Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Tre ditë në Luginën e Preshëves, Kosova Lindore ose Shqipëri Verilindore

Shoqata për trashëgimi dhe krijimtari kulturore e Luginës së Preshevës në shërbim të çështjes së Luginës

Nga Pirusti News
13 094 Shikime
SHPERNDAJE

-Nga Presheva; Aleksandër NDOJA-

Një ftesë e mbërritur nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës”, dhe kryetari i kësaj shoqate prof. Xhemaledin Salihu, ishte rasti më i mirë për të vizituar Luginën e Preshevës dhe dy qytetet e saj, Preshevën dhe Bujanocin. Për tre ditë me rradhë të qëndrimit në këtë oaz të begatë lirie e njerëzish të mirë, që akoma janë nën “kthetrat” e vendimit më anti-shqiptar, të nënshkruar në konferencën e Londrës në vitin 1913, mëson pafund mbi historinë, qëndresën, por edhe situatën aktuale.

Për të rikujtuar atë që çdo shqiptari duhet t’i mbetet në kujtesë, Lugina e Preshevës që shtetasit e Kosovës me të drejtë e quajnë Kosova Lindore, ndërsa ne të kësaj ane na e ka ënda ta quajmë Shqipëria verilindore, është një pjesë e Shqipërisë natyrale, në lindje të Kosovës. Duke qenë se ka formën e një lugu të gjerë, kjo pjesë e tokës tonë me të drejtë është quajtur Lugina e Preshevës, e cila përfshinë teritorin e komunave të Preshevës në jug, Bujanocit në mes dhe Medvegjës, në veri.

Lugina e Preshevës, si për të dashur që edhe Republika e Kosovës të rrethohet në kufinjtë e saj administrativë nga shqiptarë, administrativisht është ndarë nga Kosova në vitin 1945 prej komunistëve jugosllavë në shkëmbim të dy komunave në veri të Kosovës, me Leposaviqin dhe Zubinpotokun, të cilat në atë kohë kishin popullsi me shumicë sllave. Qëllimi i kësaj ndarje ishte copëzimi i trungut shqiptar dhe defaktorizimi i tyre, si në aspektin politik, por edhe nacional.

Drejt Luginës së Preshevës, ku dogana është spostuar në drejtim të Kosovës, pas  luftës së 1999.

Teksa ishim në ekstremin lindor të Gjilanit, përpara kemi doganën e “Dheut të Bardhë”. Për të pasur sa më pak probleme në kufi, ne që vinim nga Shqipëria parkuam automjetet tona në afërsi të doganës, për të udhëtuar me automjetet e pritësve tanë me banim përtej kufirit administrativ, që mbanin targa të Vranjës. Mësues Veseli nga fshati Muhoc në Luginë, sapo na kalon me mjetin e tij nga dogana e Kosovës ku nuk patëm asnjë kontroll, përveç një përshëndetje, ndalon në “tokë asnjanëse” për të bërë korigjimet e duhura në targën e tij.

Në ndryshim me të tjerë, mësues Veseli kishte realizuar një zgjidhje origjinale. Për të mos ngjitur e shqitur letra ngjitëse në targë, kishte vendosur dy kapse plastike të cilat shërbenin si udhëzues shine, e cila kishte një kuadrat që kur futej paralel me targën mbulonte pjesët që nuk duhej të dukeshin, ndërsa në lëvizjen e tij në sens të kundërt, ai e hiqte atë me shumë lehtësi.

Kur po ndiqnim këtë “spektakël” të Veselit dhe shumë të tjerëve, në mendje më vinte shprehja “u mbars mali, e polli një mi”, teksa kujtoja luftën e madhe të targave që nga Uashingtoni, Brukseli, Beogradi e Prishtina.

Me të kaluar dy doganat rruga vijon mes një lugine të ngushte, deri tek ish dogana e vjetër, që për arsye të pakuptueshme, pas çlirimit të Kosovës ajo është de-aktivizuar duke bërë që një territor tjetër i konsiderueshëm të shkojë në anën që administron Serbia. Rruga vijon në drejtim të Luginës, ndërsa mësuesi Vesel thyen herë pas-here heshtjen hulumtuese tonèn, teksa na tregon vende ku ka luftuar, apo është arrestuar. Megjithatë si me magji malet largohen nga njëri tjetri, ndërsa Lugina merr një formë që “justifikon” brenda saj një popullësi prej rreth 100 mijë banorë, në një sipërfaqe prej 1250 km2.

Në dy anët e rrugës nacionale, një rrugë e standarteve të kohës së ish Jugosllavisë dritat e ndryshme ndriçuese “lajmërojnë” fshatra të shumtë në dy anët e maleve, tashmë larguar shumë nga njëri tjetri. Në anë të rrugës shtrihen bisnese të shumta, kryesisht servise automjetesh dhe minifabrika, ndërsa duket se janë të standarteve bashkohore, fale edhe sakrificave të shqiptarëve të kësaj anë në perëndim. Në fshatrat hyrës tek-tuk po shikon ndonjë flamur kombëtar të Shqipërisë, por ata me vijimin e rrugës nuk duken më tej. Pas afërsisht 15 km nga dogana mbërrijmë në fshatin Samolicë, në anë të rrugës për në Preshevë.

Aty në ambientet e resort “Bici” një sipërmarrës i njohur shqiptar në komunën e Preshevës, pritemi nga organizatorët e konferencës shkencore të paralajmërur prej disa kohësh. Mikpritja dhe kushtet akomoduese janë në kuotat maksimale. Drejtuesi i kësaj shoqate, profesor Xhemaledin Salihu kujdeset në detaje për të ardhurit nga vise të largëta, ndërsa rradha është e një darke miqësore e njohëse, për të vijuar ditën e nesërme, e shtunë 28 tetor ora 11, për nisjen e punimeve të konferencës shkencore.

Vizita të shkurtëra njohëse, në Preshëve dhe Bujanoc.

Pajtim Chupaky, muzikant i mirëformuar i cili kontrollonte audion në konferencë kishte ndjekur bisedën tonë, sipas të cilës po përgatiteshim të udhëtonim drejt Preshevës, na afrohet duke na garantuar se do na çonte atje pa asnjë problem, përkundër dyzimit të disa të tjerëve të cilët kishin parë prani të shumtë policore në rrugë. Pajtimi në fakt një ditë më parë teksa vinte me babain e tij me pajisjet zanore për konferecë, ishte ndaluar pa asnjë arsye për më shumë se një orë nga policia, vetëm 300-400 metra pa mbërritur tek salla ku pritej të fillonte konferenca.

Pajtimi rrëfente papushim për Preshevën, fshatrat e shumtë që e qarkojnë atë, si edhe për vargmalet në të dy anët. Pas maleve në krahun tonë të djathtë gjatë udhëtimit në drejtim të Preshevës ishte Gjilani, ndërsa në anën tjetër, ne një pjesë te maleve të asaj ane ishte Serbia, ndërsa pjesën tjetër e mban Maqedonia e Veriut.

Në atë luginë ishin tre arterie qarkullimi pothuaj paralel me njëra tjetrën, pra rruga që ne ecnim, autostrada Beograd – Shkup – Selanik dhe linja hekurudhore nga Beogradi për Hungari dhe vende të tjera të ish-lindjes.

Në dy anët e rrugës shumë pak kishte tokë të punuar. Pajtimi thotë se kjo ka ndodhur vitet e fundit, pasi dikur ishte një vend dhe tokë mjaft pjellore. Largimi në masë i popullsisë në drejtim të vendeve perëndimore ka bërë që edhe shkolla dikur me 15 paralele, të kishte mbetur me 4 ose 5 të tilla.

Qyteti është i qetë ndërsa duket se është ditë vere. Disa fabrika prej vitesh janë të mbyllura, por disa të tjera të përpunimit të hekurit dhe sidomos të prodhimit të lëngjeve të frutave, kanë mbetur efektive të destinuara për tregun e huaj. Në qendër të qytetit kafja ishte mbushur me rini për tu pasur zili. Të qeshur dhe plot humor qeshnin pafund, pa e pasur aspak mendjen se dikur aty u bë luftë e madhe për heqjen e një lapidari me emrat e të vrarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB) e cila ishte një ushtri e formuar nga ish-veteranët e Luftës së Kosovës për ndarje të 3 komunave: PreshevësBujanocit dhe Medvegjës nga Republika Federale e Jugosllavisë. Nga të tre komunat, dy kanë një shumicë etnike shqiptare, ndërsa Medvegja ka një pakicë të konsiderueshme të tyre.

Gjithësesi situata në Preshevë dukej e qetë, por Pajtimi thotë se është një qetësi e brishtë, sepse situata është mjaft shtypëse. Policia është prezente në çdo qelizë dhe për pak mund të përfundosh në qeli, pa asnjë arsye. Pajtimi thotë se për shkak të çmimeve të larta blerjet i bëjnë kryesisht në Kosovë, por edhe në Shqipëri, ndërsa padyshim plazhi veror më i preferuar është në Shqipëri, për arsye të detit.

Pasi vizitojmë shumë rrugë e rrugica të Preshevës, ndalesa e rradhës është në Bujanoc. Qyteti këtu duket edhe më i organizuar, por i ndarë si me thikë në rrugët e tij. Në njërën anë të lagjes lokalet janë të mbushur me serbë, ndërsa në anë tjetër me shqiptarë. Nuk ngjet që të ngatërrohen anët pasi kjo mund të prodhojë konflikt, për shkelje të zonave të influencës.

Komuna e cila përbëhet nga rreth 12 mijë banorë drejtohet nga shqiptarët edhe se në përbërjen e qytetit ka një numër të konsiderueshëm serbësh. Në fakt është Tërnoci fshati më i madh në Kosovë e ndoshta në Ballkan, ku me të qeshur na thonë se aty gjen çfar të duash. Tërnoci është fshat ku edhe policia apo xhandarmëria serbe e ka vështirë të depërtojë. Tërnoci mban në këmbë Bujancin qoftë edhe me vota shqiptarësh në raste zgjedhjesh. Megjithatë edhe në Bujanoc situata duket e qetë, ndërsa lokalet në dy anë si ato shqiptare apo serbe duket se konkurojnë nëri-tjetrin me prezencën e tyre.

Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës, 10 vitë angazhim të pandërprerë në shqërbim të çështjeve të pazgjidura të Luginës.

Xhemaledin Salihu është drejtuesi dhe një ndër themeluesit e kësaj shoqate. Tepër energjik e i angazhuar papushim edhe në mbarëvajtjen e punimeve të kësaj konferencë. Ai shprehet e shoqata që ai drejton përkundër vëshirësive të shumta, nuk ka reshtur asnjë moment në shërbim të çështjes së pazgjidhur të Luginës së Preshevës. Ai nuk harron të falenderojë Ministrinë e Kulturës së Republikës së Kosovës për mbështetjen e madhe, deri dhe financiare për organizimin e kësaj konference me pjesmarrje të gjerë nga Shqipëria, Kosova, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut dhe vise të tjera.

Konferencën Shkencore e hapi z. Phd Shpëtim Memishi, kryetar i Kuvendit të SHTKK-së, ndërsa fjalën e rastit e mbajti z. Xhemaledin Salihu. Është vijuar me përshëndetje nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, si dhe nga Rektori në i Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë.

Pjesmarrës të shumtë si Akademik Rexhep ISMAJLI, Akademik Adem BUNGURI, Prof.dr. Isak SHEMA, Dr. sc. Besim MORINA, Prof.dr.Mustafa IBRAHIMI, Mr. Sc. Murat AJVAZI, Afërdita ABDULLAHI, Jaho BRAHAJ, Dod DULI, Prof.dr. Agron XHAGOLLI, Dr. Nusha ZHUBA, Hysen KËQIKU, Kamelia NITA, RUMANIA, Ivzo Gollosh e shumë të tjerë në punimet e tyre kanë nxjerrë në pah emra të shquar të historiografisë sonë dhe albanologjisë, figura që kanë lënë gjurmë të thella në vetëdijësimin tonë si komb. Kjo konfrencë tërhoqi vëmendjen e shumë mediumeve shqiptare ndonëse një pjesë e tyre janë nën kotrollin e rrepte të qarqeve shoviniste sllave.

Ndërsa kthimi për në Kosovë shënohet me incidente. Policia e Serbisë na kthen mbarpsht nga pika kufitare e Breznices, me pretekstin absurd se kishim hyrë nga Dheu i Bardhë. Megjithatë nga ata çfar nuk pritet, pasi 50 km rrugë të tepërt nuk është problem i madh.

Preshevë 27-28-29 tetor 2023

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest