Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

EKOSISTEM LIQENOR (NATYRORË) NË PERLAT

Nga Pirusti News
626 Shikime
SHPERNDAJE

-Nok MRRUKU-

Mëgjithëse vetëm 10 kilometra larg qytetit të Rrëshenit, në aksin rrugor kombëtar Tiranë – Lurë, pikerisht në fshatin Perlat – Qendër, ndodhet liqeni natyror i quajtur Liqeni Dodaj, për të cilin shumë pak vetë e dinë këtë fakt.

Ø Origjina e liqenit.

Ky liqen ka origjinë tektonikë me fundosje i krijuar afërsisht 250 – 300 vite më parë. Siç është përcjellë në mënyrë gojore, pasi dokumenta dhe studime të mirëfillta nuk ka, ky është krijuar nga zgjatja disa javore e reshjeve të shiut në trajtën e rrëbesheve të fuqishme. Proçesi i formimit të liqenit u favorizua nga rreshkitjet masive të formacioneve silicore(ranore) mbi argjile dhe depozitimet e tyre me tepricë në një distancë 200 – 300 m larg nga vendi ku kanë nisur plasaritjet e tokës. Rrëshkitjet e dherave u orientuan në mënyrë të natyrshme nga lindja në perëndim derisa u formua shtrati i liqenit. Me kalimin e disa muajve, pasi fillimisht nuk ishte e mundur, u vu re se në qendër të tij buron vertikalisht nga poshtë – lart një sasi mjaft e konsiderueshme uji i cili shërben si ushqim kryesor gjatë gjithë kohës për furnizimin e liqenit me ujë. Burimi quhet Hurdha e Zezë. Në furnizimin me ujë të liqenit shërbejnë edhe ujërat që vijnë nga reshjet vjetore në gjithë pellgun natyror me orientim nga lindja në perëndim e që ndodhen në lartësi më të mëdha se liqeni.

Ø Përshkrimi

Liqeni ka një shtrirje të pellgut me orientim veri – jug me përmasa 250 m gjatësi dhe nga lindja në perëndim 80 m gjërësi. Sipërfaqja – pasqyra ujore është afërsisht 2 hektarë. Thellësia e liqenit nis nga 1 m deri në 5 m. Thellësinë më të madhe e ka në qendër tek hurdha e zezë. Uji është i pastër, i kthjellët, duke bërë të vrojtueshëm çdo objekt që gjendet në të. Vëllimi ujor i liqenit është 60,000 – 65,000 m3.

Ø Flora & Fauna

Sipërfaqja më e madhe e liqenit, mbulohet nga zambakë të verdhë dhe të bardhë të cilët lulëzojnë nga 15 maj deri në javen e parë të qershorit. Ky zambak i përket nënfamiljes Nympheaceae dhe njihet me emrin shkecnor Nymphea alba dhe Nymphea lutea. Në liqen ka bimë kallamishte që përdoren në ndërtimin e tavaneve dhe më të përhapur janë në breg ku niveli i ujit është më i cekët. Po kështu në periferi të bregut ka frashër, shelg dhe bimë shkurrore. Në botën shtazore (Fauna), me shumicë gjendet bretkosa e liqenit (Rana ridibunda), shushujza, gjendet një lloj i veçantë, breshka notuese Emys orbiculare). Në liqen gjendet një rosë e vogel(_e pa determinuar ), e cila pothuajse është banore e përhershme. Në gjallesat të tjera takohet gjarpëri notues i ujit, Natrix natrix, kërmilli etj.

Ø Liqeni i parë (i vrojtuar) si ekosistem liqenor natyror.

Shumë liqene zënë sipërfaqe të mëdha dhe janë të thellë, por ka të tjerë që janë më të vegjël dhe kanë madhësine e një pellgu siç është Liqeni Dodaj. Në studimin si ekosistem liqenor natyror edhe ky ndërtohet: pjesa më e afërt e liqenit me bregun quhet zona litorale. Thellësia e liqenit në këtë zonë nuk është e madhe dhe drita depërton plotësisht në shtresat e ujit. Po kështu dhe temperatura në këtë zonë ujore është më e lartë se në pjesë të tjera. Në vijim vazhdon zona limnetike, ose zona e hapur e liqenit e cila zë dhe sipërfaqen më të madhe. Thellësia e liqenit në këtë zonë është me e madhe, drita ndriçon një pjesë të ujit dhe temperatura e ujit është më e lartë në zonën e ndriçuar dhe më e ulët në thellësi. Kjo zonë quhet ndryshe zona fotike. Zona e pa ndriçuar, poshtë në thellësi quhet ndryshe zona afotike. Siç shihet, liqeni ka një shtresëzim për ndriçim por edhe për temperaturën. Edhe sasia e oksigjenit e tretur në ujë është më e lartë në sipërfaqe dhe më e ulët në thellësi.

Ø Biodiversiteti i liqenit

Shpërndarja e bimësisë dhe e kafshëve ka karaktert shtresëzor. Në zonen litorale rriten bimë të larta, me rrënjë të thella si shelgjet, frashëri por dhe të tjera si kallamishte, dhe zambakët e ujit. Kafshët e kësaj zone janë: kërminjtë, amfibët, gjarpërinj uji. Më në thellësi në zonen limnetike vërehen përseri bimë si zambaku i ujit dhe kallamishte por jo bimët e larta. Në kafshët e kësaj zone dallojmë bretkosën e liqenit, shushujza dhe breshkën e ujit. Në këtë zonë është banore e përhershme edhe rosa notuese (_e pa determinuar).

Ø Liqeni dhe vlerat e tij ekoturistike

Për bukurinë e peisazhit që paraqet, për biodiversitetin që ka, për madhësinë relativisht jo të vogël si dhe për veçantinë që ka në zonë, i favorizuar dhe nga largësia (10 km) me qendrën e bashkisë Mirditë si dhe i ndodhur në njërin nga akset kryesore kombëtare Tiranë – Lurë mund të bëhët i aksesueshëm për mjaft vizitorë. Si destinacion i parë do të shërbente për nxënësit e shkollave të mesme dhe ato 9-vjeçare. Këtu do të mësonin dhe do njihnin konkretisht një ekosistem liqenor natyror si dhe speciet bimore dhe shtazore të veçanta që ai ka. Do shërbente për ekskursione në grupe ose familje për qytetarët e Rrëshenit e të gjithë zones, por edhe më gjërë. Do ishte një destinacion me vlerë për të preferuarit e turizmit liqenor. Me publikimet e këtij objekti natyror mund të sillte në vemendje interesin e mjaft studiuseve si: biologë, inxhinier mjedisi, inxhinier pyjor, student të fakultetëve përkatëse etj. Do të ngjallë dhe interesin e mjaft biznesmenëve për t’a kthyer atë me një infrastrukturë të kompletuar për destinacionin përkatës. Pa dyshim që vlerat e tij ekoturistike liqenore do të njihen atëherë kur organet shtetërore të qeverisjes vendore apo më lart, apo dhe operatorë turistikë privat, do të shprehin interesim për këtë objekt natyror. Ne mendojmë se këto vlera ekzistojnë, janë disa herë më të mëdhaja, mjafton që dikush të shprehë interes.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest