Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Artisti kompozitor Aleksandër Kolshi, si e nisa në klasën e parë shkollën e muzikës “Jordan Misja” dhe arritjet ndër vite të artit në Mirditë

Jeta në Itali prej 20 vitesh mes artistësh dhe kulturës në Rovereto

Nga Pirusti News
6 986 Shikime

-Nga Aleksandër NDOJA-

Aleksandër Kolshi është i vetmi kompozitor mirditas që ka përfunduar të gjitha fazat e shkollimit muzikor, me pikënisje që klasën e parë në në shkollën elitare të muzikës “Jordan Misja”. Si e kujton ai “tmerrin” disa orësh kur 6 vjeçari u la në konvikt për herë të parë larg familjes. Fazat e shkollimit 16 vjeçar në art dhe si Lin Loci e thirri për ta bërë shef muzike pa përfundur vitin e fundit. Aleksandër Kolshi rrëfen faktin se si ndërpreu përkohësisht shkollën e lartë për të punuar emigrant në Greqi, por dhe historia e “zarfit” te komitetit që i shmangu vijimin e shkollës së lartë, për të përfunduar për dy vite ne Simon Kaçinar, e Velë.

Aktivitete të shumta kulturore me salla të tejmbushura kur nuk kishte asnjë karrige, por që edhe dritat fikeshin në mes të koncertit. Jeta në Itali nga viti 2004 dhe ecuria artistike e Shoqatës Kulturore “Artisti” në Rovereto. Të gjtha këto në një rrëfim plot detaje për Pirusti NEWS.

-I N T E R V I S T A-

Si dhe kur nisën fazat e shkollimit në fushën e muzikës që një ditë të të bëhesh kompozitor?

Më fute thellë në kohë, por brazdat e kujtesës ishin të forta pasi siç dihet në moshën e fëmijërisë shumë situata kujtohen gjatë gjithë jetës. Unë ditën e parë të shkollës e nisa në shkollën “Jordan Misja”, shkollë elitare e artit që me krijimin e saj, e deri në sot. Ishte data 1 shtator e vitit 1975.

Si është e mundur teksa i referohem moshës tuaj, ndërsa nga ajo ditë kanë kaluar pak më shumë se 48 vite?

Në fakt ke të drejtë, por unë nuk kam kryer shkollë fillore në Rrëshen si bashkëmoshatarët e mij. Unë klasën e parë e kam nisur në “Jordan Misja”, pra krahas bishtakypit me të cilin mësoja të gërmëzoja abc-në, dëgjoja muzikë, apo përplasja duart në klasë, sipas ritmeve që na diktonte mësuesi.

Si ndodhi që nise klasën e parë në Tiranë, në një shkollë elitë në nivel kombëtar, ku jepnin mësim emra të mëdhenj si Çesk Zadeja, Ibrahim Tukiçi etj.

Po, atë vit ministria përkatëse kishte urdhëruar që atë vit shkollor “Jordan Misja” të pranonte nxënës që nga klasa e parë, ndërkohë që deri në atë kohë në atë shkollë pranoheshin vetëm pasi të mbarojë klasën e 8-të. Një njoftim i tillë i vjen edhe Seksionit të Arsimit Mirditë dhe Pallatit të Kulturës. Kështu nga Mirdita u nisëm 12 fëmijë që akoma nuk e kishim filluar klasën e parë. Ndoshta koincidencë, por muzikanti që na shoqëronte ishte pikërisht babai im, këngëtari Kol Zefi që ishte përfshirë prej vitesh në kulturë si këngëtar, teksteshkrues, aktor humori etj.

Si u identifikat nga komisioni që ishte ngritur për ju që ishit 6-7 vjeçarë?

Vetëm me përplasje duarsh, pa asnjë vegël muzikore. Ata ishin shumë specialist, ndaj identifikonin ritmin. Por për të folur shkurt, nga 12 fëmijë që ishim nga Rrësheni, u pranuan dy prej tyre. Pra unë  dhe Fabiola Pruthi. Erdhëm në Rrëshen, pa e kuptuar se pse ishim atje dhe çfar do bëhej me ne.

Si e kujtoni ditën e parë të shkollës?

Ndoshta ka qenë dita më e vështirë në jetën time. Kur babai më la në konvikt, u tmerrova. Qaja me gjithë forcën e shpirtit, kur shikoja nga dritarja që babi po largohej. Mbaja një pako biskota në duar që ma la babai aty, ndërsa të tjerë fëmijë më kishin rrethuar të qetë, pasi e kishin kaluar këtë fazë, para meje. Ato më kishin rrethuar për biskotat që mbaja në dorë. Kur njëri më tha ma fal një biskotë, unë u’a hodha me forcë përpara. Sa shumë kemi qeshur më vonë me këtë situatë.

Po akomodimi në hotel, çfar ishte për ju kaq të vegjël?

Më takoi të isha në dhomë me Shkëlqim Metën, që ishte pjesë e “Djemve të Detit”. Ishim të vegjël, në një kat me të tjerë të rritur që ishin në shkollë e mesme. Si më të rritur nuk na trajtonin mirë. Kjo u kthye në problem, ndaj përgjegjësi i konviktit thërriti prindrit tanë për të vendosur si të vepronim. Babai im u dha një zgjidhje origjinale (qesh). U thotë që këta të dy ti çojmë të kati i vajzave. Kjo u pëlqeu drejtuesve, ndaj ashtu u bë. Për disa kohë rrinim të kati i vajzave. Ato na trajtonin mirë, pasi ishin të rritura, në shkollë të mesme, ndërsa ne fillore.

Po me mësimet si vijonit?

Ishim të përkushtuar pasi ngapak po mësoheshim. Fillimisht kishim lëndë të përgjthithshme, por më shumë orë muzike, deri në klasat më të larta, kur orët muzikës dominonin ndaj lëndëve të tjera. Punonim pa fund më instrumentet muzikore, unë isha caktuar të mësoja violonçel.

Fole për klasat më të larta në shkollim. Prap në konviktin e vajzave ju?

Jooo, nuk qëndruam shumë pasi filluan të na tallnin. Ja këto të dy që flejnë me vajzat, na thonin në mes të tjerëve…(qesh). Kam shume ngjarje të atyre kohëve që në dukje tani janë të parëndësishme, por kur isha në klasë me muzikantin e spikatur lezhian Flamur Toska, luanim shumë te fusha e shkollës. Unë i prishja shumë shpejt këpucët, ndërsa babai që ishte i detyruar të më sillte të tjera, habitej se e dinte që unë nuk isha i dhënë pas futbollit. Një ditë erdhi befas dhe kur më gjeti afër një shkurreje u hapit që isha i zbathur. Më pyeti, ku i kisha këpucët. Unë i thashë që i ka ai shoku im, që po luante futboll. Nuk u desh shumë kohë të mësohej se si më prisheshin mua këpucët. Ishte varfëri e madhe në fakt, madje kujtoj se trikoja e leshit që pata veshur në klasën e parë më shërbeu deri në klasën e katërt, anipse krahët e mij zgjateshin, ndërsa trikoja vetëm rrudhej. Pra në klasë të katërt dukej se trikoja e leshit të ishte verore, pasi krahët e saj më rrinin shumë shkurt.

Le ti kthehemi mësimit..si vijonte ai?

Mësimi ishte intensiv, por edhe lëvizjet tona ishin të shpeshta. Duke qenë që në moshën 6 vjeç në Tiranë, ne mësuam çdo rrugë a rrugicë, madje përfundonim të stacioni i trenit. Lëndët ishin si në të gjitha shkollat, por të reduktuara, pasi derivoheshim vetëm në orët e muzikës që vitet e fundit zinin rreth 90 përqint. Vitet iknin dhe edhi koha që të mbaronim klasën e 8-të. Deri në klasë të tetë mësova vetëm violonçel, si instrument.

Po pas mbarimit të klasës së 8-të, si vijoi proçedura.

Prapë me konkurs të cilin e fitova pa vështirësi në mes shumë kandidatësh që vinin nga shkolla tjera. Duke qenë se ne vinim që nga klasa e parë në atë shkollë, kishim më shumë avantazh. Në shkollë të mesme mu dha të mësoja trombën. Pra duhej të stërviteshim edhe me vibraton e zërit, pasi fizarmonika dhe violonçeli kërkonin vetëm vesh muzike dhe përdorim të gishtërinjve. Mësuesit tanë në shkollë të mesme ishin emrat më të shquar të artit në Shqipëri. Nuk e di se si, por Çesk Zadeja më mori me sy të mirë. Më trajtonte shumë mirë dhe më mbante afër. Më mbante me orë të tëra në mësim, për të kapur sa më shumë. Ne vetë zgjoheshim që me natë në orët e para të mëngjesit të mësonim, pasi në mëngjes truri ishte më i freskët, për të regjistruar. Madje unë që shpesh nuk shikoja televizor, pasi ishte një dhomë e vogël që nuk na nxënte të gjithëve, ndaj shkoja të flija në dhomë. Vinin këta që ndiqnin filmat, ndosha në 1 të natës dhe na zgjonin për studim, se gjoja shkoi ora 5 e mëngjesit. E kuptonin se po talleshin kur u kërkonim kujdestarëve të hapnin derën.

Tash që mbarove shkollën e mesme, ishe tejet i përgatitur. Po shkolla e lartë?

Shkollën e mesme e mbarova në vitin 1989. Nuk mund të vijoja më tej direkt, pasi plani për shkolla të larta u shkonin Komiteteve Ekzekutive. Erdha në Rrëshen dhe bëra lutjen përkatëse. E dija se ishte e vështirë për shkak të biografisë. U tha se letra me vendimet e komitetit u çua dorazi në Tiranë, nga një konkurues. Isha në pritje të ethshme. U interesova te shkolla e lartë, ata konfirmonin se një zarf i tillë nuk kishte mbërritur aty, ndërsa komiteti i Mirditës konfirmonte se zarfi ishte nisur. Situata u bë qesharake si me lojën e kungulleshës, më saktë po luhej me nervat tona. U tha se zarfi nuk ishte nisur me postë, por dorazi, me anë të një konkurenti i cili nuk dihej ku e kishte çuar. Askush nuk u muar seriozisht me këtë situatë, se nuk donin, pra u “harrua” edhe pse unë isha në ankth të madh.

Çfar ndodhi më pas?

U interesova pafund, por asnjë përgjgje. Meqenëse koha për regjistrim kaloi, u drejtova për punë me sygjerim të një titullari të arsimit. U emërova mësues i muzikës në fshatin Simon të Kaçinarit, këtu në Mirditë. Ishte situatë e rëndë për mua, pasi po ikja nga Tirana ku u akomodova në moshën 6-7 vjeç dhe përfundova në një shkollë fshati, në Kaçinar. Megjithatë pa vonuar nisa nga puna. Me rrogën e parë bleva një radio “Iliria” që të kisha kontakt me muzikën. Në fakt radio pati fat të keq në dhomën time, pasi dikush kishte thyer derën dhe ma kishte marrë. Nisëm më aktivitete artistike. Kishte talente edhe aty, madje të spikatur. Jepnim shfaqje në shkollë e qendra kooperativiste. Kështu kaloi një vit shumë shpejt në Kaçinar, megjithëse këshilli fshatit ne mësuesve na ngarkonte me regjistrimin e popllsisë. Ishte koha që po ndihej ndryshimi, pra jemi në vitin 1990 kur u hapën ambasadat. Më duhej të plotësoja kërkesën për shkollë të lartë. Mbaja kontakte dhe çdo fund javë shkoja në Tiranë dhe takoja mjeshtrin madh, tashmë ishte kthyer në mik i familjes tonë. Një ditë ai më dha një sygjerim të çuditshëm.

Çfar sygjerimi?

Më tha të vijoja edhe një vit mësues. Për mua ishte e habitshme, por tek unë fjala e tij ishte ligj. Më tha se duhej të përgatitesha edhe më shumë në shkolla dhe ambiente artistike, pasi tek unë shikonte kompozitorin. E pranova sygjerimin, ndërsa fillova mësues në Velë. Edhe këtu aktivitetet ishin të shumta si në fshat dhe Rubik. Mos harrojmë ishte viti 1991, kur regjimi kishte rënë.

Pra tashmë për të vijuar shkollën e lartë nuk kishe nevojë për mendimin e komitetit ekzekutiv?

Po. Çështja e zarfit mbeti një kujtim i hidhur, për të cilin nuk e mora mundimin të pyes dhe më vonë. Tashmë ishte radha e konkurseve. Konkuruam 20 veta për katër vende në Akademinë e Arteve. Për fat, por edhe falë formimit tim 12 vjeçar në ”Jordan Misja”, por edhe dy vitet në shkollat e fshatrave që cituam më lart, u përfshiva në katërshen që do të vijonim shkollimin e lartë për kompozitor.

Dhe vjen viti i parë i shkollës së lartë në një kohë tjetër, kur sapo rendi demokratik ishte në hapat e parë. Çfar kujtoni?

Ishte ngjarje e madhe për mua rikthimi në ambientin kulturor të kryeqytetit, pa pengesa biografike. Mbase koha e ndrydhjes kishte mbaruar, përderisa pothuaj të gjithë shokët e klasës time u bënë zëra të njohur si Elton Deda, Alma Strazimiri, Voltan Prodani, Artan Tushe, Alma Bektashi, Arben Neziri dhe shumë të tjerë. Viti i parë mbaroi mes vështirësive të kohës, por e mbaj mend si vit startues mjaft të bukur.

Në vitin e dytë arrita të marrpjesë në festival si kompozitor dhe autor teksti, me një këngë të kënduar nga Irma Gurakuqi. Ishte një nisje e mirë por edhe një zhgënjim i madh. Kishte tipa aty që kishin të drejtën të vinin dorë kudo si në muzikë a tekst, por këtë e bënin vetëm duke paguar nën dorë. Me një zhgënim të tillë të pabesueshëm mbylla vitin e dytë dhe u largova, ndonëse përkohësisht.

Pse çfar ndodhi?

Mu desh të largohesha se situata ekonomike agravoi keqazi. Kështu në vitin 1995 u largova malit për në Greqi. Punova çdo punë me orë të zgjatura, flinim shpesh jashtë. Askush nuk donte t’ja dinte se isha kompozitor dhe njeri i artit. Megjithatë bëra lekë sa për të vijuar shkollimin dhe arrita të blej një foni mjaft të mirë për kohën. Erdha vitin tjetër dhe vijova shkollimin. Në vitin e katërt më vjen një ofertë, pra një lloj ndryshimi, por jo të gjitha rastet ishin për keq.

Pse e thonë këtë?

Po, në vit të katërt mbase në fillim të vitit mësimor vjen dhe më takon Lin Loci, piktor i mirënjohur i cili ishte drejtor i Pallatit të Kulturës në Rrëshen. Më propozon që të shkoja menjëherë si shef i muzikës në Mirditë. Ishte koha kur muzikantët dhe kompozitorët me emër ishin larguar, duke krijuar një boshllëk të madh. I them se jam në shkollë. Mos u mërzit më thotë Lin Loci. Ti mund të vazhdosh punë, por do jesh i lirë të shkosh në leksione dhe provime. Kështu u bë.

Tashmë në Rrëshen, një panoramë e situatës që ishte aty?

Ishte për ti qarë hallin. Megjithë përpjekjet që kishte bërë Lin Loci dhe stafi aty, po të kemi parasysh ato vite situata kishte degraduar. Çdo gjë ishte vjetëruar, skena ishte pothuaj e rënë, karriget kishin mbaruar, por dëshira ishte e madhe.

Menjëherë nisëm përgatitjet për koncerte të ndryshme. Bënim kurse dhe çdo pasdite salla gumëzhinte. Janë kujtime pafund të cilat duhet kohë e gjatë për tu përshkruar, por mos harrojmë se këtu morën udhën e artit të suksesshmëm artistë si Gent Bushpepa, Bled Tusha, Sokol Keci, talente të rinj si Kastriot Kola, Gojard Kodra, Jurgen Cara dhe shumë të tjerë.

Me ndihmën absolute të talentit Paulin Tusha organizuam edhe “Anketën Muzikore”, një seri spektaklesh që mbushnin atë sallë cep më cep, duke “përfituar” edhe prej faktit se karriget kishin dalë jashtë përdorimit. Puna ishte intensive dhe me ka ndodhur që në mes të koncertit të fikeshin dritat, pra të ecja me vrap nga Pallati i Kulturës për tek nënstacioni, për tu lutur aty të ndiznin dritat jashtë orarit kufizues dhe vija sërish me vrap, për të vijuar me koncertin.

Po me ansamblin “Mirdita” çfar ndodhte në atë kohë?

Duke qenë se isha kompozitor i mirëshkolluar që në klasën e parë dhe i vetmi kompozitor mirditas vetë amatorët e panë të udhës të më pranonin si Drejtues Artistik i Ansamblit. Ishte kohë e artë përsa i përket talenteve. Koha kalonte shumë mirë dhe provat gjithashtu me artistë të tillë si Fran Vorfi i cili jepte ide pafund, që i hidhte në letër Viktor Gjikola. Kanë një kontribut të jashtëzakonshëm si Paulin Tusha e Sokol Keci, po aq të njëjtë Ilir Simoni, Bert Gjinali, Bledar Tusha, Kol Zefi, Pashk e Gjovalin Filopati, Llesh Lleshaj, Anton Gjoka, Mark e Bardhok Deda, Ndoc Lekgega, Shpresa Loci, Kastriot Kola, Prena Beci, Prena Beleshi, Fran Preçi, Gjela Duka, Aurora Ndoj, Gëzim Bellova, Gojard Kodra, por edhe artistë amatorë si Dori Maca, Ergi Arapi, padyshim Eugen Bushpepa dhe Jurgen Cara.

Por mos harrojmë se ndodhi 1997-ta dhe dihet çfar ndodhi. Pothuajse të gjitha karriget dolën jashtë funksionit, por salla përsëri mbushej plot e përplot. Në vitin 2001 situata ndryshoi rrënjësisht. Një fond i posaçëm nga Ministria e Kulturës me ndërhyrjen dhe të Lin Locit, bëri që salla të kompletohej me karriga cilësore, skena u rikonstruktua plotësisht si edhe ndriçimi. Tashmë situata u bë shumë më e pranueshme, ndërsa aktivitetet e shumta bënë që në pallat të afroheshin shumë të rinj në zhanre të ndryshme. Duhen përmendur për kontribut të madh sidomos matura 1998 – 2004 për pjesmarrjen e tyre në aktivitete kulturore si Adelina Jaku, Genc Vladi, Adelina Doda, Serita Dona, Lid Kola dhe shumë të tjerë.

Të paktën deri në vitin 2004 kur qëndrova në Mirditë dhe në drejtim të Ansamblit “Mirdita” duhet të vlerësoj punën e mirë dhe të palodhur artistike të mjeshtrit Kol Picaku, Mjeshrit te Madh Mark Gjoka, Mark Gjoni, Nikoll Dedaj, Kol Zefi e shumë të tjerëve, por edhe të stafit të palodhur si Lin Kiku, Gjok Pepa, Drane Përgega. 

 Të paktën deri në vitin 2004 kur qëndrova në Mirditë…pra vendose të largoheshe jashtë, Ku shkove?

Të ishte për mua të paktën në atë kohë nuk largohesha, por rrethanat familjare ma diktuan një vendim të tillë. Bëhet fjalë për arsye shëndetësore të njërit prej fëmijëve të mij. Gjeta një vizë familjare dhe u vendosa në Itali, në Rovereto.

Përsëri me muzikë?

Jo, për 10 vite me rradhë punova në ndërtim nga 12 orë, por në mbrëmje edhe pse i lodhur ju kushtova mësimit perfekt të gjuhës, por edhe instrumenteve bashkohore. Lodhje pafund, por familja ishte detyrim i madh. Paralelisht aplikova për njohjen e diplomës së kompozitorit nga Ministria Italiane e Arsimit. Pra 10 vite pasi hyra në Itali, në 2014 trokita i kompletuar, në zyrat e komunës së Roveretos dhe para sektorit të kulturës shpalosa projektin tim. Ata të habitur më thanë, ku ishte këto 10 vite. U thashë po mësoja rrugën për të ardhur këtu, isha në përgatitje që një ditë të paraqitesha para jush.

Si e pritën ata këtë reagim tëndin?

Më hapën dyert. Regjistrova shoqatën “Artisti” dhe mu aprovuan fondet, sipas projektit të paraqitur.

Cili ishte projekti në pak fjalë?

Organizova një “Fest-Folk” me pjesmarrjne e gjithë komuniteteve të botës, që jetojnë në atë komunë. Ky koncert mbahet çdo vit më 26 tetor, pasi në Itali njihet si Dita e Kulturës Popullore. Në çdo rast në skenë ngjiten 150 artistë të kombësive të ndryshme, sejcili me folklorin e vet të origjinës. Kjo tashmë është bërë traditë.

Bëjmë projekte të tjera për mbledhjen dhe shpërndarjen e mjeteve muzikore. Pra i mbledhim nga donatorë të ndryshëm, i shikojmë nëse kanë probleme më pas u’a japim falas atyre artistëve që janë në nevojë, apo nisin rrugën e artit. Organizojmë ditën e artistit në lulishten e qytetit, ku për disa ditë me rradhë çdo pasdite, lulishtja e madhe mbushet me artistë që performojnë muzikë, këngë e valle, por edhe ekspozita kulture. Gjithashtu organizojmë koncerte të shumta me këngë shqiptare në Itali, si ai i quajtur “Mora fjalë..” edhe në festa kombëtare, ashtu edhe në Krishtlindje.

Po financat a janë të mjaftueshme për organizime të tilla?

Natyrisht që po. Ne në projektet e finacuara nga komuna detajojmë çdo gjë, por edhe shoqata ime “Artisti” ka marrë atributin ligjor të një shkolle muzike, që ka po të njëjtin emër “Artisti”. Këtu unë organizoj kurse të ndryshme muzike, por merrem edhe me regjistrime këngësh dhe kompozimin e tyre, për këngëtarë në Itali dhe në Shqipëri.

“1975 – 2024”, sëshpejti bëhen 50 vite në art e kulturë, nëse i referohemi faktit se një shkollë muzike kaq elitare e filluat që në klasë të parë. Në këtë aspekt, kë do falenderonit si mbështetës në rrugën tuaj?

Sëpari familjen time, megjithëse në ato orë tmerri kur isha pa mbushur 7 vjeç, nuk e di nëse i urreva apo u habita me ta, teksa më “braktisën” në atë konvikt, por që më vonë nuk doja ta braktisja unë. Kuptova shpejt ata kishin të drejtë se vendosën për të ardhmen time, pra i falenderoj pa masë, për largpamësinë e treguar.

Natyrshëm falenderimi im më i ndjerë shkon për dy pedagogët e mij më të afërt, Çeska Zadeja dhe Aleksandër Peçi. Falendërim të pamatë për dy drejtuesit e Pallatit të Kulturës Rrëshen, nga të cilët mora shumë mbështetje në rrugëtimin tim të parë Lin Loci Loci e Pjetër Marku, por edhe për drejtuesit e Gjimnazit Rrëshen, që falë bashkëpunimit me ta realizuam shumë aktivitete gjatë viteve 1995 – 2004. Falenderim e mirënjohje për presor Ndue Dedaj, i cili gjithmonë e pa përtuar përgatiste tekstet e spektakleve, por edhe për mbështetjen morale ne aktivitete.

E natyrshëm falenderim dhe mirënjohje pafund për komunën e Roveretos në Itali që nuk më paragjykoi, por më dha mbështetje pa kufi, si të isha lindur e rritur aty brez pas brezi. Falë kësaj mbështetje, unë jam sot në pikën më të lartë të aktiviteteve kulturore, në një shtet e komunë multi etnike.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest