Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Ded Dodaj, mësuesi i Përlatit që u refuzua përherë dhe pse dhuroi bujarisht mbi tre dyn. tokë për shkollën

Novacionet në mësimdhënie, orkestruan një sulm periodik nga qendra në bazë, pasi cedonte tradicionalitetin

Nga Pirusti News
1 558 Shikime
SHPERNDAJE

Në të gjitha rastet, ata janë individë që kanë treguar mirësjellje, korrektësi dhe kanë qenë miqësor me drejtuesit dhe kolegët e punës dhe nuk duhen mohuar arritjet e secilit në punët që kanë kryer. Deri këtu kjo nuk përbën ndonjë problem dhe e thënë ndryshe, duhen nderuar e vlerësuar për punën që bëjnë gjatë jetës.

Këtu çështja shtrohet për ata që nuk binden dhe nuk pranojnë rutinën e përditshme të dretuesve. Kjo meriton një vemendje më të madhe të drejtuesëve të institucioneve dhe të organizmave, qofshin këto shtetëror apo privat.

Ne vetëm sa e cekim dhe e sjellim në kontekst se synimin e kemi  të paraqesim para lexuesit një personazh konkret me disa nga cilësitë më tipike të karakterit.

Kush është mësuesi në pension Ded Dodaj.

Pas përfundimit të shkollës pedagogjike në mesin e viteve gjashtëdhjetë në Peshkopi, ai do niste punë, mësues i ciklit të ulët në shkollën 8-vjeçare Kaçinar, për të vazhduar në Lurth, Prosek,Perlat-Qendër, Perlat –Epër, derisa doli në pension. Që në fillimet e punës, ai binte në sy për energjitë dhe angazhimin e gjithëanshëm në shkollë dhe fshat. Ai kujtohet nga nxënësit dhe kolegët për orë mësimi ndryshe, për mjete mësimore që përgatiste vetë, për komunikimet dashamirëse me nxënësit, për recitimet që bënte me grupet artistike të fshatit,për vallëzimet në mbëmjet e organizuara, për pikturat e bukura që bante si dhunti të lindur që e kishte,për angazhimet në organizatat e masave të kohës etj. Por le ndalemi në një episod të vetëm në profesionin e tij i cili i solli një refuzim të përhershëm dhe të gjithëanshëm.

Me shumë vullnet ai  insistonte të përgatiste orë mësimi të ilustrura me mjete të përgatitura vetë dhe ta ndërtonte me një metodikë ndryshe.

Ai që në fillim të karrierës arriti të krijonte mjete të thjeshta me shirita prej letre, të cilët i hapte dhe i mblidhte me anë të  një çikriku në dërrasë të zezë. Në këte shirit të shkruar demonstronte para nxënësve temat e mësimit për abetaren dhe matematikën. Ndryshe nga orët e zakonshme mësimore, këto ngjanin me filmat vizatimor që fëmijët i pëlqejnë shumë, duke bërë të rritej kureshtja dhe interesi për orën e mësimit.

Fillimisht duhet thënë se pati një vemendje të dhe gjatë paraqitjes që i bënë demonstrimeve të orëve të  mësimit, ndaj u ra dakort në rrethin metodik që të organizohej një orë mësimi e hapur për të gjithë mësuesit e klasave të para të rrethit, dhe të vlente si një eksperiencë që do niste të aplikohej në të gjitha shkollat e rrethit. Në të vërtet u la një ditë, por vetëm për mësuesit e klasës së parë të zonës. Që nga ajo ditë, në vend që të merrte vemendje dhe vlersime, kjo për mësuesin u kthye në shënjestrim përkundrejt tij. Sëpari nga drejtuesit e arsimit të rrethit, drejtorët e shkollave, por edhe nga  mësues të ciklit të ulët të cilët iu druhenin faktit të paraqitur. Shpjegimi është i thjeshtë, pasi drejtuesit nuk dëshironin thyrje tabush, pasi u dilte më shumë punë. Kolegët mësues e kishin më të lodhshme përgatitjen e një ore të këtij lloji, e cila  do tu sillte “telashe”.

Por sido shkuan punët, vullneti i mësuesit dhe këmbëngulja e tij për atë që ai kishte bindje se ishte më e mira dhe më rezultativja për  orën dhe lëndën mësimore nuk mund t’a ndalonin lehtë. Mësues Deda edhe për shumë kohë vazhdoi ta praktikonte modelin e krijuar  të orës së mësimit. Ai ishte më se i bindur për arritjet që sillte konceptimi dhe realizimi i një mësimëdhënie i modelit që ai kishte ideuar, dhe praktikisht e kishte realizuar në orët e mësimit me nxënësit e tij. Por nga ana tjetër refuzimi që po i bëhej nga strukturat drejtuese erdhi gjithnjë e në rritje.

Në analizë të fundit, pa detaje pedagogjike, ky mësues pamvarsisht se ç’po ndodhte, ishte në rrugë të drejtë dhe orë të këtij modeli edukonin në mënyrë krijuese nxënësin.

Sot pas shumë vitesh është e gjithëpranuar nga didaktika dhe e shprehur qartë se:

Jo tu mësojmë gjëra nxënësve, jo vetëm t’u japim informacion, jo vetëm të imponojmë volume njohurish, por kryesorja është t’i mësojmë nëpërmjet gjërave dhe ti konkretizojmë sa më shumë të mundemi dhe në mënyrë krijuese të kërkojmë shpjegime prej nxënësve.

Mendova të sjellë këte episod pedagogjik të fushës së dijes, jo i pranuar në kohën që përmendëm, por jo i gjithëpranuar ndoshta dhe sot. Përmes këtij episodi vrejmë mësëmiri se që të afirmohet e reja dhe të braktiset  e vjetra  me klishetë e saja nuk është asnjëherë e lehtë dhe në jetë arrihet me shumë mund dhe me vonesë. Një gjë e tillë kërkon njerëz të vullnetshëm dhe që kanë kurajo të përballen me devotshmëri për realizimin e kauzave që ata synojnë.

 Sot më mirë se kurrë kuptojmë se mësuesi Ded Dodaj ka qenë misionar i devotshëm në realizimin e mësimit dhe edukimit të fëmijëve në mënyrë krijuese. Kontributi i tij në fushën e arsimit është shumë i vyer dhe human.Ai ka dhuruar më shumë se tre dynym tokë falas për shkollën dhe duke i mundësuar hapësira të bollshme për oborr dhe terrene sportive. Me këtë gjest u ba shembulli më model nga të gjithë pronarët e tokave të cilët kanë shkollën në pronën e tyre. Ai duke i parë kushtet e vështira të shkollës për higjienën e nevoja të tjera i pat dhuruar ujë nga pusi i tij falas, për shumë vite.

Duarartë dhe  novator, nuk është dalluar vetëm për profesionin e tij .

Mësues Deda, pasi mbaronte me mësimin tregonte interes edhe në fusha të tjera. Duke parë lodhjen e një të afërmi të tij që punonte në bluarjen e drithërave për bukën e fshatit, pati arritur të realizojë de-fakto sitjen e miellit për bukën e fshatit, me anë të një mekanizmi që lidhte sitën me aksin rrotullues të gurëve të mullirit. Kjo përbënte novacionin e parë dhe të vetëm për ekonominë bujqësore (kooperativa bujqësore) të asaj periudhe. Por në vend që t u përgjithësonte dhe t’u shpërblente për novatorizmin e bërë, u përçmua dhe u pa me skepticizëm. Argumenti i vetëm i drejtuesve të kooperativës ishte se nuk e përballon aksi ku vendosej sita një ngarkesë të tillë, e në fakt ajo funksiononte për mrekulli dhe po shihej nga të gjithë. Prirja të cilën e kishte shfaqur që kur ishte nxënës për t’u marrë me pikturë i’a mundësonte të perceptonte edhe gjëra të tjera në zhvillime të objekteve në hapsira tre përmasore. Me iniciativën e tij arriti të ndërtonte hartën reliev të rrethit të Mirditës që e prezantonte si një skulptor të mirëfilltë, por edhe kjo pati fatin si novacionet e tjera.

 I sollëm këto për të kuptuar se mendja, dora dhe talenti që ky kishte nuk ishin punë të thjeshta teknicieni që kushdo me vullnet mund t i kryente, por tregojnë se ai ishte një novator i vërtetë.

I urojmë pensionim sa më të gjatë dhe shprehim respektin tonë për misionin që aq shumë u përpoq ta realizonte  gjatë të gjitha viteve të mësuesisë.

Tonin Mrruku, ish nxënës i mësuesit novator.

Nok Mrruku, mësues dhe drejtues i shkollës Përlat

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest