-Nga Gjok PEPA-
Ndërsa Akademitë e vendeve fqinje prej dekadash kanë përpunuar e realizuar “strategji” për pasurimin e historisë së tyre, qoftë edhe nëpërmjet fallsifikimeve, Akademia jonë e shkencave jo vetëm që nuk ka një program të qartë e afatgjatë por tashmë u ka mbyllur derën dhe mjaft të reja shkencore në shërbim të saktësimit e pasurimit të historisë së vendit tonë.
Debati rreth një teme të tillë u takon studiuesve të mirfilltë, por mua, si i apasionuar pas historisë, ajo që më shkakton më shumë se habi është se dhe vetë shoqëria e sotme shqiptare duket sikur ka filluar ta quajë sakrilegj përkrahjen e këtyre të rejave shkencore që kanë të bëjnë me origjinën dhe gjuhën tonë të përbashkët, që studiues, të vjetër e të rinj, na i kanë sjellë e sjellin përmes botimeve të tyre.
Një mori faktesh kokforta rreth origjinës sonë pellazge, nuk kanë mundur dot akoma që ta shpërthejnë derën hermetike të institucionit përkatës, por habitshëm, kanë nxitur dhe dhe një kundërvënien e një sëre njerëzish që kryesisht pas mbarimit të shkollimit, duket sikur e kanë mbyllur kapitullin me librin, pavarësisht se mes tyre ka mjaft dhe prej atyre që mbahen si të “kënduar.” Mjerisht, po me këta, rreshtohen dhe disa të vetshpallur si studiues.Të parat fjalë të tyre, pothuajse bartin të njëjtin mesazh;-“Mos flisni marrina. Nuk mundet të jemi ne kërthiza e botës, janë të tjerë ata”.
Përgjithësisht, janë e njëjta kategori, që në çdo rast që u është dhënë dhe u jepet mundësia, e kanë nxirë dhe vazhdojnë ta nxijnë për gjithçka sistemin e kaluar por, paradoksalisht, ora e dijes u ka mbetur po aty, në përfundimet e arritura asokohe, pra, që vetëm kultura greko-romake është krenaria e qytetërimit europian dhe se gjuha shqipe dy të tretat i ka të huazuara nga gjuhë të tjera. Teza, se paraardhësit më të lashtë të shqiptarëve janë pellazgët, për ta ekziston vetëm në mendjen e disa të marrëve të kohës.
Kam tentuar disa herë të shpreh mendimet e mia rreth këtij debati por përfundimisht shkas për këtë shkrim u bë një artikull i gazetës “Dita” të cilën e lexoj rregullisht çdo ditë.
Në numrin e saj të dt.21.06.2023, në shkrimin me titull “Humbës dhe krenarë?” dhe nëntitull “Të ngopesh me lugën zbrazur.” z.Dritan L. Kodra ishte rreshtuar me këtë kamp, ose për më saktë “shkëmb”që i ka zënë derën gjithshkaje të re në këtë fushë. Ja si shprehet ai;- “Me këmbëngulje, me vetëmburrje, me arrogancë, persona të ndryshem për nga përgatitja ose mospërgatitja kulturore, rreken të vërtetojnë se gjuha shqipe është nëna e të gjitha gjuhëve; se kjo gjuhë nis me fillesat e njerëzimit, se nuk ekzistojnë gjuhë të tjera; të gjitha, po ama të gjitha, me çdo fjalë të tyre, janë shqip.”
Duke qënë se unë, falë vetëm ndikimit të librave, kam vendosur prej kohësh të rreshtohem në mbështetje të atij kampi ku notohet mes “përgatitjes e mospërgatitjes kulturore”, pa u zgjatur shumë në “argumentet” e artillshkruesit, dua të përmend disa autorë, shqiptarë dhe të huaj, që me gjasë atij edhe mund të mos i mungojë guximi ti fusë në të njëjtin thes me ata që ironizon sot.
“Gjuhë që flisnin perenditë / atë flisnin pellazgjitë./Atë e kanë shqipëtarët / trashëgim që ua lanë të parët. /Greqishten ajo e polli / llatinishtja andej dolli…” Këto janë vargjet, që Rilindasi ynë i madh, Naim Frashëri, ia kushton gjuhës tonë.
Pashko Vasa, një tjetër rilindas i yni po kaq i madh, në të njëjtën “kurth” duhet të ketë rënë kur ka gërmuar rreth origjinës sonë pellazge, por habitshëm, po aty, me “kokë e këmbë” dhe në të njëjtën kohë, gjendej dhe anëtari i Akademisë Mbretërore, anglezi Sir Patrick Colquhoun. Pa u takuar kurrë me njëri tjetrin por vetëm falë studimeve individuale ata kishin arritur në të njëjtat konkluzione, që për fat të keq, dhe pse arritën të komunikojnë, nuk mundën ta përfundonin të plotë studimin e tyre pasi u ndanë nga jeta njëri pas tjetrit. Në nder të anglezit, disa dashamirës të tij arritën të bëjnë një përmbledhje nga të dy autorët dhe më pas e botuan atë me titullin, “PELLAZGET, pasardhësit e tyre të sotëm dhe origjina pellazgjike e veprave të Homerit.”
THOT-i FLISTE SHQIP
“THOT-i, një nga perenditë më të lashta të Egjyptit, perendia e dijes dhe krijues i hieroglifeve, është me origjinë PELLAZGE (iliro-shqiptare, siç e klasifikon autori i veprës)
Ky është në thelb zbulimi i jashtëzakonshëm i albanologut të shquar italo-arbëresh, prof. XHUZEPE KATAPANO, që parashtrohet në këtë libër mjaft tërheqës, sepse del nga kuadri i një vepre të zakonshme shkencore.
Me një gjuhë sa të përpiktë, aq edhe të thjeshtë e të kuptueshme për të gjithë, shoqëruar nga përjetime, kujtime dhe madje lirikë poetike, prof. Katapano përball një nga problemet thelbësore që përherë e më shumë po spikasin në fushën e albanologjisë në veçanti dhe të historisë europiane e botërore në përgjithësi; asaj të paraardhësve më të lashtë të tre kulturave që konsiderohen baza e qytetërimit tonë; egjyptiane, greke dhe romake.
Sa vjen e më shumë studiues po i identifikojnë këta paraardhës në popujt PELLAZGË, banorët e stërlashtë të Mesdheut dhe që u përhapën deri në skajet më të largëta të kontinentit euro-aziatik.
Prof. Xhuzepe Katapano, me veprat e tij “THOT-i fliste shqip”-1984 dhe “Lashtësia e gjuhë shqipe”-1988, është padyshim një nga figurat që kanë kontribuar ndjeshëm për ndriçimin e disa prej “mistereve” të lashtësisë sonë, e cila është mbuluar qëllimisht me pluhurin e shkatërrimit dhe harresës.”
Jo pa qëllim, nga libri i Katapanos, përzgjodha të sjell të plotë vetëm përmbledhjen që botuesit kanë hedhur mbi kopertinën e pasme, pasi dhe nga libri “NJË RRACË E HARRUAR, pellazgët dhe pasardhësit e tyre”, doja të sillja në vëmëndje vetëm dedikimin brilant që autori ka bërë për këtë vepër, që më pas lexuesit e mundshëm të këtij shkrimi të mund të konkludojnë sa më drejt e saktë rreth veprës dhe personalitetit të tij.
“Vajzës sime Matildës.”
“Kanë qënë të shumtë miqtë e mi dhe të nënës sate që më kanë kërkuar më shumë se sa njëherë që të shkruaj rreth gjithckaje që dija për Shqipërinë, vendin në të cilin kam njohur nënën tënde, asokohe vajzë e re, me të cilën u martova, martesë nga e cila erdhe ti në jetë. Në damarët e tu rrjedh gjak shqiptari dhe nëse po ta dedikoj këtë libër, po e bëj që ta kesh gjithmonë në duart e tua, me qëllim që të mos ta harrosh vendin tënd dhe gjuhën e nënës, së cilës një ditë e ardhmja do t’ia njohë vlerat.
Tani ti ende nuk di të lexosh, por megjithatë e flet më mirë se sa unë këtë gjuhë të vështirë, që në gojën tënde që për herë buzëqeshi vetëm katër pranvera më parë, tingëllon tejet e ëmbël. Por ti tashmë di të tregosh përrallat dhe legjendat dhe kur më sheh duke shkruar, në mënyrën tënde fëminore u thua të gjithëve se unë po punoj për ty, për të fituar paratë me të cilat të blej lodra.
Kur të lexosh këtë libër dhe kur ti, vajzë e re, grua dhe nënë, do ta njohësh botën më mirë se tani, do ta kuptosh se shqetësimi i netëve të mia nuk ishte të fitoja para për të të blerë ty lodrat, por të ringjallja kujtimin e rracës së harruar primitive të pellazgëve, nga të cilët rrodhën shqiptarët dhe mes tyre,edhe nëna jote.
Shekulli në të cilin ti do jetosh do ti takojë sa burrit aq edhe gruas: që do të thotë se nëse dëshiron që hiri i babait tënd të jetojë ende në varr, vepro si ai që nuk ishte shqiptar; puno për ta ringjallur gjuhën e pasur të paraardhësve tanë të përbashkët, duke qënë se unë, me që jam europian, rrjedh nga pellazgët autoktonë që kanë populluar Europën, këtë kontinent të jashtëzakonshëm ishullor që ka dëshmuar shfaqjen e pararendësve të familjes së madhe dhe inteligjente të hominidëve.
Edouard Schneider, Paris 1894.”
Sinqerisht, do ta quaja më se të tepërt të vazhdoj më tutje me autorë të tjerë, qoftë dhe bashkëkohorët, të cilët rreket ti ofendojë artikullshkruesi në gazetën “DITA”, ndaj po e mbyll këtu këtë shkrim me një thënie mjaft kuptimplote të një shqiptari tjetër të madh cilësuar si“Enciklopedi shetitëse”.
“Shqiptarët zbresin prej pellazgëve. Kush mendon ndryshe, në qoftë i huaj është gomar, në qoftë shqiptar është tradhëtar.” Faik Konica.
Të ndritë shpirti përjetësisht o Konica ynë i madh. Tashmë, besoj verbërisht në thëniet e tua, pasi dita-ditës po bindem se, “E keqja e Shqipërisë janë vetë shqiptarët.”

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

