Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Me “majë” apo “rrafshataken”- cilën kësulë kishte, ka dhe duhet të ketë Mirdita!!?

-Opinion nga Gjok PEPA-

Nga Pirusti News
2 161 Shikime

Ndodh jo shpesh që monotoninë e jetës së përditëshme, të na e thyejë një shqetësimi qytetar i cili i tejkalon hallet individuale, për t’u bërë shqetësim i një komuniteti, sidomos kur ai ka të bëjë me trashëgiminë e tij kulturore e shpirtërore.

Një shqetësim i tillë u bë shkas dhe për këtë shkrim. Gjovalin Kola, ish mësues, tani pensionist, me të cilin njihem prej vitesh dhe kemi mundur të ruajmë respekt të ndërsjelltë, më shprehu si shqetësim faktin se kësula e burrave të ansamblit tonë që po përgatitet të shkojë në festivalin e Gjirokastrës nuk është e duhura pasi sipas tij, me sa mbante mend nga e kaluara e deri më sot, ajo nuk ka qenë me maje, por “rrafshatake”.

A ka të drejtë Gjovalini?

Për të mos rënë në nivelin e diskutimeve pa fund e pa themel, që zakonisht tek ne bëhen kafeneve, më duhet të shtjelloj disa fakte historike të cilat dëshiroj ti ndaj me lexuesin e interesuar rreth kësaj teme.

Jakob Fallmerayer, vlerësuar nga Eqerem Çabej dhe Aleks Buda si një nga historianët më të njohur e dinjitozë të shek. XIX dhe si njohësi më i mire i historisë së popujve të ballkanit e veçanërisht të popullit shqiptar, shkruan:

“Popullsinë shqipfolëse në të dy anët e Drinit e quajnë në përgjithësi “mirditase”, por mirditasit zbërthehen në tri fise të veçanta nga të cilat, mirditasit e mirfilltë, të cilëve u përkasin Kastriotët, gjenden në anën jugperendimore, ndërsa dukagjinasit në anën verilindore të shtrirjes së territorit të lartpërmendur…”.

Besoj se vërtetësia e këtyre fakteve nuk ka pse të vihet në dyshim nga ne mirditorët,  sidomos kur përgjithësisht kemi pranuar se jemi dukagjinas. Por ajo çka vihet re mes nesh, fatkeqësisht, është hezitimi për pranuar të plotë atë që ka të bëjë pikërisht me thelbin e pohimit të historianit në fjalë:

“Mirditasit e mirfilltë, të cilëve u përkasin Kastriotët, gjenden në anën jugperendimore…” E pra pikërisht këtu, përpos origjinës së Kastriotëve, merr udhë dhe historia e “rrafshatakes”.

Origjinën mirditore të dy dyerve princërore, Dukagjin e Kastriot, prej kohësh, nëpërmjet disa botimeve e ka trajtuar me mjaft seriozitet e në mënyrë skrupuloze studiuesi, poeti dhe publiçisti Preng Cub Lleshi. Këto dy dyer princërore ishin në rivalitet të përhershëm mes tyre për parinë e Mirditës. Ky rivalitet që vazhdoi të mbetej prezent gjatë gjithë mesjetës detyroi që disa herë ato të ndërmerrnin iniciativa për vendosje të kufinjëve mes zotërimeve të tyre, gjë që gjithnjë rezultoi gati e pamundur, pasi shtrirja gjeografike e tyre ndërthurej keqas. Nëse Kastriotët e shtrinin zotërimin deri në Prizren dhe kishin dhe Lumën nën zotërim, Fani e mjaft zona rreth e poshtë tij, ishin zotërim i Dukagjinit.

Po si arritën ata të realizonin në natyrë kufinjtë e hegjemonisë apo parisë së tyre?!

Para disa kohësh, në një bisedë me Ndue Kazën, ish shef i arsimit në Mirditë, por dhe studiues historie, mora një informacion befasues e gati të pabesueshëm ku spikat mjaftueshëm dhe zgjuarsia mirditore. Ishte pikërisht forma e kësulës ajo që dallonte në natyrë mirditorin që për të parë njihte Dukagjinin apo Kastriotin. Kastriotët, që u përkisnin “mirditorëve të mirfilltë”kësulën e mbanin “rrafshatake”ndërsa dukagjinasit vazhduan të mbajnë atë me maje të rrumbullakët.

Ndue Kaza pretendonte se e kishte zbuluar këtë fakt nëpër librat historikë dhe do mund të ma tregonte se ku e si, por as sot që po shkruaj nuk kam arritur ta kem në dorë “gjetjen” e tij, ndaj për ndihmë argumentuese po i drejtohem librit “Një rracë e harruar” të historianit Edouard Schneider. Në këtë libër ai ka vendosur dhe foto ilustruese, dy prej të cilave po i përdor në sherbim të kësaj teze.

Në të dyja fotot ne mjaft lehtë vërejmë se kësulat janë “rrafshatake” e po të dyja figurat nuk janë tjetër, përveçse mirditorë, pavarsisht se në të parën ai e ciklon si malsor të shqetësuar, por nuk ka harruar të shkruajë se i përket fisit të Kastriotëve, pra “ mirditas i mirfilltë!”.

Për të mos u zgjatur më tej duke mos u bërë bajat, në mungesë të argumenteve më të besueshme historike, dua të përmend për ju dhe filmin e “Skënderbeu” të cilin s’besoj se ka shqiptar që se ka parë. Mjaft lehtë aty do konstatoni, se në të gjitha sekuencat ku ai paraqitet i veshur me kostum kombëtar, qeleshja apo kèsula e tij është “rrafshatakja”, pra si në foton e parë ilustruese të këtij shkrimi.

Si përfundim, mendoj se Gjovalini ka të drejtë jo më shumë për faktin se “mirditorët e mirfilltë” e kanë “rrafshatake” kësulën, pasi brenda kufinjëve të sotëm, Mirdita përfshin dhe një pjesë të Dukagjinasve që mbajnë kësulën me maje dhe janë po aq mirditorë, e duhet të përfaqësohen, por mendoj se për tu evidentuar domosdoshmërisht si Mirditë, na shërben më se mjaftueshem “rrafshatakja”.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest