Londrës i 30 majit 1913 njohu zyrtarisht Shqipërinë e pavarur.[12]

Edhe pas njohjes së pavarësisë së Shqipërisë, Qeveria turke u përpoq që Shqipëria të mbetej edhe më tej vasale e Turqisë dhe kështu të evitonte pasojat që kishte sjellë pavarësia shqiptare.[13] Perandoria Osmane e cila kishte hequr dorë me pahir nga sovraniteti i sulltanit mbi Shqipërinë, kishte paraqitur në Konferencën e Bukureshtit një propozim që në fronin shqiptar të vihej një princ me origjinë myslimane ndoshta nga dinastia otomane. Një propozim tjetër ishte qënë krye të shtetit shqiptar të vendosej si kandidat i përshtatshëm, ish-ministri turk i luftës Izet Pasha, i cili ishte me origjinë shqiptare.[14]

Të mundura në Luftërat Ballkanike, Perandoria Osmane dhe Bullgaria krijuan një aleancë turko-bullagre. Xhonturqit kërkuan që ta zgjeronin këtë aleancë duke përfshirë edhe shqiptarët, që në krye të herës duhet të angazhoheshin për vendosjen e Izet Pashës në fronin shqiptar.[15] Për ta mbështetur këtë kandidaturë erdhën emisarë turq dhe oficerë xhonturq me origjinë shqiptare, që ishin me banim në Turqi, dhe disa prej tyre ishin anëtarë të partisë xhonturke qysh në fillesat e saj si: Arif Hikmeti, Xhenabi Adil etj.[16] Me këto plane fillimisht u bashkuan pjestarë të disporës shqiptare të Stambollit. Kjo lëvizje pati përkrahës edhe në Shqipëri, sepse ajo luajti me premtimin e bashkimit të tokave shqiptare, të coptuara në Londër. Në kuadrin e ndërtimit të aleancës, krahas komiteteve dhe çetave të fshehta që u krijuan në zona të ndryshme të Shqipërisë, sidomos asaj Veriore dhe të Mesme, Beqir Gebrenea kishte hyrë në bisedime edhe me Ismail Qemalin, i cili ishte motivuar ta pranonte ofertën, nisur nga interesat kombëtare për bashkimin e të gjitha territoreve shqiptare dhe i indinjuar nga sjellja e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit ndaj Qeverisë së tij.[17]

Në parim, Ismail Qemali e pranoi Izet Pashën si Princ të shqiptarëve dheqë t’i lejohej Qeverisë turke të sillte fshehurazi në Shqipëri forca ushtarake dhe armë, tëcilat do të përdoreshin kundër Serbisë. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, i informuar nga agjentët e tij, si dhe nga kundërshtarët politikë të Ismail Qemalit si Myfit Libohova dhe Syrja Vlora, mori menjëherë masa për pengimin e komplotit.[18]

Me 15 janar 1914, në gjirin e Vlorës, gjatë kontrollit të vaporit “Meran” të Llojdit austriak doli se nga 375 pasagjerët e ndodhur në vapor, me përjashtim tëkatër vetëve, të gjithë të tjerët vinin nga Stambolli. Nga kontrollet u konstatua se 6 pasagjerët e klasit të parë ishin oficerë dhe të tjerët komitaxhinj.[19] Oficerët, ndër të cilët dhe Beqir Gebreneja u arrestuan, ndërsa ushtarët u kthyen mprapsht. Me zbulimin e komplotit, Ismail Qemali u detyrua të jepte dorëheqjen (22 janar 1914).[20]

Roli i xhonturqëve në rebelimin e Shqipërisë së Mesme

Ndonëse përgatitjet për aleancën turko-bullgare në Shqipëri, në janar të vitit 1914 kishin dështuar dhe kishte mbërritur Princ Vidi, Komiteti Xhonturk i Stambollit nuk hoqi dorë asnjëherë  nga propaganda e mëparëshme në favor të vendosjes së një princi mysliman në krye të shtetit autonom shqiptar.[21] Xhonturqitkishin ende shpresa për të rivendosur sundimin osman mbi Shqipërinë.[22]Ata, në çdo cep të Shqipërisë kishin dërguar agjentë të fshehtë, për të nxitur dhe zhvilluar një kryengritje e cila kishte si synim shpalljen e autonomisë së Shqipërisë me në krye një princ mysliman. Këta emisarë u përpoqën që të shfrytëzonin në interes të tyre varfërinë, si dhe injorancën që mbretëronte në rradhët e fshatarësisë së Shqipërisë së Mesme.

Më 2 maj 1914, nisi një lëvizje e re e turqve të rinj e drejtuar nga Arif Hikmeti, si eksponent i tyre.[23] Me 17 maj kishte ndodhur përleshje me armë me forcat e xhandarmërisë, që ishin në një lëvizje rutinë. Po me 17 maj, te Ura e Limuthit afër Tiranës, fshatarë të armatosur sulmuan një batalion që ishte i përbërë nga tiranas, i nisur për të shkuar në jug, për të luftuar kundër batalioneve vorio-epirote. E në vazhdim, me 20 maj, në Tiranë filluan trazira të frymëzuara nga përkrahësit e Esat Pashës dhe Myftiu i Tiranës. Kryengritësit, pasi pushtuan Tiranën dhe Shijakun, me 25 maj 1914 kryen një sulm të furishëm kundër Durrësit, por u detyruan të zbrapseshin, pas luftimeve të përgjakëshme.[24] Duke shfrytëzuar sukseset e kryengritësve, emisarët xhonturq dhe krerët turkomanë shqiptarë, më 3 qershor 1914, organizuan në Shijak një mbledhje, për të përcaktuar detyrat programore dhe masat e reja organizative të lëvizjes. Programi i kryengritësve përmbante këto kërkesa: Përmbysjen e Princ Vidit e të qeverisë së tij; bashkimin e Shqipërisë me Perandorinë Osmane; vendosjen e një princi turk në Shqipëri; zëvendësimin e flamurit shqiptar me gjysmëhënën turke; përdorimin e gjuhës turke në adminsitratë dhe në shkolla dhe zgjedhjen e kryemyftiut nga Shejhul-islami.[25]

Duke filluar nga 15 qershori i vitit 1914, rebelët pushtuan Kavajën, Krujën dhe Peqinin.[26] Situata kaotike përfundimisht shterroi financat, durimin dhe qëndrueshmërinë e PrincVidit.  Me 3 shtator 1914, vetëm gjashtë muaj pas mbërritjes së tij, ai u largua nga vendi.

Një javë pas largimit të Vidit, një tjetër revoltë e dhunshme, këtë herë e udhëhequr nga mbështetësit e xhonturqve, shpërtheu në Durrës. Rebelët ngritën flamurin osman, burgosën përkrahësit e Vidit dhe bënë thirrje, ndër të tjera, për një princ mysliman. Duke arritur kaq shumë, kryengritësit ngritën një Senat për Shqipërinë e Mesme. Më pas dërguan një delegat në Stamboll për t’i ofruar Sulltanit kurorën e Shqipërisë, pasi kishte ende nga ata që mbështesnin idenë e ribashkimit të Shqipërisë me Perandorinë Osmane.[27]

Turqia i mohoi akuzat se ka gisht në këtë ngjarje, duke ua lënë stukturave joqeveritare organizimin e saj, megjithatë qeveria austrohungareze i bëri një paralajmërim të fortë Portës: “Në rast se Vidit i ndodh diçka në Shqipëri, përgjegjësia bie mbi qeverinë turke”.[28]

Duke analizuar shkaqet e këtij rebelimi, del se kemi përfshirje të qeverisë osmane në organizimin, financimin dhe zhvillimin e saj. Drejtuesit unionistë të Perandorisë nuk mund të pranonin vendimet më të cilat u nënshkrua paqja pas Luftraveballkanike. Një nga personazhet politikë të kohës, Eshref Frashëri, do ti shkruante një letër Mithat Frashërit, në muajin tetor të atij viti, ku do të theksonte ndër të tjera edhe ardhjen e një delegacioni xhonturk në Shqipëri, për t’i diktuar lëvizjes kryengritëse vijën politike të Perandorisë Osmane.[29] Gazeta “Dielli” shkroi në lidhje me rebelimin, duke theksuar se “kjo lëvizje ishte e ushqyer prej Turqisë e ndihmuar prej Serbo-Greqisë dhe e përhapur prej Italisë. Ajo u rrit nga pakujdesia e qeverisë, shumica e së cilës mbahet vetëm me këto propoganda dhe është ekompromentuar me kryengritësit”.[30]

Në studimet shqiptare rebelimi i Shqipërisë së Mesme trajtohet si vepër e xhonturqëve, por duke qenë i tillë, ai është vepër e shtetit osman, i cili për interesat e tij tregoi gadishmëri për ta sakrifikuar shtetin e ri e të cunguar shqiptar që ishte ngritur me njëmijë mundime dhe sakrifica. Qeveritarët osmanë edhe në kushtet e reja kur humbën luftën dhe u përballën me pasojat e saj, po mendonin që ta mbanin ende ndikimin në Shqipëri, në funksion të interesave europiane të tyre, pa marr në konsideratë interesat shqiptare dhe angazhimin e shqiptarëve për konsolidimin e shtetit të tyre të sapokrijuar.

Burimet dhe literatura

Arkiv

  • AQSH-Arkivi Qendror Shqiptar
  • AIH-Arkivi i Institutit të Historisë.

Bibliografi

  • Bello, Hasan. Marrëdhnëiet shqiptaro-turke (1912-1939, botimet “Tirazhi”, Tiranë 2015.
  • Duka, Valentina. Histori e Shqipërisë, Tiranë: ShBLU, 2007.
  • Frashëri, Kristo. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë”, Tiranë: “Kristalina-KH”, 2008.
  • Haxhiu, Ajet. Hasan Prishtina dhe lëvizja patriotike e Kosovës, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1968.
  • Kaceli Demirlika,Ilirjana. Marrëdhëniet shqiptaro-turke 1912-1939(Tezë doktorature), Departamenti i Historisë, Tiranë 2013.
  • Özcan, Halil. Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në kohën e Ataturkut (Pjesa e 18-të), https://www.trt.net.tr/shqip/marredheniet-turko-shqiptare/2018/04/30/marredheniet-turko-shqiptare-ne-kohen-e-ataturkut-pjesa-e-18-te-960939
  • Qemali, Ismail. Përmbledhje dokumentesh, përgatitur nga Teuta Hoxha, botimet “Mësonjëtorja e parë”, Tiranë, 2002.
  • Strazimiri, Ismai. Lufta kundër Pavarësimit të Shqipërisë, (Kujtime Historike), Tiranë: “Naimi”, 2010.
  • Verli Marenglen dhe Dushku Ledia, Shqipëria në dokumentet austro-hungareze (1912) Vëllimi VI, Tiranë: Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, 2012.
  • Vickers, Miranda. Albanians, A modern History, LB.Tauris & Co Ltd, 2001.
  • Vlora, Eqerem bej. Kujtime ( 1885-1925), Tiranë: Shtëpia e Librit& Komunikimit, 2003.
  • Vllamasi, Sejfi. Ballafaqime politike në Shqipëri(1897-1942), shtëpia botuese “Marin Barleti”, Tiranë 1995.

 

[1]Ajet Haxhiu, Hasan Prishtina dhe lëvizja patriotike e Kosovës, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1968, f..96-97.

[2]AIH, Vj, 22-8-870; 22-11 1186, Raport i konsullit Lejhanec nga Vlora për Ministrin e Punëve të Jashtme Berchtold, në lidhje me ecurinë e Kuvendit Kombëtar në Vlorë dhe zhvillimet e brendshme në Shqipëri. Marenglen Verli dhe Ledia Dushku, Shqipëria në dokumentet austro-hungareze (1912) Vëllimi VI. (Tiranë: Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, 2012), 411. 

[3]Ismail Qemali, Përmbledhje dokumentesh, përgatitur nga Teuta Hoxha,  botimet “Mësonjëtorja e parë”, Tiranë, 2002, f.266.

[4]Hasan Bello, Marrëdhëniet shqiptaro-turke (1912-1939, botimet “Tirazhi”, Tiranë 2015, f.24

[5]Hasan Bello, Marrëdhëniet shqiptaro-turke (1912-1939,… f.24

[6] Ilirjana Kaceli Demirlika, Marrëdhëniet shqiptaro-turke 1912-1939 (Tezë doktorature), Departamenti i Historisë, Tiranë 2013, f.11.

[7]Halil Özcan, Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në kohën e Ataturkut (Pjesa e 18-të), https://www.trt.net.tr/shqip/marredheniet-turko-shqiptare/2018/04/30/marredheniet-turko-shqiptare-ne-kohen-e-ataturkut-pjesa-e-18-te-960939

[8] Valentina Duka, Histori e Shqipërisë, Tiranë: ShBLU, 2007, f.29.

[9] Kristo Frashëri, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, Tiranë: “Kristalina-KH”, 2008, f.113.

[10]Miranda Vickers, Albanians, A modern History, LB.Tauris & Co Ltd, 2001, p.77.

 

[11] Ilirjana Kaceli Demirlika, Marrëdhëniet shqiptaro-turke 1912-1939…. f.21.

[12] Miranda Vickers, Albanians, A modern History,… p.77

[13]Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942), shtëpia botuese “Marin Barleti”, Tiranë 1995, f.51

[14] Ilirjana Kaceli Demirlika, Marrëdhëniet shqiptaro-turke 1912-1939,…. f.23.

[15] Valentina Duka, Historia e Shqipërisë 1912-2000, botimet universitare “Albas”’ Tiranë 2014, f.48. 

[16] Eqerem bej Vlora, Kujtime (1885-1925), Tiranë: Shtëpia e Librit& Komunikimit, 2003, f.355.

[17] Valentina Duka, Historia e Shqipërisë 1912-2000, botimet universitare “Albas”… f.48-49.

[18] Valentina Duka, Historia e Shqipërisë 1912-2000, botimet universitare “Albas”…  f.49.

[19] Hasan Bello, Marrëdhnëiet shqiptaro-turke (1912-1939, …  f. 24.

[20] Valentina Duka, Historia e Shqipërisë 1912-2000, botimet universitare “Albas”… f.50

[21] Valentina Duka, Historia e Shqipërisë 1912-2000, botimet universitare “Albas”… f.61.

[22] Miranda Vickers, Albanians, A modern History,…  p.82.

[23] Ismail Strazimiri, Lufta kundër Pavarësimit të Shqipërisë, (Kujtime Historike), Tiranë: “Naimi”, 2010. f.46.

[24] Valentina Duka, Historia e Shqipërisë 1912-2000, botimet universitare “Albas”, … f.62-63.

[25] Valentina Duka, Histori e Shqipërisë1912-2000, botimet universitare “Albas,… f.69.

 [26]Valentina Duka, Historia e Shqipërisë 1912-2000, botimet universitare “Albas”,… f.66-67.

[27]Miranda Vickers, Albanians, A modern History, … p.85

[28] HHStA-PA-A, Vj.24-4475.

[29]AQSH, Fondi nr.35, Mit’hat Frashëri, Korrespondenca, dosja nr.36/2, dt.8.10.1914. Letër e Eshref Frashërit nga Shkodra drejtuar Mit’hat Frashërit.

[30] Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politke në Shqipëri…,f.86.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest