–PROFILI I NJË DREJTUESI-
Nga Mark Rica.
Kaçorrajt, ndër vllaznitë më të mëdha të Fisit Jushi në Rrëshen.
Të kujtosh të parët dhe tu tregosh brezave të rinj për vlerat e tyre, është mesazhi më i mirë për vazhdimësinë e rrugës së brezave që vinë. Ky ka qenë edhe përkushtimi im për tu treguar trashëgimtarëve të mikut tim të hershëm Zef Gj. Kaçorri se kush ka qenë ai, por edhe kush kanë qënë të parët e tyre..
Në pemën gjenalogjike të familjes së madhe Kaçorrëve, kemi radhitur 9 breza, por këtu po shkruaj për familjen e Zef Kaçorrit…
Zef Kaçorri (i vjetri,) la tre djem. Nikoll Zef Kaçorri, Pjetër Zef Kaçorri dhe Mark Zefi Kaçorri.
Nikoll Zef Kaçorri, u trashëgua nga një djalë; Gjoka. (Gjok Nikoll Zef Kaçorri). Jeta e solli që Gjoka të kryente dy martesa. Me gruan e parë ai pati një djalë, (Zef Gjok Nikoll Zef Kaçorrin, personazhin tonë në këtë shkrim, dhe dy vajza; Gjelën dhe Prenën.) Me gruan e dytë pati 5 trashëgimtarë; (Nduen, Markun, Prengën, Frani) dhe një vajzë, Lizën. Sot këto janë shtuar me shumë breza vijues, shumë familje të shpërndarë në Shqiperi e vende të ndryshme të botës në emigracion, e me shumë trashëgimtar.
• Rrësheni, vendlindja e Zef Gjok Kaçorrit.
Zef Kaçorri ishte nga të parët trashëgimtarë të shtëpiave të mëdha të Rrëshenit, që kontribuan fuqishëm në zhvillimin e qendrës së re administrative të Mirditës, të spostuar nga Shpali me 15 Prill 1949.
Qyteti Rrëshen u ngrit në një pllajë të lagjes Fushë-Lumthi, që më parë ka qënë qendra e Kthellës (lokaliteti), i administruar nga Rrethi i Matit me qendër Burrelin. Më parë aty kishte një postë-telegrafi (që në vitin 1910), një shkollë fillore e ndërtuar me kontribut vullnetar nga banorët (1940), komanda e vendit (1941), si dhe 4-5 dyqane me dërrasa të vendosura anash rrugës automobilistike Milot-Rrëshen-Burrel që kishte përfunduar në vitin 1931.
Në fshatin Fushë-Lumthi kanë jetuar historikisht disa shtëpi të mëdha, të përmendura në Mirditë, Mat, Dibër, Lezhë e Kurbinin, për mikëpritjen e tyre por edhe për trimëri, bujari dhe besë, si e Gjetkolajve, -Kaçorrit, -Jakajve, -Përgjetanit, -Reçit, -Haqit, -Donajve dhe Filopatit..
Në disa nga këto shtëpi, në vitin 1949, u vendosën zyrat e administratës, të Degës Brendshme, të Shëndetësisë, Arsimit etj. Po kështu, shumë fshatarëve ju morën shtëpitë dhe në to u vendosën familjet e para të ardhura nga Shpali si të; Bardhok Bibës, Pal Gjokës, Baftjar Ymerit, Mehill Doçit, Ndue Kosovës etj. Tregtarët e parë kanë qënë Gjin Kaçorri, Dod Preng Nikolli, Loro Luigji, Llesh Pjetër Filopati, Kol Pashku e Gjon Kushi.
Babai i Zef Kaçorrit, Gjok Nikolli, (i datëlindjes 1890), ka qenë pjesë e Xhandarmërisë Shqiptare, për 23 vjet; (nga viti 1921 deri në vitin 1944). Ai pasi mbaroi një kurs 6 mujor në shkollën e Gjandarmërisk në Itali, u emërua te Posta e Ujit të Ftoftë Vlorë. Ai ka mbajtur poste të ndryshme, deri në Postkomondant Xhandarmërie dhe ka shërbye në rrethet Vlorë, Kukës, Shkodër, Lezhë, Krujë, Milot etj..
Ai është larguar nga xhandarmëria në Korrik të vitit 1944. Në Tetorin e vitit 1944, kur në Mirditë e Rrëshen, kalojne brigadat partizane, shtabi i brigades XXII-te vendoset në Kullën e Zef Gjok Lleshit ( Kaçorri), ku ka qendruar deri në Nentor 1944. Pas çlirimit kjo familje shpallet Kulak.
Gjok N. Kaçorri ka jetuar gjatë. Ai ka ndrruar jetë në vitin 1984 në moshën 94 vjeçare, duke e lënë shtëpinë plot, me 8 fëmijë, 5 djem dhe tre vajze që sot janë shtuar e bërë shumë familje (me mbi 60 trashëgimtarë) që punojnë e jetojnë në Rrëshen, Laç, Tiranë etj. por edhe në dhjetra vende të botës ku kanë shkuar për një jetë më të mirë si emigrand. .
• Kush ishte Zef Gjok Kaçorri.
Ishte djali i parë i Gjok Nikoll Zefit. Ka lindur me 1 Maji 1928 në Fushë Lumthi, (Katundi Rrëshen). Kur ai ishte vetëm 5 vjeç mbeti jetim dhe babai i tij bëri një martesë të dytë. Nga viti 1936 deri në vitin 1941 mbaroi shkollën fillore në Kodër Rrëshen. Për disa vite, deri sa u bë 18 vjeç, u morë me bujqësi e blegtori pranë familjes në lagjen Kaçorraj. Në vitin 1946, shkon në Minierën e Baktrit Rubik, ku punoi deri sa mobilizohet në ushtri, që e kreu në Tiranë e Shkodër. Pasi lirohet nga ushtria, në vitin 1950 mbaron një kurs ekonomik tremujor në Durrës. Nga viti 1951 deri në vitin 1953, u emërua si Referent Statistike në Komitetin Ekzekutiv.
Në vitin 1953, kur ishte vetëm 25 vjeç, emërohet Shefi i Tregtisë së Rrethit Mirditë. Në vitin 1956 deri në vitin 1961 Zef Kaçorri ka qenë Kryetari i Kooperativës së Konsumit. Në këto vite, pa shkëputje nga puna mori arsimin e mesëm.
Në vitin 1961-1962 Zef Kaçorri dërgohet në Universitetin e Tiranës, (në Fakultetin Ekonomik), ku ishte hapur dega dy vjeçare për kuadrot e larta drejtuese.
Pas mbarimit të saj, me kolektivizimin e bujqësisë edhe në zanat malore dhe rritjen e shpejtë të qyteteve Rrëshen, Rubik, Kurbnesh, Reps, u krijuan shumë probleme në furrnizimet tregtare. Për daljen nga kjo situatë Zef Kaçorri, emërohet Kryetari i Kooperativës së Konsumit që më vonë u quajt Ndërmarrja Tregtare, dhe mbulonte të gjithë tregtinë e rrethit, ku punoi me përkushtim 5 vite. Në vitin 1967, në Mirditë bëhet bashkimi i kooperativave bujqëore dhe ai emërohet Kryetari i Kooperativës së Bashkuar Përlat (më e madhja në rreth, ku u bashkuan ish kooperativat Përlat Qendër, Shebe dhe Përlat Epër ), ku ka punuar deri në vitin 1971.
Nga viti 1971 deri në vitin 1973 ka qenë Drejtori i Ndërmarrjes Tregtare Mirditë dhe pastaj, nga viti 1973 deri në vitin 1983, për 10 vite, ka qenë Drejtor i NFP-së (Ndërmarrjes së Furrnizimit të Puntorëve të Rrethit, me qendër në Rubik). Nga viti 1983 e deri në vitin 1988, (kur doli në pension), ka punuar Përgjegjës i Degës së Ushqimit Social në NTSH Rrëshen.
Zef Kaçorri është zgjedhur në disa legjislatura Anëtarë i Këshillit Popullor dhe Anëtarë i Komitetit Ekzekiutiv i KP i Rrethit Mirditë. Për punë të mirë ështe dekoruar dy herë:
–Me Medalje Pune dhe me Urdhër Pune, me motivacionin “Për shërbime të shquara shtetërore e shoqërore
Zef Kaçorri ka qenë i martuar me Marte Mengën apo Tonen, nga Bushkashi i Matit. Ata u trashiguan nga 7 fëmijë, të edukuar e shkolluar mirë. (Nikolli, Maria, Pjetri, Xhovalini, Agustini, Marjani dhe Alfredi). Ata nën kujdesin e dy prindërve (Zefit dhe Martes) morën pothuaj të gjithë arsimin e lartë, krijuan familjet e tyre dhe aktualisht punojnë dhe banojnë në Itali. Unë, si një qytetar i hershëm i Rrëshenit, i kam njohur dhe me disa kam punuar. Edhe tani në emigracion i njoh si punonjës të zot. Më ka bërë përshtypje fakti se të gjithë trashëgimtarët e Zef Kaçorrit, kanë mësuar mirë, jo vetëm gjuhën italjane ku punojnë e jetojnë, por edhe anglishten, frengjishten etj.
Zef Kaçorri, ndërroi jetë në Rrëshen me 13 Prill 2005
.
• Zef Kaçorri qëndroi i pa lëkundur dhe doli fitimtarë në “luftën e brrylave.”
Të qëndrosh për 35 vjet i palëkundër dhe me dinjitet në luftën e ashpër, e të kundravenjeve dashakeqe, (në “luftën e brrylave”, që shumë kujt i ka kushtuar shtrejt), është një zotësi e veçantë e njerëzve me karakter të fortë.
Duke kërkuar të dhëna plotësuese për këtë intelktual e drejtues, ndër të parët dhe më të aftit në kohën e sistemit të mëparshëm, kam pas mundësinë të gjejë dhe të studjoj disa dokumenta (dosje personale), me vleresime e karakteristika të asaj kohë për Zef Kaçorrin, që i kanë bërë organizatat e partisë dhe organet udhëheqëse, praktikë kjo që ndiqej edhe për drejtuesit e emëruar nga vetë sistmi.
Duke ruajtur etikën dhe koefidencialiteteit e këtyre dokumentave, (pa përmendur në asnjë rast përpiluesit e miratuesit e tyre ), për të kuptuar hipokrizinë e atij sistemi, mendoj se është me interes të shkruaj për lexuesit, disa nga ato që i përkasin ish antarit të Partisë, ish Drejtorit të Ndërmarrjes Tregtare, ish Drejtorit të NFP-se, ish Kryetarit të Kooperativës Bujqësore Përlat, ish Antarit të Këshilli Popullor dhe ish Anëtarit të Komitetit Ekzekutiv për disa legjislatura, Zef Kaçorrit…
Theksoj si fillim se nga viti 1945 e deri në vitin 1990, lufta për të përkëmbur, për të bërë keq e poshtëruar, fillonte me një karakterstikë të thjeshtë, si bie fjala “ – X-si, ka zbutur luftën e klasave”, “- ka shenja mendjemadhesi”, “- nuk zbaton urdherat e Partisë e të eprorëve”, apo –“ se nuk është treguar vigjilent”… etj, etj.., dhe pastaj fillonte hapi dytë: -përjashtim nga Partia, largim nga puna e dërgim në minierë apo ndërtim; e pastaj edhe në burg, siç kanë ndodhur në shumë raste në Mirditë me personalitetet e njohur si, Pal Marka Deden, Ded Pal Reçin, Ing. Nikoll Skana, Poetin Gjok Becin etj .etj.
Nga dosjet që disponoj për Zef Kaçorrin (si studjues), do të përmend vetëm disa…..
Në kohën e grumbullimeve të detyrimeve nga fshatarët, nga Komiteti Ekzekutiv në ndihmë të organeve grumbulluese dërgoheshin edhe punonjës të zgjedhur apo të emëruar.
Në një karakteristikë të Zefit të vitit 1955, shkruhet: “…Vemë në dukje se ky kuadër nuk është treguar i rreptë për grumbullimin e prodhimeve nga fshatarsia….”. Ai kishte argumentuar në atë periudhë se; “Fshatarëve u janë ngarkuar detyrime më shumë se kanë mundësi dhe se pas dorëzimeve në shtet, atyre nuk u mbetej gjë për vete dhe detyroheshin që edhe drithin për bukë ta blenin me çmime disa fishë më të larta në tregun e zi… “
Në vitin 1956, kur u emërua Kryetar i Kooperativës së Konsumit Mirditë, në karakteristikën vlerësuese, si ish Shefi i Tregtisë së Rrethit shkruhet: “Zefi ka të meta të thesuara se përdor unin. Ai është arrogant, kokëfortë dhe kërkon të zbatohet vetëm e tija edhe në rast se është shtrembër…”
Në vitin 1967, kur e emëruan Kryetar Kooperative në Përlat, në një vlerësim pune të Kryesisë së Komitetit Ekzekutiv të asaj periudhe, me dashakeqësi, i përmendet një artikull i Zerit të Popullit ku ai ishte kritikuar kohë më parë “….për familjaritet të sëmurë, dhe më tej… Ai nuk zbaton urdhërat e eprorëve por vepron me kokën e tij.”
Në një vlerësim pune të Komitetit Partisë, me rastin e zgjedhjeve në Këshillin Popullor të Rrethit, në 1980, shkruhet: “ Zef Kaçorri nuk e zhvillon me ashpërsi luftën e klasave. Ka patur raste të përsëritura kur ai është shoqëruar me persona me qëndrim të keq politik…”
Ka shumë të kësaj natyre në dosjet e tija por mjaftohem me kaq për të nxjerr konkluzion se; -kjo luftë brrylash i bëhej për ti zënë vendin e punës, por edhe për dashakeqësi nga karakteri i dobët i formuluesëve e miratuesëve të atyre karakteristikave.
Kemi konstatuar se në katër raste për Zef Kaçorin janë marrë masa ndëshkimore; -Në tre raste, “Verejte të rëndë me shkrim” dhe në vitin 1983, “Shkarkim nga puna si drejtor i NFP-se”…..
Përfundime:
• Zef Gjok Kaçorri, për 35 vite si punonjës e drejtues shtetëror ka qenë tepër korrekt, i zoti, i drejtë dhe në asnjë rast nuk është përgojuar se “i ka bërë keq dikujtë”, ka heq kënd nga puna me të pa drejtë, ka bërë dallime klasore në punë. Njihen dhjetra persona që kanë punuar në Ndërmarrjen Tregtare apo NFF që kishin “cen ne biografi”, por ai kurrë nuk u ka ndërruar vendet e punës, nuk i ka përndjekur, përgojuar apo denigruar.
• Zef Kaçorri ka qenë intelektual i shkolluar (ekonomist i zoti), fjalëpaktë, i prerë, i dashur me varësit dhe punonjësit. Ai kurrë nuk u bë servili i askujtë, nuk zbatoi urdhëra pa u bindur vetë, nuk luftoj për karrjerën e tij.
• Zef Kaçorri ishte një qytetar i nderuar i Rrëshenit. Ai ishte i dashur me të gjithë dhe një bashkëshort dhe prind shembullorë.
Shebujt të tillë pozitiv, duhen vlerësuar, publikuar dhe përcjellë brezave për tu ndjekur.
Trashëgimtarët e tij, fisi Kaçorraj dhe bashkëqytetarët e Rrëshenit duhet të ndjehen krenar për një intelektual të nderuar të tyre si Zef Kaçorri.
Mark RICA
Tiranë me 10 Gusht 2024.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

