Shumëkujt një herë e një kohë i ka rastisur të mbajë ditar personal për ditët, muajt dhe ngjarjet që na kanë shoqëruar. Por ditari i kësaj mësueseje, mësueses në kufinjtë e legjendës Vezire Gjerku (Mezini) siç e përsërisin mësëshumti dardanët, “të lë pa tekst”. Historia e saj është e rrallë, e denjë për filma që përcjellin histori e tragjedi.
Kjo sepse teksa ishte në moshë krejt të vogël, babai i saj le Prishtinën për tu vendosur në Elbasan. Fatkeqësisht babai i saj vdiq shpejt, ndërsa Vezirja e mbetur jetime në moshë krejt të vogël, falë sakrificave të nënës së saj, arrin të kryejë arsim solid për kohën, në Insitutin “Nëna Mretëreshë”.
Kur ishte vetëm 19 vjeçe, në vitin 1941 sëbashku me shumë mësues të tjerë i përgjigjet thirrjes së kohës për të shkuar në Prishtinë e zona të tjera të Kosovës, për të kontribuar në arsimin e kësaj zone. Në Kosovë emërua mësuese në shkollën “Hasan Prishtina“ në qytetin e Prishtinës. Shumë shpejt mësuesja e re përfiton respektin të madh, respekt i cili ju kujtua edhe nga nxënësi i tij i saj kohe, Adem Demaçi i cili sa herë vinte në Tiranë, vizitonte mësuesen e hershme të tij. Ishte një zë i fuqishëm intelektual ku rinia e Prishtinës kishin modelin e civilizimit, por edhe të patriotizmit.
Më vonë nën dhunën e çetnikëve serbë kalon dhunshëm kufirin në Morinë me fëmijën e parë Bardhylin të mitur, për të lënë asaj ane babain e tij, patriotin e shquar Adem Gashi (Gllavica). Por edhe se caktohet të punojë mësuese në Milot dhe në Krujë, një ditë që mbante datën 16 tetor e arrestojnë duke e mbajtur në burg për muaj me rradhë, deri kur më 1948 prishen mardhëniet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë së kohës, moment në të cilën ajo lirohet në mënyrë të menjëhershme, pa gjyq duke rifituar të drejtën e mësuesisë, por tashmë në Viçidol në Tropojë në vitet 1949 -1950, e më pas në Cakran të Mallakastrës në Fier, për tu vendosur definitivisht në Tiranë, ku edhe doli në pension, ndërsa pesë vite më parë Ajo ka kaluar në amshim.
Mësuese Vezire Mezini është vlerësuar me titull të lartë ndëri nga presidenca e Kosovës dhe e Shqipërisë, ndërsa është “Qytetare Nderi” e Fushë-Kosovës.
Ditari i rrallë i mësueses së rrallë të dy anëve të kombit, më është dërguar nga i biri i saj që e ndoqi nga Prishtina në ato rrugëtime historike, madje qëndroi i vetëm teksa u arrestua, Bardhyl Selimi, mësues i mirënjohur në Tiranë dhe më vonë profesor i matematikës në universitetin e Tiranës.
Një ditar që teksa nis ta lexush përhumbesh mes germash e rrjeshtash deri në mbarim të tij. (shenimi im Aleksandër NDOJA)
Ditari i mësueses legjendë mës dy anëve të kombit të përbashkët Vezire Gjeraku, Mezini.
(Nga ditari i Nënës) Mars 2008
Prindërit e mi
Ata qenë kosovarë. Babai ishte nga Sllatina e Madhe ndërsa nwna nga Prishtina. U martuan në moshë të re, me pëlqimin e prindërve të tyre. Nëna ime, Belgjyzare Gashi Gjeraku, nuk i kishte mbushur të pesëmbëdhjetë vjetët. Ishte e re, e bukur dhe e zgjuar. Flokët i kishte të gjatë deri te gjunjët. Një ditë, ndërsa po shihej në pasqyrë, e cila rrinte e mbuluar përherë me një copë të qëndisur, e ëma, që po tëhollonte petë për byrek, posa e gjeti të bijën para pasqyrës së zbuluar, e qëlloi. ku mundi. me okllainë e Belgjyzari, që nga ajo ditë, nuk guxoi më të afrohet te pasqyra.
Gjyshi, Sadik Gashi, ishte kasap e me punën e tij e mirëmbante familjen. Edhe pse kjo kishte shumë fëmijë.
Babai im, Halil Gjeraku, punonjës hekurudhe, ishte i pashëm e këndonte bukur, duke i rënë çiftelisë. Ai qe patriot e s’e duronte sundimin serb. Në ditën e parë të martesës, atë e burgosën dhe e dënuan pesë vjet. Kur doli nga burgu, për pesë vjet të tjera u bë me katër fëmijë.
Përndjekjet serbe e lodhën dhe e detyruan atë të shpërngulet nga vendlindja, duke lënë shtëpi e katandi. Rrugën e bëri me kuaj. Nëna e mbante foshnjën gjashtë muajsh, Mevluden, kurse baba, anas kalit nëpër kosha, kishte vënë tre fëmijët e tjerë, Naziken, mua dhe Mustafain.
Rruga qe e lodhshme. Kur arritëm në Elbasan, profesor Ahmet Gashi, patriot i nderuar kosovar, mik i familjes, na ndihmoi shumë.
Pastaj vazhduam rrugën për Tiranë. Aty u vendosëm në xhaminë e Et-hem Beut. Më vonë, Bashkia na vendosi në një shtëpi tiranase. E zonja e shtëpisë u mallëngjye shumë kur e pa nënën time me foshnjën gjashtëmuajshe, babën tonë të ri e të sëmurë, që mezi qëndronte në këmbë, neve, fëmijët e tjerë të vegjël pesë, tre e dy vjeç. Ajo na priti me bujari dhe na vendosi jo në odën e zjarrit përdhese e pa tavan, por në dhomën e tyre të gjumit me tavan e dysheme dërrase.
Nga lodhja e rrugës, sëmundja dhe trajtimet në burg, baba vdiq shpejt. Atëherë Kryqi i Kuq na sistemoi në Strehën Vorfënore, së pari motrën e madhe, Naziken, pesë vjeçe dhe vëllain Mustafa, tre vjeç.
Familjet kosovare patriote të nderuara si ajo e Hasan Prishtinës, Halim Gostivarit dhe Kadri Hoxhës, na ndihmuan në çdo drejtim.
Kur vdiq babai, sipas zakonit, xhaxhai doli në kufi që ta merrte nënën dhe neve, katër fëmijët. Por nëna nuk pranoi. Për të, fëmijët kishin rëndësinë më të madhe. Ajo s’donte që ne të bëheshim barinj, por të shkolloheshim, se kështu kishte qenë edhe dëshira e babait.
Unë, në moshën 7 vjeç u sëmura nga pleuriti dhe më shtruan në spitalin, që atëherë ishte pranë Kullës së Sahatit, në qendër. Dita e Bajramit më gjeti më mirë. Nëna vinte për ditë që të më takonte. Për Bajram më solli një fustan të ri me lule të kuqe, që e kishte qepur vetë me duar dhe jo me makinë. Ma veshi këtë fustan aq të bukur, më uli pranë dritares, më vuri përpara lule Stambolli (misra kokoshi në formë topi, të sheqerosura, sheqer me arra e kallam sheqeri). Nuk dinte si të bënte më parë për të më kënaqur.
Përballë dritares, atje poshtë, ishin lodrat rrotulluese, ku fëmijët kishin hipur e thërrisnin me gëzim. Pranë tyre qëndronin familjarët. Sa do dëshiroja edhe unë të isha midis tyre, të hipja në ato lodra. Për një moment, harrova që kisha pranë njeriun më të dashur në botë, nënën time. U ngushëllova, që sëmundja ma solli pranë nënën time, me ngrohtësinë e saj, e cila më mungon në Strehën Vorfënore, edhe pse aty më plotësohen të gjitha. Kur u shërova, u ktheva sërish në Strehë. Nënën e takoja çdo të diele, që ishte ditë takimi.
Kisha fat se ajo banonte pranë këtij instituti, kështu që shpesh herë, kur ne luanim në oborr, nëna hapte portën e madhe të shkollës, fuste kokën brenda dhe unë vrapoja drejt saj. Nëna më puthte fort e më jepte ndonjë mollë të kuqe të sheqerosur, që mbahej me një shkop e unë, bashkë me të tjerë, herë unë e herë të tjerët, e lëpinim atë deri sa mbaronte shtresa e sheqerit. Sa e shijonim këtë mollë së bashku!
Kur e mbaroi shkollën fillore, motra ime e madhe mori një bursë për një shkollë infermierie, të financuar nga një fondacion francez..
Mësimet aty zhvilloheshin frëngjisht dhe vetë pedagogët ishin francezë. Më vonë edhe vëllai vazhdoi mësimet në Shkollën Teknike Amerikane, ndërsa unë mbeta vetëm, prandaj Nëna vinte e më takonte më shpesh, duke më sjellë gjithnjë diçka të mirë, ndonjë petull të lyer me sheqer etj.
Nëna ime, pothuaj si të gjitha femrat atëkohë, dilte e veshur me çarçaf të zi. Fytyrën ia mbulonte perçja me të cilën mezi shihte. Kur më takonte te porta, ajo e ngrinte pak perçen e unë habitesha e kënaqesha me sytë e saj, si edhe me fytyrën aq të bukur. Unë isha e lumtur që ajo ishte nëna ime!
Mjedisi në Strehën Vorfënore ishte i mirë, kishte pastërti, ushqim të mirë e kujdes të madh. Çdo vit të ri neve na vinin pako nga Kryqi i Kuq Amerikan. Në krye ishte një drejtoreshë e cila ishte njëkohësisht edhe mjeke. Quhej zonja Cilka. Ajo na mblidhte në oborrin pranë, ku na mësonte këngë në gjuhën shqipe dhe angleze, na tregonte përralla, na jepte këshilla, etj. Para se të hanim, ne këndonim një lutje, duke falënderuar Zotin. Ishte shumë e kujdesshme dhe e rreptë.
Kur dola nga spitali, mua më trajtonin me ushqim special, si shpretkë të skuqur etj. Pinim vaj peshku të shoqëruar me portokaj. Kuzhinier ishte një dibran, zoti Abdullah, që gatuante gjellë të shijshme. Mua më pëlqente shumë kabunia. Orizi ishte i shijshëm dhe mbante një erë të këndshme në pilaf. Tani orizit ia heqin cipën e hollë, është i bardhë, pa erë e pa shije.
Një ditë, mua dhe një shok, na dënuan sepse prishëm qetësinë në orën e studimit. Si dënim, në kohën e vapës, në vend që të pushonim, na detyruan të fërkonim lugët në oborr. Kështu u ulëm në hijen e një peme dhe ia nisëm punës me përtesë. Duke gërryer pranë trungut të pemës, gjetëm një koronë metalike. Posa dëgjuam zërin e shitësit në rrugë, përtej portës së shkollës, shkuam atje dhe ia treguam shitësit koronën. Kështu blemë mollë të kuqe të sheqerosura, gjithsej tetë kokrra. Nisëm të lëpinim nga një mollë secili. Të tjerat ua shpërndava shoqeve. Ndërkohë, e kishim kryer punën dhe zonja Cilka nuk na pa.
Kur isha në Institutin Femnor “Nëna Mbretëreshë” dola një ditë shëtitje me një shoqe në rrugën që sot quhet e Barikadave. Unë dëgjova nga prapa dikë që po i thoshte shokut të vet: Shikoje atë vajzë, një herë kam fërkuar lugët me rërë në Strehën Vorfënore. Kur më kaloi pranë ai djali, unë e njoha dhe m’u kujtua edhe emri. Ai ishte zgjatur dhe nga veshja mu duk se vazhdonte shkollën për oficer. Por unë nuk i fola (e tillë ishte mendësia jonë atëkohë). Gjithsesi, e kujtova atë ditë që punuam bashkë. Kujtimet e shkollës janë të ëmbla.
Një herë, na dërguan në Shkollën Teknike Amerikane, ku prestitigjatori Ali Dumi jepte numra të ndryshme. Duke luajtur, një herë ai nxori një lek e më pas leku u zhduk. Ai e kërkoi dhe e kërkoi dhe e gjeti..në pallton time. E pashë vetë me sy dhe mbeta shumë keq, se më vinte turp! Por ai e mori lekun dhe m’i lëmoi flokët duke më thënë: Mos u mërzit, ti s’ke faj, kështu është loja, pra është lojë, jo vërtet!
Atëherë isha e vogël, në klasën e tretë fillore e nuk e kuptoja dot. Kur ai nxirrte zogj, lule të shumta të çdo ngjyre, ne të gjithë qeshnim nga gëzimi, qeshja edhe unë.
Më pëlqente kur na nxirrnin, Ditën e Flamurit, për të shpërndarë flamuj të vegjël kuq e zi të kapur me një gjilpërë të vogël me kokë, që ua ngjitnim pas jelekut të xhaketave të kalimtarëve. Këtë e bënte vajza, ndërsa djali afronte kutinë e kursimit, ku kalimtarët hidhnin ndonjë lek, sipas dëshirës.
Lekët shkonin për Kryqin e Kuq. Mua dhe shokut tim na takoi të shkonim në pallatin e Nënës Mbretëreshë. Ajo na puthi, na dha nga një ëmbëlsirë e na njohu me princin e vogël, Esatin.
Në shkollën fillore kishim drejtor Mati Logorecin, ndërsa si mësuese Alije Këllezin, një grua shumë e shkathët, Nazmie Xhepën (Qoftja), Vangjeli Dimitraqin e Çezarina Kodhelin. Të gjitha ishin shumë të dashura me nxënësit e sidomos me ne, nxënësit e Strehës Vorfënore. Na jepnin atë ngrohtësinë shumë të nevojshme.
Klasën e katërt e bëmë në një ndërtesë dykatëshe të familjes së Jorganxhive, pranë hyrjes së Ministrisë së Arsimit që është sot në Rrugën e Durrësit. Mësuese ishte zonja Çiljeta Çeta, një shkodrane shumë e ëmbël. Shoqja ime, Meriban Najdeni, nuk pati fatin ta përfundonte klasën e katërt fillore, sepse prindërit e saj dibranë fanatikë e larguan nga shkolla dhe e veshën me çarçaf. Ajo ishte një vajzë e zgjuar, që e donte jashtëzakonisht shkollën. Qante e qante, por edhe ne, shoqet e saja, qanim.
Shkrimtari Haki Stërmilli, në atë kohë, botoi romanin “Sikur të isha djalë”- një roman ky i kohës, ku femra shqiptare ndjehej e diskriminuar. Sa bukur e përshkruan ai jetën e femrës. Ai ishte shkrimtar përparimtar.
Sa kujtime kam nga Namazgjaja një truall me drurë të lartë, pranë pallatit të mbretit Ahmet Zog. Me raste të ndryshme, atje ndaheshin ushqime Një ditë, na dhanë simite të buta e hallvë. Motra ime e vogël, Mevludja, që jetonte me Nënën, mori nga ato simite erëmirë e ajo hallvë gjithë sheqer e gjalpë dhe na e solli në shtëpi. Ne i hëngrëm me shumë dëshirë. Ishim të varfër e pa baba. Nëna punonte te familjet e kamura. Ne, tre fëmijët e tjerë e kishim jetesën të siguruar në Strehën Vorfënore.
Kur mbaroi shkollën fillore, motrën time të madhe, siç thashë, e çuan në Shkollën Mjekësore. Një ditë, unë e motra e vogël shkuam ta takonim atë atje. U futëm në një dhomë në mes të së cilës ishte vendosur diçka e gjatë e mbështjellë me çarçaf të bardhë. Unë iu afrova dhe e hapa por, ç’të shihja! Një skelet njeriu! U tremba pa masë. Në atë kohë erdhi motra e madhe dhe më qetësoi. Skeleti ishte i një studenteje, e cila, para se të jepte shpirt, kishte shprehur dëshirën që skeletin ta përdornin për mësim.
Motra ishte e zgjuar dhe studionte mirë. Pas tre vjetësh, atë dhe një shoqe beratase e dërguan sërish me bursë për një kurs të lartë infermierie në Beograd[6]. Kur mbaroi studimet atje, ajo u kthye në Tiranë e punoi në shëndetësi. Veprimi i parë që kreu ishte se e shkëputi nënën nga puna e lodhshme si rrobalarëse dhe hekurosëshe për të tjerët. Vëllai mbaroi Shkollën Teknike Amerikane dhe, me ndihmën e ministrit kosovar Iljaz Agushi, fitoi një bursë studimi për inxhinieri në Bologna të Italisë. Edhe motra e vogël, pesëmbëdhjetë vjeçe, fitoi një bursë për ekonomi shtëpiake në Itali. Por vëllai u sëmur në Itali nga paratifoja me komplikacione dhe zuri shtratin e spitaleve. Atje u njoh me një vajzë italiane, vajzën e doktorit, me të cilën u dashurua dhe u martua. Djali i tyre sot është doktor. Motra e vogël njohu një skenarist të shquar, me të cilin u martua dhe pati një djalë.
Por Paslufta e Dytë Botërore na ndau nga njerëzit tanë për së gjalli. Shqipëria u izolua për rreth gjysmë shekulli. Vetëm pas erës së pluralizmit demokratik pata mundësi ta shihja sërish vëllain dhe motrën time, që kishin shkuar në Itali. Nëna, ndjesë pastë, kishte vdekur më 1972.. Fëmijët e saj e vizituan varrin e nënës duke e mbuluar atë me lot e lule. Kishin dëshirë të shihnin shtëpinë ku ishin rritur këtu në Tiranë. Por ajo shtëpi nuk ekzistonte më, në vend të saj qenë ngritur pallate të reja shumë katëshe. Motra u mërzit shumë, por gjithsesi, si ajo ashtu edhe ne, ishim shumë të gëzuar që sistemi i urryer i mëparshëm s’është më. Një sistem çnjerëzor që tallej me ndjenjat më të pastra. M’u kujtuan lotët që derdhi një ditë nëna ime, kur iu refuzua kërkesa për ta vizituar të birin. Ishte viti 1961. Nëpunësit e shtetit, në fillim i dhanë shumë shpresa, por e këshilluan që, kur të shkonte atje, të fliste vetëm mirë për Shqipërinë. Dhe nëna, ato ditë, gati sa nuk fluturonte nga gëzimi! Kur e anuluan kërkesën, ajo u dëshpërua në kulm. Më vonë mësuam se autoritetet tona në ambasadë në Itali ua kishin shpjeguar vëllait e motrës së “nëna vuan nga zemra e s’mund të udhëtojë dot!..”
Kur e kreva shkollën fillore, fitova bursë për në Institutin Pedagogjik Femnor “Nëna Mbretëreshë”. Ishte një shkollë model me profesorë të shquar që na përgatitnin për jetën. Unë isha konviktore. Mësonin aty vetëm vajza, një pjesë me bursë dhe pjesa tjetër me pagesë, nga e tërë Shqipëria. Kishte disiplinë dhe rregull. Krevatet i ndreqnim vetë, po ashtu vetë i lanim dyshemetë, me radhë. Para se të flinim, krihnim flokët me brushë për të hequr pluhurin e ditës. Në konvikt mbanim uniformë: fustan basmeje me kuadrate, kurse për mësim përpajse të zezë e jakë të bardhë. Në dimër përdornim pelerinën.
Në mëngjes ngriheshim herët dhe vraponim rreth e qark oborrit të shkollës, pastaj bënim ushtrime gjimnastikore, kryenim pastrimin personal etj. Gjysmë ore studim mjaftonte për t’i rikujtuar mësimet e ditës. Të veshura me uniformën shkollore, radhiteshim para ndërtesës së shkollës, ngrinim flamurin, këndonim himnin kombëtar dhe, me qetësi, futeshim nëpër klasa.
Kishim edhe profesorë të huaj, frëngjishten e jepte zonja Gërmenji, italishten një italiane. Në program ishte edhe latinishtja. Gjuha italiane ishte gjuhë e dytë, që niste në klasën e parë e vazhdonte deri në të tetën. Sipas dëshirës, mësonim edhe gjuhë të tretë, greqishten e vjetër, frëngjisht, gjermanisht etj. Unë zgjodha frëngjishten, që e kisha për zemër, por që, pas pushtimit italian, u hoq dhe profesoresha u largua. Mbetëm vetëm me librat, pjesa e parë dhe pjesa e dytë, pa u mbaruar. Ende i mbaj mend ato që mësova atëherë, si p.sh.
lë zjë- sytë; lë buzhë-goja; lë shëvo- flokët; la mezon- shtëpia; osi-kështu; ale vu- shkoni; bonzhu-mirëdita; bon hui-natën e mirë; bonsuar- mirë mbrëma; tu zhu- gjithmonë; medna- tani; zhe vë un livër- dua një libër; done mua- ma jep.
Më kujtohet leximi “Gështenjapjekësi” sho sho le maro- të nxehta, gështenja të nxehta; si edhe kënga e tri pulave
– kan tre pul savon..le premier marshe devan la sekond syr la premier
etj.etj. Kujtoj edhe melodinë, sigurisht e kam harruar si shkruhen. Jam mbi tetëdhjetë vjeçe tani.
Më kujtohet dita kur vajzat e Institutit “Nëna Mbretëreshë” shkuan të vizitonin maozeleumin e Nënës Mbretëreshë, në rrugën e Elbasanit. Një nxënëse e talentuar e kësaj shkolle, Nafie Mema, që më vonë u martua me poetin e shquar Lasgush Poradeci, recitoi një vjershë të sajën. Të gjitha u mallëngjyem.
Vitet e shkollës së mesme
Nuk e harroj profesoreshën tonë të vizatimit, zonjushën Kristina Koliaka. Ajo kishte studiuar jashtë shtetit për pikturë dhe u emërua mësuese vizatimi në shkollën tonë. Erdhi e veshur me një fustan të hollë me lule që kombinonin ngjyrat e tyre. Flokët biondë e sytë ngjyrë qielli. Kur hyri në klasë, na mahniti të gjithave. Me të do zhvillonim orët e vizatimit. Më vonë, ajo formoi grupe nxënësish nga klasat e ndryshme që kishin talent në vizatim. Isha e gëzuar që bëja pjesë në grupet e talenteve. Kisha ëndërruar gjithnjë për piktore. Mësuam të punojmë me bojë kine, karbon, pastel dhe bojëra uji (akuariume), qiri (bojëra qiriu) etj.etj.
Në moshën 16 vjeçe, u operova nga apendiciti prej doktorit italian Dr. Martoni. Si mirënjohje, i zmadhova foton e të shoqes në madhësinë e një kartolinë dhe ai mbeti shumë i kënaqur. Një kopje e ruaj edhe sot në albumin tim. Në spital, atëkohë, shërbenin murgeshat italiane, të cilat ishin shembullore. Si mirënjohje për to, vizatova Madona del Dito, me karbon e ja lashë kishës së spitalit, sot spitali “Nënë Tereza”. E dashurova artin e pikturës, por s’pata mundësi të studioj më tej për të.
Në shkollën tonë një pjesë e vajzave të klasës ku isha unë u caktuan të stërviteshin për parakalim. Kishim uniforma ushtarake me fund, xhaketë ushtarake, dorëza të bardha, kapele me një tokëz metali, ku ishte futur një tufë e vogël qimesh të zeza të ashpra. Në bel mbanim një rrip lëkure të gjerë me tokëz.
Çdo togë kishte nga një komandante që drejtonte. Këto ishin princeshat Sanie, Rukije e Haxhide. Kishte edhe oficerë madhorë. Kur u martua mbreti Zog I, një grup vajzash me shporta me lule dolën në pritje dhe hidhnin lule në makinë, rrugë etj. Mbretëresha Geraldinë ishte aq e bukur e aq e qeshur! Një ditë, ne vajzat ushtarake, u ftuam për koktej në Pallatin Mbretëror. Aty u takuam me çiftin e bukur mbretëror. Kishte edhe shumë oficerë madhorë, gjeneralë, kolonelë etj. Ambienti ishte përrallor. Tryezat e gjata qenë shtruar me të gjitha të mirat Kamerierët na servirnin me pjatanca aq të bukura e të kushtueshme.. Nuk i harroj ato llokume me arra nga të cilat morëm edhe me vete për t’ia u dhënë edhe shoqeve tona në konvikt.
Geraldina u shpreh me dashuri se, së shpejti, ajo do ta mësojë shqipen dhe kështu kemi për të komunikuar më lirisht bashkërisht..
Pushtimi fashist nuk na la ta plotësonim këtë dëshirë dhe nuk e pamë më mbretëreshën.. Vetëm pas vitit 1990, nëpërmjet televizionit, e kuptova që ajo e kishte mësuar bash mirë gjuhën tonë..
Natyrisht, kur vendi u pushtua nga italianët, ndjemë një urrejtje të madhe për këta të fundit. Këtë e shfaqëm në mënyra të ndryshme.
Pranë shtëpisë, kishim një familje italiane, burri punonte berber. Ata qenë shumë të revoltuar ndaj shtetit të tyre dhe shpreheshin tërë mllef. “Duçja dërgon në Shqipëri ushqime gjithfarësh, kurse italianët në Itali i lë të vdesin urie”. Kur rinia doli në mal, ne punonim familjarisht triko, çorape prej leshi etj. Dhe ua dorëzonim aktivistëve që na jepnin materialin. Në atë kohë, vëllai që ishte për studime në Itali, ishte shtruar në spital me komplikacione në mushkëri (pneumotoraks).
Martesa ime e parë, 1943
Në vitin 1942-1943 unë mbarova Institutin “Nëna Mbretëreshë” dhe Ministria e Arsimit më emëroi mësues enë Kosovë. Me mua erdhi edhe shoqja e klasës, Agllai Plaku. Ne filluam punën e mësuesit në shkollën “Hasan Prishtina”, në vendlindjen time, në Prishtinë. Aty kishte shumë mësues të tjerë nga Shqipëria dhe vendas. Më kujtohet mësuesja Nimete Kabashi, Vitore Luka, Nica, të tria kosovare, vajza të mrekullueshme. Isha e gëzuar që mësoja vocërrakët kosovarë. Edhe pse kishte mungesa në orendi e mjete mësimore për nxënësit, ne punonim me përkushtim.
Shumë mjete mësimore i përgatisja vetë nga që më vinte për dore të pikturoja. Nxënësit më donin, po ashtu edhe prindërit. Ishin mirënjohës. E të kënaqur që ëndrra e tyre për dije po realizohej për fëmijët.
Një ditë maji 1943, unë dhe Agllaia mbanim flamurin kombëtar në ballë të turmës popullore të protestuesve kundër italianëve.
Fashistët na sulmuan dhe arrestuan kë mundën. Mes tyre kishte edhe mësues të shkollës sonë. Po atë ditë, u njoha me të riun kosovar Adem Selimi (Gllavica). Ai kishte mbaruar studimet e larta në Zagreb dhe punonte si inxhinier agronom në Fushë – Kosovë. Qe patriot i flaktë, dhe, duke parë se gjendja e Kosovës rrezikohej shumë nga serbët, bashkë me patriotë të tjerë, organizoi rezistencën edhe në mal, pasi komunistët e morën pushtetin. Unë u martova me të dhe e ndoqa pas edhe në mal..
Kur u martova me Ademin, natën e parë, e kaluam në një shtëpi të marrë me qera. Ende s’e kisha hequr vellon e bardhë, kur dëgjuam një serenatë poshtë dritares. Dolëm të dy në dritare dhe u hodhëm orkestrantëve lule, karamele e çokollata. Pas pak ditësh, u vendosëm në fermë, në Fushë – Kosovë. Aty ishte shumë bukur sidomos në dimër, kur tërë vendi mbulohej nga bora. Por edhe në vjeshtë e pranverë, kur lulëzonin pemët frutore, qershitë, mollët, dardhat, kumbullat, pjeshkat etj. Bari që bleronte gjithnjë i freskët. Ishim aq të lumtur. Por çudi, sa herë sodisja atë bukuri, më kapte një ankth i fortë se mos e humbja këtë lumturi!
Në Fushë- Kosovë
Kujtoj me mall rrugën që bëja për Prishtinë e kthim, kur shkoja në shkollë. Udhëtonim me një kaloshin, që tërhiqej nga dy kuaj ose me një pajton me katër kuaj të fuqishëm. Herë herë, i mbaja unë frerët, por vetëm për pak çaste sepse s’isha mësuar. Ditën e verës dilnim në periferi, në pyje e kodra, i zbukuronim kuajt me lule dhe u venim zilka të vogla, që lëshonin tinguj shumë të bukur. Në fermë banonte edhe agronom Myzafer Kallajxhiu, ardhur nga Gjirokastra. Roje kishim një burrë të mirë që kujdesej për çdo gjë.
Para se të martoheshim, një ditë Ademi organizoi një drekë në fermë ku ftoi gjithë shokët, mësues, mjekë, juristë, veterinerë. Nuk e harroj kurrë atë ditë. Daja më dha leje të merrja pjesë duke më besuar te një mësues që e njihte mirë. Në kthim më shoqëroi vetë Ademi, i cili më fali edhe një aparat fotografik me të cilin bëmë shumë fotografi. Fatkeqësisht, ai aparat humbi, kur dolëm në mal. Kanë mbetur dy poza në grup. Mua më pëlqen ajo kur dola me Ademin pranë zjarrit, ku po piqnin një qengj të njomë. Kujtoj borën kur binte dhe ne ecnim mbi të duke ndjerë kërcitjet e saj ndën këpucët tona alpinë.
Festimet për çlirimin e Jugosllavisë më gjetën më 29 nëntor në Prizren.
Mbi një podium në shesh, atë ditë, Fadil Hoxha mbajti një fjalim. Në mbyllje urdhëroi që të gjithë mësuesit të paraqiten në shkolla, po ashtu nëpunësit e tjerë. Unë nuk shkova në Prishtinë, por mora rrugën drejt për në Gllavicë. E veshur si fshatare, me sajë që tërhiqej nga dy qe nëpër borë, arrita në fshatin Plitkoviç. Në një shtëpi të atyshme i ndërrova teshat me ato ushtarake dhe shkova në mal te Ademi. Kishte nga ata që nuk donin që unë të rrija në mal. Atje provova edhe mollët e vogla të egra tërë lëng. Pak më vonë, për arsye se isha shtatzënë, u ktheva në fshatin Gllavicë, duke jetuar në ilegalitet. Aty vinin shpesh herë brigada partizane sllave, që kontrollonin. Më vonë erdhi edhe një brigade shqiptare, me komandant Shaban Haxhinë, e cila ia dogji shtëpinë Adem Gllavicës, si “armik”. Në muajin gusht linda Bardhylin. Në atë kohë Ademi me shokë po hante darkë në një fshat tjetër, jo larg, dëgjojnë krisma pushke dhe ngrihen menjëherë në këmbë. Por i zoti i shtëpisë i qetësoi duke u thënë se këto pushkë janë për gëzim, se Ademit i ka lindur një djalë. Menjëherë, Ademi me disa shokë ia behën në Gllavicë, dy orë pasi kishte lindur djali. E mori Bardhylin në duar, e puthi në ballë dhe ia vuri emrin.
Që atë ditë, Ademi s’e pa më djalin e vet, sepse ishte i detyruar të luftonte në mal. Më vonë, e la Kosovën bashkë me shumë luftëtarë, sepse s’donte të shkaktonte vëllavrasje. Mua më çoi fjalë që të largohesha për në Shqipëri.
Por, kur foshnja u bë dyjavëshe unë u nisa për Ferizaj, ku më arrestuan bashkë me foshnjën dhe më burgosën. Për fat, bashkë me mua ishte edhe nëna, e cila kishte ardhë nga Tirana për ta parë djalin. Ajo më solli nga familjarët dhe miqtë e Ademit sendet e nevojshme për djalin, si djepin, govatën e ndërresa.. Shpesh nëna vinte e më takonte, merrte teshat e palara dhe i lante e i hekuroste.. Më sillte edhe qumësht të mirë për vogëlushin, pasi qumështi i gjirit më ishte idhtësuar dhe djali nuk ma pinte. Dhoma, ku më kishin mbyllur, kishte vetëm një dritare të vogël prej druri, që hapej vetëm kur donin të kontrollonin, kohë pas kohe. Kështu, bashkë me mua edhe filiza e njomë e thithi ajrin e burgut. Dëshpërohesha se ai ishte vetëm 15 ditësh.
Por Ademi u bëri presion autoriteteve, që nga mali, dhe i detyroi që ata të më nxirrnin nga burgu, ku më kishin mbyllur padrejtësisht. Rrugët për Tiranë qenë të bllokuara, kështu që shkova në Prizren, ku vijova të jepja mësim në klasën e katërt të shkollës “Bajram Curri”, me drejtor Tajar Hatibin. Aty punonte edhe mësuesja Nimete Kabashi, me të cilën kisha qenë edhe në Prishtinë, te shkolla “Hasan Prishtina”. Më pas, më kaluan te një shkollë fillore, ku ishte edhe mësuesja Myrvete Gjevori.
Pas disa kohësh, më thirrën në Degën e Punëve të Brendshme, ku më kërkuan që të merrja nënshtetësinë jugosllave. Por unë nuk pranova, prandaj ata, mua bashkë me shumë të tjerë si unë, na dëbuan nga Kosova duke na dorëzuar në Degën e Punëve të Brendshme në Tiranë, atë kohë në Rrugën e Durrësit. Pasi morën të dhënat që u duheshin për mua, në Degën e Tiranĉs, më lanë të lirë. Ishte viti 1946. U interesova në Ministrinë e Arsimit për të gjetur punë si mësuese. Më emëruan në fshatin Shullaz, afër Milotit. Banoja në shtëpinë e kryeplakut të fshatit, zotit Hysen Tare. Shkolla ishte vendosur në një ish teqe të vogël, në mes të varrezave të fshatit. E zhvilloja mësimin në kushte të vështira, me klasa kolektive. Nxënësit uleshin mbi hasra dhe përdornin pllaka për të shkruar me plumbçe.
Përveç si mësuese, merresha edhe me kurset kundër analfabetizmit, me gratë, rininë, me të cilën loznim pjesë teatrale në Milot para banorëve. Bisedova me një kryeplak të Milotit për të ngritur një shkollë të përshtatshme, i cili qëlloi vërtet fisnik dhe e realizoi këtë ide. Shkolla e re u ndërtua buzë rrugës automobilistike, kishte dhoma të mëdha e dritare ku hynte me bollëk drita e nevojshme. Kishin bërë edhe një dhomë për mësuesin. Ishte gëzim për të gjithë. Atë ditë të përurimit, hodhëm valle me rininë pranë ndërtesës aq të dëshiruar, por unë s’pata fat të punoja aty.
Një natë dimri të ftohtë, kur të gjithë ishim në gjumë, në shtëpinë e kryeplakut ku unë banoja, trokitën disa burra të armatosur, të cilët më kërkuan që të kthehesha në Tiranë e mos të merresha me kurset me gratë, t’i leja rehat të rinjtë e fshatit. Unë dridhesha nga të ftohtit dhe nga frika. Isha vetëm 23 vjeçe.
Të nesërmen, më thirrën në Zyrën e Punëve të Brendshme të Milotit. E më hoqën vërejtje pse nuk i kisha lajmëruar për ndodhinë e një nate më parë ata. Shtuan edhe pse u lexoja fshatarëve komunikatën që qe ngjitur në një shtyllë ndanë rrugës, në vend që ta kisha grisur atë në çast. (bëhej fjalë për një komunikatë të kaçakëve antikomunistë).
Shumë shpejt, më transferuan në Krujë – qytet, në shkollën shtatëvjeçare të atyshme, me drejtor Abdyl Keçin.
Pas disa muajsh, më arrestuan në oborrin e shkollës, në sytë e nxënësve, të cilët nisën të qanin. Ishte viti 1947 dhe qëlloi pikërisht ditëlindja e Enver Hoxhës (16 tetor). Akuza kundër meje: “pjesëtare e një grupi armiqësor arsimtarësh ndaj pushtetit popullor”.
Po atë ditë, arrestuan edhe mësuesin Zenel Sopoti. Në qeli më mbajtën tetë muaj, pa dalë në gjyq.
Arsimtarët atëherë ishin të detyruar të loznin edhe pjesë teatrale. Mbaj mend një pjesë që fliste për rrethimin e heronjve Perlat Rexhepi, Branko Kadija dhe Jordan Misja, këndonim vargjet:
Çilni ju të mjerë, se nuk ikni dot
Çfarë o thotë Kadija
Flakë le të kallet shpija
Ta marrë vesh Shqipnia
Se ne i dalim zot
Çfarë po thotë Perlati
Burra bahuni gati
Se ka ardhë sahati
T’hujve me i dhanë barot
Çfarë po thotë Jordani
Punët i dan mejdani
Ta marrë vesh italiani
Se s’durojmë dot.
Ishte një pjesë tjetër teatrale, me kryetarin e fshatit, të cilin e takoj për probleme të shkollës e ai fillon të më ngacmojë. Në atë çast, i jap atij një shpullë të fortë në faqe, njësoj sikur ta përjetoja vërtet një skenë të tillë. Rolin e kryetarit të fshatit e lozte Besim Zajmi, kryetari i Rinisë së Krujës, një djalë i mrekullueshëm. Të nesërmen, kur u takuam në rrugë, më tha: sa dorë të fortë kishe pas, më ka dhimbë faqja tërë natën!
Kjo e goditur, kur isha në burg, përmendej shpesh nga hetuesit, të cilët me qëllim kërkonin të provonin se unë ndjeja urrejtje për pushtetin popullor. Më pyesnin shpesh, në çdo orë edhe natën. Çfarë detyre kishe në grupin armiqësor? Kush është kryetari? Cilat janë veprimet tuaja? Me kë shoqëroheshe? Pse vishesh me të zeza? Ku e ke burrin? Etj etj.
Nuk më lanë asnjëherë ta takoja fëminë tim dy vjeçar gjatë gjashtë muajve rresht! Nëna ma solli atë disa herë nga Tirana që të çmallesha, por ata s’kishin mëshirë.
Më thonin se edhe vogëlushi im do bëhet si i ati. Por Adem Gllavica ishte një i ri kosovar patriot i vërtetë, që luftonte për lirinë e Kosovës nga serbët dhe e donte bashkimin me Shqipërinë.
As tani s’e përfytyroj dot si i kalova ato tetë muaj në qelinë prej betoni, pa shtrojet që m’i solli shoqja e dhomës në Krujë. Më lejuan vetëm një hasër. Bënte shumë ftohtë, duart më rrinin akull, po ashtu këmbët, fytyra, trupi. Ecja nëpër atë birucë të ngushtë duke fërkuar duart që t’i ngrohja sadopak. Kur flija, mbuloja kokën e shpatullat me pallton që, fatmirësisht, e kisha pas veshur kur më arrestuan.
Ditën e parë s’më dhanë asgjë për të ngrënë, nuk lejuan as ushqimet që m’i sollën shoqet.
Të nesërmen, herët më nisën në burgun e Tiranës. Aty më pyesnin pa pushim ditë e natë. Nga dreka, më sollën 400 g bukë misri, asgjë tjetër. E ndava atë bukë në katër pjesë dhe i kërkova policit pak kripë dhe ujë që ta shoqëroja bukën. Boshllëkun e ushqimit e plotësoja duke pirë ujë. Kështu vazhdova deri në drekën e Bajramit, kur më sollën ushqime nga familja tiranase, ku banonte nëna: pilaf me mish, bakllava, ullinj etj. Nuk e di se si ranë në ujdi e m’i lejuan ato ushqime! Zonja e shtëpisë ishte aktiviste e lagjes në Tiranë.
Hetimet vijuan një muaj resht. Për të ngrënë ishte vetëm ajo buka e misrit. Isha e re, 23 vjeçe.
Pastaj më kthyen sërish në burgun e Krujës.
Seksioni i arsimit i Krujës, me përgjegjës Foto Meksi, më dërgoi një material për të përgatitur mjete mësimore, si harta etj. Mua më vinin ndoresh punë të tilla. Kjo ma largonte paksa trishtimin.
Në birucë, në qoshe të saj, kishin vënë një qyp me grykë të mbuluar. Qypi i jepej çdo të burgosuri për nevojat personale. Çdo mëngjes e pastroja. Ishte një mjet i domosdoshëm për të burgosurin, aq sa edhe i neveritshëm!!
Aty ndenja gjashtë muaj, pa folur me njeri, gjashtë muaj gojëmbyllur përveç se kur më merrnin në hetuesi. Persona të ndryshëm më pyesnin se cili ishte më i mirë, Enver Hoxha apo Koçi Xoxe? Enver Hoxha, thoshte dikush është borgjez, kurse Koçi Xoxe është punëtor. Në të vërtetë, unë nuk dija shumë për ta, me qenë se kisha punuar në Kosovë.
Kishte raste që më sillnin pranë qelisë sime persona të ndryshëm, që unë t’i nxisja që të rrëfeheshin për të shpëtuar ose anasjellas, që ta të më zhbironin mua..
Edhe atë pak gjumë që arrija të bëja, ma ndërprisnin rojet për të më dërguar te shefi, që më drejtonte, si gjithnjë, po ato pyetje të çuditshme. Shefin e Punëve të Brendshme, shoqja ime mësuese, Nazire Qamili e kishte të vetin. Kjo i dha mundësi, bashkë me të motrën, që të vinin ndonjëherë e të më vizitonin. Më sollën ushqim të mirë që kaq kohë s’e kisha pas shijuar në burg. E haja, qeshja dhe qaja njëkohësisht…
Me mësuesen Nazire Qamili dhe të motrën kemi luajtur pjesë teatrale në Milot, ku na kanë duartrokitur fort.
Me prishjen e marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë, më liruan dhe më emëruan mësuese në një shkollë fillore të Krujës.
Pas Krujës, më caktuan në Kashar, në shkollën shtatëvjeçare, ku drejtor ishte Ibrahim Doraci. Bashkëshortja e tij, Servo Haxhija, ka studiuar me mua në Institutin “Nëna Mbretëreshë”. Seminaret i zhvillonim në Tiranë, herë pas here.
Martesa ime e dytë
Sistemi më detyroi të rimartohesha, kur djali mbushi katër vjeç. Pas tre vjetëve, u martua edhe vetë Ademi. Ai e takoi djalin pas dyzete e pesë vitesh, kur ky ishte bërë vetë baba me dy djem. Këtë e bëri të mundur pluralizmi demokratik. Erdhi në Shqipëri bashkë me mikeshën e vet gjermane. Këtu e takoi edhe një nga djemtë e mij, me të cilin bisedoi miqësisht. Kërkoi që djali të merrte mbiemrin e tij, gjë që edhe mua më dha kënaqësi. Me qenë se nuk mund të kthehej në Kosovë, ku ende ishte regjimi fashist dhe ku ai figuronte i dënuar me vdekje, shfaqi dëshirën të vinte të jetonte deri sa të vdiste me të birin në Tiranë. Madje, i biri ia përgatiti dhomën me orenditë e nevojshme. Por vdekja e mori para se ta realizonte këtë dëshirë. Vdiq me Kosovën në zemër e në gojë. Sot në Kosovë atë e përkujtojnë me nderim, një shkollë dhe një rrugë mban emrin e tij. Një bust është ngritur në oborrin e shkollës teknike “Adem Gllavica”.
Kur Ademi më takoi në vitin 1991, mbajti një qëndrim të ftohtë nga që e kish mërzitur rimartesa ime. Prandaj erdhi i shoqëruar me një mikeshë gjermane. Ishte zemëruar se pse nuk e kisha njoftuar për vdekjen e Tutit, bashkëshortiot të dytë, me të cilin pata katër fëmijë. Megjithatë, e respektoj qëndrimin e tij e uroj të prehet i qetë. Ai ka qenë intelektual demokrat atdhetar i orëve të para me penë e me pushkë. Aktivist i dalluar kombëtar që në moshën e shkollës së mesme.
Në vitin 1949 punoja si mësuese në fshatin Kashar. Si të tjerët edhe unë ndiqja seminaret që organizoheshin me mësuesit, herë pas here në Tiranë. Në një nga këto seminare ishte drejtues Mahmut Mezini. Organizoheshin, me këtë rast, edhe mbrëmje vallëzimi. Por unë nuk merrja pjesë në to. Sepse kisha një fëmijë më të vogël se katër vjeç, që ma mbante nëna ime, nga që në fshat s’kishte kopsht. Në shtëpi vija një herë në javë dhe këtë kohë e shfrytëzoja të çmallesha me fëmijën tim. Një ditë, Mahmuti më pyeti se përse nuk shkoja në mbrëmjet e vallëzimit. I tregova arsyen. Ai banonte në rrugën Hamit Shijaku, një rrugë pranë asaj Prokop Myzeqari, ku banonte nëna ime bashkë me motrën. Asnjëherë s’e kisha parë këtë person, ndonëse kaloja gjithnjë në rrugën Fortuzi, ku dilnin dy rrugët tona. Ndërsa ai kishte kohë që më vëzhgonte mua. Përpiqej të mblidhte të dhëna për mua. Një ditë e gjeti rastin e më propozoi për martesë, duke premtuar se do jetë një baba i vërtetë për vogëlushin tim. Mua mu krijua përshtypje se ai ishte i sinqertë dhe përparimtar.
Vështirësitë e regjimit, frika se mos e pësoja sërish tmerrin e burgut pafajësisht, fakti që në burg më treguan disa dokumente ku thuhej se Adem Selimi ishte vrarë, më shtynë që të merrja vendimin për rimartesë, pas disa muajsh.
Por disa nga familjarët e Mahmutit ishin kundër kësaj martese. Njëri ishte vëllai i vogël i tij, Shefqeti, oficer, i fejuar atëkohë me mbesën e Mehmet Shehut, që u bë më vonë kryeministër, e dyta, e motra (ndjesë pastë) Fatimja. Kjo e fundit qante se i vëllai po martohej me një grua që sillte me vete një fëmijë katër vjeç. Por i ati, Mehmeti (Lala) dhe halla Meremja (Hidri) e pranuan martesën tonë.
Lala ishte rreth 64 vjeç, me profesion bujk, pa arsim, i arsyeshëm dhe fisnik, po ashtu e motra e tij shquhej për urtësi, sa banorët i zgjidhnin hallet sipas këshillave të saj.
Një ditë, pra, hyra në familjen e Mezinëve. Tuti (shkurtimi i emrit Mahmut) më njohu me pjesëtarët e familjes. U ulëm rreth tryezës së madhe edhe pse ishin pak vetë. Por mua mu duk si një darkë zie, e heshtur ndonëse tryeza ishte mbushur me tërë të mirat. Atë natë, nuk e mora djalin me vete. Ai ndenji edhe disa ditë te Nëna.
Ishte muaji i Ramazanit, nisën të vinë për urim shumë njerëz. Vinin edhe në orët e vona , sa, disa herë, jemi çuar nga krevati ku kishim rënë të flinim për të respektuar vizitorët me kafe, llokume etj. Pata përshtypjen që ata më simpatizonin dhe komplimentet e tyre nuk munguan. Vërtet, unë një ish grua e martuar, kisha sjellë me vete një fëmi, por ende gëzoja freskinë e rinisë dhe isha e bukur. Tuti vetë ishte shumë i gëzuar.
Lala ishte autoritar, punonte shumë dhe fliste pak. Me prodhimet bujqësore (perime, fruta etj) ai mbante shtëpinë me gjithë të mirat. Dy djem të e tij dolën partizanë. Mbante dy lopë për qumësht si edhe shpendë shtëpiake .
I mbaj mend ende patat që Lala i mbante te Shallvaret, ku tani është lokali Tajvan në parkun Rinia, që nuk po i kthehet familjes Mezini ende.
Gruaja e parë e Lalës, Lema nga Ndroqi, u nda nga jeta shumë e re duke lënë pas katër fëmijë, më i vogli Shefqeti, gjashtë muajsh. Lala u detyrua të rimartohej me një grua të ve, Tiren, me të cilën pati një lindje tre binjakësh. Për shkak të mendësisë së kohës, e nxorën nga spitali para kohe dhe, si rrjedhim, dy nga ta vdiqën shpejt njeri pas tjetrit, i treti pas nëntë muajsh.
Njerka, Tirja, ishte e dobët por shumë e shkathët, ndihmonte shumë në punët e familjes. Atë e thirrnin Teze në shtëpi. E kam parë disa herë të qajë në shtëpinë e zjarrit. Një ditë po nxirrte ca rroba fëmije mbi minder nga dollapi i murit dhe qante. Mësova historinë e lotëve. Më erdhi shumë keq, e përqafova fort dhe u përpoqa ta qetësoja sadopak.
Me kalimin e kohës, u ndjemë vërtet mirë njëra me tjetrën. Linda katër fëmijë që ma shtuan lumturinë. Jetën tonë ua kushtuam mirërritjes së tyre.
Jeta ime me Tutin me siguri do vazhdonte e bukur dhe e qetë po të mos ishin ndikimet negative të personave të tretë që dalëngadalë po ma shkatërronin jetën.
Fëmijët e Lalës nuk e kishin atë dashuri që ne përjetonim në familjen tonë, por qenë ziliqarë dhe egoistë. Tuti bënte përjashtim, e ndihmonte Bonin (Shabanin) te toka ashtu si edhe të atin. Kur u ndërtua një pallat ndanë bulevardit, në krah të shtëpisë sonë, morën një pjesë nga oborri ynë. Shteti na kompensoi me vilën e Turkeshëve pranë Pazarit të Ri. Tuti ra dakord të rrijë në shtëpinë e vjetër, ndërsa vëllezërit shkuan në vilë. Që atëherë, ishim më të qetë. Por kjo shënoi një ndarje pothuaj të plotë me ta. Shtëpia e vjetër ishte vërtet prej qerpiçi por kishte bahçe e gjelbërim ku fëmijët kënaqeshin.
Tuti bëhej copë për të siguruar jetesën e familjes, sepse dy rrogat ishin të pamjaftueshme. Unë punoja nganjëherë dy turne. Me shpërblimet blinim ndonjë orendi (radio, orë etj). Tuti mori një ekonomi ndihmëse në tokat pranë ish stacionit të vjetër të trenit, ku mbillte jonxhë e rriste pemë frutore, shpesh mbillte misër. Me paratë që fitonte blinim tesha etj.
Vendi ishte në përgjithësi i varfër. Radio ishte ende një luks. Kur venim në plazh, atë ja jepja ta mbante Nëna e cila lumturohej bashkë me motrën e mbesën duke dëgjuar emisione të ndryshme. Një gramafon të vjetër, që kishte motra, e pati shitur për bukën e gojës. Ndërkohë ato nuk mund të merrnin dot ndihma as nga vëllai dhe motra në Itali për shkak të izolimit të sistemit.
Në vitin 1949 punova me Tutin në Tropojë, banonim në fshatin Viçidol, larg Tropojës qendër. Atje linda Ilirianën. Kur ajo ishte gjashtë javëshe, u kthyem në Tiranë ku, pas dy javësh, që të dyja, u sëmurëm rëndë, unë nga tifoja ekzantemike ndërsa Ilira nga helmim zorësh. Pasi u shëruam, u nisëm për në Ballsh, se kishim dalë vullnetarë si mësues për dy vjet, për të shërbyer në viset malore. U nisëm me tren. Kur kaluam pranë tokës së Lalës me ngadalë, ky i fundit u afrua të dritaret me një shportë të mbushur me fruta të ndryshme. Na uroi rrugë të mbarë e mua më këshilloi: Nuse, kujdesu për veten! Ai e dinte çdo të thoshte humbja e gruas dhe e nënës së fëmijëve, me që gruan e parë e humbi ndërsa ajo qe lehonë.
Zërin e tij atë ditë e dëgjova për herë të fundit..
Arritëm në Cakran, Ballsh, ku banuam në ndërtesën e shkollës. Tuti ishte drejtor ndërsa unë mësuese. Shkolla e Ballshit ishte pranë përroit që më frikësonte shumë. Një natë, një qyqe ndali në dritaren time e këndoi tri herë dhe zemra ime rrahu fort si nga një parandjenjë e keqe. Në mëngjes, një telegram na lajmëronte vdekjen e papritur të Lalës.
Ai ishte fizikisht i fortë e nuk ankohej as për shqetësimin që mund të kishte. Thanë se i kishte plasur stomaku (ulcera). Tuti u nis urgjent por, kur arriti në Tiranë, e gjeti atë të varrosur.
Shumë vjet më vonë, kur ishim kthyer familjarisht në Tiranë, Tuti kërkoi t’i jepnin një copë tokë shtetërore ngjitur me tokën e Lalës të cilën e punoi dhe kultivoi. Mbillte perime, pemë frutore, misër e grurë. Kur korrej gruri, i bënim duaj duaj dhe i ngarkonim në shpinë. Halat e grurit na shponin kurrizin. Pastaj e ndërroi grurin me jonxhë, që ishte më fitimprurëse, pasi kositej 3-4 herë në vit. Me fitimet prej saj plotësonim nevojat familjare.
Një ditë, shkuam në dyqanin e mallrave MAPO për të blerë ndonjë copë për pallto ose pardesy, por blemë veshje dhe këpucë vetëm për fëmijët, pasi unë s’bija dakord që të blija copë për vetë, as Tuti s’donte të blinte pardesy për vete.
Nganjëherë, Tuti i merrte fëmijët me vete, kinse për shëtitje. Ata ishin të gjithë të bukur, me flokë të krehur nga unë, për mrekulli. Kur kthehej me ta, i shihja me nga një akullore në duar dhe të gjithë të qethur zero! Mua më mbusheshin sytë me lot. Por nuk kisha si ta kundërshtoja. Sigurisht Tuti e bënte për të mirën e tyre. Flokët rriteshin sërish, por unë mërzitesha kot.
Jemi kujdesur vazhdimisht për shëndetin e fëmijëve. Dispanceria ishte një vend frekuentimi edhe për fëmijët tanë.. Kujtoj edhe epidemitë e fruthit, skarlatinës, lijës së dhenve etj. Ndonjëherë fëmijët pësonin komplikacione, që arrinin deri në bronkadenite. Kjo sepse ata rriteshin në kolektiva në çerdhe, kopshte e shkolla ku edhe infektoheshin.
Doktoreshë Gusho, pasi ma vizitoi djalin e madh, Bardhylin, më rekomandoi që ta çoja atë në Preventoriumin e Durrësit. Atje ushqimi do ishte më i mirë, po ashtu edhe ajri i detit. Unë u tremba, se nuk e dija se ç’është preventoriumi. E humba fare kontrollin dhe qava. Doktoreshë Gusho ishte një profesioniste e shkëlqyer, por edhe shumë e sjellshme. U përpoq të më bindte se këtu kishte vetëm të mira dhe asgjë për t’u shqetësuar. Dola jashtë dhe u futa në një ëmbëltore për t’i blerë diçka djalit. Por duhej të paguaja, shoh se çanta nuk ishte. Me siguri e kisha harruar në dispanseri, nga hutimi. Shkova atje por nuk kishte gjë. Kontrollova rrugës. Përsëri asgjë. Në çantë kisha rrogën dyjavore si edhe mjekimet që më dha doktoresha. Atë natë nuk fjeta dot fare, megjithë që Tuti përpiqej të më qetësonte. Në mëngjes shkuam të dy në dispanseri, ku Tuti bisedoi me sekretarin. Ky i fundit e thirri pastruesen dhe e trembi duke i thënë se mund të vijë policia me qen dhe ka për ta gjetur fajtorin. Atëherë pastruesja e solli çantën, ku nuk mungonte asgjë. U kthyem në shtëpi pasi blemë ëmbëlsira për fëmijët.
Më vonë e dërguam Bardhylin në preventorium, ku shkonim shpesh për ta takuar. Mjekët dhe punonjëset e atyshme kënaqeshin që ne interesoheshim për fëmijën tonë, të cilit nuk i mungonte as brusha e pasta e dhembëve, krehëri etj.
Shumë vite më vonë, preventoriumin e frekuentoi edhe Beni. Oh Zoti i Madh! Sa të vështirë e kisha ta pranoja këtë fakt!
Rrija me merak edhe kur i çonim fëmijët në kampet e pushimit. Ndërsa ndjehesha rehat vetëm kur shkonim për pushime familjarisht. Vetë jam rritur ne kolektiva, në Strehën Vorfënore, në Institutin Pedagogjik. Kam pasur shumë shoqe, por vetëm me dy apo tre lidha miqësi të ngushtë.
Kur u martuam, Tuti ende s’e kishte mbaruar gjimnazin, kishte lënë maturën. Shkollën e kishte ndërprerë në vitin e tretë, pasi doli partizan. Tani ia kërkonin edhe maturën për mësuesi. Kështu, iu desh të studionte edhe pse ishte bërë baba i pesë fëmijëve! Ditën merrej me punën në shkollë, me veprimtari të ndryshme, ndërsa natën studionte në qetësi. Nxirrte tryezën në oborr, ulej në karrige dhe këmbët i fuste në një govatë me ujë të ftohtë. Shpesh e zinte gjumi në atë pozicion. Megjithatë, arriti ta merrte maturën dhe nisi vitin e parë të universitetit për gjeografi, të cilin iu desh ta ndërpresë. Reumatizma e bllokoi keq. Mjeku e këshilloi të shtrohej në spital, por Tuti refuzoi. Më pas u shtrua. Shkova ta takoj, të nesërmen në mëngjes, por s’e gjeta në shtrat. Ndërkohë, Tuti po vinte duke qeshur. Sapo kishte larë faqet dhe dhembët.
Me sa duket, kortizoni kishte bërë efekt të shpejtë, sepse ai s’kishte përdorur asnjëherë ilaçe. U kthyem të gëzuar në shtëpi.
Atë kohë, muri afër pusit ishte shembur dhe Tuti ia nisi menjëherë punës për ringritjen e tij. Përgatiti baltën, preu qerpiçët. Doktor Spiro Qirko, që banonte pranë nesh, u afrua dhe e qortoi pse po punonte. Por Tuti s’e dëgjonte. Por vazhdonte ta ngrinte murin dhe ndjehej mirë. Kishte organizëm të fortë. E mundonin pak hemorroidet. Punonte në bahçen e shtëpisë, ku mbillte perime dhe sallatë jeshile, qepë e hudhra të njoma. Spërkaste rrushin, por pa maskë, kështu që, për disa ditë, fytyra dhe duart morën një ngjyrë të zbehtë. Për hemorroidet përdorte ushejza. Por vitet e fundit, nuk di pse e ndërpreu këtë kurë.
Në vitin 1980 shteti vendosi të ndërtonte një pallat në truallin e shtëpisë sonë të vjetër. Kjo na interesonte edhe neve pasi tre djemtë (Bardhyli kish marrë shtëpi vite më parë) s’kishin ku të rrinin. Përkohësisht na dhanë dy hyrje në kombinat, ku ndenjëm gati dy vjet rresht.. Fqinjëve s’u erdhi mirë, madje ata kujtonin se ne kishim bërë kërkesë për pallatin..
Në verë, Tuti shkonte për ditë nga ora 12 deri në 17 në plazhin e Durrësit kur ishte dielli më i fortë dhe rrezitej në rërë. Kur kthehej, kishte etje të madhe dhe nuk ngopej duke pirë ujë nga frigoriferi. Hemorroidet iu acaruan më shumë dhe kirurgia e këshilloi që të operohet. Tuti nuk pranoi. Rinisi hemorragjia dhe nga dita në ditë ajo shtohej. Nisi të ndjejë dobësi. Më 12 tetor 1982, kur do merrnim pensionin, nuk shkuam dot se Tuti ndjehej i lodhur. I vinte për të vjellë. Mjeku ia mati tensionin dhe maksimalja ishte 189. I përzihej edhe kur pinte ujë. Ilira i jepte mollë të qëruara dhe biskota. Një natë, mu lut të shkonim në bulmetore për të marrë ujë të ftohtë akull. Mbështetur te krahu im ngadalë ngadalë shkuam atje por shitësja, me shenjën time, nuk ia dha ujin. U kthyem në shtëpi të dy të lodhur.
Atë natë, po ndiqnim filmin “Kajo Karafili”. Tuti, i shqetësuar thirri: Oh, më ikën sytë! Ilira thirri specialisten, e cila e shtroi atë urgjent në spital në sallën e animacionit. Të nesërmen, shkova ta shoh, po ashtu edhe Ilira edhe Beni, por s’na lanë të futeshim brenda. U kthyem në shtëpi.
Kurrë nuk e mendoja se do vdiste aq shpejt! Ja që ndodhi! Varrimi u bë dinjitoz. Përkujtuam edhe të shtatat, të dyzetat gjashtëmujorin ndërsa njëvjetorin e bëmë në pallatin e ri të ndërtuar në truallin e shtëpisë së vjetër..
Marie Mëlyshi, punonjësja e lagjes e mbajti fjalën që i pat dhënë Tutit dhe na pat dorëzuar autorizimet për tri hyrje në këtë pallat. Më vjen keq, që Tuti s’e gëzoi shtëpinë e re!
Maria i dha autorizimet edhe Pullumbit dhe Arbenit, nga një dhomë e kuzhinë po në atë pallat, por në hyrjen e dytë. Kurse unë me Shkëlzenin morëm dy dhoma e një kuzhinë në katin e pestë të hyrjes së parë.
Bardhyli, së bashku me pedagogët e Fakultetit ku punonte kishte kontribuar disa vjet në ndërtesat me punë vullnetare dhe kish marrë hyrje, që 9 vjet më parë, pranë pallatit tonë, një dhomë e një kuzhinë në katin e parë.
Kur ishte student, ai përfitoi një bursë me të cilën plotësonte disa nevoja personale. Pasi doli në punë, jepte pjesën më të madhe të rrogës në shtëpi
Apartamentet, atëkohë, nuk kishin cilësinë e duhur. Pllakat ishin tërë llaç dhe nganjehere të thyera, ballkonet me parvaze të ulët dhe pak të pjerrët. Na u desh të bënim disa ndërhyrje në to. Në shtëpinë e re hyri edhe nusja e Xhenit pas dasmës që u bë atë verë.
Në katin e pestë shëndeti im nuk vajti mirë. Aty pësova një infarkt. Ilira rrinte pranë meje, por mjekët nuk i dhanë leje. Kjo mbase bëri që ta pushonin nga puna si juriste ndërmarrje. E çuan punëtore e thjeshtë në një punishte rreckash dhe në një punishte në fabrikën e konservave.
Ndryshimet e mëdha
Shpesh herë, kur bie të fle ose edhe ditën, bëj krahasime me të kaluarën e të tashmen. Vë re shumë ndryshime. Demokracia vërtet e ka ndryshuar jetën tonë! Tregu u mbush me plot të mira, ushqime, fruta, veshje, orendi, mjete elektrike etj që vinë nga e tërë bota.
Bananet i kisha provuar në rininë time, i ëndërroja deri në moshën shtatëdhjetë vjeçare, deri sa tregu u mbush me to e s’më ngeli më merak. Në moshën dyzetvjeçare u operova në repartin e gjinekologjisë, por s’kisha mundësi ta lagia gojën e tharë nga narkoza qoftë edhe me një pikë limoni!
Nuk gjeje në treg as limona që rriteshin në Shqipëri. Për fat, një zonjë e një funksionari edhe ajo e operuar, kishte çdo gjë, por edhe zemrën e kishte flori. Ajo na jepte të gjithave nga limonët që i kishin sjellë. Tani gjen limona në çdo stinë..
Fëmijët e mij emigrantë më sollën plot gjera. Televizor me ngjyra në dhomën e ndenjës, në atë të gjumit, vumë edhe antenë satelitore kështu që kishim mundësi të shihnim tërë botën. Kam radio të vogla që punojnë edhe me bateri, magnetofon-radio dhe me disqe, me të cilën dëgjoj kaseta të ndryshme, kasetë dore, llamba ndriçuese me kasetë e radio ku dëgjoj muzikë, kur ka ndërprerje korrenti, çfarë të tregoj më parë!
Shto këtu telefonat celularë, makinën larëse, sobën me korrent, thekësit e bukës, pajisje të ndryshme për të përgatitur ushqimet me avull, për të shtrydhur frutat, për të grirë perimet, makinë grirëse të mishit. Kam krevat special me sustë, dyshekë ortopedik, jorgan me pupla që zëvendësuan ato që kishim më parë..Po kompjuterët, edhe ai i vogli Lap-Topi!
Të gjitha këto të mira i sollën fëmijët emigrantë, fëmijët e mi të mrekullueshëm edhe pse me sakrifica. Zoti i lumturoftë të gjithë ata!
Jam e ngopur me të mirat e tyre që kanë ardhur nga Turqia, Italia, Amerika. Them se edhe ata janë të lumtur se s’kanë asnjë peng ndaj meje, sepse m’i kanë plotësuar të gjitha! Paçin pleqëri të mbarë e të gëzuar!
Kaloi kështu sistemi më i urryer në botë, sistemi që solli vetëm dhimbje dhe ç’është më e keqja edhe tallje me ndjenjat e pastra njerëzore!
S’i harroj ato lot që derdhi nëna ime atë ditë, lot që s’dinin të pushonin. Pse? Sepse bëri kërkesë ta takojë të birin e vetëm në Itali, i dhanë në fillim shpresë, por në fund ja anuluan kërkesën. Lot nga një nënë, lot nga i biri Atje!
Vërtet, pata të mira nga emigrantët e mi të dashur, por pata edhe mall shumë. Mirë që kisha djalin e madh këtu, që ishte mësues dhe s’u largua. Prania e tij dhe ndihma e tij ma lehtësonte sado pak mallin përvëlues për fëmijët e tjerë.
Jeta e gjatë nuk bëhet e shkurtër
Në moshën 16 vjeç më operuan apendesitin në spital. Kirurg ishte italiani Dr. Martoni. Në moshën 23 vjeç më arrestuan në oborrin e shkollës organet e diktaturës komuniste. Para nxënësve, që nisën të qanin për mua. U bëra nënë për herë të dytë në vitin 1950. Luli u bë me motër, Ilirianën. Pas më pak se dy muajsh, u sëmura nga tifoja ekzematike. Për mrekulli shpëtova. Pas dy vjetësh linda Pullumbin. Kalova në anemi të theksuar dhe më shtruan në spital. Tre vjet më vonë, linda Arbenin, dhe në fund, pas tre vjetësh të tjerë Shkëlzenin. Kur ky i fundit u bë gjashtë vjeç, u operova nga ekstraktemia (barrë jashtë mitre). Tubi ishte çarë dhe jeta varej në fije të perit, nga shpejtësia e ndërhyrjes. Për fat edhe këtë radhë ia hodha. Më 1972, operova gjirin nga një masw kanceroze. Tash, pas 35 vitesh, shyqyr nuk kam pasur ndonjë pasojë prej saj. Mëshikëza e tëmthit më ka rezultuar nga Eko-ja plot me gurë, gjë që më ka shqetësuar herë pas here. Kam kaluar sinozit në faqe që më kaloi në frontale pasi bëra rreze ultraviolet. Dr. Zyma më pat këshilluar të operohesha në kokë, por me shpresë vetëm 95%. Për atë 5% Tuti nuk pranoi. Që nga mosha 40 vjeç, vuaj nga spondeliartroza dhe cervikalia më vonë. Por mjekët indiferentë nuk më jepnin as raport kur ndjehesha keq. Prej vitesh, marr mjekime për zemër katër herë në ditë. Më 1990 kalova një infarkt dhe ndenja regjim shtrati. Por Ilirianës që rrinte pranë meje poliklinika 4 nuk i jepte raport për asistencë! Për shkakun tim humbi dhe vendin e punës.
Tërë jetën jam kujdesur për shtëpinë, përveç punës në shtet. Laja teshat me govatë, sapun dhe hi. Fërkoja me tel. Oborri ishte i madh dhe duhej fshirë çdo ditë sidomos në vjeshtë kur mbushej me gjethe. Lyenim me gëlqere trungjet e pemëve. dyshemetë me dërrasa derisa sa zverdheshin. Tuti ndihmonte por edhe merrej e punë shoqërore. Iliren ma mbante ca kohë nëna, ndërsa Lulin e çonte dhe e merrte në kopsht Nazika. Kjo e fundit thurte për ne shalle, çorape, triko. Edhe ajo ka vuajtur shumë nga shëndeti. E kapi mbi të gjitha poliartriti deformant.
Kam shumë kujtime nga shtëpia e vjetër. Kaluam shumë vështirësi por me durim e vullnet dhe falë Zotit!
Fëmija ime e parë
Më 25 gusht 1945 lindi fëmija ime e parë, Bardhyli, kur dëgjoheshin kudo krismat e armëve të ndryshme. I ati luftonte bashkë me patriotë të tjerë në male për mbrojtjen e Kosovës. Foshnjën e linda në vendlindjen e Ademit, në fshatin Gllavicë, ku qëndroja në ilegalitet. Ademi, sapo e mori vesh lajmin zbriti nga mali me 3-4 shokë dhe erdhi në fshat gjithnjë gëzim. E mori djalin në duar, e puthi në ballë e ja vuri emrin Bardhyl. Që nga ajo ditë Ademi e takoi djalin vetëm kur ky u bë 45 vjet. . Kur Bardhyli mbushi dy javë e lashë Gllavicën dhe u nisa për Tiranë, sikurse më kish porositur burri. Por në Ferizaj më ndalën dhe më burgosën bashkë me djalin. Më liruan vetëm më pas për shkak të presionit që ushtroi Ademi mbi autoritetet. Më vonë në Shqipëri, viti 1947 provova një burg të dytë shumë më të gjatë gati 8 muaj. Atëherë vogëlushi im ishte dy vjeç. Në burg më bindën me një dokument fallco se Ademi është vrarë, por nuk më nxorën në gjyq sikur më kishin akuzuar për veprimtari armiqësore.
Për shkak të mungesës së perspektivës, më 1949 u detyrova të rimartohesha. Gjithë kohën nuk e rreshta kujdesin për fëmijën tim të parë, i cili u bë mjaft i mbarë. Të gjitha ciklet e shkollës i kreu shkëlqyeshëm. Madje, kur kreu shkollën 7-vjeçare, e dërguan për pushime në ish Çekosllovaki. Pastaj burri e nxiti të vijonte shkollën ushtarake Skënderbej. E kam parë atë bashkë me Tutin nga tribuna tek parakalonte me rastin e festës së çlirimit m29 nentor 1959. Spikeri i radio Tiranës e përmendi emrin e tij: Bardhyl Mezini, si një nga skenderbegasit më të rinj në paradën ushtarake. Derdha lot nga mallëngjimi dhe në kokë më erdhën sa e sa mendime.
Kam qenë ftuar nje herë nga shkolla si prind. Atë mbrëmje shkolla do nderonte nxënësit e përparuar. Unë pata përgatitur një diskutim. Në librin e artë të shkollës ata do të shënonin edhe emrin e djalit tim! Më falënderuan për edukatën që i kisha dhenë djalit. Por kjo nuk ndodhi. Përse? Në atë mbledhje ishte edhe një oficer, i quajtur Mehmet, i cili kishte qenë në Prishtinë kur unë u martova me Ademin. Mehmeti kish qenë martuar atë kohe me një serbe, të quajtur Vera. Të dy kishin ardhë me banim në Tiranë..Mbase, ai ka ndikuar që të mos e shënonin emrin e Bardhylit në librin e artë të shkollës Skënderbej. U largova nga ajo mbledhje me një shije të hidhur.
Pas tri vitesh në atë shkollë ai u sëmur dhe ndenji disa muaj në spitalin ushtarak. Vijoi gjimnazin civil që e mbaroi sërish shkëlqyeshëm. Edhe u gëzova që djali iku nga ajo fole e shtriganëve komunistë!
Studimet e larta i kreu në universitet për matematikë. Diplomën shkëlqyeshëm ia dorëzuan me ceremoni në sallën e Teatrit të Akademisë së Arteve.
Pasi punoi disa muaj në Përrenjas e tërhoqën si asistent pedagog në Fakultetin e Filozofisë dhe .Matematikës.
Në moshën 27 vjeç u martua.
E mbaj mend atë ditë kur Bardhyli me shokun e vet Shabanin më ftuan në një pastiçeri dhe më njoftuan se Bardhyli e kishte gjetur shoqen e jetës. U mallëngjeva dhe nxora lot gëzimi. Atë çast më lindën shumë pyetje: a do ta lumturonte kjo vajzë djalin tim? E takova vajzën në shtëpinë e hallës së saj, më vonë takova të atin te fqinja ime Besa, ish kolege ime. Te halla e Vjollcës më thanë se kishin kushëri personalitete si Xhaferr Spahiun, Hava Spahiun (Çarçanin). Nuk më pëlqeu kjo gjë atë kohë. Më vonë takova motrën e madhe të Vjollcës, Nadiren, që më la përshtypje shumë të mirë. Nuk e harroj natën kur dhamë fjalën, organizuam një darkë në oborrin e shtëpisë. Në korrik 1972 u bë martesa. Ishte gëzimi i martesës së parë të fëmijëve tanë. Sikur të ishte aty edhe Ademi e të gëzohej bashkë me të birin!
Më vinte keq edhe për nënën time që nuk pati shëndet sa të gëzonte edhe ajo atë natë, kish vdekur, pasi ishte e paralizuar, që disa muaj më parë.
Dasmën e bëmë në sallën e Shtëpisë së )ficerëve, në një atmosferë shumë të ngrohtë. Disa muaj çifti jetoi në shtëpinë tonë deri sa morën hyrje. Paguanin për ushqimin dhe e kalonim bukur.
Në shtëpinë e re të dy ja nisën nga e para dhe ngritën një ekonomi të mirë. Sigurisht me modesti si shumica e shqiptarëve atë kohë.
Edhe djemtë e tyre, Genti e Indriti u rritën të edukuar dhe të suksesshëm në shkolla, brenda e jashtë vendit.
Por disa vite më vonë sistemi e dënoi padrejtësisht sepse mori vesh se ai ishte i biri i Ademit. Ademi pat luftuar brigadat serbe por e ndali luftën kur me këto të fundit u bashkuan edhe ato të Shqipërisë, sepse nuk e donte luftën vëlla me vëlla. Komunistët në Kosovë e dënuan tri herë me vdekje në mungesë. Sot Kosova e nderon si hero. Por sistemi komunist ishte çnjerëzor, atij s’i bënte përshtypje që familjet të shkatërroheshin.
Djalin e hoqën nga universiteti dhe e dërguan në gazetën Zëri i Popullit. Që aty e nxitën të futej në parti, por për këtë duhet të kryente një stazh tre vjeçar në prodhim në fabrikën e tullave. Aty dolën përsëri informatorët e sigurimit që e denoncuan Bardhylin si djalë i “armikut”, antikomonustit Adem Selimi dhe nuk e pranuan në parti. Deshën ta largonin madje edhe nga arsimi. Më në fund, e dërguan mësues në fshat nga që jepte matematikë. Ndenji fshatrave pesëmbëdhjetë vjet rresht.
Nga katedra universitare në shkollat tetëvjeçare të fshatit!
Kudo e përgjonin, e kontrollonin. Jetoi një jetë gjithë ankth e pasiguri për çfarë mund t’i ndodhte. Kjo deri kur fryu era e demokracisë, viti 1991, kur e transferuan në qytet. Kurrë nuk u ankua, nuk u zvarrit zyrave të arsimit për t’u lutur që ta kthenin pranë shtëpisë.
Edhe fëmijët e tjerë janë trajtuar keq nga qendrat e punës ku ishin por janë parë si të padëshiruar edhe nga banorët e pallatit. Madje kishte syresh që nuk i lejonin fëmijët e vet të loznin me fëmijët e djalit tim.
Gjeneral Moisiu banonte përballë shtëpisë së Bardhylit. Që nga shtëpia e tij vrojtonin se kush hynte e kush dilte te Bardhyli.. Edhe fqinji dhe ish shefi i Bardhylit në universitet, A. U. është sjellë keq me të. Njerëz të tillë kanë vijuar të zënë vende të mira në shoqëri edhe pas demokracisë.
Më dhimbseshin fëmijët që sfiliteshin në punë dhe pas pune me aksione, stërvitje ushtarake dhe radhët e panumërta për ushqime. Prindërit sakrifikonin që fëmijët ta konsumonin vetë të gjithë racionin e mishit, qumështit, gjalpit etj. Më bënte përshtypje se nuk m’u ankua një herë Bardhyli. Punoi në katër pallate vullnetar që të përfitonte për vetë një hyrje me qira me një dhomë e një kuzhinë në vitin 1973, kur lindi edhe nipi im i parë, Genti. Më pas punoi shumë edhe për të shtuar një dhomë.
Fatmirësisht, e shoqja e Bardhylit Vjollca nuk pësoi gjë sikurse i ka ndodhur ndokujt tjetër.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”