-Nga Aleksandër NDOJA-
Teksa jo pak herë më ka rastisur të përcjell portrete mësuesish, kam mësuar shumë histori e ngjarje rreth jetës, aktivitetit, vështirësive e arritjeve në misionin e artë të mësimdhënësit. Natyrisht ndër vite kam sjellë portrete të mësuesve që nga Ndrec Ndue Gjoka, Zef Shkorreti, Kol Picaku, Vezire Gjeraku, Fran Çuka, Pal Kuka, Ymer Llugaliu, Mhill Doda, Llukman Kosovrasti, Gonxhe Voja, Lorenc Lala, Arjana Qatipi, Pashke Lleshaj e Pashke Mrruku, por edhe mësues tjerë të vrarë nga koha e mbrapshtë 1997 si Gjin Ndue Gjini e Ndrec P. Nikolli, e shumë të tjerëve, shkrime të cilat gjënden në këtë portal, por edhe në shtypin e kohës.
Sejcila ka një histori në vehte në kufinjtë e dramës, ndonëse ne e dinim se të ishe mësues, kishe arritur majat.
Disa kohë më parë krejt rastesisht mësova një histori të veçantë, në kufinjtë e tragjedisë njerëzore e treguar jo pa humor nga një mësuese, bijë e Bazhellës në Blinisht, e martuar në Vaushkjesë. Ajo quhet Marte Gjoka (Bazhella) që prej vitesh ka dalë në pension, por që në katër dekada ka lënë gjurmët e saj në mësimin e vocrrakëve që nga nga Vau i Madh, Blinisht në vëndlindje, në Ndërfushaz, në Vaushkjezë e më tej në Livadhez e Velë për ta mbyllur kontributin në sistemin arsimor, në shkollën fillore të fshatit Rreje e Zezë, të Rubikut.
E ndërsa në këtë prag feste për mësuesit, biseda rrotullohet nga shkolla në shkollë, jo në pak raste qeshim me faktin se si kjo mësuese është dashur të qëndrojë për rreth katër orë në një lis, aty ku nuk mund ta kapnin qentë tejet të egër të një kopeje bagëtish teksa kthehej nga shkolla e fshatit Livadhez, për në banesën e saj në Vaushkjezë, fshat i vendosur në anë të rrugës Rrëshen – Rubik.
Mësuese Martja tepër e kujdesshme sjell kujtime pafund që nga shkolla Pedagogjike “17 nëntori” në Tiranë kur u titullua mësuese e Ciklit të Ulët në vitin 1976 dhe deri kur doli në pension.
-I N T E R V I S T A-
Një përshkrim i shkurtër i familjes ku ke lindur dhe cilat ishin shtysat që në atë kohë siç ishte viti 1972, të nisje rrugën për tu bërë mësuese?
Jam fëmija e tretë nga shtatë fëmijët e Pjetër Preng Bazhellës në Blinisht të Mirditës. Në të gjithë fëmijët mësonim shumë, por vetëm i pari vëlla, Gjon Bazhella shkoi në shkollë të lartë dhe u bë inxhinier e minierave, që edhe pse nuk jeton që nga 1 gushti i vitin 2020, ka lënë një emër të mirë dhe nga e gjithë Mirdita kujtohet me respekt.
Edhe unë si të gjithë fëmijët nisa shkollën fillore duke përfunduar edhe 8-vjeçaren në shkollën e mirënjohur të Shpalit, ku kanë dalë me qindra kuadro të denjë ndër vite. Duke u kthyer në ato kohë kujtoj me mjaft respekt mësuesit e mij si Preng Baloj, Zef Përndoj, Simon Prendi, Idriz Omeri dhe shumë të tjerë që respektohen dhe kujtohen me shumë dashamirësi edhe pse shumë prej tyre nuk jetojnë. Theksoj se mbarova klasën e 8-të në vitin 1972, me rezultate shumë të larta.
Jemi në vitin 1972 kur paragjykimet ndaj vajzave, sidomos në fshat ishin prezente. Si arrite të shkoje në shkollë?
Edhe paragjykimet ishin, por pengesa themelore ishte gjëndja ekonomike. Gjoni ishte në shkollë të lartë, por edhe vëllai tjetër megjithëse ishte talent në skulpturë që edhe sot prodhon papushim në këtë art, dhe kërkoi të të shkonte në Liceun Artistik në Tiranë, e çuan në shkollë bujqësore.
Megjithatë fati dhe mbështetja ime, ishte gjyshi Preng D. Bazhella i cili siç thuhet sot, vuri veton që unë të shkoja në shkollë. Kisha qef të bëhesha farmaciste sidomos, por edhe dentiste, por Këshilli Poullor i Fshatit më akordoi të drejtë studimi pranë Shkollës Pedagogjike “17 Nëntori” në Tiranë. U sajuam sipas mundësisë, pasi vëllai Gjoni punonte shumë gjatë stinës së verës dhe siguronte të ardhura që na suportonin jo pak për nisjen e shkollës. Kështu më 1 shtator 1972 nisa mësimin për mësuesi, cikël u ulët, pranë kësaj shkolle që kishte emër të madh në Shqipëri për përgatitjen e mësuesve, por edhe histori të spikatur, pasi ajo ndërtesë impozante në qendër të Tiranës më parë ishte Istituti Femëror “Nëna Mbretëreshë”.
Çfar mund të shënohet gjatë katër viteve pranë kësaj shkolle që përgatiste mësues me një cilësi të lartë?
Ishin katër vite mjaft të bukura, por shumë impenjative. Në klasë nga Mirdita ishte mësuesi Gjin Pepkolaj, që ka qenë për shumë vite edhe mësues në Rubik i lëndës së Kimisë. Gjini ishte krenari e nxënësve mirditas të asaj periudhe pasi ishte ndër nxënësit më të shkëlqyter në mesime, rrallë mund të merrte 9. Në klasë paralele kishim edhe Gjergj Doçin nga Kodër Spaçi, një aktor i mirënjohur i teatrit dhe kinematografisë. Nga vajzat ishim disa nga Mirdita si Lume Lleshi, Lume Përgjetani, Marie Deda (Simoni) Dava Tusha (Ndreja) Mari Gjoni (Ndreja) etj.
Si përfundim mbarova shkollën e mesme pedagogjike me mesatare të lartë 9.8 në mesime dhe me diplomen e shkollës së mesme, e sigluar si mësuese e Ciklit të Ulët, erdha pranë familjes në Blinisht.
Me një mestare të tillë i kishe të hapura dyert e universitetit, ndërsa siç thoni nuk e vijuat atë. Pse?
Ndoshta situata ekonomike, ndoshta edhe paragjykimet. Një vajzë me një diplome sido të mesme, e titulluar mësuese mendohej e plotësuar dhe e rritur, pra s’kishte arsye për ta angazhuar sërish në shkollë. Ishte humbje e madhe natyrisht për mua, që me një mesatare të tillë të mbesja pa arsim të lartë, por për ti rënë shkurt, kjo ëndërr u shua sepse nuk u ushqye, apo u mbështet.
Me 1 shtator 1976 fillova punë për herë të parë si mësuese me fëmijet e një shkollë në një fshat afër fshatit tim, Vau i Madh, në Blinisht. Sidoqoftë ndjehesha mjaft mirë, ndonëse në këtë shkollë shërbeva për një vit. Rrethana të tjera jetësore diktuan që të transferohesha për 6 vite me rradhë në Shkollën 8 vjeçare në Ndërfushaz. Kjo shkollë me të vërtetë kishte emër të mirë, falë një ekipi tepër të përgatitur dhe me përvojë.
Kujtoj punën e palodhur të kolegeve mësues, por edhe të drejtoreshës Prena Nikolli, mjaft strikte për tepër njerëzore dhe e komunikueshme. Këtu kaluan plot 6 vite, katër prej të cilave i bëja pothuaj në këmbë nga Vau-Shkjeza ku kisha familjen, për në Ndërfushaz. Dikur u krijua një mundësi dhe u ktheva mësuese në fshatin tim në Vau-Shkjezë. Isha pranë banesës dhe shtatë fëmijëve që po rriteshin ditë pas dite. Ndodhi ndonjë incident pasi pak kohë më zbritën si të thuash nga mësuese në edukatore. Kjo ishte e vështirë për mua, pasi duhej të paraqiteshe në punë që në ora 6 mëngjesit dhe nuk kisha pushime vjetore. Sidoqoftë kjo situatë mori fund, por nuk ishte ky incidenti i vetëm.
Pse do të shënoni incident sërish?
Po, në vitin 1992 pas ndryshimeve demokratike vëllai im Gjon Bazhella kishte krijuar një profil mjaft të spikatur në shoqëri e për këtë arsye jo pak miq ja kushtëzuan të ishte kryetar i parties, që asokohe ishte në opozitë. Ndonëse për arsye të njohura nuk qëndroi as një muaj, për disa u shkel “vija e kuqe” ndaj dhe unë dola “tepër” në shkollën e fshatit tim Vau-Shkjezë. Nuk e besoja dhe përpiqesha të kthehesha në punë, pasi isha në situatë të vështirë ekonomike, kur kisha 7 fëmijë akoma në moshë të tillë që nuk ishin për punë.
Në këto kushte pasi qëndrova plot një vit pa punë, në shtatorin e vitit 1993 i shkova në zyrë Drejtorit të Arsimit të asaj kohe, mësuesit Gjovalin Gjini nga Oroshi. Gjovalini më priti mirë, por më tha se ka një vend në një fshat Livadhëz, ku është vështirë për burrat jo më për gratë, pasi rruga ishte mjaft e largët me terrene tepër të thyera. I thashë se do të shkoj sido të jetë puna, pasi kam shtatë fëmijë për të mbajtur. Kështu mora vendimin dhe në datën e fillimit të shkollës isha në Livadhez.
Na e përshkruani pak këtë fshat, një panoramë të atyre viteve?
Më duheshin plot dy orë nga banesa për të mbërritur në shkollë e po aq për tu kthyer. Rruga ishte mes malesh, e ngushtë e kërkohej vëmendje. Fshati në anën e epërme të fshatit Vau-Shkjezë mes maleve që shihen nga rruga e kombit, më afër ka fshatin Bukmirë. Megjthatë dua të veçoj se ishte fshat mjaft i begatë, ku bëhen shumë frutat dhe perimet, ndërsa kujtoj se ishin banorë mjaft të respektueshëm dhe bashkëpunues. Më vjen keq që tashmë një këtë fshat vetëm një familje, kur në atë kohë ishin rreth 24 familje.
Puna ishte e vështirë pasi shkolla jonë ishte shkollë vartëse e shkollës së fshatit Bukmirë, mbi një orë larg nga shkolla jonë. Shpesh ishim të detyruar që të çonim evidencat në atë shkollë, pra më takonte shesh që të bëja deri 7 orë në ditë vajtje ardhje. Megjithatë ndjehesha mirë se kisha mundësi të mirërrisja fëmijet. Rruga ofronte të paprituara të shumta sidomos në periudha dimri me mot të ftohta, por një ngjarje tjetër më solli shumë stres dhe të papritura.
A mund ta përshkruani me sa më shumë detaje.
Po, (qesh) ka qenë muaji maj i vitit 1995. Kishte filluar të dalë pranvera, ndërsa unë kaloja si gjithnjë në rrugën e zakonshme. Një bari nga Lura Mirash Rajta që kishte blerë një shtëpi në këtë fshat, mbante një numër të madh bagëtishë që i ruante me qen shumë të rrezikshëm. Meqë kishte filluar të zgjatej dita në mesditë ai i mrizonte bagëtinë afër shtëpisë, ngjtur me rrugën e kalimtarëve. Ishte momenti kur unë po ktheja nga shkolla për në shtëpi dhe nuk ma mori mendja se do bëhesha pre një sulmi të egër të qenve, që ishin të mëdhej nga vetë bagëtitë. U tmerrova kur mu sulen dhe bëra të ikja me vrap. Në të qintën e minutës llogarita se do më zinin dhe të më masakronin, ndaj rrëmbimthi kam hypur në një lis.
Ndoshta ishte fati im që u shkëputa nga toka, në momentin kur aty mbërriti tufa e qenve. Ata lihnin papushim, ndërsa unë ngjitesha më lart në lis deri kur u sigurova se nuk do mund të më arrinin. Thërrisja sa mundja të zotët e shtëpisë që ishte afër, por askush nuk më dëgjonte. Çudi si nuk u alarmuan nga të lehurat e qenve. Vendosa të pres deri në orën kur zakonisht bagëtija lëshohej për pasdite. Dikur, pasi kishin kaluar katër ora u shfqaq i zoti i qenve…U lemeris kur më pa majë lisi. Pasi lidhi qentë më kerkoi falje. I thashe falejen eja e kërkoje në shtëpinë time se edhe ata janë alarmuar, pasi unë gjithmonë njoftoja kur kisha mbledhje apo vonesë tjetër, pasi rruga ishte e rrezikshme dhe me të papritura. Ja pra që mësueset e fshatrave kishin shumë lloj konseguencash, por që të sulemoheshim edhe nga qentë.
A qëndrove gjatë kohë në këtë fshat pas kësaj ngjarje?
Ju shumë, pasi shefi Gjovalin Gjini më thotë të shkoja mësuese në Velë pasi rruga ishte më e rrafshët dhe më e sigurtë. Kaluam mirë këtu, ishte një shkollë me emër dhe traditë, ndoshta shumë vjeçare, pasi siç thuhet në Velë është hapur edhe shkolla e parë shqipe. Mirë do kalonim nëse nuk do vinte 1997-ta…këtu koha ndaloi, na u vra një koleg për arsye të pakuptueshme…megjithatë pas pak vitesh u afrova edhe më shumë me banesën, pasi fillova mësuese në Rrënjë e Zezë. Aty dola në pension, pra aty mbylla vitet e mija të punës me piknisje në lagjen Vau Madh në Blinisht. Sot jam në pension, ndërsa fëmijët janë rritur, janë bërë tepër të mbarë, kanë krijuar familjet e tyre, por që përkujdesen makimalisht për mua.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

