-Nga Ndue DEDAJ-
Ka njerëz që i ke takuar vetëm njëherë në jetë, por ata nuk kanë mundur të shqiten prej teje, apo më saktë të shkëputesh ti prej atyre. Njëri nga ata është dhe lalë Prenga, Preng Marku, që e kishte kullën në një pllajë poshtë Gurit të Nuses. Ishte një malësor i rracës, që më shumë heshtte se fliste, që peshonte gjithçka në kandarin e vet dhe vetëm të vetin. Kisha shkuar për të bujtur atë natë, bashkë me të birin piktor, që ishte miku im. Punonim në Komitet dhe ishim pjesë e një dërgate nga rrethi në atë zonë, për të mbledhur viçat “reaksionarë” të fshatarëve, krerët mbi statutin kooperativist, ndërkohë që minierat nuk kishin mish dhe marteli nuk këndonte në galeri e vagona nuk shtyhej pa kaloritë e mjaftueshme për punë të tilla të rënda. Ishim nja 15 veta, që u mblodhëm një buzëmbrëmje si shtab në çardakun e kullës së lalë Frrokut, pastaj për një javë nuk u bëmë më bashkë, por secili në katundin e caktuar në krye të detyrës. Në fund të shtatë ditëve bilanci i viçave të mbledhur për Grumbullimin ishte thuajse zero. Ishte ndër përvojat e para të miat në aso punësh, jashtë detyrës së inspektorit të Arsimit që kryeja prej një viti, kështu që nuk shtyhesha fort, aq më tepër që nuk e njihja zonën e Fanit, më e madhja në rreth, me 15 fshatra dhe mbi 10 mijë banorë, që deri në vitin 1976 kishte shkuar me rrethin e Kukësit. Kisha qenë më parë në ato anë për mbledhjen e fjalëve të rralla, kurse këtë herë ishte radha e mbledhjes së viçave!…
Lalë Prenga më priti bujarisht atë natë në votrën e tij, si shok të djalit, bile nuk di në e mori vesh apo jo se pse kishim shkuar nga Rrësheni, ngaqë atë natë u fol për ndodhitë e vjetra të atyre anëve, për të cilat isha i interesuar. Të nesërmen shkuam në fshatin P. në takimin e popullit, siç thuhej. Të delegur ishim vetëm ne të dy, djali i lalë Prengës dhe unë. Dolën nja tre të Këshillit të fshatit përpara njerëzve, që ishin rreth 30 veta, edhe nga fshati Xh, nisën të flisnin rreth grumbullimit të viçave; prita se mos shoku im, si më i madh se unë në moshë, për më tepër vendali dhe një gradë më lart se unë në rangun e nëpunësisë, do t’i bashkohej atij diskutimi, mirëpo ai kishte shkuar nja tridhjetë metra më tej dhe po vizatonte!?…
Unë kisha mbetur në këmbë pa lidhje. As nuk mund të veja te ata, as nuk mund të ikja. Por nuk vonoi e plasi sherri mes presidiumit dhe nja tre djemve shtatlartë me guna të leshta nga fshati Xh, të cilat jo vetëm që nuk pranuan t’i dorëzonin viçat, por dhe kërcënuan në mënyrën e tyre që t’i linin rehat, se, thanë ata, dikush i kishte ruajtur viçin për dasmë e dikush se do ta shiste në pazar të Milotit, pasi ishte duke ndërtuar shtëpinë.
Atëbotë, si pa u ndjerë, ashtu në këmbë siç isha, bëra për andej nga ku djali i lalë Prengës po pikturonte për shtatë palë qejfe, pa dashur t’ia dinte se ata për të cilët kishim shkuar po grindeshin duke e ngritur zërin. “Plasi”, i them unë atij. “Mos u shqetëso, e zgjidhin vetë ata mes tyre”, më siguroi ai dhe unë mbeta dhe më i befasuar me qëndrimin e tij. Shamata mes atyre zgjati mbi një orë, hidh e prit, por tani që e kundroj nga larg atë skenë, them se ata po bënin zakonin para syve të botës, pra: “ne si pushtet ju thamë t’i dorëzoni”, “ne si popull nuk kemi viça për ju e as për vete”, që do të thotë së asnjëra palë nuk e kishte me gjithë mend atë punë. Për hir të së vërtetës nuk mund ta kuptoja se si ne si të deleguar, ishim dhe nuk ishim aty, ku ata djemtë thua se po i shqyenin ata të Këshillit. Por fundja, në ne të dy, ai ishte “shefi”, që ua dinte gjuhën atyre njerëzve, prandaj dhe nuk luante nga vendi… (Sot mund të duket e pabesueshme kjo që përshkrova, por jemi në vitin 1988 dhe me sa duket askush nuk i merrte më seriozisht nisma të tilla rutinë si jona, që i kishin lodhur njerëzit e bazës dhe nëpunësit që nga 1945-a me “borxhet” e popullatës ndaj shtetit. Si një “provë” e kësaj që po them, lexuesi mund t’i drejtohet gazetës “Zëri i Rinisë” të asaj vjeshte, ku gjendet reportazhi im “Stinët e Gurit të Nuses”, ku flitet për Lalë Prengën e të tjerë, por jo dhe për ne, ekipin e Komitetit dhe “misionin” tonë të dështuar viçambledhës.)
Sigurisht, përsa thashë deri këtu, nuk do ta kisha shkruar këtë kujtim, pasi nuk është i vetmi i tillë, por diçka tjetër u bë shtysë… Mbasdite unë shkova të përshëndetësha me Lalë Prengën, ta falenderoja për mikpritjen e një nate më parë dhe të ulesha xhadesë teposhtë Shëngjinit mes pishave për në Klos, në qendër të Fanit, ku shpresoja të gjeja makinë për në Rrëshen. Lalë Prenga doli në derë të shtëpisë dhe pa thënë asnjë fjalë, më zuri për krahu dhe më tërhoqi të hyja brenda. Jo, reagova unë, më duhet të shkoj, se ashtu kam një punë. Ai nuk e zgjati, por pa ma lëshuar dorën, tha vetëm një fjali: “Mbrëmë ishe mik i djalit, sonte je miku im”. Mbeta pa fjalë. Ishte urdhër. Nuk mund ta diskutoja. Nuk mund të më “ndihmonte” as piktori aty në krah.
Unë kisha vendosur të ikja pas dy ditësh, duke “thyer” urdhërin për të qendruar një javë pas viçave, por nuk bëhej fjalë me kundërshtue Lalë Prengën eshtërfortë e mendjebukur, burrin e fisëm të Gurit të Nuses. Nuk jam ndjerë ndonjëherë më mirë, më i vlerësuar se atë natë, pasi përpos bujarisë klasike të atij kreshniku kohësh të vona dhe asaj familje të nderuar, e kisha marrë një “note” të mirë mbrëmjen e shkuar, përderisa ai po më mbante dhe natën tjetër. Përsëri një mikpritje me të gjitha të mirat. Folëm deri afër mesnatës, por as këtë herë asnjë fjalë për temat e ditës. Nuk ishte asgjë me qëllim, por si duket njerëzit e gjenin më mirë veten në të shkuarën, ku ende nuk ishte shuar kulti i të parëve.
Lalë Prenga kishte disa djem, por dy prej tyre i ishin dorëzuar artit, piktori i njohur, Pjetri, që kishte drejtuar për disa vite degën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Kukësit dhe Bardhoku, mësues, që gdhendte në dru me durim e mjeshtri zogj të bukur dhe sende zbukurimi. Lalë Prenga ishte aty si një hierark me pushtet “absolut”, që i dëgjohej fjala jo vetëm nga të vetet. Ai sodiste çdo ditë Gurin e Nuses dhe dukej sikur fjalët i kishte me të, madhështinë e atij monumenti natyror mbështetur në Malin e Zepës. Aty e kishte ndërtuar jetën e tij me dinjitet, duke u prirë për kah dija, shkollimi dhe progresi social-kulturor.
Kisha dëgjuar për tre pleqtë e Fanit, ndonjërin dhe e kisha takuar e biseduar me të për fjalët e rralla të shqipes, por unë tashmë kisha “plakun” tim në atë vend, që ishte lalë Prenga. Dhe nuk paskësha qenë vetëm unë që e veçoja atë nga të tjerët. Nuk di se si ra fjala një ditë në Rrëshen me një kolegun tim arsimtar, më vonë dhe kryebashkiak, që gjithashtu kishte bujtur në shtëpinë e tij, kur kishte shkuar në ato anë me një ekip kontrolli të seksionit të Arsimit, i cili e portretizoi më mirë se unë lalë Prengën, që e ruante aq të freskët në kujtesë…
Plaku i urtë Preng Marku nuk na dëgjon më, nuk do ta marrë kurrë vesh se pas 35 vitesh dy njerëz, që kanë bujtur në shtëpinë e tij njëherë, e kujtojnë atë më shumë mirënjohje, si një fisnik që nuk e kishte prishur asnjë kohë e qeveri.
Jo më kot patën qenë burrat e dheut, që kurrë më nuk do t’i vijnë kësaj rrokullie…

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”