-Përgatiti: Aleksandër NDOJA-
Agim Picaku edhe pse prej më shumë se tre dekadash ka lënë Mirditëm për tu vendosur në Tiranë, në ndryshim me shumë të tjerë të larguar ka ditur të jetë prezent në trevën e origjinës, përmes komunikimeve, pjesmarrjes dhe aktiviteteve të ndryshme. Në dukje i pa përcaktur, por shumë këmbëngulës në orientime të ndryshme. Tek Agim Picaku gjen ushtarakun e vendosur që nuk bën mbrapsht, ashtu siç gjen polemistin duke mos parë anash, padyshim kemi parë njeriun e letrave, por dhe në shumë raste edhe poetin, ndërsa ajo që kishte mbetur pa provuar ishte kënga. Por edhe kjo tashmë gjendet në youtube, madje mjaft e klikuar. Të paktën deri më tani kaq ka mundur të provojë e realizojë, megjithatë nuk i dihet. Kjo më ka grishur për ta pyetur nëse ka mbetur tjetër zhanër të artit e kulturës për të provuar, përveç atij të ushtarakut. Në një intervistë për Pirusti NEWS, Agim Picaku e portretizon vehten ndoshta në një mënyrë që ne miqtë e tij nuk e shohim. Le ta ndjekim:
Agim, sëpari do të dinja një portretizim të Agim Picakut, pra një autoportret?
Jam një qytetar i botës së lirë, pa para, pa shtëpi e katandi, por me rrënjë e degë të shtrime në të tana hapsinat e shqiptarisë e ma gjanë. Nuk kam asgja, por s’më mungon asgja. Jam mik i të pamundurve, i krahëthatëve, i zengjinëve, por jo i politikanëve, jo se i paragjykoj, porse i duan njerëzit ushtarë të rreshtuar në llogore, e unë, megjithëse ushtarak, nuk kam rreshtue askand, përveç ushtarëve që i kisha në vartësi. Jam bir i Perlatit të Gjeneralëve të Gjergj Kastriotit, gen i Picakut, të kullës së Ndue Kros Llesh Picakut, djalë i dy prindërve emblematikë dhe vlla i tre motrave e i dy vëllaznëve, që janë bekimi dhe dashnia ime. Jam bashkëshorti i gruas ma të bukur në botë dhe babai i plotësuar i tre yjeve të mi, Andrrës, Amosit dhe Kejd Picakut, të cilët janë bekim i çdo çasti që unë jetoj…
Një portret, pa rënë në monografi, nisja është nga fëmijëria. Si do ta kujtonin bashkëkohësit Agimin fëmijë?…
Nënqesh pak… Si gjithë fëminija e brezit tim, loznim me karroca me kuzhineta, komando, kukamfsheftas, futboll me topa prej leckash dhe... mbramjeve vonë, duke pritun që të mbaronte miku darkën, se mos na binte ndonjë gjë e mirë në gojë!… Kur baba i nderuem, dritë i pastë shpirti, më bleu për herë të parë këpucë (kundra u thonin atëherë), më rrethuan të gjithë fëmijët e lagjes duke më pa me habi… Ç’far të tham tjetër miku im?! Një histori me “paskuinë”, siç mund të thoshte Gabriel Garsia Markez… E thënë ndryshe, një fëmijëri e mbushur me emocione, por e zbrazur nga çdo ndjesi komercializmi…, e cila lind ose gjeni ose budallenj…
Dhe në vitet e fëmijërisë, nis shkollimi, atëherë i detyrueshëm, cila ka qenë deviza që iu ka udhëhequr në jetë?
Nuk kam pasur asnjë devizë, përveçëse me qenë një person i dashtun me të tjerët dhe me nxitun tek ata që më rrethonin ndjesinë e të qenunit mirë me veten dhe me ata që më rrethonin… Pra, me qenë dikushi që, ma sëpaku, nuk i krijon probleme askujt, edhe nëse i krijon probleme vetvetes. Pra, një idealist i pandreqshëm, produkt i rrënjëve të mia gjenetike.
Të vijmë tek shkrimet… Ishte dhunti, qëllim, apo… ndonjë eldoradë e “fshehtë”…
Të gjitha nga pak miku im… Ndoshta, kisha diçka nga geni i nanës time, Dila e Preng Gjon Picakut, e cila ishte vajtemorja ma e përkryeme e tanë rrafshnaltës së Perlatit, Thkellës e ma gjanë… Çuditërisht edhe dy vajzat e vllait tim të madh Bardhokut, Aldora dhe Arjola, shkruanin poezi, të cilat mbetën në Kutinë e Pandorës… Ishte një kohë e pakohë, e cila vazhdon edhe sot, që vret talente dhe nxjerr në pah ditirambet e një idiotësie frenetike. Unë pata fatin që të kaloja në zgrip të asgjësë, e në një kohë të bekueme t’i rikthehesha unit tim, ndoshta duke përfitue nga statusi i burrit, që vazhdon të jetë privlegj edhe në këto kohë. Ndoshta, pata këshilltarë të mirë, miq që më dhanë kurajo për të vazhdue me besim e shpresë në rrugën e krijimtarisë letraro-artistike. Nuk ka randsi, por e vërteta është se, në botën e shkrimit letrar kam gjetun një model të plotërimit dhe përkryerjes së personalitetit tim, si njeri, si krijues e si qytetar i botës së lirë…
E keni nisur karierën tuaj në fillim të tranzicionit demokratik, në Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, për të vazhduar më tej në detyra të tjera të rëndësishme, në Gardën e Republikës, në Degën e Shoqërimit të Personaliteteve vendas e të huaj, në Policinë Bashkiake të Tiranës, në Ministrinë e Ekonomisë, në kompani e sipërmarrje private etc… Cili ka qënë motivi dhe angazhimi juaj në këto detyra?
Janë vite të mbushuna me punë e përkushtim, me vështirësi e sfida, me reflektime ndaj gjithçkaje që ka ndodhun, me hir a me pahir, në rrugëtimin tim. Gjithçka e kam ba me pasion, përkushtim, pasi pa këto dhunti gjendesh zbuluem, si një degë që nuk ushqehet nga rranjët dhe thahet… Për mua ligji është i shejntë, por, ma i shejntë se ligji është nevoja ekzistenciale e tjetrit, të cilën nëse ligji nuk e përmbush, unë e shpërfill atë. Kam zhvilluar beteja të vështira, ku jam plagosur dy herë në beteja të përgjakshme me krimin, i cili nuk dorëzohet kurrë para të drejtës qytetare… Kam qënë dhe mbetem aleat i të dobtit, pasi me të fortët janë të gjithë e unë nuk dua të jemë si të gjithë…
Megjithëse ky portal nuk është prekur në asnjë rrjesht nga politika, ngacmimi vjen natyrshëm, kur shpesh je shfaqur edhe në këtë aspekt. Cili është orientimi yt politik?!…
Orientim politik është fjalë e madhe, por unë nuk besoj tek fjalët dhe përbetimet e mëdha… Me origjinë jam i djathtë, pasi nana ime Dila Preng Picaku është bijë e Pervizëve të Kurbinit, që e kanë shkrue sagën e tyne dhëmbë për dhëmbë me bishën e kuqe… Me pasurinë, jam i majtë (jo si këta të majtët e sotëm që notojnë në luks të shfrenuem), me bindje jam nacionalist, pasi dua çdo pllambë toke të Perlatit, Mirditës e të shqiptarisë… Nuk jam i organizuar në ndonjë forcë politike, por nuk jam aq utopik sa të mendoj se njeriu është i pavarun nga politika; pasi unë mendoj, siç shkruante Platoni i Madh, se nëse ne refuzojmë që të merremi me politikë, do të merret politika me ne. Ndaj dhe kam garuar në beteja politike, një herë si kandidat për deputet, një herë tjetër si kandidat për këshillin bashkiak të Tiranës në zgjedhjet lokale të vitit 2011 ku u ula në poltronin e anëtarit të këshillit bashkiak të Tiranës dhe fitova bindshëm me votat e komunitetit ku aktualisht jetoj. Jam pjesë e Shoqërisë Civile, e cila edhe pse e nëpërkëmbur nga mekanizmat e pushtetit, është një mundësi për emancipimin dhe demokratizimin e shoqërisë shqiptare.
Për të të kundërshtuar, në zgjedhjet e fundit lokale, keni mbështrtur kandidatin e magjorancës për kryetar bashkie të Mirditës z. Ndrec Deda. Ishte bindje, rastësi apo diçka tjetër?!…
Qesh…, asnjëra nga këto, miku im. Ishte një detyrim shoqëror ndaj një miku, me të cilin kemi ndarë bashkë bukën dhe përgjegjësitë në kohën kur punonim sëbashku në Policië Bashkiake të Kryeqytetit. Përveç kësaj, na lidh një histori e gjatë trevore dhe profesionale, pasi jemi nga e njëjta anë dhe kemi qënë bashkë që në fillimet e hapjes së Shqipërisë, në Forcat Speciale etc…
Mbeteni protagonist aktiv në rrjetet sociale dhe autor i disa librave. Si u shfaq shkrimtaria dhe çfarë është ajo për ju?!…
Psherëtin… Shkrimtaria vjen tinës, si një andërr, e cila nuk dihet se si erdhi dhe se ku shkon. Me sa duket, ajo ka qënë brenda meje dhe mu desh vetëm çasti i duhun dhe gjendja e duhun shpirtnore me u shfaq dhe me u ba e imja… Unë e konsideroj atë si një mundësi për të qënë vetvetja, për të komunikuar me njerëzit, për të ndërtuar një ëndërr për një jetë dhe një botë ma të mirë…
Kohët e fundit keni botuar novelën “Mirela”, e cila, me sa di, është shqëruar me shumë debate dhe komente. Diçka më shumë, ju lutem…
Novelën “Mirela” e shkruajta në një moment depresiv, kur doja me çdo kusht të çlirohesha nga barra e të ndodhurës… E thënë ndryshe, doja të çlirohesha nga vetvetja dhe ta ndaja historinë time me të tjerët. Eshtë një histori personale, dashurie e sfide, paragjykimi e çlirimi, të cilën më së paku doja që ta njihnin fëmijët e mi dhe brezat që do të na pasojnë. Në një realitet ku njerëzit jetojnë për të paragjykuar të tjerët, rrëfimi i kësaj historie është i nevojshëm, pasi secili prej nesh, ka një kuti të vjetër, të cilën është e nevojshme ta hapim, për t’u çliruar nga kujtesa…
Ju keni botuar dhe një libër monografi me titull “Unë biri i Picakut”. si dhe librin analitik “Tirania e Votës së Vjedhur”. Gjithashtu, sapo keni publikuar dhe librin me poezi me titull : “Kryqëzim”. Cili është ekstrakti estetik dhe mesazhi që i bashkon këto libra?!…
Nuk di nëse ka ndonjë ekstrakt të tillë apo ndonjë mesazh të posaçëm, por di se kam shprehur vetveten, kam nxjerrë nga brendësia ime të gjitha kujtesat që ishin të papërballueshme për t’u mbajtur akoma në terr, siç mbeten shumë çaste dhe stinë të jetës tonë. Këtu, mund të veçoj librin “Tirania e Votës së Vjedhur” që është një investigim shumplanësh mbi zgjedhjet dhe demokracinë në Shqipëri. Eshtë një akuzë e drejtpërdrejtë ndaj klasës politike shqiptare, e cila vazhdon të prodhoje krizë dhe stajnacion, në një vend, që i ka humbur busulla dhe endet në një jerm ekzistencial.
Së fundi. jeni shfaqur edhe si këngëtar. Ishte një dhunti e zbuluar vonë apo diçka tjetër?!…
Ishte diçka që flinte brenda meje, një eldoradë e heshtun, të cilën e pata refuzue padrejtësisht. Nevoja për t’i kënduar kujtimit të motrës time të ndjerë Liza Picakut, më bani të dal në rrugën e kangës e të vazhdoj më tej me disa kangë të tjera, që tashma janë pronë e publikut artdashës. Kam kënduar që në vogli dhe, me sa duket, ajo kohë e gjatë heshtjeje, ishte si për të mbledhur forcat e për të dalë në një start që vazhdon…
Keni marrë disa çmime e medalje, midis të cilave edhe Medaljen e Artë “Nënë Tereza” për Paqen nga Misioni Diplomatik Amerikan për Ballkanin i akredituar në Shqipëri dhe ju nuk e keni publikuar…
Këtë medalje e kam marrë për kontributin tim modest, gjatë luftës në Kosovë, ku kam shoqëruar lidershipin ushtatako-politik të UÇK-së dhe kam ndikuar, si dhjetëra luftëtarë të tjerë, në afrimin e paqes dhe lirisë në Kosovë. Nuk e kam publikuar, pasi sëshpejti kam 55 vjetorin e lindjes dhe në një ceremoni të thjeshtë mendoj të promovoj të gjitha botimet e mia, këtë medalje dhe gjithçka tjetër me të cilën unë krenohem si njeri, si ushtarak kariere, si kontribues në kauzat shqiptare, si shkrimtar, si prind që dua t’i rris fëmijët e mi në një vend të sigurtë ku ëndërrohet dhe shpresohet për një jetë ma të mirë…
Dhe sëfundi, faleminderit z. Picaku.
Faleminderit ju, miku im që me këtë portal mjaft simpatik, keni sjellë portrete të shumë mirditase, dhe më gjerë…

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

